Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Naser Aliu: Fletërrufe

| E hene, 24.05.2010, 09:58 PM |


Naser Aliu

Fletërrufe *

 

»Ai pe ngon grujën«

»Ai dëgjon gruan« e vet pa pikë turpi

Merreni me mend këtë shkelje zakoni

Merreni me mend ju lutem: Gruan e vet dëgjon ai

Mozomakeq

Çfarë zhgënjimi për fisin!

 

Il écoute sa femme! Është dashuri e bashkëpërgjegjësi

Ascolta sua moglie! Është dashuri e bashkëndijesi

Er hört auf seine Frau! Është dashuri e bashkëpunim

Ata dëgjojnë njëri tjetrin

Ata thurin dashurinë, afshin e ngashërimin

Dhe, dëgjojnë zemrat e tyre ditën dhe natën

 

Mirëpo,

»Ai dëgjon gruan!« e vet është marre

Aty këtu edhe kundërvajtje!

 

(Dëgjo gratë tjera!

Apo gratë e huaja

Apo parën, takon rrugë me taka larta

Apo dytën, tretën me fustan shkurtër e buzë kuqe

Nuk është me rëndësi cilën

Jo tënden

Jo atë, solle shtëpi

braktisi vatrën...

 

Se jep burrëria!

 

Shtype, nuk ka nga tia mbajë

E ke zënë pisk

Dhe ngriti pusi shtëpinë tënde

Rrëno ditën

E ndërto natën, mburracak i dheut!)

 

»Ai dëgjon gruan«  përkthehet:                                           

Mungesë potence

Mungesë guximi

Ose shkurt e shqip: nënshtrim

Jo empati, jo përputhje!

 

Ai shtypi,

Ai shtypi e përbuzi gruan ditën

Ashtu si shtyp njeriu i pashpirt

Ashtu si shtyp njeriu i pamëshirë

Ashtu si shtyp impotenti nga frika e madhe

Por, vetëm prani tjerëve

shtëpi

Dhe vende publike

Kur ishin vet, mërrolët e grushtet nuk kishin kuptim

 

Shante ditën trimi

E pajtohej pakëz natën, tinëz

Pasi lëshonte perdet

Pasi mbyllte derën

Kur nuk e shihte njeri

Kështu e lavdëronin ata

Ata nuk duhet ti dëgjonte

Ata mbillnin hipokrizi

E korrnin hipokrit

Sepse për disa

Për disa dashuria është mëkat

Vrasja lule ballit nder

Ja pse ai nuk jetoi jetën e vet

Sepse ai jetoi jetën e huaj

Jetën tashmë jetuar: përdorur, harxhuar

Dhe është shpirti i huaj trupin e vet

Ai është koha e kryer

Ose, e kryera e thjeshtë fletërrufe!

 

 

Fletëshërbim

»Flokëgjatë e mendjeshkurtër«

janë ato,

tha mendjegjati

 

Thua se burrat ishin tullacë

Thua se gratë kishin vetëm flokë kokë

Thua se mendjegjati nuk kishte lindur nga nëna

Thua se mendjegjati ishte shumuar me ndarje

Thua se u lind vetëm nga i ati me mendje gjatë disa metra pas vete...

 

»Flokëgjatë e mendjeshkurtër«

janë ato,

tha mendjegjati

dhe, na shau Nënën!

 

* I kushtohet një çifti të dashuruar, që u shkurorëzua pas pesë muajve,  jo nga mungesa e dashurisë, por nga trysnia dhe intrigat, sepse dashuria e tyre ishte tepër e madhe, turpshëm e madhe për rrethin...