| E diele, 23.05.2010, 07:58 PM |
SHUMËSI DHE SHQUARSIA
E EMRAVE
NË SHQIPEN STANDARDE
(konstatime, diskutime, propozime)
Nga DR. NUHI VESELAJ
nuhiveselaj@hotmail.com
II. SHUMËSI I EMRAVE MASHKULLORË ME
mbaresat e mirëfillta
Mbaresa të mirëfillta shumësi, sipas rrafshit sinkronik, pa hyrë në diakroni, i quajtëm mbaresat e thjeshta: -Ë, -E dhe –A, mbaresa këto që, vërtet, janë bazore në gjendjen e sotme, por edhe në anën tjetër, sadokudo, na ndihmojnë, jo vetëm ta njohim një pjesë të pyllishtës nga mali i çështjeve të diskutueshme ose jo të njohura sa duhet të shumësit të emrave mashkullorë të shqipes, por gjithashtu na ndihmojnë për të vënë në pah më mirë prirjet orientuese që dalin nga ky kompleks, dhe njëherazi na ndihmojnë me e kapë fillin, i cili do të na shpjerë në zgjidhjet më të pranueshme të çështjeve të hapura nga kjo fushë.
Në këtë kontekst shtrohet pyetja si të njihet dhe të kapet një fill i tillë dhe cilat janë ato prirje orientuese dhe sa janë të hetueshme dhe të përdorshme ato për të ndihmuar zgjidhjen e çështjeve të hapura e jo mjaft të njohura? Përgjigja nuk mund të jepet aq lehtë e thjeshtë menjëherë e me pak fjalë, megjithatë, ne, do të përpiqemi të japim më të përpunuar ndonjë ide a mendim tonin të cekur paksa më përpara dhe atë do ta bëjmë në mënyrë sa më të afrueshme shkallë-shkallë, e cila do të shpjerë drejt përgjigjes së dëshiruar.
Ç’është e drejta, ne për të bërë çështjen më të përkapshme dhe më të lehtëkuptueshme dhe për të vënë në pah ose për të përkapur më mirë atë fill lëmshi për të zbërthyer çështjen në fjalë, lëndën e këtij kreu, e kemi ndarë në pesë pjesë:
Së pari, do të ndalemi rreth prirjes së specifikimit të mbaresave të mirëfillta sipas fushave semantike që mbulojnë si kundërvënie ndaj metodës fundore/mbaresë, e cila sipas nesh del shumë e diskutueshme. Del shumë e diskutueshme për arsye se rregullat, të cilat ende janë në fuqi, pothuaj, masivisht dalin të pazbatueshme ose të zbatueshme me vështirësi, madje edhe nga vetë elita hartuese ose mbështetëse e rregullave përkatëse në fjalë.
Së dyti, do të ndalemi rreth alternativës trashëgimore të përdorimit të mbaresave në fjalë në përqasje krahasuese të lëndës FGJSH 1954 / FGJSH 2006 dhe rezultatet që dalin nga kjo punë, jo vetëm si ide-propozim, por edhe si sprovë-prirje, përkrahet prej nesh, sepse duke shfrytëzuar këtë fakt, mendojmë ne, do të arrihet në një zgjidhje më të natyrshme të çështjes në fjalë, duke mos e injoruar as metodën e diskutueshme në fuqi.
Së treti, do të trajtojmë lëndën përkatëse nga burimet tona normative (fjalorët normativë 2002, 2006), duke i theksuar mbaresat përkatëse të mirëfillta, sipas shembujve konkretë të emrave të regjistruar në ato burime mbi bazë të bashkëtingëlloreve fundore të thjeshta, duke pasur parasysh edhe zgjidhjen e ofruar si propozim-ide rreth specifikimit të mbaresave të thjeshta sipas nënfushave përkatëse semantike.
Së katërti, në skemat përkatëse të hartuara nergut do të japim numrin e fundoreve sipas shembujve ilustrues me mbaresat përkatëse të shënuar në katër doracakët normativë të shqipes së sotme letrare.
Së pesti, do të trajtojmë shembujt me mbaresat e mirëfillta mbi togjet përkatëse fundore, gjithnjë duke tërhequr vëmendjen në anën pozitive të ide-propozimit tonë rreth zgjidhjes së çështjes në shqyrtim mbi bazë të specifikimit të mbaresave të mirëfillta.
(1) specifikimi i mbaresave të thjeshta sipas
fushave semantike si KUNDËRVËNie
NDAJ METODËS FUNDORE-MBARESË
Për të qenë synimi ynë sa më i përkapshim e shohim të arsyeshme t’i rikujtojmë ose parësorisht t’i themi ca fjalë rreth nja katër çështjeve, të cilat paraprakisht del e nevojshme të njihen:
e para, dy fjalë rreth historikut të metodës fundore-mbaresë dhe vështirësitë rreth zbatueshmërisë së saj,
e dyta, rreth prejardhjes së mbaresave të thjeshta si zhvillim i brendshëm i natyrshëm i gjuhës sonë,
e treta, rreth formulimit të ide-propozimit tonë për specifikimin e mbaresave të thjeshta sipas fushave semantike, si kundërvënie ndaj metodës fundore-mbaresë dhe
e katërta, rreth metodës fundore/mbaresë sot si penguese e stimulimit semantik të specifikimit të mbaresave të thjeshta sipas fushave semantike.
1) Dy fjalë rreth historikut të metodës
fundore-mbaresë
Me sa dimë ideja rreth zgjidhjes së shumësit të emrave mashkullorë të gjuhës shqipe sipas metodës fundore- mbaresë është dhënë nga prof. Gjergj Pekmezi. Ndërkohë ajo është përqafuar si ide-metodë nga prof. Jup Kastrati, dhe si e tillë është zgjeruar e zbatuar si metodë pune nga prof. A. Kostallari e prof. Mahir Domi dhe nga pasuesit e tyre, ngase një metodë e tillë jo vetëm u parapëlqye, por edhe u zbatua, duke u formuluar edhe si rregull drejtshkrimor e fjalëndërtues. Ç’është e vërteta, një zgjidhje e tillë, si me thënë, parimisht nuk ishte pa vend, por pasi funksionalisht nuk kishte si të parashoqërohej me ndonjë motivim tjetër më të arsyeshëm, ajo funksionalisht, në një masë të madhe, doli me vështirësi zbatueshmërie.
Pse themi kështu, apo pse e quajmë si metodë jofunksionale, dhe ku mbështetemi për një cilësim të tillë? Do të përpiqemi me shpjegue tash fill.
Ekspertët e normës letrare e dinë se në drejtshkrimin e vitit l956 thuhet se marrin mbaresën -Ë të gjithë emrat e mbiemrat që mbarojnë me këto fundore: -ac, -ak,- al, -an, -aq, -ar, -ik, -ist, -it, -jan,, -nik,, -ok,-or, -ot,, tor, uk - gjithsej 16. Në Drejtshkrimin e Prishtinës të vitit 1963, këtij numri të fundoreve i shtohen edhe nja 7 të tjera: -aç, -ant, ,-at, -ec, -en, -er, -tar që bëjnë 23 (ose 16+7) fundore. Ndërkaq në Rregullat e drejtshkrimit (Projekt 1967) këtij numri i shtohen edhe 21 fundore të tjera, si: -ash, -az, -eç, -ek, -el, -en, -esh,-ir, -(j)ot {nënkupto: -jot edhe -ot }, -oç, - ol, -oll, -os, osh, oz, -uc, ul, -un, -uq, -ush, që gjithsej arrin numri i fundoreve në 43 (ose 23 + 20) sosh. Po këtij numri në Drejtshkrimin e vitit 1973 i shtohen edhe këto nëntë fundore: -et, -ez, -il, -on, -af, -ap, -in, -id, -ont - gjithsej 52 (ose 43+9), numër ky që nuk është përfundimtar, ngase në Gjuha letrare shqipe për të gjithë (1976) ceken edhe rastet më – (i)an, -i/er , -j/er, -i/on, kështu që numri i përgjithshëm i fundoreve të tilla i afrohet, madje edhe e kalojnë gjashtëdhjetëshin, madje kur shtohen shembuj me fundore që marrin me mbaresën tjetër -E ose -A, ky numër del edhe më madh dhe me përsëritje shembujsh etj. kalon 100-shin. Edhe në Gramatikën e Akademisë (2002), pasi përmenden afro 50 fundore shtohet treguesi etj., tregues ky që në të vërtetë, jep për të kuptuar se numri i fundoreve dhe i shembujve mundet me qenë pa kufizim(!).
Po kështu në njëfarë mënyre numër jo i kufizuar përmendet edhe në vepra të tjera të autorëve tanë të shquar nga prof. Sh. Demiraj, prof. B. Bokshi si dhe pothuaj nga të gjithë gramatikëhartuesit dhe studiuesit e gjuhës sonë që prekin në njëfarë mënyre këtë rregull drejtshkrimo-gramatikor.
Me sa dimë. vetëm prof. Ali Dhrimo, në referimin e tij në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), kur ende ishte i pasanksionuar plotësisht ose përfundimisht drejtshkrimi i gjuhës shqipe i 1967/1973-shit, pati reaguar mjaft me vend rreth kësaj zgjidhjeje të diskutueshme që jepte Projekti i drejtshkrimit (1967), d.m.th. autori pati tërhequr vërejtjen për fundoret enorme, duke cekur pikërisht si problemor “shumësin e emrave që mbarojnë me –ac, -aç, -al,- an, -at, -az, -el, en, -it, -ol etj. që nga ky drejtshkrim jepet si shumës i rrafshuar në –Ë, po që, në të vërtetë, ka me dhjetëra shembuj që e kundërshtojnë një rrafshim të tillë...”, andaj, autori problemin e quan si “inkonsekuencë të papërligjshme” dhe për këtë shënon nja 20 shembuj konkretë kundërshtues, por duke e përsëritur në fund dy herë treguesin etj. etj. që na jep për të kuptuar se kishte në rezervë edhe shembuj të tjerë inkonsekuentë.
Mirëpo, pasi edhe ky dhe dikush tjetër nuk patën ide se si mund të zëvendësohej kjo metodë pune ose si të shpëtohet prej këtij numri enorm të fundoreve të tilla jofunksionale, ajo ende mbeti në fuqi si metodë e parapëlqyer mbizotëruese a një sirregull-porosi detyruese, të cilën ne e konsiderojmë simetodë pothuajse dështuese, jo pse në parim nuk ishte apo s’paraqitej e drejtë, por për shkak të numrit tejet të madh të fundoreve, andaj konsiderojmë se ky është shkaku që një mënyrë e tillë mund të cilësohet si e pazbatueshme, e së këtejmi e papërvetësueshme, siç është në të vërtetë, në shkallë të gjerë në praktikën tonë gjuhësore. Pra, për arsye të stërngarkesës së mbamendjes ne e quajtëm dhe e quajmë metodë pothuaj sidështuese, por kjo nuk do të thotë se të gjitha zgjidhjet e ofruara sipas kësaj metode janë të pazbatueshme.
Po tani shtrohet pyetja si duhet vepruar? Cila mund të jetë zgjidhje më e mirë se ajo e ofruara sipas asaj rregull-metode? Lidhur me këtë jemi përpjekur që përgjigjen ta japim po në këtë punim, por ajo përgjigje që do të fillojë të shenjohet që tani, pak nga pak, do të kompletohet në vijim, pasi të përmendim faktin rreth prejardhjes së tri mbaresave të mirëfillta dhe ta japim formulimin rreth specifikimit të tyre sipas nënfushave semantike, ngase aty qëndron, sipas mendimit tonë, edhe filli i fortë i zbledhjes së lëmshit, tërheqja e të cilit arsyeton ide-propozimin tonë për zgjidhjen e çështjes ose zbërthimin e plotë të enigmës në mënyrë gjithsesi më të kënaqshme..
2) Rreth prejardhjes së tri mbaresave të thjeshta
-Ë, -E, -A
a) Formanti -Ë si mbaresë shumësi, shpjegojnë historianët e gjuhës, vjen nga një *A ose Ë, e cila fillimisht shërbente si mbaresë e emrave asnjanës, si b.f. kanëp kanëpë, por ndërkohë “në shqipen e dokumentuar ndihet më fort si tregues i shumësit të emrave mashkullorë”. Pra, si me thënë, në periudhën dokumentuese, siç shpjegohet po nga ata, në mjaft raste ky formant del si zëvendësim i mbaresës së zhdukur -i të gjinisë mashkullore. Kështu nga mjek *mjeki shpjegohet se doli mjekË-t, formant ky që në shqipen e sotme konsiderohet me të drejtë, si një mbaresë e specifikuar kryesisht për shumësin e emrave mashkullorë të frymorëve. Vërtetohet lehtë se kjo që u tha vlen për shumicën e emërtimeve të njerëzve sipas profesionit a sipas vetive a cilësive të tyre që kanë, por kjo vlen edhe për frymorë të tjerë përgjithësisht. Mbaresa -Ë, siç e pamë, nga pjesa e mëparshme, përdoret edhe për ndonjë destinim tjetër, siç ishte edhe një pjesë e emrave femërorë, tipi anë-a anë-t, punë punët, që një pjesë e madhe e shumësit të të cilëve në gjendjen e sotme dilte e diskutueshme.
b) Edhe formanti -E thuhet se fillimisht dilte i implikuar rreth shumësit të emrave asnjanës, mirëpo ndërkohë, sidomos në shqipen e sotme sipas raportit të fushave semantike konkretizim/abstraksion ose frymorë / jofrymorë, ka prirje të forta që emrat mashkullorë me këtë mbaresë të specifikohen për fushën e abstraksionit, sepse angazhimi i këtij formanti në fusha të tjera del i diskutueshëm.
c) Për formantin -A si mbaresë shumësi nga pikëpamja e origjinës shpjegohet se doli nga krasisi Ë+E si b.f. të lënË+ E të lënA/t, emënË+E emënAt. Pra, kjo lindi nga shkrirja e mbaresës -Ë (asnjanëse / mashkullore) me atë -E (femërore-asnjanëse-mashkullore), e cila fillimisht dhe ndërkohë shërbente për shumësin e emrave mashkullorë të frymorëve dhe të jofrymorëve, siç është rasti me prejardhje të asnjanësit petëk petka ose i prejpjesorëve të gjinisë femërore, tipi e qeshura, të qeshurat, trajta këto, të cilat të sforcuara si emra abstraktë të asaj gjinie sot nuk mund të mashkullorëzohen dot, ngase vetë konteksti nuk lejon. Sido që do të ketë qenë ai zhvillim në të kaluarën, tash për tash mund të themi, se në shqipen e sotme, kjo mbaresë del e specifikuar kryesisht për emërtimin e gjë-sendeve konkrete të gjinisë mashkullore, pa përmendur funksionin e saj, përgjithësisht, si mbaresë speciale e shumësit të emrave femërorë, pra, duke përfshirë në atë gjini gramatikore, po ashtu edhe nocione të gjë-sendeve konkrete.
Nga sa e pamë në shqipen e sotme një prirje të tillë specifikimi për të tria këto formante mund të vërehet fare lehtë nga çdo studiues a dashamirës i zellshëm dhe i vëmendshëm i gjuhës shqipe.
Gjurmë hetimi të prirjeve të tilla ndeshim edhe në burimet tona normative, siç do të përmenden më poshtë gjatë analizës. Në të vërtetë, në konkurrencë me metodën fundore-mbaresë e cila dilte më e përkrahur subjektivisht, kjo prirje, që po theksohet prej nesh, mbeti jo vetëm nën hije dhe së këtejmi e pavënë re. S’do mend se zbatimi rigoroz i asaj metode (fundore–mbaresë), pa dyshim e pengoi metodën rreth specifikimit të mbaresave të mirëfillta, ngase ideja e fushave semantike, për mos me thënë e pavërejtur, mbeti gjithsesi e patrajtuar më në hollësi e thellësi nga ekspertët normëvënës. Me fjalë të tjera përqafimi me sforcim detyrimi i rregullave të metodës fundore-mbaresë e la të pavërejtur prirjen që kishin mbaresat përkatëse lidhur me specifikimin e tyre sipas fushave përkatëse semantike, specifikim ky që, siç u paralajmërua do të ceket tash fill si tezë e në vijim do të trajtohet e përpunohet më në hollësi..
3) Formulimi i specifikimit të mbaresave të thjeshta sipas
fushave semantike si kundërvënie ndaj
metodës fundore-mbaresë
Ne pasi konsultuam tërë materialin përkatës nga dy fjalorët normativë përshkrues, 2002 dhe 2006, arritëm në përfundimin që si kundërvënie ndaj metodës fundore-mbaresë, ta nxjerrim si sintezë dhe njëherazi ta sforcojmë si të drejtë ide-propozimin tonë rreth specifikimit të mbaresave të thjeshta sipas këtyre fushave semantike:
1. Mbaresa–Ë zakonisht po përdoret dhe priret të specifikohet në shumësin e emrave mashkullorë që tregojnë frymorë;
2. Mbaresa –E po përdoret dhe priret të specifikohet kryesisht për shumësin e emrave abstraktë (gjithsesi jofrymorë) që tregojnë procese të caktuara ose vendin ku kryhen veprime përkatëse dhe
3. Mbaresa –A po përdoret dhe priret të specifikohet kryesisht për shumësin e emrave mashkullorë që tregojnë zakonisht gjë-sende konkrete, ndërsa për shumicën e emrave të gjinisë femërore si mbaresë shumësi, kjo del pothuajse si formant i vetëm i specializuar shumësi dhe kjo e vërtetë e kohës sonë as që del e diskutueshme.
Konstatimet e mësipërme, edhe pse, për mendimin tonë dalin si (sin)tezë e qëndrueshme, ato lypsen përpunuar e sforcuar edhe më, sepse në realitetin e sotëm u kundërvihen dy faktorë të ndjeshëm pengues të njohur e që janë:
së pari, vetë metoda fundore/mbaresë me pasojat që ka lënë nga tradita tek pasuesit e kësaj metode mbizotëruese të përligjur normativisht dhe
së dyti, siç do të shohim, penguese paraqitet edhe vetë lënda e regjistruar në burimet përkatëse normative, të cilat konsiderohen aktualisht detyruese, edhe pse në mjaft raste tek ato paraqiten mospërputhje të lëndës së tillë me realitetin tonë ligjërimor.
Në të vërtetë, përveç këtyre dy faktorëve dalin edhe faktorë të tjerë pengues, por sidoqoftë ne zbërthimit të këtij problemi shumë kompleks po ia kushtojmë trajtimin në vijim.
4) Metoda fundore-mbaresë sot penguese e stimulimit semantik
rreth specifikimit të mbaresave, apo jo?
Prirja, si të themi spontane atavike, si proces i brendshëm rreth specifikimit të mbaresave përkatëse sipas fushave semantike sa është penguar fillimisht nga metoda fundore-mbaresë, për shkaqe subjektive, nuk mund ta dimë, por që tashti, në kohën tonë, kjo metodë shihet qartë se del penguese, nëse nuk modifikohet me metodën që ne e shohim më frytdhënëse ose më me prirje pozitive dhe po e quajmë si një ide-propozim me të ardhme. Këtë ide-propozim, është fjala për specifikimin e mbaresa të thjeshta sipas fushave semantike, si metodë pune e shohim gjithsesi më fitimprurëse se mbizotëruesja e deritashme, andaj kërkojmë që metoda fundore/mbaresë patjetër duhet të pësojë modifikime dhe përgjithësisht t’i lëshojë vend ide-propozimit tonë, të cilën për modesti nuk po e quajmë metodë-pune
Sidoqoftë, ne mendojmë se përkundër vështirësive subjektive e objektive që mund të shfaqen aktualisht, ngase është krejt normale dhe e natyrshme që ndaj çdo propozimi të ri të shprehen, jo vetëm rezerva, por edhe ndonjë kundërshtim, gjykojmë se motivi për t’u përkrahur ide-propozimi ynë është shumë më i fortë, më i lehtëpranueshëm dhe më dobiprurës se çdo tentim që vjen si reaksion për të ruajtur pozitat e një metode konfuze dhe faktikisht pothuajse të palehtëzbatueshme.
Ne, duke propaganduar ide-propozimin tonë synojmë të arrijmë mirëkuptim në dy drejtime: së pari, të kuptohet me bindje të plotë se metoda fundore-mbaresë del e pazbatueshme në masë të gjerë, kryesisht për arsye të stërngarkesës së mbamendjes dhe së dyti, të tregojmë me fakte se ide-propozimi ynë që po e ofrojmë është shumë më i lehtëzbatueshëm dhe fundi i fundit pjesërisht, siç do të shohim ai del i pranishëm dhe i pranueshëm në realitetin tonë gjuhësor, sepse një fakt i tillë qëndron edhe brenda zgjidhjeve të deritashme që janë dhënë në kuadër të rregull-metodës fundore-mbaresë.
Lidhur me sa thamë do të paraqesim shembuj konkretë si prova dhe këtë punë ne do ta bëjmë pothuajse gjatë tërë shtjellimit të lëndës në këtë krye e të tjerë në vijim, ngase kemi të bëjmë me shembuj që vërtet kanë ndërtim të njëjtë dhe i takojnë të së njëjtës fushë semantike, por për çudi, në burimet tona përkatëse normative marrin mbaresa të ndryshme shumësi vetëm për shkak të fundores së rekomanduar formalo-drejtshkrimisht e jo sipas nënfushës semantike që del si zgjidhje më e logjikshme dhe më funksionale. Vërtet, në raste të tilla, siç do të shohim, ka mundësi të bëhen korrigjime, pa krijuar probleme as drejtshkrimore as semantike, as logjike, madje as funksionale, siç do të sprovohet në vijim.
5) Shembuj konkretë që arsyetojnë ide-propozimin
rreth specifikimit të mbaresave të thjeshta
Të vihen re shembujt e mëposhtëm të të njëjtit grup semantik të regjistruar me mbaresa të ndryshme, edhe pse në krahasim me ide-propozimin tonë mund ta marrin të njëjtën mbaresë, sepse i takojnë të njëjtit grup semantik. Krahaso:
a) Shembuj nga fusha e emërtimit të njerëzve (frymorëve) që në shumës, sipas rregullës mbizotëruese në fuqi, duhet të marrin mbaresën -Ë:
1) njëjësi; agjent-i shumësi agjentË/t,
2) “ apologjet-i “ apologjetE/t (? ) ,
3) “ dudesh-i “ dudeshA/t (?).
b) Shembuj nga emërtimi i nocioneve abstrakte (jofrymorë) që në shumës, sipas rregullës mbizotëruese, marrin mbaresën -E:
1) njëjësi: punim-i shumësi: punimE/t,
2) “ tabor-i ” taborË/t (?),
3) “ nënfish-i “ nënfishA/t (?).
c) Shembuj nga fusha e emërtimit të gjë-sendeve konkrete që në shumës, sipas rregullës rekomaduese, marrin mbaresën -A
1) njëjësi kartuç-i shumësi kartuçA/t
2) “ kapistall -i “ kapistallE/t(?),
3) “ karton-i “ kartonË/t(?).
Po theksojmë, pra, se edhe sipas rregullës në fuqi shembulli i parë, tek të tria rastet (shembujt), del normëzues me mbaresën përkatëse, gjë që përputhet me ide-propozimin tonë.
Sidoqoftë, lidhur me shembujt e mësipërm që mjerisht nuk janë të vetëm, shtrohet pyetja pse ka ndodhur një mishmash i tillë pa nevojë dhe a ka mundësi përmirësimi?
Për mendimin tonë një mishmash i tillë trajtash nuk është rrjedhojë e shkaktuar vetëm nga trashëgimia, por më tepër, siç e shohim ne, është pasojë i mungesës së intervenimit të gjuhëtarëve standardologë, për pasojë të mungesës së konceptit ose idesë për zgjidhje më të lehtë, ngase kanë munguar studime cilësore paraprake më të thelluara rreth kësaj problematike.
Për fat të keq edhe sot ekziston bindja tek disa kuadro se gjuhëtari gjoja vetëm duhet të shënojë dukuritë spontane përkatëse gjuhësore dhe s’duhet të intervenojë fare për respektimin e rregullave ose të modeleve përkatëse. Ne mendojmë se pikërisht gjuhëtarët ortologë janë ata që duhet të intervenojnëdhe kanë për detyrë të intervenojnë në formëzimin dhe respektimin e rregullave dhe të modeleve gjuhësore, por edhe të ngulmojnë edhe për revidimin përkatës nëse vërtetohet shkencërisht e praktikisht se rregullat e mëparshme dalin të pazbatueshme, ngase ndërkohë në jetën praktike ka dalë ndonjë zgjidhje tjetër më e përshtatshme, e cila nuk bie ndesh as me normën globale as me normën e situatës, madje as me natyrën e gjuhës shqipe dhe të standardit të saj aktual.
Ne kemi bindje të plotë se nëse pranohet ide-propozimi ynë i ofruar, vështirësitë e tilla mund t’i tejkalohen me sukses të plotë, vetëm se lypset mirëkuptim pikërisht nga standardologët tanë të sotëm. Themi kështu se një zgjidhje e tillë ka motivim të mjaftueshëm praktik dhe ndërlidhet me lehtësinë e zgjidhjes logjike e pragmatike të çështjes në fjalë dhe çka është e rëndësishme nuk bie ndesh me normën globale të natyrshme të gjuhës sonë.
Siç po shihet, siç e thamë më lart, nga shembujt e mësipërm, sipas normëzimit në fuqi, shembulli i parë nga grupi përkatës është i qëndrueshëm, andaj edhe duhet sforcuar atë rregull, ndërkaq shembujt e tjerë duhen korrigjuar e përshtatur, duke iu bashkuar formës së shembullit të parë.
Pra, për ne, po përsërisim, nuk prish punë aspak që dy shembujt e tjerë me marrë mbaresën e pranueshme, si shembulli i parë. Krahaso, zgjidhjen e qënderueshme që ofrohet sipas ide-propozimit tonë:
a) Për emërtimet e njerëzve të përdoret mbaresa –Ë, p.sh.: agjentët, apologjetët, dudeshët etj.
b) Për emërtimet e fenomeve abstrakte të përdoret mbaresa E, p.sh.: punimet, taboret, nënfishet etj.
c) Për emërtimet e gjë-sendeve konkrete të përdoret mbaresa A, p.sh.: kartuçat, kapistallat, kartonat etj.
Gjithsesi, nëse veprohet kështu sipas ide-propozimit a rekomandimit tonë që nuk është pa mbështetje edhe në normëzimin e sotëm, në masë të konsiderueshme, do të rritej qartësia rreth specifikimit të mbaresave përkatëse edhe për shembuj të tjerë të luhatshëm, ndërsa shembujt e rinj, pasi tashmë e kanë të përcakrtuar modelin e gatshëm dhe të lehtë për hamendje do të përfshiheshin pa pengesa secili në grup-modelin e vet të caktuar, sipas fushës semantike që i përkasin dhe kështu as që do shfaqet në të ardhmen ndonjë mëdyshje si çështje problemore e kësaj natyre.
Për të pasur ide edhe më të qartë se zgjidhjet e deritashme sipas metodës fundore/mbaresë janë bërë arbitrarisht sipas kritereve subjektive, jo të qëndrueshme, madje jo edhe aq sipas trashëgimisë ose normës globale, gjatë trajtimit të funksionit të secilës mbaresë veç e veç, do të jepen edhe shembuj në alternativë: shembuj që përkojnë, por edhe ata që nuk përkojnë me ide-propozimin tonë.
Kjo që sapo u tha do të ilustrohet nga krahasimi i materialit nga burimet e fjalorëve tanë përshkrues normativë: FGJSH 1954 / FGJSH 2006, por për këtë pikë është konsultuar edhe materiali konkret përfaqësues që del i regjistruar edhe në burimet e tjera relevante të drejtshkrimit të shqipes së sotme që jepet sa për ilustrim në rubrikën përkatëse të shembujve me mbaresat e mirëfillta (të thjeshta) të shumësit të emrave mashkullorë.
(2) Mbaresat E mirËfillta alternative në përqasje
FGJSH 1954 / FGJSH 2006 dhe zgjidhja e ofruar
Dhe për të kuptuar, pra, të vërtetën se standaologëve tanë të kohës, hartues e formulues të rregullave drejtshkrimore e gramatikore, u mungonte koncepti i një zgjidhjeje të tillë, siç po propozohet prej nesh, po i paraqitim disa shembuj si zgjidhje e trashëguar e lënë në alternativë FGJSH 1954 në krahasim me zgjidhjet e bëra në FGJSH 2006, në këto gjashtë rubrika:
1. numri rendor i shembujve,
2. regjistrimi në FGJSH 1954.
3. mbaresat alternative sipas FGJSH 1954,
4. regjistrimi në FGJSH 2006
5 propozimi ynë ( shenja = tregon përputhje me normën e sotme)
6 vërejtje.
a) Emra konkretë (jo frymorë):
1) Alternativa ë/a:
____________________________________________________________
Nr.r. FGJSH 1954 FGJSH 2006 propozimi vërejtje
1 2 3 4 5 6
1. buldozer Ë/A buldozerËt buldozerA/t
2. çarçaf Ë/A çarçafË/t çarshafA/t ç/sh
3. çekan Ë/A çekanË/t çekanA/t
4. çekiç Ë/A çekiçË/t çekiçA/t
5. defter Ë/A defterË/t defterA/t
6. geizer Ë/A gejzerË/t gejzerE/t i/j , E
7. fidan Ë/A fidanË/t fidanAt
8. filxhan Ë/A filxhanË/t filxhanA/t
9. fitil Ë/A fitilA/ t =
10. gjerdan Ë/A gjerdanË/t gjerdanA/t
11. jatagan Ë/A jataganË/t jataganA/t
12. jorgan Ë/A jorganË/t jorganA/t
13. jorgovan Ë/A jorgovanË/t jorgavanAt
14. kafaz Ë/A kafazE/t = E
15. kalorifer Ë/A kaloriferË/t kaloriferA/t
16. karafil Ë/A karafilA/t =
17. karakoll Ë/A s’e ka karakollEt (fgjssh Ë) E
18. karadyzen Ë/A s’e ka karadyzenA/t (fgjssh Ë) A
19. kastravec Ë/A kastravecËt kastravecA/t
20. kavanoz Ë/A kavanozA/t = A
21. kontator Ë/A s’e ka kontatora/t ? ?
22. limon Ë/A limonË/t limonA/t
23. merxhan Ë/A merxhanË/t merxhanA/t
24. nagant Ë/A nagantË/t nagantA/t
25. planet Ë/A planetË/t planetE/t E
26. potir Ë/A potirË/t potirA/t
27. qefin Ë/A qefinË/t qefina/t
28. qylym Ë/A qilimA/t = y/i A
29. sahan Ë/A sahanË/t sahanA/t
30. trëndafil Ë/A trëndafilA-t = A
31. ylber Ë/A ylberE/t = E
Prej 31 shembujve për shtatë sish zgjidhja përputhet me ide-propozimin tonë, prej tyre 5 me mbaresën A: fitilat, karafilat, qilimat, kavanozat, trëndafilat dhe 2 me mbaresën E: kafazet (vend veprimi) dhe ylberet (fenomen natyror). Me mbaresën -E në vend të mbaresës -Ë, u korrigjuan edhe këto tri raste: gejzeret, karakollet dhe planetet, ndërsa u zëvendësua Ë-ja me mbaresën -A, kur kemi të bëjmë me emërtimin e mjeteve a të gjë-sendeve konkrete, në këto 22 raste:
buldozera, çarshafa, çekana, çekiça, deftera, fidana, filxhana, gjerdana, jatagana, jorgana, jorgovana, kalorifera, karadyzena, kastraveca, kontatora, limona, merxhana, naganta, potira, qefina, sahana.
Të vihet re prirja e përdorimit të mbaresës -E te shembujt kafazEt dhe ylberEt në FGJSH 2006 që nuk dukej e shfaqur në FGJSH 1954.
2) Alternativa: e /a
1 2 3 4 5 6
1. argument E/A argumentE/t = E
2. autobus E/A autobusË/t autobusA/t
3. ballgam E/A ballgamE/t ballgamAt
4. beden E/A bedenAt bedenE/t E
5. bërryl E/A bërrylA/t = A
6. bilan E/A s’e ka bilanA/t (fgjssh A) A
7. bilbil E/A bilbilA/t = A
8. bodec E/A bodecË/t bodecA/t.
9. çap E/A çapat e çapE/t çapE/t
10. çengel E/A çengelat = A
11. çift E/A çiftE/t = E
12. çip E/A çipA/t = A
13. demet E/A demetE/t demetA/t
14. divan E/A divanE/t = E
15. djep E/A djepat/djepet djepA/t
16. dhjetsh E/A dhjetëshat dhjetëshE/t (ë) E
17. gazogjen E/A gazogjenË/t gazogjenE/t (ë) E
18. gramafon E/A gramofonA/t = A
19. gjergjef E/A gjergjefE/t = E
20. gjiriz E/A gjirizE/t = E
21. hidroavion E/A s’e ka hidroavionA/t ? A
22. karburant6 E/A karburantE/t = E
23. kërbaç E/A kërbaçË/t kërbaçA/t (ë)
24. kosh E/A koshA/t =
25. kotec E/A kotecE/t =
26. kryq E/A kryqet kryqA/t
27. kyç E/A kyçE/t = E
29. liker E/A likerE/t = E
30. manastir E/A manastiret = E
31. mantel E/A mantelE/t mantelA/t
32. poç E/A poçA/t = A
33. qyp E/A qypA/t = A
34. sepet E/A sepetE/t sepetA/t
35. sergjen E/A sergjenË/t sergjenE/t (ë)
36. sirt E/A sirtE/t sirtA/t
37. shkul E/A shkulE/t = E
38. shul E/A shulAt/shulE/t shulA/t
39. tallagan E/A tallatganË/t tallaganA/t
40. tavan E/A tavanE/t = E
41. tegel E/A tegelA/t tegelE/t
42. telefon E/A telefonA/t =
43. timon E/A timonË/t timonA/t
44. tunel E/A tunelE/t = E
45. thelb (thalb) E/A thelpINJ/të thelbA/t ?
46. verb E/A s’e ka verbE/t
47. xhep E/A xhepA/t xhepE/t
48. zarf E/A zarfE/t zarfA/t
49. zymbyl E/A zymbylA/t =
Nga 49 shembujt 31 përputhen me ide-propozimin tonë lidhur me mbaresën -A, prej tyre 15 kanë të bëjnë me emrat e gjë-sendeve a të mjeteve konkrete si: bërrylat, bilanat, bilbilat, çengelat, çipat, djepat, gramafonat, hidroavionat!, koshat, poçat, qypat, shulat, telefonat, thelbat, zymbylat, ndërsa 15 të tjerë me mbaresën -E, si:
argumentet, çapet, çiftet, divanet, gjergjefet, gjirizet, karburantet, kyçet, kotecet, likeret, manastiret, shkulet, tavanet, tunelet, verbet,
gjë që dëshmon modelin e formëzuar ekzistues a të specifikuar të mbaresës -A për emërtimin e mjeteve a të gjësendeve konkrete dhe të mbaresës -E për fushën përkatëse semantike që ka të bëjë me emërtime të koncepteve abstrakte (termave) ose të vendeve ku kuptohet se kryhet procesi i caktuar i një veprimi.
Të vihet re se te shembujt e mësipërm u korrigjuan a u bë zëvendësimi nga Ë në A, në këto 6 raste: autobusat, bodecat, kërbaçat, tallaganat, timonat, thelbat, nga E në A u korrigjuan këto 7 raste: ballgamat, demetat, kryqat, mantelat, sepetat, sirtat, zarfat, ndërsa nga A në E 4 raste: bedenet, dhjetëshet, tegelet, xhepet, kurse nga Ë në E dy raste: sergjenet, gazogjenet
Siç mund të shihet tek emrat e mësipërm mund të mbetet ndonjë trajtë e diskutueshme në raportin përzgjedhës të mbaresës -E ose A, kur është fjala për nocione vendi e mjeti, p.sh. kryqe (vend) kryqa (sende konkrete) ose te shembulli element, merr E, si term me koncept të fushës abstrakte, Ë me kontept frymori (njeriu), ndërsa -A, me koncept të një gjë-sendi konkret, si b.f. elementat e makinës përkatëse, ndërsa rastet e tjera jo. Të vihet re se mbaresa -Ë në asnjë rast nuk del e diskutueshme, kur kemi të bëjmë me emërtim frymori.
3) Alternativa: ë/e
1 2 3 4 5 6
1. astar Ë/E astarE/t = E
2. dollap Ë/E dollapË/t dollapA/t (ë)
3. dyqan Ë/E dyqanE/t = E
4. fener Ë/E fenerË/t fenerA/t (ë)
5. kikirik Ë/E kikirikË/t kikirikA/t (ë)
6. qebap Ë/E qebapË/t qebapA/t (ë)
7. qylah Ë/E qylahË/t qylahA/t (ë)
8. stilograf Ë/E stilografË/t stilografA/t (ë)
9. taborr Ë/E taborË/t taboret (ë)
Siç po shihet ndër 9 shembujt vetëm dy raste përputhen me ide-propozimin tonë astaret dhe dyqanet, ndërsa të gjitha rastet e tjera emrat dalin të korrigjueshëm apo më mirë të zëvendësueshëm sa i përket mbaresës së shumësit -Ë me -A.
Pra, veç shembullit tabor që i del shumësi me -E taboret, të gjithë të tjerët dalin a duhet të dalin sipas propozimit tonë, me mbaresën -A: dollapat, fenerat, kikirikat, qebapat, qylahat, stilografat.
4) Alternativa a/e
1 2 3 4 5 6
1. aeroplan A/E aeroplanË/t aeroplanA/t (ë)
2. batalion A/E batalionE/t =
3. çelës A/E çelësA/t =
4. film A/E filmA/t =
5 kupon A/E kupon/Ë/t kuponA/t (ë)
6. lamsh A/E lëmshE/t lëmshA/t
7. nënfush A/E nënfishA/t nënfishE/t
8. rrëshiq A/E rrëshiqEt/rrëshiqA/t rrëshiqA/t ?
Ndër këta 8 shembuj vetëm 4 përputhen me ide-propozimin tonë, 1 me mbaresën -E batalionet dhe 3 me mbaresën -A: çelësat, filmat, rrëshiqat. Ndërsa në dy raste del e korrigjueshme mbaresa Ë në A: aeroplanat, kuponat, tek dy të tjerët del respektivisht E në A lëmshat ose A në E nënfishet.
5) Alternativa e/ë
1 2 3 4 5 6
1. çorap E/Ë çorapË/çorapE/t çorapA/t
2. dajlan E/Ë dajlanË/i dajlanA/t
3. minder E/Ë minderE/t =
4. parvaz E/Ë parvazE/t =
Tek kjo alternativë përputhen me ide-propozimin tonë 2 raste minderet dhe parvazet, ndërsa tek dy të tjerat zëvendësohet mbaresa Ë në dobi të mbaresës -A: çorapat, dajlanat.
6) Alternativa treformantëshe
1 2 3 4 5 6
1. gajtan Ë/E/A gajtanË/t gajtanA/t
2. kallam E/Ë/A kallamA/t =
3. kazan E/A/Ë kazanË /t kazanA/t
Te shembujt e alternativës treformantëshe nga FGJSH 1954 në FGJSH 2006 del e përzgjedhur vetëm njëra nga trajtat, dy shembuj me mbaresën Ë, të cilën ne e korrigjojmë në -A sipas ide-propozimim tonë gajtanat dhe kazanat dhe një, shembullin kallamat nuk e prekëm fare, ngase del në përputhje me rekomandimin që propozojmë ne.
Sipërfundim.
Prej 103 shembujve që ofroheshin me mbaresë alternative, siç e pamë, 33, sipas ide-propozimit tonë kanë gjetur zgjidhje me mbaresën -E, ndërsa 70 me mbaresën -A. Të gjitha rastet me mbaresën -Ë u korrigjuan ose më mirë u zëvendësuan me mbaresën -A, pasi kishim të bënim me emra të sendeve a të mjeteve konkrete. Gjithashtu morën mbaresën -E, ata shembuj që shprehnin koncepte me kuptimësi abstrakte ose me koncept vendi (hapësire), ku sadokudo ndërlidhej kuptimësia me procese të caktuara të veprimit.
b) Emra frymorësh
Edhe lidhur me emrat e frymorëve në FGJSH 1954 ndeshim mjaft shembuj në alternativë, kryesisht Ë/A, por edhe ndonjë rast edhe me renditje të anasjellë: A/Ë. Lexuesi i nderuar nëse e ka ndjekur shtjellimin e deritashëm të temës, e kupton lehtë se rastet e fundit (A/Ë), sipas nesh, dalin të diskutueshme, ngase siç e pamë mbaresa -A del e ngarkuar, veç tjerash, kryesisht a vetëm e vetëm për emërtimet e gjë-sendeve konkrete të gjinisë mashkullore.
Në të vërtetë në FGJSH 1954 ndeshim mjaft shembuj në alternativë. Ë/A, por pak raste ka me radhë të anasjellë -A/E.
Sa për ilustrim, po i sjellim më poshtë disa shembuj përfaqësues, në tri grupime
1) Alternativa Ë/A:
1 2 3 4 5 6
1. artist Ë/A artistË/t =
2. arkivist Ë/A arkivistË/t =
3. enciklopedist Ë/A enciklopedisË/t =
4. jurist Ë/A juristË/t =
5. disfatist Ë/A disfatistË/t =
6. karikaturist Ë/A karikaturistË/t =
7. kimist Ë/A kimistË/t =
8.. diletant Ë/A diletantË/t =
9. drejtor Ë/A drejtorË/t =
10.. dragoman Ë/A dragomanË/t =
11. ekspert Ë/A ekspertË/t =
12. nxhinier Ë/A inxhinierË/t =
13. intrigant Ë/A intrigantË/t =
2) Alternativa A/Ë
1 2 3 4 5 6
1. kampion A/Ë kampionË/t =
2. trimosh A/Ë trimoshË/t =
3 shofer A/Ë shoferË/t =
.
Pra, nga krahasimi i materialit të mësipërm, ndër 16 shembujt e fjalorit normativ nuk ka mospërputhje me ide-propozimin tonë, sepse që të gjithë si emra të njerëzve (të frymorëve) në shumës marrin mbaresën e specifikuar për këtë fushë semantike që është mbaresa -Ë. Megjithatë, siç do të shohim në nëntitullin vijues ka raste që dalin të diskutueshme, ngase në fjalorët normativë dalin pa alternativë, qoftë me mbaresën -A, qoftë me mbaresën -E, andaj këtu rastet e tilla nuk po i trajtojmë.
. Sidoqoftë, me sa u tha, besojmë se do ta kemi më lehtë të përcjellim analizën që pason, ku do të hasim përputhje ose mospërputhje me atë që e shprehëm më sipër si ide-propozim, andaj nga krahasimi i këtyre dy dukurive do të dalë apo jo i drejtë propozimi ynë, le të vlerësohet.