| E hene, 17.05.2010, 09:57 PM |
Reagim:
MPB nuk pranon ekspertizë për rastin e Radushës
Krimin monstruoz të ekzekutimit të Harun Aliut, Xhafer Shalës, Shaban Zenunit dhe Qemal Mustafës, nuk mund ta fshehin as aplaudimet e ndërkombëtarëve për mision të suksesshëm të policisë, e as refuzimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ekspertizë ndërkombëtare.
Nga «dëshmitë» të cilët u paraqitën opinionit të gjerë si dhe nga plagët dhe dëmtimet tjera fizike përveç plumbave në trupat e katër shqiptarëve të ekzekutuar, duket qartë se përse Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë refuzon një ekspertizë të pavarur.
Në rastin e masakrës së Radushës (Vreshtat e Rashtakut II) ka kriminel. Ato kriminel fillojnë nga tërë zinxhiri komandues i niveleve politike deri te ekzekutorët e kësaj vrasje makabre.
Në rastin e masakrës së Radushës (Vreshtat e Rashtakut II) ka kontrabandist. Ata janë kontrabandistët e organeve të brendshme të nxjerrura nga katër shqiptarët e vrarë.
Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon deklaratat e papërgjegjshme politike që kualifikojnë si «kriminel» dhe «kontrabandist» katër shqiptarët e ekzekutuar.
Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon këtë masakër dhe krim të kontrabandës me organet e njerëzve.
Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon dhe insiston nga institucionet ndërkombëtare, e sidomos nga OSBE-ja, që aq shumë ka harxhuar në investimet për të krijuar organet e drejtësisë dhe të policisë së Maqedonisë, që të sillen konform normave dhe standardeve demokratike dhe të ushtrojnë presionet e nevojshme që autoritetet e Shkupit të pranojnë ekspertizën ndërkombëtare.
Bashkimi Demokratik Shqiptar, kërkon edhe nga partitë politike shqiptare të përfaqësuara në parlament, që mos rrinë duar kryq dhe të presin nisma nga iniciativa qytetare për hetime të pavarura, por nismën dhe iniciativën ta kërkojnë vetë nga Parlamenti dhe nga partnerët e tyre të koalicionit.
Bashkimi Demokratik Shqiptar
Kryetar
Bardhyl Mahmuti
17 maj, 2010