Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


BDSH: Krimi është i pistë ! Ai nuk mund të « zbardhet » ! Ai mund të ndriçohet !

| E shtune, 22.05.2010, 09:55 PM |


Krimi është i pistë ! Ai nuk mund të « zbardhet » ! Ai mund të ndriçohet !

 

Regjimet terroriste, si regjime që në planin e brendshëm nuk çajnë kokën se si përjetohen vendimet dhe aksionet e tyre nga një pjesë e popullsisë, përkujdesen që në rrafshin e politikës ndërkombëtare të jetë i plasuar vetëm interpretimi i tyre i ngjarjeve.

Në të njëjtën mënyrë si regjimi terrorist i Millosheviqit, i cili refuzonte çdo ekspertizë të

hetimit të pavarur ndërkombëtar  për krimet e bëra, me arsyetim se « Republika e Serbisë ka institucione që funksionojnë me kapacitet të plotë dhe se këto institucione janë të vetmet që duhet të përgjigjen në çështjet e hapura”, po në të njëjtën mënyrë pinjollët e këtij regjimi në Shkup refuzojnë hapjen e hetimeve ndërkombëtare për Krimin monstruoz të vrasjes së Harun Aliut, Xhafer Shalës, Shaban Zenunit dhe Qemal Mustafës.

 

Në panik nga shpërthimi në publik i këtij krimi antishqiptar dhe kërkesat e vazhdueshme që 

ky krim të ndriçohet nga ekspert ndërkombëtar reagoi edhe njëra nga hallkat kryesore të zinxhirit kriminel të regjimit terrorist të Shkupit.

 

Deklarata e Ministres së Brendshme të Maqedonisë, G. Jankollovsaka se “Republika e Maqedonisë ka institucione që funksionojnë me kapacitet të plotë, dhe pikërisht ato janë që duhet të japin përgjigje në çfarëdo pyetje që do të paraqitet si e hapur, dhe kjo është mënyra më e mirë”, nuk dallon as në formë e as në përmbajtje nga deklaratat e ministrave të brendshëm të regjimit terrorist të Millosheviqit.

Krimet e regjimit terrorist të Millosheviqt nuk mundën të fshihen. Siç nuk mund të fshihen krimet e regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit.

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar u apelon të gjitha institucioneve ndërkombëtare që të ngrenë zërin kundër regjimit terrorist të Shkupit dhe të mos heshtin ndaj krimeve kundër njerëzimit që aplikon ky regjim.

 

Ata që heshtën apo u përpoqën të minimizojnë krimin antishqiptar që i njëjti regjim shkaktoi në Luboten të Shkupit më 12 gusht të vitit 2001 morën dënimin e Gjykatës së Hagës.

Dënimi i krimit ka vlerën e vet megjithëse dënimi i Tarçullovskit me 12 vjet burg për 10 shqiptar të vrarë, në  mesin e të cilëve edhe fëmijë, nuk është dënim që dekurajon regjimin terrorist të Shkupit për të ndalur masakrat ndaj shqiptarëve.

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar u apelon të gjitha partive politike shqiptare dhe organizatave joqeveritare që të insistojnë në ekspertizën ndërkombëtare, si e vetmja rrugë që mund të hedh dritë në ngjarjen makabre të 12 majit.

 

Ata që mendojnë se prokuroria e Maqedonisë mund të hulumtojë krimet e regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit  duhet ta dinë se janë duke përsëritur gabimet e atyre që kërkonin hetuesi objektive nga prokuroria serbe. Rezultati do të jetë i njëjtë : policia ka vepruar konform ligjit!

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar ripërsërit kërkesën dhe insiston nga institucionet ndërkombëtare, e sidomos nga OSBE-ja, të ushtrojnë presionet e nevojshme që autoritetet e Shkupit të pranojnë ekspertizën ndërkombëtare dhe përgjegjësit të dënohen për krime kundër njerëzimit!

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar

Bardhyl Mahmuti

20 maj, 2010