| E enjte, 20.05.2010, 09:58 PM |
E ardhmja religjoze e Kosovës
Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë
Kosova nuk është më ajo që ishte. Kosova nuk do të jetë kjo që është. Si do të jetë Kosova ? Mendoj, Kosova do të jetë ashtu siç dhe sa do të përpiqemi, ne, shqiptarët, për te…!
Për dhjetë vjetët e fundit, kur u dha nga tre përqind për Kosovë, sa fituam? Ndoshta më mirë të pyesim : sa humbëm ?!
Kur luftuam me pesë përqind, nga gjithë ai potencial, mjaft arritëm…! Por, a mjafton kjo? Sidoqoftë, ndodhën ndryshime spektakulare në Kosovë… Ndër ndryshimet kryesore ishte përmbytja e iluzioneve të iluzionistëve se kishin krijuar shtet…
Ishte 31 janari 2000 dita kur u përmbytën: ,,Presidenti” , ,,Presidenca” , ,,Parlamenti” , ,,Pushteti paralel” e përralla të tjera…
Të gjitha këto ,,institucione” u-përmbytën me një nënshkrim të dr. Kushner-it, mbretit të pakurorëzuar të Kosovës, me pajtimin e liderëve të shqiptarëve, të shqiptarëve të përçarë…!
Kur mendonim se u përmbysen iluzionet dhe iluzionistët e të gjitha llojeve, qe na dolën iluzionistë të rinj, me iluzione të reja, taze, të vitit 2000 !
Revista ,,Letra e gjallë”, nr.5, nëntor 1999-shkurt, 2000 e cila ka 24 faqe, me tema: historike, demografike, politike, aktualitete…, që nga editoriali i redaksisë ,, Fjalët e Para” e deri në fjalët e fundit, të kryeredaktorit, ku parashikohet e ardhmja religjioze e Kosovës, nuk ka veçse mashtrime, trillime, kundërthënje e pështjellime. Pothuajse në të gjitha faqet shprehet një dalldisje antiislame, antikombëtare… Në emër të kombit, në mënyrë dinake, copëtohet kombi… Qe vetëm disa shembuj: Në shkrimin ,,Histori dhe aktualitete shqiptare”, ndër të tjera thuhet:
,,Shteti: Shqipëria, Kosova, Maqedonia (Iliria e lashtë).
,,Kultura: Mes paganizmit të vdekur dhe krishterimit tradicional si dhe islamizmit historik.”
,,Edukimi: ,,Metropolat” shqiptare: për shqiptarët e Shqipërisë është Italia (katolike), për kosovarët është Gjermania (protestante) dhe për shqiptarët e Maqedonisë është Arabia (muslimane)
,,Shqiptarët i kanë tri koka, tri ,,metropola”, tri kryeqytete, tri fe të mëdha.”
,,Rregullimi politik: Republikë transsocial- demokratike.
Religjioni: katolikë, ortodoksë, myslimanë, protestantë, bektashianë, ateistë.”
,,Letërsia: Fillon me frazën: ,,Unë të pagëzoj në emër të Atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë”, Pal Engjëlli, 1462. Pastaj për tre shekuj zhvillohej një letërsi e literaturës krishtere.”
Ligji historik: Kanuni i Lekë Dukagjinit apo Tora shqiptare. Kreu i saj i parë bën fjalë për kishën.”
,,Ekceset më të mëdha kombëtare: islamizmi dhe komunizmi.” (,,Letra e gjallë,” faqe:3).
Të gjitha këto mendime të shënuara këtu janë të redaksisë ,,Letra e gjallë”, që jep të kuptohet se ata, të gjithë, mendojnë njësoj.
Në këtë rast, Volteri do të thoshte: ,,Kur të gjithë mendojnë njësoj, atëherë do të thotë se askush nuk mendon shumë”
Me ata që nuk mendojnë shumë, a ja vlen të humbet kohë?
Sa pak kohë u dashka për të ndryshuar gjithçka, tha Hygo, dhe ,,Letra e gjallë” në një gjysëm faqe ndryshoi gjithçka në historinë shqiptare…!
Popullin shqiptar, me nëntëdhjetë përqind muslimanë e bën popull biblik, por që kanë tri ,,metropola”: Italinë (katolike) për shqiptarët e Shqipërisë, për kosovarët është Gjermania (protestante) dhe
A pranohen këto ndarje me arsyen e tyre çnjerëzore ?
Wajdi tha: ,,Mund të pranohet dhuna njerëzore, ndërsa arsyeja çnjerëzore është e padurueshme.”
Si mund të kenë shqiptarët tri fe e të përmenden, të shënohen, gjashtë ? Në të vëtetë, populli shqiptar, i ka përqafuar dy fe: Krishterimin dhe Islamin.
Platoni tha: ,,Shkalla më e lartë e padrejtësisë është ajo kur mbulohet drejtësia”. A mbulohet drejtësia edhe me ateistë ? Të hyjnë edhe ateistët shqiptarë në një nga ,,gjashtë fetë” e shqiptarëve, ky është një rrezik i madh !
Por rreziku më i madh për marrëdhëniet në mes njerëzve, thoshte Kant-i, është kur ata i shkaktojnë padrejtësi njëri-tjetrit.
Dhe a ka padrejtësi më të madhe se: Islamizmi, rruga e vetme e vërtetë, që e shpallën tërë profetët biblikë e kur’anorë, që e shpëtoi popullin shqiptar nga asimilimi sllav e grek, të quhet ekcesi më i madh kombëtar?!
Sepse, e Vërteta ekziston, trillohen vetëm gënjeshtrat, rrenat.
Gënjeshtra më e dëmshme, thoshte Tolstoi, është gënjeshtra dhelparake dhe e veshur me petkun e madhështisë e të solemnitetit, siç
Qe një e tillë: ,,UÇK APO RUGOVA”
,,Thuhet se UÇK-ja është kështu, e Rugova ashtu. Politika e Rugovës është politikë universale, edhe si kulturë apo edhe si parim, sepse mbështetet mbi paqen, tolerancën, humanen. Politika e Rugovës i kalon kufijtë nacionalë. Sot ne mund ta fyejmë dhe ta pështyejmë, por bota e kulturuar, demokratikisht, e admiron Rugovën. Politika e Rugovës është sublimim i virtytetve dhe i visareve të popullit tonë në raporte me popujt tjerë. Autenciteti i politikës së Rugovës mbështetet në kulturën e krishterë…” (Faqe,17)
Me të tilla gënjeshtra merret revista fetare ,,Letra e gjallë”. Gënjeshtrat janë aq pjellore, tha Goldoni, sa vetëm nga një mund të lindin një mijë të tjera. Ndërsa, sipas Gorkit, gënjeshtra është feja e robërve dhe zotërve.
Se cila është feja e këtyre vërehet që në Fjalët e
,,Perëndi, të lutemi, na mbrojë nga minat nën tokë dhe nga minat në zemrat tona !”
Sa lutje e bukur ! Ah ! Sikur të ishte e sinqertë !
Mjerisht, sa shpesh ndodh që, pas fjalëve të bukura mëshefen gjërat më të shëmtuara ! Ndërsa redaksia lutet për mbrojtje nga minat, po ata i vendosin minat jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare, jo vetëm nën tokë e në zemrat tona, por edhe shpirtrat tonë…! Së pari, ata përhapin mjegull. Pse ? Sepse:
,,Tash për Kosovën ka filluar një epokë e re.
Tash Kosova është qendër e botës.
Tash Kosova është qendër e xhipave të bardhë”
Po, është e vërtetë se tash për Kosovën ka filluar një epokë e re, por ka filluar me faqe të zezë: me krime, kidnapime, dhunime e mashtrime, me kaos të përgjithshëm rrugor, mendor e shpirtëror…
Po, Kosova tash është një qendër e botës, por jo e vetes; bota po ia plotëson të gjitha kushtët për anarki e korrupsion…! Bota po përpiqet për një Kosovë multietnike, multikulturore e multi-fetare…
Po, është e vërtetë se tash Kosova është qendër e xhipave të bardhë, të cilët veç kanë filluar të na nxijnë jetën…!
E si do Perëndia që të jetë Kosova? Redaksia thotë:
,,Perëndia do që Kosova të jetë jo vetëm një republikë politike, por një kontinent të krishterësh ungjillorë për gjithë botën. S’ka asnjë mënyrë se si t’u kthehet gjithë ky favor i kombeve të tjera për ne, përveç se duke ua predikuar Ungjillin, Lajmin e Mirë të Jezusit.” (,,Letra e gjallë”, faqe:2.)
Pra,sipas redaksisë, që flasin në emër të Perëndisë, Kosova do të jetë jo vetëm një republikë politike, por një kontinent të krishterësh ungjillorë për gjithë botën…
,,Jo secili që më thotë: O Zot, o Zot ! do të hyjë në Mbretërinë e Qiellit, por vetëm ai që e kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell” (Ungjilli sipas Mateut, 7:21)
Megjithë këtë, kryeredaktori, Femi Cakolli, në profetizimin anilitik: “E Ardhmja Religjioze e Kosovës”, ndër të tjera, thotë:
“Sot në Kosovë shumica e njerëzve janë të besimit nominal musliman, deri në 3% katolikë dhe disa qindra protestantë. Në qershor të vitit 1999 ortodoksia religjioze dhe politike (ruse dhe serbe) u thyen në fushëbetejat e Kosoves. Fitoi Evro Amerika dhe shqiptarët e Kosoves Evropa e sotme nuk është ajo e shekullit XVI të apo XVII – të. Shtetet më të fuqishme në botë janë protestante, tani prezente në Kosovë. Prania e NATO-s në Kosovë paraqet një siguri që të mos kthehet kufiri pravosllav në Kosovë si dhe për të penguar fundamentalizmin islam në Kosovë. Kosova do të mbetet shtet laik dhe demokratik” (Faqe: 22).
Sa të vërteta ka në pohimet sipërshënuara? Duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm se bishtnimi i së vërtetës e nxitë padrejtësinë, kurse mungesa e drejtsisë e ushqen mashtrimin…
Nuk është e vërtetë se në fushëbetejat e Kosovës u thye ortodoksia religjoze dhe politike (ruse dhe sërbe). Sot, ato janë më aktive se kurrë, duke filluar prej Patrikut të Moskës e gjithë Rusisë e deri te Peshkopi Artemije e At Sava i Deçanit…
Lufta nuk përfundoi me kapitullim…, por me marrëveshje, kompromise; pa thyerje kufijsh religjiozë apo politikë…
Kosova mbeti ,,pjesë e R.F.të Jugosllavisë,” sipas rezolutes 1244, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sipas tyre, Sërbia është jashtë Kosovës, por Kosova nuk është jashtë Sërbisë…! Për këtë dualizëm, shqiptarët, si gjithmonë, nuk i pyeti kush në Rambuje, Paris, New York, madje as në Kumanovën shqiptare, ku u-nënshkrua…
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Kumanovë, 10 Qershor 1999, ndërsa trupat e NATO-s (KFOR-i anglez) hyri me frikë në Kosovë nga Maqedonia. Ndërsa trupat ruse, të ardhura nga Bosnja, veç ishin rehatuar këmbëkryq në aeroportin e Prishtinës…
Më vonë, sipas marrveshjes, KFOR-i rus u-vendos nëpër Drenicë, Malishevë e deri në Rahovec; pra, m’u në zemër të Kosovës…
Trupat e NATO-s, deri më sot, mars, 2000, nuk dëshmuan aq siguri në kufi! Kufiri pravosllav në Kosovë jo vetëm që mbet i hapur në veri të Mitrovicës, por u krijuan kufij të ri në Graçanicë, Brezovicë, Mitrovicë… Ndërsa kishat ortodokse (politike) sërbe, kudo nëpër Kosovë po mbrohen nga trupat e KFOR-it. Po mbrohen me tanke e autoblinda gjatë 24 orëve, madje edhe gërmadhat e tyre, siç është ajo në qendër të Gjakovës…
Po, sigurisht, Evropa nuk është ajo e shekujve XVI-të apo XVII-të, kur filloj reformacioni protestantë, sikur që nënkuptohet, por që nuk e shprehni, megjithëkëtë edhe sot e kësaj dite Franca, Italia, Spanja, Portugalia, Austria…, janë ende shtete katolike, kurse Greqia, si gjithnjë mbeti ortodokse, Turqia, siç dihet, myslimane…
Të nëntëmbdhjetë shtetët e NATO-s, me popullsi protestante, katolike, ortodokse dhe myslimane, kur vendosin çifutët (masonë), vetëm bëjnë: Amen ! Amin !
Përse i mbyllni sytë përpara këtyre të vërtetave?
Demokracia dhe shoqëria tolerante nuk mund të krijohet në Kosovë as gjëkundi, nëse ndaj dukurive negative bëhemi të verbër e të shurdhër…
Ndërsa ju shkruani se:
,,Kosova do të mbetet shtet laik dhe demokratik”.
Po Kosova nuk ka as farë statusi, e si do të mbetet shtet laik dhe demokratik ?!
Kuptohet, kur Kosova sot është me aq telashe, me aq probleme e pa status, kur çdo gjë po dirigjohet nga ndërkombëtarët, derisa të demo-kratizohet Sërbia, Cakolli ka tjetër cak; ai s’e ka hallin e Kosovës në këtë kohë.
,,Tani janë kushtet komfore për shqiptarët e Kosovës që t’i ngrisin fuqishëm ndërlidhjet me perëndimin”. (Faqe: 22)
Cakolli thotë :
,,Tash është koha e ngritjes së kishës protestante në Kosovë, dhe kjo duhet të bëhet urgjentisht me gjithë vullnetin e kosovarëve. Urgjenisht duhet kthyer kokën edhe shqiptarët e Maqedonisë kah ungjilli. Urgjentisht, edhe shqiptarët e jugut, duhet shkëputur lidhjet me ortodoksinë dhe së bashku me katolikët t’i kthehën Krishtit dhe kishës së reformuar ungjillore”. (Faqe: 22)
Përse me kaq urgjencë, përse me kaq nxitim, po kërkon kryeredaktori, Cakolli, që të gjithë shqiptarët myslimanë të Kosovës, Maqedonisë e të Shqipërisë, bashkë me shqiptarët ortodoksë e katolikë të konvertohen në protestantë ? Përse ky konvertues nuk i ngucë ateistët shqiptarë që ka me bollëk? Sepse djalli gjithmonë ka punë me besimtarë !
Megjithëkëtë, Cakolli thotë :
,,Ju shqiptarë, vëllezër dhe motra, të cilët jeni të lodhur nga hoxhallarët e priftërinjtë, nga hënat e kryqat, nga agjërimet e pakuptimta, nga rrozaret e nga tespitë, nga këmbanat e nga minaret, nga Maria e Muhamedi, ejani dhe bëjëni fryte pendimi dhe besimi te Jezusi…” (Faqe 22.)
Sa më i mirë e më i ditur është njeriu, aq më shumë e vë re të mirën te të tjerët. Sa më i keq e më injorant është njeriu aq më shumë i ndodh e kundërta, siç thotë vetë Cakolli !
Cakolli ka nevojë të pendohet, se vetë Jezusi tha:
,,Jo secili që më thotë: O Zot, o Zot ! do të hyjë në Mbretërinë e Qiellit, por vetëm ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell. Shumë do të më thonë atë ditë: O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd ? Atëherë unë do t’ju them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o keqbërës” (Ungjilli sipas Mateut, 7:21-23)
E dëgjuat Jezusin ? ,,Kurrë nuk ju kam njohur !”
,,Shporruni prej meje, o keqbërës”!
Këta konvertues ambiciozë, që dëshirojnë urgjentisht, t’i kthejnë të gjithë shqiptarët myslimanë, ortodoksë e katolikë në protestantë, që Jezusi u-tha : ,,Kurr nuk ju kam njohur !” dhe,, Shporruni prej meje o keqbërës !, s’ju ka mbetur tjetër shpresë veç në shtetet protestante, të cilat janë më të fuqishmet, pra të parët në botë…
Por Jezu Krishti tha :
,,Shumë prej atyre që janë të parët do të jenë të mbramët, ndërsa shumë të mbramët do të jenë të parët” (Ungjilli sipas Markut, 10:31)
,,Letra e gjallë” në krye me Cakollin, vjen pyetja, meqë janë fetarë, a janë të çiltër ? Balzaku do t’iu thoshte: ,,Atje ku ka hyrë ambicia, atje nuk ka vend çiltërsia.”
Atje ku përlyhen me baltë: ,,hoxhallarët e priftërinjtë, hënat e kryqat, rrozaret e tespitë, minaret e kambanaret… deri edhe Maria e Muhamedi, atëherë, çka mbeti?! Tagore do të thoshte: ,,Balta mund t’i përlyejë diamantët, por nuk mund t’i kthejë në baltë.”
,,Përndryshe, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin !
T’ju shkruaj të njëjtat gjëra unë nuk e kam vështirë, kurse për ju është përforcim: Ruajuni prej ,,qenëve”! “Ruajuni prej punëtorëve të këqij!“ (Bibla, Filipianëve, 3:1)
Më në fund, i them Cakollit me kompani, ato që i tha Shekspiri: ,,Po të dëshironi të arrini qëllimin e përpjekjeve tuaja, pyetni më parë me mirësjellje se ku është rruga e drejtë që e keni humbur.”
Rruga e drejtë, të cilin e keni humbur, gjendet te: Ad fontes, domini! Te burimet, zotërinjë! Burimet janë Bibla e Kur’ani.
Bibla, o vëllezërit e mi, tha: “gëzohuni në Zotin” ! (Filipianëve, 3:1)
Ndërsa, Zoti në Kur’an urdhëron e thotë :
,,All-llahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij…
Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga mashtrimi…
E kush i beson All-llahut, ai është kapur pë lidhjën më të fortë, e cila nuk ka këputje…” (Kur’ani, 2:254-255)
Pra, kjo është lidhja më e fortë, lidhje e cila s’ka këputje…
Kjo është rruga e drejtë, rruga e shpëtimit për shqiptarët, për njerëzimin! Ashtu u bëftë !
Revista: “FRYMËZIMI”, Nr.3, Faqe 20-24, Mars, 2000, Gjakovë