Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Gecaj: Pasqyrim i një periudhe karakteristike për organizim jo adekuat në planin e çlirimit kombëtar

| E diele, 23.05.2010, 07:55 PM |


Recension kushtuar Librit mbi Vet Mohimin

 

Pasqyrim i një periudhe karakteristike për organizim jo adekuat në planin e çlirimit kombëtar

 

Nga Tahir Gecaj

 

Për të hyrë në botën e librit për Vet Mohimin, të autorit Adem Demaçi, që në fillim lypset zbërthyer nocionet “Vetëmohim e mohim”, sepse për t`u lexuar dhe për t`u kuptuar porosia themelore e kësaj vepre letrare, doemos kërkohet një shkallë e konsideruar e kulturës së leximit. Kuptimi i fjalës “Vetëmohim”, sipas fjalorit të Gjuhës së sotme Shqipe, është : flijimi i vetes dhe i interesave vetiake për të mirën e përgjithshme, për të mbrojtur (...) atdheun etj.; qëndrimi heroik, pa kursyer vetveten, kur e kërkon nevoja, ndërkaq fjala mohim, do të thotë:(...) shprehje e mospranimit apo e kundërshtimit të diçkaje, e mospajtimit me diçka. E kundërta e mohimit (... ). Krahas këtyre sqarimeve, mbase janë të nevojshme edhe ca zbërthime të tjera, do të thosha , të ca proceseve aktuale-politike të shtruara artistikisht në vepër, për të cilat, lexuesit e veprës, që gjenden jashtë Kosove nuk janë të informuar sa duhet, ndërkaq libri për Vet Mohimin (Vetin të birin e Mohimit) apo për Vetëmohimin paraqet fund e krye aktualitetin politik të rrethanave aktuale në Kosovë, të pasqyruar me mjete artistike. Dhe ai pasqyrim i atij realitetit politik në Kosovën e okupuar nga Serbia, është vetëm njëra prej vlerave të Librit, vlerë e cila do të mjaftonte për ta futur në thesarin kulturor për të ardhmen, si dëshmi artistike nga një periudhë kohore, në të cilën shqiptarët e Kosovës bënë përpjekje për t`u çliruar me mjete demokratike dhe me politikën e durimit. Por, t`i kthehem temës bosht, të shtjelluar mes prologut-Vet Mohimit dhe epilogut-Vet Pohimit, përmes së cilës personazhi kryesor do të pësojë transformim nga Vet Mohimi në Vet Pohim. Megjithatë, si çështje me vete shtrohet pyetja: cila është tema bosht e veprës, brenda pjesëve të lidhura organikisht përmes personazhit kryesor Vet Mohimit. Eshtë ajo tema mbi raportet e krijuara mes shqiptarëve e serbëve, shqiptarëve si të okupuar, që detyrohen të aplikojnë filozofi e mënyra sjelljesh, që nuk përkojnë me historinë, me traditën, me mentalitetin, me temperamentin dhe me induvidualitetin e tyre kombëtar për t'i rezistuar okupimit, e mbase edhe për t' u çliruar, dhe, e serbëve, si okupatorë që dhunën e shohin si mundësi të vetme për t'i mbajtur shqiptarët të okupuar; është pra, mosaftësia e organizimit edekuat që do të jipte rezultate konkrete në planin e çlirimit kombëtar, ajo që shqiptarët e okupuar i detyron të zhvillojnë hipoteza e teori ndër më të ndryshmet dhe të debatojnë ditë e nat, mbase për ta mbajtur gjallë shpresën e popullit për çlirim dhe, doemos, është përjetimi i realitetit aktual të proceseve jetësore të shtruara artistikisht, në kuptimin e thënies, sipas Balzakut:"Jeta është historiania, ndërsa unë sekretari i saj". Mbase të tri këto çështje së bashkut, por edhe secila veç e veç, do të mund të sublimoheshin, si temë bosht e kësaj vepre sa interesante aq edhe e rëndësishme , si për temën e shtruar ashtu edhe për mënyrën e shtjellimit.

 

Inkarnacioni si mjet artistik

 

Nevoja e zbërthimit që u përmend edhe me lart, në këtë vepër na del si domosdoshmëri, jo vetëm për ta kuptuar por edhe për ta interpretuar drejt dhe sa me objektivisht këtë Liber të parendomtë për rrethanat kosovare, të shkruar " (...) në flakën e ftohtë përvëluese", të autorit. Deri sa te Naim Frashëri inkarnacionin e ndeshim të "Fjalët e qiririt", me gjasë falë ndikimit bektashian, në Librin mbi Vet Mohimin të Adem Demaçit, inkarnacioni përdoret, vërtet me sukses, si mjet artistik për të zbritur shekujve të lashtësisë sonë dhe për t'u ngjitur sërish, duke e ngulitur konstatimin me mbështetje: "Ata do të jenë ngjallur, me sa duket, si Grekë, si Romakë, si Serbë, si Turq", por edhe: "(...)shumë nga ata shpirtra kanë mbetur me botën bimore e shtazore, sepse jeta e tillë është më komode. Pa atdhe, pa fe, pa kombësi, pa kufi, pa shtet. Kush ka nge ta mbajë e ta ruajë shtetin? Ha , pi, fli ! Ku ka më mirë !? ”. Konstatimet e këtilla nuk duan shkoqitje. Duket se është fat, që ne si popull kemi legjendën mbi gurëzimin, e ndoshta pas kësaj periudhe do të krijohet edhe legjenda e bimëzimit, ku do të binte edhe tehu i sarkazmës.

Janë edhe dy figura artistike: ajo e luanit dhe e qyqes, që shikuar nga simbolika çojnë në kahe të kundërta. Autori megjithatë qyqen e gjen si më të përshtatshme për ta realizuar artistikisht idenë e vet, madje jo vetëm pse qyqja i lë vezët në çerdhët e huaja, ashtu sikundër që i lanë bëmat e veta në vende të huaja edhe shumë personalitete historike me origjinë shqiptare, por edhe për faktin se qyqja, pikërisht ajo, është futur në të folmen tonë: "Kuku, qyqe", por edhe “qyqja ti”, si shprehje ngushëllimi e qortimi , e madje edhe : “Ore qyqana dhe qyqanet! “. Krahasimi, kësaj radhe, nuk çalon, qoftë ai vetëm si aludim. Dhe, tashti sërish, ajo që autori në prolog e kërkon , e thërret dhe nuk i vjen dot, ajo që në epilog do t`i bëhet "Edhe shpresë edhe besë" dhe, e cila do të vijë, por ai,

Vet Mohimi s`do të presë duarkryq e as kot së koti, por ai do të jetë në vlugun krijimtarisë, ai do të transformohet në Vet Pohim.Do të jetë ky transformim e reinkarnacion shumë i vështirë e tronditës, i ngadalshëmm, por i sigurt, që shtrohet e shtjellohet kryesisht përmes dialogut, në pjesën e parë të librit, për t'u vazhduar më tej me forma dhe me mjete të tjera të të shprehurit artistik.

 

Nga burgu në burg

 

Konfliktin mes dy personazheve, përfaqësues të dy popujve: të shqiptarëve dhe të serbëve, të parëve të okupuar nga të dytët, autori e ka vënë në një kupe treni në udhëtim, që nëse shikohet në aspektin e thënies "çdo udhëtimi i vie fundi", dhe bashkëudhëtarët ndahen, atëherë edhe kupeja, në të cilën zhvillohet ngjarja, pak a shumë, i zgjon asociacionet e Kosovës në përmasa me të mëdha. Megjithatë, më duket se elementi i përkohësisë së qëndrimit të përbashkët në të njëjtën kupe, sa do që të jetë atmosfera e tëndosur, lë shpresë për një ndarje të shpejtë, e madje mbase edhe të papritur, siç ngjet me daljen e dhunshme të Bardhoshit, për të vazhduar më tej rrugën së bashkut Kolë Makanda e Vet Mohimi. Sidoqoftë një përfundim i tillë mbetet vetëm një mundësi, i shkaktuar nga një zgjidhje gati e papritur, ndërkaq, konflikti mes Bardhoshit, pjesëtarit të kombit serb, dhe Zeshkanit, pjesëtarit të kombit shqiptar, i emërtuar si Kolë Makanda, shpaloset ngadalë përmes një dialogu të shkurtër, të thuktë e shumë domethënës, për mes të cilit autori ka arritur t' ia heqë maskën vetëdijes së krijuar serbe lidhur për shqiptarët në përgjithësi, e , në veçanti për shqiptarët e Kosovës, vetëdije ajo e krijuar përmes propagandës dhe luftës së vazhdueshme psikologjike antishqiptare.

Autori, në mënyrë të shumanshme, e nxjerr në shesh se psikologjia e urrejtjes serbe kundër shqiptarëve, e krijuar vite me radhë, ka lënë gjurmë edhe në mënyrën e të shprehurit serb, duke krijuar kështu nocione adekuate nga të cilat buron urrejtja dhe përbuzja për popullin fqinj, gjysmën e tokave e të cilit, serbët i okupuan që nga vitit 1913-të. Janë ato shprehje ofenduese, që sado i përkryer të jetë shqiptimi i tyre, nuk mund të dalë në shesh domethënia e tyre adekuate në aspektin negativ të përdorimit, prandaj shikuar nga ky aspekt mbase duhet arsyetuar dialogjet e dhëna në gjuhën serbe, përmes të cilave vihet në spikamë ashpërsia, urrejtja dhe mllefi i hapur kundërshqiptar.

Urrejtja e krjuar antishqiptare, qoftë përmes luftës psikologjike e propagandës,qoftë përmes nxitjes së disponimit antishqiptar përmes vsprimeve konkrete të shërbimeue sekrete serbe, siç kishte ndodhur dikur gjoja me « Varrëzat e rrënuara serbe nga shqiptarët », ka lënë gjurmë të dukshme edhe në mënyrën e të shprehuritt në gjuhën serbe, kur kanë të bëjnë me shqiptarët. Autori ia arrin ta pasqyrojë me origjinalitet mënyrën e të shprehurit ofendues përmes gojës së personazhit të quajtur Bardhosh:

-A sta si bre,ti , e pyet Bardhoshi Kolë Makandën. Ky i përgjigjet qetë, por me një zë të thellë: “Albanac”, dhe, pastaj, pason ajo pyetja e pritur dhe e domosdoshme për një situatë të këtillë:

-A odakle si?

-Sa Kosova.

Ky është kulmi, sepse vetëdija e sëmurë serbe nuk mund ta durojë që shqiptari, që jeton në Kosovë, edhe të jetë "Albanac" e edhe nga Kosova. Këtë fakt nuk mund ta durojë vetëdija e krijuar gjatë dy shekujve të shkuar përmes propagandës dhe miteve të rrejshme serbe gjoja për shqiptarët

ardhacakë, për shqiptarët e sjellë “ nga turqit për ta popullzuar tokën serbe”. Ajo vetëdije serbe, për fat të keq, ishte ngulitur edhe në mendjen e ca shqiptarëve të mjediseve të caktuara. Pra, kur gjendemi të kjo kaptinë, e cila karakterizohet me një dialog të fuqishëm, me shprehje të qartë e domethënëse, duhet nënvizuar se autori plotësisht e ka arritur qëllimin për t'i vënë në spikamë marrëdhëniet mes dy popujve, të cilët në rrethana normale mund të ishin edhe fqinj të mirë. Mirëpo, ajo shprehja që bart ne vete tërë tragjikën a krijuar mes këtyre dy popujve: serbëve oku-

patorë, dhe, shqiptarëve të okupuar, të cilët nëse duen të ekzistojnë si komb doemos duhet të çlirohen nga okupatorët, pra, ajo shprehja e ngulitur në kokat serbe, që doemos çon në në konflikt, përderi sa mos të çrrënjoset:

– "Pa otkud ti sa Kosova, a Albanac?!, pas se cilës Kolë Makanda, merr goditje me grushta kokës, ndërsa ai mbrohet duke iu shmangur goditjeve.

Lexuesi i do ta ketë vërejtur se gjatë gjithë kësaj kaptine, bie në sy edhe prania e personazhit te tretë –Vet Pohimit, i vënë në rolin e vrojtuesit pasiv, i cili në qenien e tij e përjeton një dramë të rëndë njerëzore. Ai e përjeton tragjikën e kacafytjeve të dy personazheve tjera, në fakt e përjeton rëndë tërë tragjikën e përuljes se Kolë Makandës.Kashtu, në sajë të situatave, herë dramatike e herë me të qeta, del në pah personazhit i tretë, Vet Mohimi me të gjitha cilësitë e tij.I vetëdijshëm se është i pafuqishëm fizikisht që t'i kundërvihet një "demi të fuqishëm", Bardhoshit, e mbi të gjitha

edhe të dejur, por edhe nga shkaku se pos rrobave të përhimta e “mokasinkave” bojëkafe do të ketë poseduar edhe një vërtetim mbi kryerjen e burgut, i cili nuk do t`i garantonte edhe udhëtim të sigurtë për Dardhani, prandaj ai detyrohet t`i përdorë ca shprehje të huazuara nga përvoja e fituar atje, ku ia kishin bërë me dije se ka edhe më keq: “puplat” i kishin thënë, duke u zgërdhirë.

 

Megjithëse autori ka bërë përpjekje për t`i dhënë një rol episodik Vet Pohimit, duket se ky personazh është ndër më të realizuarit në këtë vepër. Ndonëse për shkak të rrethanave atij i duhet të luajë rolin e personit të pa anshëm në kupe, nga e folmja e tegimtarit mësojmë se ai përjeton drame të vërtetë njerëzore deri sa është i pranishëm gjatë maltretimeve që Bardhoshi ia bën Kolës. "Ai bëhet edhë me i vogël në këndin e vet të Kupesë", na thotë tregimtari, por edhe: " Ai vdes fare nga dëshprimi" kur sheh se Kolë Makanda nuk mbrohet, madje i dëshpruar thotë :

- 0 zot, o Perendi, po pse atij bualli të zi ia dhe at trup, tërë atë force, kurse mua me bëre kaq të pafuqi?". Por atij i vie pakëz shpirti, kur Hundshkaba (...) "me një lëvizje (...) të shpejtë dhe të fuqishme (...) ia rrëmben shputën e këmbës Bardhoshit dhe ia përdrodh vetëm aqë sa Bardhoshit i shkoi një hije e zbehtë fytyrës dhe e lëshoi vullneti për ta goditur me tej". Vet Mohimit i vie shpirti por nuk është i kënaqur pse Zeshkani nuk ia theu këmbën Bardhoshit , kur i erdhi “në kuti".''

Deri në këtë pikë personazhi, i Vet Mohimit mbetet i pandikuar dhe gjithnjë vetëmohues në bindje, përcaktime e aksione, të cilat ngelin të parealizuara nga se "Perendia ia kishte dhënë tërë atë fuqi atij bualli të zi, e jo Vet Mohimit", por zhgënjimin e parë , madje mjaft të madh ky personazh do ta përjetojë pikërisht në momentin kur e kupton se Kolë Makanda nuk ishte sjellë me aqë qyqarllak ndaj Bardhoshit as nga frika as nga pamundësia për t'iu kundërvënë fizikisht, e, as nga shkaku për të shfaqur durim a tolerancë për ta kaluar atë copë udhë, sepse fundja ai e tërheq mekanizmin për ndaljen urgjente të trenit, i vetëdijshëm se do të pësojë nga policia, por, ashtu ishte sjellë nga bindja dhe pikëpamjet e tij mbi jetën dhe njerëzit, apo nga pikëpamja e tij origjinale, e cila në vijim të veprës do të bëhet gjithnjë a më e pranishme, si pikëpamje apo filozofi kolektive.

Ja si behet kthesa (Citoj): “Më keni mahnitur me durimin tuaj. Si u përmbajtën e nuk e rrahet atë ari të tërbuar? Ta rrihja vetveten ! Ku keni parë ju?”

Vet Mohimi e humbi durimin dhe hyri lakrave:

- Edhe mua me flet sikur atij!

-Pse menduat se atij i bëja hile?

-Po ai të rrihte pa mëshirë, o djalë, dhe në fund edhe të përgjaku!

-Paj ai e rrihte vetveten dhe derdhi gjakun e vet.

Vet Plohimi doli mendsh fare.

–Me gjithë mend e ke? Me gjithë mend.Me gjithë mend.

Dialogu i shkurtër, konciz ,domedhënës dhe kuptimplotë e karakterizon pjesën e parë të librit dhë, pa dyshim , ca pjesë të tij, siç ishte kjo e cituar më lartë, do të mbesin ekzemplarë të rallë të shtjellimit të suksesshëm të kësaj forme të të shkruarit.

Libri për Vet Mohimin "eshtë i mbrujtur me pikëpamje filozofike, të cilat vihen në pah kryesisht përmes gojës se Kolës apo edhe të ndonjë personazhi tjetër, pikëpamje këto që nxisin për meditim e analizë të thellë, nga se, në ca raste duket se autori qëllimisht I le ca porosi si të maskuara, duke i dhënë mundësi lexuesit për t`i nxjerrë përrfundimet që atij i duken më të përshtatshme në rrethanat, kur ishte shkruar libri. Kështu, bie fjala, në një rast Kola duke i përpunuar mendimet e veta, veç tjerash, thotë: "(...)të bëhemi të fortë jo për t'i rrahur e asgjësuar kundështarët e armiqtë tanë, por për të mos pasur as kundërshtarë as armiq ?!". Pa e ndier nevojën për ta zbërthyer me tej këtë pikëpamje, zë vend konstatimi se ajo në thelb del si sintezë e parimit: “Dashuri, energji, krijimtari” të proklamuar nga autori, apo thënë më ndryshe, është sintezë e qëndrimeve shtylla mbi të cilat autori e vë idenë mbi pavarësimin e individit apo kolektivit, ide kjo pak më e gjerë se sa pavarësia në kuptimin aktual të gjendjes. Kësisoji, në kontekst të kësaj pikëpamjeje, lirimin nga ethet e frikës, autori e parashesh me anë të punës, duke sugjeruar se djersët e punës i nxjerrin jashtë ethet e frikës.

Me shpalosjen e pikëpamjeve filozifike të Kolës por edhe të rexhisor Lales, autori e ve në thumb të kritikës folklorizmin tonë thuaja në të gjitha fushat e jetës, ngrihet kundër veseve e shprehive negative, si edhe kundër entuziazmit të tëpruar. "Ne jemi i vetmi popull në Evropë që u kendojmë këngë njerëzve të gjallë", thotë autori. Sidomos, konstatimet që dalin prej gojës se personazheve, si;" Në politikë rezultatet janë shumë konkrete , sikundër edhe në bujqësi,", pastaj ".Me dështimet politike puna është krejt ndryshe, sepse pasojat e dështimeve politike i heqin të gjithë” , si dhe “ (…) nuk di që dështimet politike sot, të jenë shëndrruar në suksese politike nesër" e një vazhdë tjetër vlerësimesh e konstatimesh të tjera, dalin si porosi testamantale dhe, do të ngelin si dëshmi të një periudhe, e cila, fatkeqësisht karakterizohet me dështime të njëpasnjëshme në planin e zgjidhjes se çështjes sonë kombëtare.

Sa u përket raporteve individi-kolektivi, në këtë vepër kemi të bëjmë me aludimin në formimin e Un-it individual, pa të cilin s'mund të ketë as ( ego) Un-kombëtar. Kjo ide mbase zë vend të theksuar në kapitullin mbi Planetin e Harmonise, me shprehjet, si: "Unë dua veten time prandaj i dua edhe të tjerët(...)”.

Nëkëtë vepër bie në sy një menyrë e posaçme e të shprehurit artistik, karakteristik me bashkërënditje të fjalëve e kuptimeve, që në dukje të parë nuk kanë ndonjë lidhmëri, por që mjeshtrisht përdoren si intermeco mes dialogut, intermeco këto që duket se autorit i shërbejnë për ta bërë vlerësimin e situatave, si : "Ky po tallet ! Jo nuk tallet! Luan majtap, o tramak ! 0 tramak veç përzien kaçamak!, ose " s`e ka keq prish e ndreq", për të dalë në shprejet që janë të njohura në të gjitha trojet shqiptare:" Rrimë –flimë! Flimë– rrimë! Hamë-pimë! Nis a sos buk e kos !, Rrang-dang! Bukë e lang! Perveç, këtyre çështjeve, i takon një meritë e posaçme autorit për gjuhën e përdorur në këtë vepër të shkruar me një gjuhë të rrjedhshme letrare, në të cilën është ruajtur sintaksa shqipe e fjalisë dhe, e pasuruar me shprehje e lokucione, si:" i erdhi në kuti", " a do shtunakë" etj., prandaj kjo vepër, pa dyshim do të luajë rol pozitiv edhe në arsmimin gjuhësor të gjenerateve të reja.

Në përfundim , i vetëdijshëm se fjalën kryesore për këtë vepër të suksesshme letrare do ta japin lexuesit dhe, i bindur se kjo vepër do të mbetet dëshmi e kohës kushtuar realitetit kosovar të asaj periudhe, autorit Demaçi, i dëshiroj edhe shumë e shumë energji krijuese dhe vepra të reja,

 

Shafhausen , më 4 mars 1995

Tahir Gecaj

 

Post Scriptum: Ky Vështrim kushtuar Librit mbi Vet Mohimin, të autorit Adem Demaçi, është lexuar me rastin e promovimit të librit, më 4 mars 1995, në Shafhausen të Zvicrës, por, për shkak të raporteve që ekzistonin në atë kohë në shtypin e Diasporës shqiptare nuk është dhënë për botim .

Autori