| E diele, 23.05.2010, 06:46 PM |
Nga Alma Mile
Është treguar një diplomat servil ndaj shteteve të mëdha, duke u huazuar ligjet, apo dëshironte vërtetë më të mirën. Sot, kjo nuk përbën ndonjë rëndësi shumë të madhe. Kanë kaluar plot 81 vjet qysh atëherë dhe ai vazhdon të jetë aktual. Juristët vazhdojnë t'i referohen, ndërsa nuk të lë indiferent fakti që Shqipëria, vendi më i prapambetur në Evropë, të kishte një legjislacion aq të përparuar për kohën. Shtëpia botuese "Papirus" sapo ka hedhur në qarkullim "Kodin Civil të Zogut". Një ribotim, i cili i qëndron besnik origjinalit, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në gjuhë, terminologji, por edhe në format. Periudha e mbretërimit të Ahmet Zogut ka qenë një ndër kapitujt më pak dhe më keq të trajtuara në historinë e Shqipërisë. Gjatë viteve të diktaturës komuniste, ajo trajtohej thjesht dhe vetëm si një periudhë "obskurantiste", e "prapambetur", etiketime këto, me të cilat bie ndesh kodi që kemi marrë në duar. I mbështetur në legjislacionet më të mira të vendeve evropiane, ai parashikonte dhe garantonte të drejtat e individit, i cili ishte i lirë të trashëgonte pasuri, të grupohej në shoqata e organizata, çka e patën të ndaluar gjatë viteve të komunizmit. "Kodi Civil i Zogut", miratuar më 1 prill të vitit 1929, është i ndarë në katër libra, apo pjesë dhe secili prej tyre në kapituj, apo "kaptina", siç quheshin aso kohe. Ato përbëjnë dhe katër shtyllat e këtij kodi, që janë "Personat dhe familja", "Trashigimi", "Sendet, zotënimi dhe modifikimet e tij" dhe "Mënyrat e fitimit dhe të transmetimit të zotënimit dhe të së drejtave të tjera mbi sendet".
Sipas botuesve, kanë qenë disa arsyet që i shtynë të risjellin 81 vjet më pas këtë kod, duke filluar që nga vlerat historike, aktuale, por edhe gjuhësore. "Është e habitshme të mendohet që Shqipëria e vitit 1929 ka pasur një kod sa të plotë aq edhe përparimtar. Sigurisht që këtu meritë kanë kodet e vendeve të huaja, mbi të cilat ai u mbështet, por meritë kanë pasur sidomos vendimmarrësit shqiptarë të asaj kohe, që u frymëzuan nga vendet më përparimtare (Franca, Italia dhe Zvicra)", thonë botuesit e "Papirus", mbi vlerat historike të kodit. Aq i dukshëm është huazimi, saqë edhe disa prej termave ofrohen edhe në gjuhë të huaj, kryesisht frëngjisht, krahas termit shqip.
Por duket se ky kod është edhe sot aktual, ndonëse ka kaluar gati një shekull prej kohës së hartimit të tij. Mësohet se ende sot shumë dosje të trashëgimisë dhe pronësisë zgjidhen me këtë kod ose i referohen atij. Pra, ai vazhdon ende të jetë një instrument i rëndësishëm pune për avokatët, juristët e gjyqtarët si dhe për të gjithë specialistët kësaj fushe. E përveç vlerave historike e të përdorimit edhe në ditët e sotshme, ky kod paraqet edhe vlera të mirëfillta gjuhësore. "Ka shumë fjalë të bukura të vjetra të shqipes që, fatkeqësisht, sot përdoren shumë rrallë nga njerëzit e pasionuar për gjuhën, të cilët në ditët tona kanë mbetur jo të shumtë", thonë botuesit.
Sipas specialistëve të jurisprudencës, Kodi Civil i Mbretërisë Shqiptare do të përfaqësonte një risi në realitetin që prezantonte shteti dhe shoqëria shqiptare e asaj kohe. Padyshim, të drejtat e huaja, e veçanërisht ato franceze, italiane dhe deri diku gjermane e zvicerane, do të frymëzonin legjislatorin shqiptar për të sanksionuar në dispozitat e tij barazinë e të gjithë qytetarëve, emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe lirinë për angazhim në aktivitete ekonomike.
Sipas Prof.Dr. Kudret Çela dhe Dr. Juliana Latifim, të cilët kanë shoqëruar këtë botim edhe me një parathënie, "pranimi i të drejtës së huaj në 'Kodin Civil të Zogut', më shumë se "një çështje cilësie", ishte një "çështje pushteti", sepse të drejtat e huaja, sidomos ajo franceze dhe italiane, të cilat gjetën sanksionimin e tyre në këtë kod, ishin të drejta që i përkisnin ndikimit shpirtëror të civilizimit modern dhe mbi të gjitha, atij të "Rilindjes italiane" dhe të "Revolucionit francez"".
Sipas tyre, hyrja në fuqi e "Kodit Civil të Zogut" do të diktonte edhe përkatësinë e të drejtës civile shqiptare në familjen romano-gjermanike, duke e shkëputur atë përfundimisht nga e drejta otomane. Por pavarësisht se ai mbështetej në legjislacionet më bashkëkohore të kohës, personifikonte vlera pozitive historike, ndryshimet që ndodhën në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e të ashtuquajturit "pushtet popullor", do të sillnin shfuqizimin e tij, dhe njëherazi, regresin legjislativ, social dhe ekonomik.
Pjesë nga "Kodi Civil i Zogut"
LIBRI I PARË
Personat dhe familja
Gëzimi i të drejtave civile dhe shtetësia
NENI 1.- Çdo shtetas gëzon të drejtat civile, kur nuk asht rrëzue nga ato me një dënim ndëshkimuer.
NENI 2.- Bashkiët, prefekturat, institutat publike civile ose fetare, dhe përgjithësisht gjithë personat juridikë ligjërisht të njoftuna gëzojnë të drejtat civile, sikurse tregohet në Titullin XV të këtij libri.
NENI 3.-I hueji gëzon të drejtat që kanë shtetasit, pasë përjashtimeve të caktueme prej ligjës.
NENI 4. - Asht shtetas shqíptar prej lemjeje:
1)Fëmija e atit shtetas:
2)Fëmija e amës shtetase kur i ati nuk dihet ose nu ka shtetësinë shqiptare, as atë të një shteti tjetër, ose kur fëmija nuk ndjek shtetësiën e atit të huej simbas ligjës të shtetit të këtij;
3)Ay që ka lé në Shqipnië, kur të dy prindët e tij nuk dihen ose nuk kanë shtetësinë shqiptare, as atë të një shteti tjetër, ose kur fëmija nuk ndjek shtetësin' e prindëve të huej simbas ligjës të shtetit të këtyne.
Fëmija e gjetun në Shqipnië prindët e të cilit nuk dihen, prezumohet se ka lemun në Mbretëninë deri sa të provohet e kundërta.
KAPTINA II.
Shoqatat (associations)
NENI 424.- Shoqatat politike, fetare, skencore, artistike, mir-baëse, dëfrimi ose të tjera që nuk kanë një qëllim ekonomik, marrin personalitetin kur regjistrohen në radhorin e treguëm në nenin 410, massi të kenë shprehun vulnetin e tyne për m'u organizue korporativisht dhe të kenë aprovue statutin...
LIBRI I DYTË
Trashigimet
NENI 454.- Trashigimi vjen me ligjë ose me testament.
Trashigimi legjitim (me ligjë) ka vënd vetëm kur e përsa mungon trashigimi testamentar.
Trashigimet legjitime
NENI 455.- Ligja trashigimin u a sjell të paslindunëve legjitimë (descendantas), të parëlindunve (ascendants), gjiniës tërthore (collatéraux), fëmijëve natyrale dhe bashkëshortit (conjoint), simbas radhës dhe regullave që caktohen maposhtë, dhe, në mungesë të këtyne, Shteti si pasunië patrimoniale e këtij.
KAPTINA I.
Zotësia (capacité) për me trashigue
NENI 457.- Çdo person âsht i zoti me trashigue, posë përjashtimeve të caktueme prej ligjës.
NENI 458.- Janë të pazotë me trashigue, si të pa qënun:
1)Ata që ne kohën e çeljes të trashigimit nuk janë të zanun (conçus) ende;
2)Ata që nuk kanë lé të jetuëshëm (viable). Kur ka dyshim mbi jetuëshmëniën, prezumohen të jetuëshëm ata, për të cilët konstatohet se kanë le gjallë.
NENI 459.- Janë të pazotë me trashigue, si të padënjë (indigne):
1)Ay që me qëllim dhe pa të drejtë ka vra, ose ka tentue (tenter) me vra trashigim-lânësin (de cujus) ;
2)Ay që ka kallzue trashigim- lânësin si fajtor të një delikti të ndëshkuëshëm me dënim kontra liris personale, minimumi i të cilit kalon te tre vjetët dhe kallëzimi asht dekllarue çpifje me vendim gjyqi
LIBRI I KATËRTË
Mënyrat e fitimit dhe të transmetimit të zotënimit dhe të së drejtave të tjera mbi sendet
KAPTINA IV.
Bashkepasunimi midis bashkëshortëve
NENI 1378.- Nuk munt të përfshihen në bashkëpasunim as aktivi dhe pasivi i tashmë i bashkëshortëve as pasunia q'u vjen si trashigim ose dhuratë sa vazhdon bashkëpasunimi; por gëzimi i pasunisë së luejtëshme ose të paluejtëshme, të tashme dhe t'ardhme të bashkëshortëve, hyn në bashkëpasunim.
NENI 1380.- Bashkëshortët para martesës detyrohen të bajnë një përshksim autentik të pasuniës së luejtshme që kanë, si dhe një t'atillë përshkrim për sendet e luejtëshme q'u vijnë sa vazhdon bashkëpasunimi. Në mungesë të një përshkrimi të tillë ose të një titulli autentik tjetër, sendet e luejtëshme konsiderohen si fitime të bashkëpasunimit.