| E enjte, 20.05.2010, 09:49 PM |
Tregim
Istref Haxhillari
I huaji
Në murin e majtë të kuzhinës, tabloja jep pamje këndellëse të liqenit në verë. Bluja e çelur derdhur mbi kanavacë, përcjell imazhin e masës fluide të pafundme. Tisi kaltërosh ndehet në trajtë pëlhure transparente afër pragmbrëmjes kur dita e nxehtë gatitet t’i lëshojë viset muzgut thinjash. Nën xhamin e kristaltë të qiellit re të trishtuara rreken të kacavirren në gjunjët e Malit të Thatë. Panorama kapriçioze shkrihet horizontit të përflakur, ku sipërfaqja ujore dhe bregu i pyllëzuar zhytin në lëngatë trishtimin e botës. Në veskun grishës të natyrës, përmes tymnajës, dallohet silueta e një çifti. Nuk dallohen qartë tiparet, po ndihet me të gjitha shqisat ekstaza, mbështjellë si rrjetë e tejdukshme. Ndonëse ka përfund titullin“ Peizazh ”, ne e emërtuam “ Tabloja e të dashuruarve ”. Shëmbëlltyrën e këndshme ma përlyen ndodhia e largët ngacmuese prej atyre që nuk treten lehtë nga kujtesa.
Atëkohë gruaja e dytë e Kocit punonte në Golikun e strukur mes maleve të Mokrës. Përçapjet për të ardhur në qytet shkarkonin në vesh të shurdhër. Afrimi u dukej tepër larg, gati i pamundur. Erdhi një mëngjes të vakët qershori. Strukur në karriken përballë shihja nga afër piktorin e njohur. Përkundër krenarisë së ftohtë, pamjes prej të huaji vetmitar me të cilën bariste rrugëve dhe shfaqej nëpër ekspozita, vura re një burrë mesatar, krejt të zakonshëm. Sytë e vegjël që i puliste pareshtur derdhnin vështrimin e rrëshqitshëm të njeriut të druajtur. Duart e mëdha në kontrast të dukshëm me trupin dridheshin pareshtur. Nofulla e poshtëme pak e dalë, buzët e hapura ngaqë nuk i bashkonte dot shprehnin shpirt të trazuar, ndërsa flokët e rralluar gjysmë të thinjur dhe rrudhat e thella të ballit e tregonin më të moshuar.
- Mbase nuk e dini, - nisi rrëfimin ngadalë, zëmekur, - kam qenë i martuar. Dashuri e parë e vrullshme e rinisë. Bleri lektisej pas pikturës, sodiste orë të tëra kur hidhja skicat në telajo. Harrohesha imazheve, doja t’i mbërtheja me penel përmes qindra variantesh, po koha çmendurake rridhte në vragën e asgjësë, mizore e pashpirt. Kundronte në heshtje, e hutuar me një cipë të lehtë melankolie në sytë e mëdhenj gështenjë. Mbrëmjeve vonë shkonte në shtrat. E gjeja të përgjumur. Me dorën vendosur jastëk nën kokë merrte frymë lehtë, mezi ndihej. Leshrat e dendura të çrregullta shpërndarë mbi çarçaf u ngjanin pëlhurave të Van Gogut. Hiret, shpalosur në gjumë, fironin lodhjen, ngashnjenin ambicjen të filloja nga e para. Harpat e muzës së piktorëve i ndryjnë gratë. Kthehesha merrja pajisjet, hidhja mbi telajo pamjet në dhomën e gjumit. Ia zbuloja gjirin, llërët e bardha borë, ngrija këmishën e kaltër të natës deri tek ovalja e përsosur mes këmbëve, hidhja në letër dalldinë. Bleri flinte si foshnjë.
Vuri mbi tavolinë pamje siluetash lakuriq. Vështrova i turpëruar e përngritur hire femërore brilante. Trup i latuar, lëkurë e mëndafshtë, këmbë të plota me gishtërinj ngjyrë trëndafili, leshra të çelur gështenjë, gjinj të ëndërrt, hedhur me dorë mjeshtri.
-Kini durim, - tha i turbulluar pastaj vazhdoi t’u përgjigjej pyetjeve të mija memece. - Bleri qe tunduese e parezistueshme, më dehte me magjinë e formave. Linjat ngacmonin copëza të pakuptuara thellë qenies sime, risillnin ngasjet estetike në rrethana të ndryshme.
Mesnatës vagëlluese të terrtë u zgjua, shikoi e habitur telajon, penelat, skicat shpërndarë pa rregull mbi shtrat. Mbylli këmbët, futi në sytjena sisën e zbuluar dhe hodhi sytë nga unë. Shikoi për një çast e tmerruar, si e dhunuar në intimitet, pastaj ia krisi të qarit me dënesë derisa rrezet e para të agimit përkëdhelën sytë e përlotur, të enjtur dhe leshrat e shpupurisur.
Rënkoi me dhimbje, i hutuar, ngjeshur në karrike me pahun e trembur të fëmijës grindavec.
-Sytë nuk ia vizatova kurrë, pozonte në gjumë. Në vazhdën e rrallimeve graduale behu largimi prej studios. Seancave pafund u mungoi spektatorja e vetme. Ndërpreu shëtitjet, vizitat në ekzpozita, pothuaj nuk afronte në shtrat. Cipa e tendosur e marrëdhënieve tona mori çarje të honshme. Humba modelen engjëllore të pazëvendësueshme, shterën vizatimet marramendëse në dhomën e gjumit. Asnjë femër nuk mbartte hiret ngacmuese të Blerit. Ende nuk e kuptoj shndërrimin e mistershëm. Ç’kërkonte prej meje?
Rrëfimi pulsonte jashtë tij, i ftohtë pa nerv. Arti hijezonte marrëdhëniet me Blerin në të gjitha përmasat e tjera. Ndihej absolutisht pafaj, ëngjëll i largët kredhur në vetmi të plumbtë.
-Ngjarjet rrokulliseshin me vërtikun e ortekëve të dëborës, - psherëtiu me keqardhje. - Bleri grindej pareshtur e pakënaqur, provokuese. Shihja gota pijesh të forta, shishe të përgjysmuara, të vjella. Mosperfillëse e tejskajshme, nuk i bënte përshtypje asgjë. Fliste rrallë në raste krejt të domosdoshme. Shtëpinë zunë ta vizitonin fshehtas meshkuj të panjohur. Ndjeja vështrimet keqardhëse të komshijve. Të afërmit shikonin tjetërsoj, hidhnin ndonjë fjalë arratiake të tymtë. Askush nuk ma tha hapur të vërtetën përcëlluese por unë ndjeja tërthoras rrëshqitjen e ujshme të Blerit. E pranova të keqen çmendurake me shpresë se një ditë do të ktheheshin kohët e arta, pamjet magjike në dhomën e gjumit.
Atë mbasdite s’e gjeta në shtëpi, as ditët që erdhën. U këput brenda meje diçka si boshllëku që le pas vdekja. Bleri, shija e pikturës sime. Edhe kur nuk fliste, dehej apo shikonte me përbuzje më trondiste. Më shumë se femra më ktheu krahët ngasja e pikturës. Netët e amullta, gërryese përhapnin terr deri thellë shpirtit të neveritur. Orë të tëra mbi telajo pa hedhur as një vizë të vetme. Paraliza mbështolli me pelerinë akulli peizazhet dhe ngjyrat.
Gjyqi shkoqiti ligështinë tinëzare. Nuk fshehu asgjë. Gjakftohtë e paturp pikturoi me hollësi të frikshmë cohën e mungesës sime në shtëpi. Shpaga e martesës tha me sytë ngulur profilit tim në sallë. Çuditërisht nuk munda ta urrej, megjithëse cënoi rëndë nderin tim. Besoj më kuptoni, po flas fare hapur.
Pohova heshtur me lëvizje të kokës.
Zverdhur, me duart që i dridheshin gjithnjë e më tepër u mbush me frymë.
-Vedën nuk e ngroh emri im i piktorit. Fjalë hidhërake vërvitur hera-herës rastësisht, e trishtojnë. Ndjej përngritjen e saj, mundimin sfilitës për kapërcimin e barrierave të tejdukshme që e shoqërojnë ngado.
Më trandi rrëfimi naiv me hollësira intime. Copëza dëshpëruese nga martesa e parë, peripecitë e modeles siç e quante ai, trazonin pareshtur jetën e re me Vedën. Rrekej të hidhte pas krahëve të shkuarën e sëndisur. Gjestet shpalosnin figurën e njeriut të dërrmuar nga barra e jetës. Përulja, mënyra si vizatonte dëshpërimin më vunë në siklet. Nuk dija si të sillesha.
- Afrimi i Vedës lidhet me prestigjin e familjes. Dua të ve në vend njëfarësoj dinjitetin e nëpërkëmbur, - përfundoi.
Heshti, u mblodh nën vete shkarkuar nga barrë e padukshme, zvarritur prej kohësh. Sytë e vegjël i nguli në një pikë të papërcaktuar. Duart vazhdonin me gjuhë heshtjeje të plotsonin efektin e bisedës së vështirë. Rrëshqiti loti i turbullt bulëzuar në cepin e syrit. Qenie e pagjymtyrë, zvarritur përmes fjalëve fatalisht të sinqerta, nuk arrinte të zhbironte dobësitë e veta. M’u dhimbs si fëmijë e pambrojtur që i shkasin lodrat nga duart e dobëta. Rasti e pati sjellë të vizitoja ekzpozitat e Kocit. Stili i mëvetshëm me elemente të pikturës moderne ndryshonte nga artistët e tjerë. Ngjyrat e vrara, pamjet e mjegulluara derdhnin mbi telajo ndjesi mbresëlënëse. E pëlqeja pikturën e tij dhe shfaqja hapur simpatinë. Në morinë e halleve të koklavitura, Veda m’u duk rast i patëdytë, krejt i veçantë.
Në shtator filloi në një nga institucionet më të mira të qytetit...
Ditën e fundit të atij muaji, si zakonisht mbrëmjeve, sodisja nga dritarja e kuzhinës horizontin e përflakur mbi liqen tek përgatitej të shijonte përqafimin e mugëtirës. Përhumbjen e hijeshisë së muzgut ngashënjyes e shpleksi tringëllima e ziles elektrike me zhurmë gërvishtëse në qetësi parajse. Hyri Veda, ndjekur nga Koci me tabllonë e mbështjellë në duar.
-Mirëseardhët, - i priti buzëqeshur gruaja.
- Urdhëroni, - bëra unë detyrën e zotit të shtëpisë.
Koci zbuloi pikturën, e vendosi mbi tavolinë. Peizazhi i ngrohtë veror rrodhi prej kuadratit kaltërosh të kornizës dhe u ndeh kuzhinës kundruall ditës së zbërdhulur të vjeshtës.
-Faleminderit, - tha Koci me thjeshtësi.
Piktura qe paraqitur në ekspozitën e fundit. Dritëhijet fine dhe format e çrregullta radhisnin tablonë e të dashuruarve ndër punimet më të arrira. U ndjeva i përkëdhelur në sedër.
-Dhuratë më të bukur nuk kam marrë ndonjëherë, - u preka sinqerisht.
Biseda hyri në hullinë drithëruese të artit. Piktori fliste me pasion për natyrën e qytetit, peizazhin e luhatshëm të liqenit dhe maleve përqark, ndizte fantazinë si në përralla. Notonte në hullinë e ujrave të dashura. Magjia e peizazhit përtej dritares e hipnotizoi. Duart i lëvizte papushim si epileptikët, dridhja e gishtërinjve ngjante me valëza të lehta uji ngjizur nga era e buzëmbrëmjes. U ngrit i tendosur zuri vendin tim të preferuar përballë dritares së ballkonit.
- Këtu qënka bukur të sodisësh hijshinë e ujit dhe bregut, - tha i mallëngjyer me shikim tretur mbi horizont. - Vini re vjeshtën si shkëlqen me nur rrezëllitës. Gjethet, zbukuruar me nuancat e së verdhës, janë shpirti i saj davaritur në hapësirë si psherëtimë. Teleisur nusërisht vështrojnë të këndellura botën, ndoshta për herë të fundit, para se të nisin udhëtimin e mistershëm. Pa shiko bregu si prek me pëllëmbë ujërat e ngjyer në portokalli, ndjen i ligështuar vjeshtën tek rrëzohet nga degët e pemëve. Asnjë piktor s’mund të hedhë në telajo hiret vjeshtarake. Syri pikas aq shumë varietete të kaltrisë sa nuk mund të kapësh saktësisht ngjyrën e ujit. Miku im rumun, Nikolesku, tentoi të vizatonte liqenin në këtë stinë. Sipërfaqja ndyshonte ngjyrë çdo minutë, kalonte nëpër pafundësi nuancash blu që zinin vendin e njëra - tjetrës në një stafetë misterioze. I mërzitur hodhi furçat.
- Ky liqen nuk pikturohet,- kumtoi i pezmatuar.
Teptisur, me sy përshkënditës zhytur në tjetër botë prapa dukjes tokësore, vazhdoi të meditonte.
-Hej çudi! S’e kam parë asnjëherë mjegullën e reve ngjyrë hiri, larushitur me pulla të bardha, mbështetur në gjoksin e malit si brez fishekësh. E ndan në dy pjesë. Shihni sipër grinë e çrregullt prerë së gjati nga damarë të errët hijesh. Poshtë resë përkëdhelet i purpurt pylli bronzuar nga rrezet e përflakura të diellit kuqalash si gjak. Vjeshta ta këndell shpirtin me përzjerjen e ngjyrave, fshehtësirë që piktorët nuk kanë mundur ta zbulojnë kurrë.
Në përvijimet e piktorit natyra rrëfente anën e padukshme, që syri i zakonshëm nuk mund ta hetojë. Ime shoqe dëgjonte e mrekulluar teksa ndiqte pamjen magjike të fundditës.
Sytë e blertë të Vedës riciklonin melankoli dhe brengë, përzier së toku në fjolla të lehta trishtimi. Mospërfillse dëgjonte me durim përsiatjen e gjatë që nuk i bënte përshtypje. Mërzia, skicuar në profil, lexohej lehtësisht. Sidoqë mundohen t’i fshehin, gratë e kanë vështirë të ndryjnë ndjenjat e forta.
Piktori vendosi tablonë e të dashuruarve në murin majtas derës së kuzhinës…
Ditën e krishtlindjeve trazuar me dëborë e suferinë Koci trokiti për herë të dytë në derën e shtëpisë sime.
-Urdhëro, - e prita me kënaqësi.
-Nuk do të hyj, erdha vetëm për një fjalë.
Nga kuadrati i derës së hapur hyri një copë dhjetor ndehur mbi qytetin e cingërisur në gjirin e thëllimit. Era e marrosur, si shpend i përbindshëm me folenë e dëborës në kthetra fishkëllente nëpër çatitë e shtëpive. Okida ngrihej me vërtik dhe vishte pamjen, era e mprehtë si thikë përkulte në lëngatë pemët e rrugës, mbuluar me dimër. Ditë të tilla sjellin ndërmend sa i vogël e i pafuqishëm është njeriu përballë tallazeve të natyrës.
- Po ju bezdis - vijoi Koci. - Nesër hapet ekspozita kolektive. Tablonë e të dashuruarve, perlën e punimeve të mia, dua ta paraqes. Moderatorët janë piktorët rumunë.
Sytë e ujshëm shprehnin ankth njëlloj si ditën që kërkoj transferimin e Vedës. E njëjta pamje e përvuajtur, i njëjti shikim servil, sikur prej meje varej një pjesë thelbësore e jetës. Sjellja e zakontë prej njeriu të rëndësishëm me të cilën shfaqej nëpër rrugë kishte firuar.
-Merre, - ia ktheva i turbulluar.
U largua me tablo nën sqetull. Duke zbriste silueta zvogëlohej, gërmuqur nga barra e peshës së rëndë. Kanavaca e ngjyrosur u tkurr në duart e stërvitura mbështjellë rreth saj. Në mes të shkallëve ngriti kokën më hodhi një shikim të lagësht. Vështrimi i thyer i syve të vegjël më shoqëroi derisa u zhduk në kthesën e rrugës përfund shtëpisë.
Njolla e hirtë vazhdoi gjatë të qëndronte bosh në murin e majtë të kuzhinës.
E takoja shpesh. Piktori autoritar më përshëndeste ftohtë vetëm me përkulje të kokës, hera-herës s’më vinte re. Ecte ngadalë shpërfillës, i huaj mes njerëzve. Qyteti kridhej nën këmbët e artit të tij. Madje as duart nuk i dridheshin.
Ime shoqe këmbënguli ta kujtoja.
-Ndoshta ke harruar, - i thashë një mëngjes prilli.
Mërmëriti nëpër dhëmbë diçka si gjysmë shfajësim dhe u largua me nxit, zhytur në vetminë e akullt të zezë si nata. I huaji s’foli më, si të mos qemë njohur kurrë.
Veda e braktisi në fund të majit, kur junapi i lulëzuar përmbyste me aromë qytetin e liqentë, të zhurmshëm.
Pothuaj e pata harruar kur e sollën rrethanat ta shihja në hollin e një hoteli dhuruatën e marrë tinëzisht. Në fillim nuk e dallova tablonë e të dashuruarve futur në korrnizë të praruar, lustruar me llak po, siç ndodh kur takojmë një mik të vjetër, intuita u zgjua e para.
U ndjeva keq, mandej më shkrepi ta blija.