Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kushtrim Kastrioti: Miting antiqeveritar kundër totalitarizmit demokratik

| E diele, 23.05.2010, 07:59 PM |


Kryeministri Boc dhe Traian Basescu
Kryeministri Boc dhe Traian Basescu
Korrespondencë nga Bukureshti

 

Miting antiqeveritar kundër totalitarizmit demokratik

 

Nga Kushtrim Kastrioti

 

Pas dështimit diplomatik (me karakter prorus dhe antiamerikan) lidhur me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, presidenti rumun Traian Basescu dështon edhe në fushë të mbrojtjes së interesave ekzistenciale të popullit rumun, të cilin është duke e katandisur në kthetrat e varfërisë. Para 5 vitesh, me rastin e fushatës elektorale bërtiste “Të rroni mirë!”, ndërsa koha dëshmoi se ai dhe klientela e tij politike jetojnë mirë, ndërsa populli jeton më keq se në kohën e diktatorit komunist Nikolla Çaushesku. Mitingu i paradisaditshëm para Pallatit Victoria shëmbëllente me mitingun spontan kundër Çausheskut (dhjetor 1989). Shëmbëllente përnga numri i pjesëmarrësve (mbi 50 mijë vetë), por jo edhe përnga violenca që përdori asokohe ushtria dhe milicia rumune kundër demonstruesve të pafajshëm. Pa marrë prasysh revoltën popullore, derisa t’i skadojë mandanti presidencial, Basescun e njohur sipas burimeve elektronike si “ish/oficer i sigurimit komunist” nuk mund ta rrëxojë kush ngase numri i “oficerëve” të sigurimit të tij është dhjetfish më i madh se numri i pjestarëve të Securitates së Çausheskut. Çausheskut dhe Basescu mbeten dy nga personazhet më karikaturiste në historinë e 22 milionë banorëve të këtij vendi me resurse të hatashme, të cilin Papa Gjon Pali i Dytë e konsideronte si “Kopshti i Nënës së Zotit”.

 

Ne duam respekt
Ne duam respekt
Organizuar nga Federata e organizatave sindikale, mjekë, kuadro didaktike, funksionarë publikë, pensionarë, më 19 maj mbajtën një miting të madh antiqeveritar para pallatit qeveritar, një protestë e civilizuar dhe paqësore e solidaritetit ku u kërkua demisoni/dorëheqja e kryeministrit Boc dhe qeverisë së tij. Revolucionarët rumunë më 1989 kërkonin që pushteti të mos mbetet në duart e një njeriu të vetëm, por kjo porosi e proklamatës së atëhershme ende nuk është zbatuar në një vend ku i gjen ish/komunistët gjithandej në pushtet, ndaj mos të na habisë fakti se klasa politike rumune dhe e bija e presidentit, Elena Bassecu, europarlamentare, bie viktimë e propagandave serbe të metropolës rumune lidhur me Kosovën.  Më 19 maj të këtij viti u tubuan para pallatit qeveritar jo vetëm sindikalistë, por edhe të papunë, madje edhe studentë, të ngopur nga varfëria në të cilën a katandisi klientela politike e kryeministrit Boc, dora e djathtë e Baseskut që paralajmëroi zbritjen prej 25% të pagave dhe 15% të pensioneve, masa represive të cilat i nxorrën në rrugë mbi 50 mijë qytetarë me brohoritje Poshtë Qeveria, Poshtë Basescu, Traian Basescu le të shkoje në shtëpi!

 

Basescu ka një biografi pozitive për demaskimin e regjimit komunist, por për fat të keq ka edhe përvojë “profesionale” për metoda manipulimi dhe propagande, për të krijuar krizë politike, krizë ekonomike dhe krizë ekzistenciale, një krizë të cilën mund ta eliminojë guvernatori i Bankës Nacionale Mugur Isarescu, një teknokrat pa apartenecë politike, i preferuar nga disa analistë politikë si kryeministër i mundshëm dhe i aftë për shpëtimin e Rumanisë nga greva gjenerale që mund të eskaladojë më 31 maj. “Kur qytetarët vdesin nga uria, ata kanë të drejtë t’i gëlltisin qeveritarët”, ishte një nga brohoritjet e njërit nga liderët e sindikatave rumune. Pse? Ngase Rumania është atdheu i 22 milionë vetëve, e jo vetëm i klientelës politike që ka gëlltitur miliona euro, jo vetëm për fushatë elektorale. Masa e revoltuar përbëhej nga njerëz të thjeshtë që kërkojnë të drejtën për një jetë normale, gjë që dëshmon se sindikatat kanë aftësi për organizim, mitingu i Bukureshtit duke qenë një nga mitingjet më të mëdha të Evropës kontemporane. Qeveria rumune duhet të kërkojë resurse tjera për mbijetesë dhe të refuzojë vendimet absurde për zbritjen e pagave dhe të pensioneve, ngase kësaj nuk i thonë demokraci por totalitarizëm demokratik.

 

 

Pamje nga mitingu ne Sheshin Viktoria
Pamje nga mitingu ne Sheshin Viktoria