Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha dhuron 500 libra

| E marte, 18.05.2010, 09:58 PM |


BIBLIOTEKAVE NË BAJRAM CURR DHE NË TROPOJË SI DHE BIBLIOTEKAVE TË DISA SHKOLLAVE

 

SHKRIMTARI DHE PUBLICISTI SEJDI BERISHA U DHUROI AFRO 500 LIBRA

 

Duke ditur peshën, rëndësinë dhe rolin e librit në arsimimin e gjeneratave të reja, në ngritjen, zhvillimin dhe ruajtjen e vlerave kulturore dhe shpirtërore, e gjithnjë me qëllim të begatimit të fondit të bibliotekave me libra, kudo në qytete dhe në shkolla, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, këto ditë, disa bibliotekave komunale dhe atyre të shkollave ua dhuroi afro 500 libra, nga njëzetë e gjashtë botime të tij.

Ky shkrimtar dhe publicist por edhe punëtor i mirëfilltë i kulturës, Bibliotekës së qytetit Bajram Curr dhe bibliotekës të shkollës së mesme të këtij qyteti të Shqipërisë u dhuroi mbi 130 libra dhe po aq ia dhuroi edhe Bibliotekës së qytetit të Tropojës dhe shkollës së këtij qyteti. Veç kësaj, shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, i cili jeton dhe vepron në Pejë, afro 150 libra ua dhuroi edhe bibliotekës të shkollës fillore “Shotë Galica” të fshatit Abri të komunës së Drenasit dhe bibliotekës së shkollës fillore “Ruzhdi Gjuliqi” të fshatit Marali të komunës së Malishevës.

Ky krijues dhe punëtor i devotshëm i letërsisë dhe i kulturës, deri me tash i ka dhuruar edhe afro njëmijë e dyqind libra të tjera Bibliotekës Rajonale “Azem Shkreli” në Pejë, Bibliotekës Rajonale “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, Bibliotekës së qytetit të Istogut, Bibliotekës të komunës së Deçanit dhe asaj të komunës së Klinës. Pastaj, bibliotekës së shkollës “Vëllezërit Haradinaj” në Rrazhbull të Durrësit, bibliotekave të shkollave fillore “Smajl Hajdaraj”, asaj “Tetë Marsi”, bibliotekave të shkollës fillore “Asdreni”, “Vaso P. Shkodrani”, “Xhemail Kada”, “Ramiz Sadiku” dhe të shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit”, të gjitha këto shkolla në komunën e Pejës.