| E hene, 17.05.2010, 09:58 PM |
Poetët Petraq dhe Sidorela Risto, babë e bijë, janë botuar këto ditë në revistën prestigjioze letrare amerikane “LIPS” (“Buzët”). Revista poetike “Lips”, botohet njëherë në gjashtë muaj dhe në të përfshihen poetët më të mirë profesionistë, jo vetëm amerikanë. Botuesja Laura Boos, është, gjithashtu, një poeteshë e njohur.
Në numërin 32 të kësaj reviste, kanë publikuar poezitë e tyre shumë poetë të shquar amerikanë dhe nga vende të ndryshme të botës.
Para pak ditësh, për të promovuar revistën në Clifton të New Jersey, në një nga libraritë e mëdha Barnes & Noble, u mblodhën poetë dhe lexues. Poetët e këtij numri si Jim Haba, Peter Chelnik, Maria Mazziotti Gillan, Peter Thabit Jones, Austin Alexis, Jim Gwyn, Lisa Bruckman, Lisa Dahlorg, Laura Freedgood, Gail Fishman Gerwin, John Petrolino, Bob Quatrone etj., recituan disa nga poezitë e publikuara në revistë.
Edhe poetesha shqiptare Sidorela Risto, që jeton dhe punon në New York, recitoi poezinë e saj “Kambana e Paqes” dhe një nga poezitë e të atit, poetit Petraq Risto. Në këtë revistë poeti ynë Petraq Risto publikoi poezitë e njohura “Lojë shahu në shekullin XXI” dhe “Unë, Alen Ginzberg, Majkëll Xhekson dhe Krishtlindjet në Nju Jork”.