Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Një këngë e vjetër kurbeti me dimensione të ndryshme tekstuale, ritmike dhe melodike

| E shtune, 22.05.2010, 09:58 PM |


Nga thesari ynë popullor:

 

NJË KËNGË E VJETËR KURBETI ME DIMENSIONE TË NDRYSHME TEKSTUALE, RITMIKE DHE MELODIKE

 

Nga Demir KRASNIQI

 

Njëra ndër perlat më të bukura të ciklit të këngëve të kurbetit në trojet etnike shqiptare, pa dyshim është kënga popullore shkodrane me titull:”Bash n’ zeman të djelmënisë”.

Kjo këngë, ndonëse ka lindur dhe është kultivuar ndër shekuj në djepin e kulturës shqiptare- Shkodër, të cilës autori i vërtetë i tekstit dhe i melodisë nuk i dihet saktësisht, ashtu së që nuk i dihet as koha e saktë se kur ka lindur kjo këngë, por një gjë dihet mirëfilli se kjo këngë ka lindur në kohërat më të vështira të ekzistencës së popullit të shumëvuajtur shqiptar. Kohë kjo që na e përkujton jetën e shqiptarëve të cilët për të siguruar bukën dhe ekzistencën e tyre, detyroheshin që në vitet më të mira të rinisë ta kapin botën në sy dhe rrugët e kurbetit, prej nga shumica prej tyre më nuk iu ktheheshin të gjallë familjeve të tyre .

Përveç vuajtjeve dhe varfërisë së paskajshme të botës shqiptare, të cilët dergjeshin dhe treteshin nëpër kurbetin e zi , përmes vargjeve të kësaj kënge mësojmë edhe një lloj mortje tjetër që e kishte pllakosur popullatën e shumëvuajtur shqiptare , e kjo ishte sëmundja e tuberkulozit e cila kishte depërtuar thellë në mushkëritë e të rinjve shqiptarë, e që për atë kohë ishte sëmundje e pa shërueshme !

Nga kjo sëmundje e pamëshirshme , shumë të rinj shqiptarë vdisnin brenda pragut të shtëpisë në mungesë të mjekëve, barërave dhe spitaleve, kurse shërimi i kësaj sëmundje jashtë vendit ishte shumë i shtrenjtë dhe i pa përballueshëm për shqiptarët e varfër dhe të vuajtur !

Pra,  vargjet e  kësaj kënge na japin dy variante të kurbetit: rruga e largët për të kërkuar punë dhe rruga e largët për të kërkuar shërim për tuberkulozë !

Në të gjitha variantet e kësaj kënge, nuk na jepet pasqyrë e saktë se a thua i riu shqiptar ishte sëmurë në kurbet duke punuar, apo kishte shkuar jashtë vendit për të kërkuar shërim?!

Si do që të jetë realiteti, kjo këngë përmes vargjeve të tekstit të saj na e bënë të ditur qartë se është thurur e kënduar gjatë kohës së Perandorisë Osmane, nga se brenda këngës na paraqiten një varg fjalësh turke, të cilat e dëshmojnë këtë më së miri !

Që kur kjo këngë doli nga djepi i kulturës shqiptare – Shkodra heroike, shumë shpejt i mori dherat shqiptare dhe u përhap gjithandej ku bukës i thuhet bukë e kripës i thuhet kripë !

Me këtë përhapje kaq të shpejtë, kjo këngë përveç që u bë shumë e dashur dhe shumë e kërkuar në të gjitha familjet shqiptare, pastaj në ahengje të ndryshme popullore, ajo mori dimensione të shumëfishta qoftë përmes ndryshimeve të varianteve tekstuale, qoftë përmes ndryshimeve ritmike, por ajo prej një karine në një krahinë mori edhe variante të ndryshme melodike .

Pra, është një këngë e rrallë e cila nga i njëjti tekst, e njëjta melodi, do të shndërrohet në një këngë shumëdimensionale me vlera të mëdha ritmike, melodike dhe artistike .

Varianti i parë i melodisë së kësaj kënge që e ka burimin autokton nga Shkodra, mbanë titullin:”Bash n’ zeman të djelmënisë”. Ky variant më tepër na bënë që të kuptojmë për tragjedinë e një të riu shqiptar, i cili detyrohet që të merr rrugët e kurbetit për të kërkuar shërimin e tuberkulozit  jashtë atdheut.

Këtë variant të kësaj kënge, për herë të parë në Kosovë e ka sjellë , kënduar dhe publikuar këngëtari legjendar gjakovar Qamili Vogël – Muhaxhiri. Më vonë, këtë këngë do ta incizojë në Radio Prishtinë, këngëtari i mirënjohur nga Vushtrria – Nuredin Gubetini.

Ritmi i variantit të kësaj kënge është i bazuar në masën kohore 8/4 dhe shtrihet në një melodi shumë të zhvilluar brenda intervalit të unodecimës (varg prej 11 tingujve të shkallë muzikore) që është i rrallë në këngët tona popullore.

Të shikojmë dhe analizojmë mirë se çfarë na thonë vargjet e variantit të parë të kësaj kënge burimore shkodrane  e cila përbëhet prej gjithsejtë 11 strofave:

 

1. BASH N’ ZEMAN TË DJELMËNISË

 

Bash n’ zeman të djelmënis-e,

Porsa i mbusha njizet vjet ;

Ke premtu  prej Perëndis-e ,

Me i marrë rrugat për gyrbet !

 

Përskaj detit , fusha e male ,

E këtij vendi me ju afru ;

Zemra ime mbushë me halle ,

Dit  e nat  rri tuj vajtu !

 

Përmallshëm lash vendin tem e,

Për se u kthefsha s’ mbajë uzdajë ;

N’ dhe të huj pa njohtë kërken - ,

Sytë e mij mbushen me vaj .

 

Erdh heqimi për me m’ pa –e ,

Kenke njersë për selamet !

Ishin lotët që kisha kja e ,

Ishte lagë i shkreti jastëk .

 

Po t’ përbej pashë t’ madhin Zot ,

T’ ëm tregojsh me t’ drejtë taman ;

Por në kjoftë se s’ kam uzdaj-e ,

Mos t’ ëm rrenë uzdaja kot !

 

Tash n’ pranverë qik ena hy – e ,

Shihen pemtë qi kanë lulu’ ;

Po t’ tregoj o rrezikzi –e  -

Jeta jote ka mbaru’ !

 

 

 

Edhe sonte t’ shoh moj hanë ,

Rrezet tua zbukurojnë ;

Haber jepi qasaj nane  -

Hallall- llakun le t ma çojnë !

 

Ke për mue i ziu sahati ,

Këtë dynja me e lanë shkret ;

Djalë i ri n’ ma t’ mirin vakt –e ,

Pa , pa mirë , pa ndi lezet !

 

Ju dallëndyshe qi po shkoni ,

Po ju vej nji porosi –e –

N’ sheher timin kur t’ kaloni ,

Thuni – ka vdekë nji djalë i ri !

 

Amanet, unë po ja u la-e –

Me më kjajtë e me m’ vajtue !

Hallin tem, ju baj rixha –e –

Mbi rrasë t vorrit me ma shkrue !

 

Lamtumirë , o fusha e male ,

Lamtumirë , o djalë i ri ;

Tash po i mbylli sytë e mi –e ,

Se pa vdekë s’ koka çare !

 

Variantin e dytë të kësaj kënge me pak ndryshime tekstuale, por me shumë ndryshime melodike do ta gjejmë të kënduar në ahengjet e ndryshme qytetare gjakovare dhe pejane, pra në Kosovë.

Të parët që na e plasuan për opinionin publik në Kosovë, përmes incizimeve të ndryshme , ishin këngëtarët: Mazllom Mejzini nga Gjakova dhe Sebahate Bërlajolli nga Peja .

Në traditën e ahengjeve qytetare të këtyre dy qyteteve, këtë këngë nuk do ta gjejmë të kënduar në masën ritmike kohore 8/4, por këtu do ta këndojnë në masën ritmike 7/4. Vija melodike e këtij varianti do të sillet brenda intervalit të oktavës, që për interpretuesit e saj do të jetë variant më i lehtë për këndim.

Sa i përket vijës së përcjelljes melodike – introdukcionit orkestral , këtu vërehet dukshëm ndikimi i melosit oriental, ndikim ky që herë -  herë na paraqitet edhe gjatë interpretimit të këngës .

Një element më së i rëndësishëm i origjinalitetit të tekstit të kësaj kënge, është ruajtur me besnikëri edhe në variantin e dytë të kësaj kënge në mjediset dhe ahengjet kosovare. Fjala është për vargjet:”Kur të bijë kumona e madhe – dilni shokë se unë kam vdekë!”

Këto dy vargje më së miri na e dëshmojnë autentitetin e kësaj kënge e cila është krijuar nga këngëtari anonim i përkatësisë fetare katolike, nga se është e qartë se me rastin e vdekjes së njerëzve – publiku, apo rrethi do të njoftohet përmes kambanave të kishave .

Po ashtu, element tjetër i autoktonisë shkodrane të kësaj kënge është edhe toponimi:”Fusha e Rrëmajit”, që është vend i varrezave shkodrane .

Në variantin e dytë të kësaj kënge, këngëtari anonim popullor na e jep edhe qytetin e Trieshtës në Itali, ku sipas të gjitha gjasave , i riu shqiptar i sëmurë rëndë nga tuberkulozi , kishte shkuar atje për të kërkuar shërim dhe shpëtim të jetës!

Të lexojmë dhe të mësojmë se çfarë na afron ky variant , në vazhdim:

 

2. BASH ZEMANIT TË LEZETIT

 

Bash zemanit të lezetit,

Mu fillu nji koll i lehtë ;

Ku e mora , Zo , hiletin

Mos me rrnue soll naj vjet?!

 

Gajret bana e u mundova ,

Mos me i shti vetit idhnim ,

Der’  n’ Trieshtë , me shokun shkova –

Dhe për mue s’ mu gjet heqim !

 

I pa pasun , me shumë halle ,

Kur jam le e kur jam rritë ;

Kur m gjet mu  kjo dergjë e madhe

Me marue sot n’ këtë ditë ?!

 

Oh, po t’ dves more doktor –

A t’ rri këtu, a t’ shkoj te shpija ?

A kam jetë, a jam për vorr ,

Se për t’ gjallë po m’ pret shtëpija ?!

 

Kur të bijë kumona e madhe –

Dilni shokë se unë kam vdekë;

Tash vjen nana e mi kjanë hallet –

Ajo e din se çka kam hjekë !

 

Arkivol shirita t arit ,

Rreth e m rreth lule mavi ;

Jalla e shofsh , moj fusha e Rrmajit

Qi na i kalbe djemtë e ri !

 

Variantin e tretë të kësaj kënge, i cili bazohet në të njëjtin burim shkodranë , por që do ta hasim me ndryshime ritmike dhe melodike , është ai që titullohet:”Lulëzoi fusha , lulëzoi mali”.

Variantin e parë të melodisë së kësaj kënge, do ta gjejmë të kënduar në frymën e melosit të këngëve të vjetra qytetare , në masën kohore ritmike 8/8 dhe me një melodi të lehtë e cila sillet brenda intervalit të oktavës, por që nuk mund të këndohet lehtë nga këngëtarët e rëndomtë amatorë .

Ky variant i kësaj kënge, më tepër preferohet për këndime korale dhe grupe këngëtarësh në ambientet qytetare , që kultivojnë ekskluzivisht këngën e vjetër qytetare, por jo nëpër dasma e ahengje të ndryshme popullore .

Po këtë variant të kësaj kënge me të njëjtin tekst, por me një melodi krejtësisht tjetër, do ta gjejmë të kënduar nga grupet e ndryshme të rapsodëve popullor, në veçanti në trevat e Drenicës .

Rapsodët e parë që e vunë këtë këngë në telat e çiftelive dhe sharkive, janë rapsodët legjendarë kosovarë: Salih e Feriz Krasniqi , nga fshati Llashka Drenoc i Malishevës . Ata e kanë kënduar këtë këngë me një variant melodik shumë të zhvilluar dhe rrëqethës, të cilët përveç nëpër dasma, ahengje të ndryshme popullore dhe në festivalet muzikore, këtë këngë të parët e publikuan edhe përmes incizimeve të ndryshme në disqet e gramafonit, në valët e radio Prishtinës dhe formave tjera të incizimit .

Varianti i të kënduarit rapsodik të kësaj kënge bazohet në masën ritmike 7/8 me një shtrirje melodike brenda intervalit të nonës (varg prej 9 tingujsh muzikor).

Të shikojmë në vazhdim vargjet e këtyre dy varianteve të kësaj kënge:

 

3. LULËZOI FUSHA LULËZOI MALI

 

Lulëzoi fusha , lulëzoi mali ,

Bukuri ka ra n’ dynja –e ;

Ku m’ je  bir , o, m’ ka marrë malli ,

Sytë e mi filluen me kja-e ?!

 

Si n’ pëvett nana , për djalin –

Ku e kam djalin , ç’ asht tuj ba-e ?

Porsi nata e pa han-e ,

Qi rri n’ terr nuk sheh kërkan-e!

 

Si n’ pëvett baba për djalin –

Ku e kam djalin , ku m’ ka mbet-e ?

Gjithë dynjanë e kam kërkue –

Kërkush babë , nuk mu ka ba-e !

 

Si n’ pëvett motra për vëllain –

Ku e kam vëllain , çka asht tuj ba-e ?

Ai ka vdekun, ka mbarue ,

Vorri i tij , ju ka rrafshue !

 

Dola n bahçe mbas akshamit ,

Vet me veti tuj mendu

A thu  çohet i dekni prej vorrit ,

Për me ardhë me bisedu’?!

 

Variantin e katërt tekstual të kësaj kënge dhe të pestin sipas melodisë, do ta gjejmë të kënduar në qytetin e Kumanovës me rrethinë dhe kryesisht tek shqiptarët e Maqedonisë , ku kjo këngë është e njohur sipas titullit:”Për pa i mbushë djali njizet vjet”.

Këngëtari i parë që e këndoi publikisht këtë këngë përmes valëve të Radio Shkupit e më vonë edhe përmes valëve të Radio Prishtinës, ishte këngëtari legjendar kumanovarë Ismet Vejseli, tanimë i ndjerë .

Karakteristikë e veçantë e variantit të kësaj kënge të kënduar në trevat e lartë përmendura , është se kjo këngë atje këndohet pa ritëm të caktuar, pra në tempin Rubatto, apo Adagio, që më tepër i jep mundësi dhe hapësirë interpretuesit të saj që të luaj me zë lirshëm dhe të na jap kolorite, trilere dhe ornamente shumë të fuqishme, por edhe shumë të dhembshme melodike .

Kënga këndohet kryesisht me përcjellje të kavalleve , por edhe me shoqërim të orkestrës së madhe popullore .Melodia e këtij varianti të kësaj kënge, shtrihet vetëm brenda ambitusit apo intervalit të kuintës (varg prej 5 tingujsh muzikor).

Dy veçori kryesore e bëjnë këtë variant të kësaj kënge që të dallohet dukshëm nga variantet tjera simotra të krahinave shqiptare:

Melodia e saj , dukshëm rrjedh nën ndikimin e melosit  tradicional maqedonë , kurse varianti i tekstit i shmanget origjinalit nga burimi, duke e adaptuar atë sipas shijeve dhe ambienteve ku jeton popullata e përkatësisë së komunitetit myslimanë .

Këtë më së miri, na e vërteton vargu i strofës :”Kur të hipë hoxha n’minare – dine shokë se unë kam vdekë!” Pra, këtu këngëtari i shmanget përmendjes së kambanës së kishës dhe i referohet traditave myslimane, kur në çdo rast që vdes dikush – opinioni njoftohet përmes ezanit të hoxhës , i cili lajmëron popullin përmes minares së xhamisë .

Të shohim se çfarë na thotë varianti i kësaj kënge, sipas traditës kumanovare:

 

 

4. PËR PA I MBUSHË DJALI NJIZET VJET

 

Oh, për pa i mbushë djali njizet vjet –e,

Ka marrë rrugën , o, për gurbet !

Ti mirë mbeç , mori nanë e shkret-e,

Nashta s’ shihem , o, ma n’ këtë jet-e !

 

Oh, paska shku’ djali, në nji shehër t’ madh-e,

Dergjë e randë, djalin e ka marrë !

Dergjë e randë , djalin e ka randue

Frik heqimin , o, ja kanë çue !

 

Oh, ti heqim , o , pashë dinë e iman-e,

T’ ma tregojsh , o, drejtësinë taman !

Ti, drejtësinë, o, me ma kallxue –

Kam me dekë, unë, a kam me u çue ?!

 

Oh, dogri djalë, o, bre, me t’ kallxue –

Jeta jote , o, ka mbaru’ !

Lype djalë, o, ti naj jemek-e ,

Me mallë t’ tina , o, mos me dek-e !

 

-Oh, mu’  jemeqet , o, m’ paskan lan-e,

Soll ta shoh , oh, të mjerën nanë !

Soll ta shoh , oh, të mjerën nan-e,

Hallall-llëkun , o, me ja dhan-e !

 

Oh, dallëndyshe , ju qi po shkoni –

Po ja u jap , oh, nji porosi –

Nanës time selam t’ mi çoni ,

Thueni ka dekë, o, qaj djalë i ri-e !

Thueni ka dekë, o , qaj djalë n’ gurbet-e,

Na i ka plasun , o, zemra e shkret-e !

 

Oh, kur të hypë , o, hoxha n’ minare –

Dine shokë, o, se unë kam dekë !

Le t’ vjen nana e t’ mi kjanë hallet ,

Ajo e din , o, se sa kam hjek-e !

 

*****Enkas për lexuesit e “Zemrës Shqiptare” dhe dashamirët e këngëve burimore popullore, mblodhi, shënoi dhe rikëndoi:

 

Demir KRASNIQI, në Gjilan, më 20 Maj 2010.