Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Mirena: Eufori a Nervozizëm?

| E shtune, 22.05.2010, 06:31 PM |


Eufori a Nervozizëm?

 

Për kontrollimin e delegacionit qeveritar në Aeroportin e Prishtinës, interpretime dhe pyetje mund të bëjmë pa fund.

 

Nga Ilir Mirena

 

Policia e EULEX’it ndali për disa çaste në Aeroportin e Prishtinës delegacionin tonë qeveritar që udhëtonte për Turqi.

 

I prirë nga Kryeministri Hashim Thaçi, delegacioni kishte në përbëje edhe Ministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Lutfi Zharku. Ekipi qeveritar, bashkë me tre emrat ministrorë që stimulojnë imagjinatën tonë financiare të javëve të fundit, ishin nisur në vizitë zyrtare për në Turqi.

 

Siç u mor vesh më vonë, EULEX, një orë para se të udhëtonte delegacioni qeveritar, në zonën V.I.P. kishte dërguar një xhip me një tufë policësh. Ata kanë kontrolluar detajisht bagazhin e gjithë delegacionit. Diçka e pazakonshme, deri më tash.

 

Mendoj, një gjest fyes nga EULEX’i.

 

Shpjegimet mund të jenë turlifare, por ndoshta ia vlen të ndalemi në dy: ose është shenj euforie e Misionit të BE’së pas zhvillimeve të fundit; ose shenjë nervozizmi që ndërlidhet me po të njëjtat zhvillime.

 

Të ndalemi tek euforia.

 

Të lodhur nga gjithçka që ka ndodhur për këto dhjetë vjet në Kosovë, me ndjenja të sinqerta gëzimi prej shumëkujt u pritën bastisjet e EULEX’it në MTPT. Fundi i vuajtjeve tona nga gangrena e korrupsionit, u krijua një farë besimi masiv, javët e fundit.

 

Si gjithmonë, në këtë ambient të pashmangshëm mbesin euforikët. Shfaqen sipër nesh dhe mbahen mend për një kohë të gjatë për ritualet e tyre delirante për secilën situatë që del jashtë binarëve të së zakonshmes.

 

S’ka lidhje se çfarë është, pikëllim a hare.

 

A nuk ishim gëzuar të gjithë në Qershor të vitit 1999? Secili ka historinë e tij për atë muaj të atij viti, por të gjithë e kemi të regjistruar në kokat tona imazhin e atij burrit nga Gjakova që në gjendje transi hidhet sipër xhipit të NATO’s. Puthje e britma, duke e shpërfaqur pa asnjë ndrojtje një ekzaltim shpirtëror dhe fizik.

 

Hareja e të sotmëve, të javëve të fundit, mund të jetë gjest sinqeriteti i atyre që ndjejnë për vendin e tyre, apo edhe një schadenfreude (kënaqësi për fatkeqësinë e tjetrit) e ambalazhuar mirë. A është kështu a ashtu, le te mbetet çështje interpretimi.

 

Është evidente që një pranim të tillë pozitiv të aksioneve të veta nuk e ka pritur as EULEX’i. Sidomos pas disa goditjeve që mori imazhi i tyre, Misionit i ndodhi një harrnim magjik i reputacionit të erozuar.

 

As EULEX nuk është duke e fshehur ndjenjën triumfaliste e atë të vetëkënaqësisë. Kaq kohë në Kosovë, më në fund, kanë disa letra në dorë për të justifikuar para Brukselit atë që bëjnë këtu.

Të shastisur nga aura triumfuese, edhe pse mision teknik me një numër të kufizuar të kompetencave ekzekutive, duhet t’u ketë shkuar në mendje kuturisja për të futur duart përtej kufizimeve që kanë si mision.

 

Deri edhe në çantën e Kryeministrit.

 

Në mos qoftë varshmëri për spektakël e misionit të BE’së, (pak hapësira janë më të përshtatshme sesa Aeroporti për t’u kontrolluar publikisht si i dyshuar), e gjitha mund të shpjegohet edhe si sjellje e pakontrolluar nervozizmi.

 

Nëse dikush paska qenë i dyshuar brenda atij delegacioni, paraprakisht atij ka mundur t’i ndalohet udhëtimi. Kryeministria ka mundur të njoftohet zyrtarisht që të dyshuarit të hiqen nga lista e udhëtimit për në Turqi.

 

Duke fyer me mosbesim edhe kolegët e tyre vendas, është menduar naivisht se aksioni i beftë, brenda bagazhit të Fatmir Limajt, do të gjejë 80 milionët e famshëm?

 

Pos tjerash, gjesti i së mërkurës, seç m’i lëkund edhe pohimet e Prokurorit Johannes Van Vreeswijk.

 

Pse është lejuar të udhëtojë dikush që, sipas tij, dyshohet për katër vepra penale, për të cilat në tërësi mund të dënohet deri në 55 vjet burg? Si ka mundësi që njeriu i cili dyshohet se paska keqpërdorur 80 milionë euro, të lejohet të udhëtojë jashtë vendit? Në Kosovë mbetesh pa pasaportë edhe nëse je duke u hetuar për një kundërvajtje ordinere.

 

Apo, mos ka ngecje në hetimet e Prokurorit Van Vreeswijk? Interpretime dhe pyetje mund të bëjmë pa fund.

 

Ne mund dhe duhet të mbështesim aksionet e EULEX’it të cilat janë brenda kornizës së tyre ligjore, për ç’gjë edhe i kemi ftuar.

 

Por, nervozizmin e tyre nuk mund ta mbështesim kur ata fusin duart në çantën e Kryeministrit, që nesër mund të jetë e Presidentit, e Kryetarit të Parlamentit, ose e Ministrit të Punëve të Jashtme, që, sipas Ligjit Për Protokoll të Shtetit të Kosovës, përjashtohen nga çfarëdo kontrolli gjatë udhëtimeve të tyre zyrtare.

 

Pak rëndësi ka se kush dhe nga cila parti politike ndodhet në krye të këtyre katër institucioneve. Këtu nuk bëhet fjalë për individë, por për institucione!

 

Është e neveritshme që në bagazhin e përfaqësuesve të këtyre institucioneve t’i fusë duart secili polic i EULEX’it, që ndoshta nesër mund të kapet duke kontrabanduar raki e duhan.

 

Imagjinoni një polic rumun duke i nxjerr një nga një nga çanta e Presidentit ose Kryeministrit, brushën e dhëmbëve, duke ia shpalosur këmishat e hekurosura e çorapët. Krejt kjo publikisht dhe kinse në kërkim të bankënotave të Buxhetit të Kosovës.

 

Dikush mund të mos ndjehet i fyer nga ekzibicionizmi i EULEX’it. Por, do të duhej. Sidomos nëse rikujtojmë ca fakte nga Veriu. Këto ditë, andej po mbahet fushatë zgjedhore për zgjedhjet lokale të Serbisë. Aty çdo ditë hyjnë dhe dalin liderë nga të gjitha partitë serbe, me eskortat e tyre të armatosura. E nëse përmendim edhe shleperat e kontrabandës, arsye për fyerje ka edhe më shumë.

 

Natyrisht, të gjitha këto Policët e EULEX’it i shohin me sy. Live.

 

Express - Për ZSH: Gjergj Kabashi