Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Begzad Baliu: Enciklopedia e ndarjes

| E marte, 25.05.2010, 08:11 PM |


Fjala e hapjes në përurimin e:

 

Enciklopedia e ndarjes

?

Nga Begzad Baliu

bbaliu@yahoo.com

 

Në përurimin e vëllimit me studime ENCIKLOPEDIA E NDARJES. Marrëdhëniet shqiptare - maqedone, konteksti i Enciklopedisë, Botoi Instituti Albshkenca, Prishtinë, 2010. 

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,

Tetë dekada më parë në Sofje u botua libri i linguistit të njohur rus Selishqev, Slavjanskoe naselenie v Albanii. Dija shqiptare e kohës, me përgatitjet e saj modeste, mund të shkruante ndonjë artikull gazete a reviste të kohës, por nuk e kishte arritur përmasën e shkollës evropiane, me të cilën kësaj vepre do t'ia tregonte vendin e duhur. Kjo është arsyeja pse këtë detyrë e merr Norbert Jokli, albanologu më i madh i shekullit XX, dhe përgjigjen e tij shumë të gjatë, prej rreth dhjetë tabakësh shtypi, e fillonte me këtë sintezë, me të cilën po e fillojmë edhe ne përurimin e vëllimit me studime Marrëdhëniet shqiptare - maqedonase, në kontekst të botimit të Enciklopedisë maqedonase.

"Filologjia sllave pothuaj që nga themelimi i saj, sidomos që me brezninë e dytë të gjurmuesve të saj, u ka kushtuar vëmendje plot dashuri studimeve albanologjike fqinje. Nëse Kopitari ishte njëri nga pionierët e gjurmimit të Ballkanit dhe me këtë edhe i hetimit të marrëdhënieve sllavo-shqiptare, nëse Vuku në veprimtarinë e tij mbledhëse mori njëmend parasysh edhe këngën popullore shqipe, por më shumë me një lloj dashurie të fshehtë, Miklosichi nuk është vetëm krijuesi i shkencës gjuhësore sllave, por edhe njëri nga themeluesit më të shquar të gjurmimit të historisë gjuhësore në lëmin e shqipes" .

Kanë kaluar tetë dekada dhe dija e europianizuar shqiptare, shkenca shqiptare dhe institucionet shqiptare kanë shënuar përmasat universale të nxënies së dijes dhe në mos asgjë tjetër, albanologjinë, e kanë bërë shkencë nacionale.  

Por filologjia shqiptare, ndryshe nga filologjia sllave, ende nuk jua ka kushtuar vëmendjen e duhur fqinjëve të shqiptarëve (në të gjitha përmasat e duhura: historike, kulturore, etno-psikologjike, gjuhësore etj.) dhe për më tej as në periudhën e parë (kur mundësitë e saj ishin të kufizuara) as në periudhën e dytë (kur i ka pothuajse të gjitha instrumentet bashkëkohore), nuk jua ka dhënë përgjigjen e duhur rezultateve të dijes së fqinjëve grekë e sllavë, për përmasën e kulturës materiale e shpirtërore të shqiptare.

Fqinjët tanë për shqiptarët, kanë gjurmuar, mbledhur, sistemuar, studiuar e sintetizuar në dosje, në arkiva, në tryeza të fshehta e të hapura, në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, në vëllime popullarizuese, shkencore e ekstrashkencore, në vepra politike e diplomatike, në vepra sintetike e enciklopedike, një lëndë të pasur materiale e studimore, siç na thotë edhe Jokli, për më se dy shekuj, ndërsa ne vetëm shekullin e fundit dhe në një përmasë më aktive, vetëm gjysmëshekullin e fundit, gjejmë reagime kryesisht individuale dhe madje individualiste për autorë a vepra të studiuesve sllavë. Fjala është kryesisht për  reagimet e Profesor Mark Krasniqit, ndaj etnografëve serbë (kryesisht Cvijiqit), të Profesor Hasan Mekulit, të Profesor Rexhep Qosjes (kundër Dobrica Qosiqit dhe studiuesve të tjerë sllavë e maqedonas), profesor Agim Vinces (strukturave politike  dhe kulturore ne Maqedoni),  Arshi Pipës

(ndaj Markoviqit) etj.

Fqinjët tanë sllavë, luftërave tona, kryengritjeve tona antiserbe dhe antimaqedonase,  protestave, demonstratave dhe reagimeve të tjera, ju kanë prirë  me propagandë të koordinuar (të brendshme dhe të jashtme), me artikuj publicistikë, me tryeza shkencore, me vepra në gjuhët nacionale dhe ndërkombëtare, ndërsa ne as dje ju kemi prirë me analiza për fatin tonë në ato luftëra, as sot me analiza për fitoren e tyre.

Nuk mund të mos themi ndërkaq se sprovat e bëra (sado të rralla kanë qenë) kanë dhënë rezultate dhe të rëndësishme: vëllimet me dokumente "Serbët dhe shqiptarët"(I-III)  dhe vëllimi i kumtesave të studiuesve shqiptarë e atyre jugosllavë "Kosova - Serbia -Jugoslavia", të gjitha të botuara në Lubjanë, si dhe vëllimi me kumtesa për "Gjendjen e toponimisë shqiptare në Maqedoni", botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, kanë treguar sa e rëndësishme është paraqitja dhe mbrojtja e përbashkët dje kur na mungonin institucionet apo kur institucionet ende nuk ishin në duart tona dhe sa të rëndësishme do të ishin vëllimet e tilla me dokumente, studime, analiza dhe sinteza të tjera sot, të shkruara dhe të botuara nga institucionet shkencore të Kosovës dhe natyrisht të Shqipërisë.

Nuk mund të mos e shpreh shqetësimin tim, ndërkaq se edhe rasti i fundit me Enciklopedinë maqedonase, na ka dëshmuar se sjellja dhe përgjegjësia jonë institucionale ndaj pasurisë materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, edhe vet iniciativa jonë për të botuar një vëllim me kumtesa në përgjigje akademikëve maqedonas, dëshmon se konflikti ynë me fqinjët është ende i natyrës: kryengritës-shtet, individ-institucione. Pra, në marrëdhëniet me fqinjët vazhdojmë të qëndrojmë, në njërën anë shqiptarët: sakrifikues apo njerëz të vullnetit të mirë dhe anë anën tjetër mekanizmat e organizuar të shtetit serb apo maqedonas dhe institucionet e tyre shkencore.

Vëllimi që po e përurojmë është pikërisht një shembull i vullnetit të mirë të studiuesve shqiptarë, për t'ju dhënë përgjigje akademikëve maqedonas, në vend të përgjigjes që shumë herë më shumë do të duhej t'ju jepnin institucionet tona shkencore. Jemi ndërkaq shumë të kënaqur që ky vëllim modest ka madje edhe përgjigje rrënjësore akademike, të cilat sidomos shkenca serbe deri dje dhe nën hijen e saj shkenca maqedonase sot, ka një shekull që po priste t'i merrte.

Instituti Albshkenca i Prishtinës dhe Shkupit, me këtë vëllim nuk pretendojnë t'iu ketë dhënë përgjigje të gjitha çështjeve të ngritura në Enciklopedinë maqedonase, përkundrazi, këtë vepër e konsiderojnë vetëm një shembull simbolik se si duhet reaguar ndaj institucioneve shkencore të popujve fqinj kur ato atakojnë kulturën materiale e shpirtërore të popullit shqiptar. Përurimi i vëllimit pritet të bëhet këto ditë në Prishtinë.

Albshkenca/pres

Të nderuar kolegë!

Kjo është arsyeja pse drejtuesit e Institutit Albshkenca në Prishtinë, sigurisht në bashkëpunim edhe me studiues e institucione të tjera shkencore në Kosovë dhe jashtë saj, tashmë po punon në përgatitjen e projektit Marrëdhëniet shqiptaro-sllave, tashmë me titull pune ("Trashëgimia e shekullit XIX dhe perspektiva e shekullit XXI" ose "Prej konflikteve brenda Eposit të Kreshnikëve deri te hapja e varrezave masive shqiptare në Serbi").

Pasi projektet e tilla, zakonisht marrin shumë kohë, sot nuk mund t'ju them se do të takohemi shpejt, në përurimin e saj, por mund të ju them se ky projekt do të kryhet!