Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kurtesh Devaja: Përparim Demi, Kosova dhe perspektiva e saj

| E diele, 16.05.2010, 09:41 PM |


Kurtesh Devaja para mikrofonit të Radiodifuzionit rumun
Kurtesh Devaja para mikrofonit të Radiodifuzionit rumun
Përparim Demi, Kosova dhe perspektiva e saj

 

Nga Kurtesh Devaja

 

Gjurmët shqiptare në Rumani janë të panumërta. Ato mund t’i gjesh kudo. Shqiptarët nuk e fshehin identitein e tyre se janë shqiptarë, përkundrazi, ata mburren me origjinën, kulturën dhe traditën shqiptare. Prandaj edhe janë krenarë për të shkuarën patriotike dhe perspektivën e tyre, krahpërkrah me kombet e tjera të civilizuara në Evropën e Bashkuar.  Rrethanat e ndryshme, qofshin ato politike, fetare apo ekonomike, kishin detyruar shumë shqiptarë të zhvendosen nga trevat etnike, duke vajtur në Itali, Bullgari, Rumani e gjetiu. Sipas shkrimeve të Baki Ymerit, pas një të shkuare të krisur, 300 refugjiatë e braktisën Shqipërinë (1991) dhe erdhën e u vendosën në një zonë periferike të Bukureshtit (Tudor Goçiu). Brenda një kohe të shkurtë, disa me vizë , disa pa vizë, disa me pasaporta të rrejshme e disa pa to, disa në këmbë e disa me makinë, disa me tren e disa me aeroplanë, arritën deri në Amerikë e Filipinë. Vetëm njëri prej tyre mbeti këtu: inzhenier Përparim Demi, doktor i shkencave të metalurgjisë, njëri nga 300 anëtarët e konstituimit të Partisë Demokratike në Shqipëri. Gjeti punë, e mori nënshtetsinë, dha kontribut për komunitetin shqiptar dhe familjen e vet. Falë mençurisë së tij, jeton në Ballkan porsi një amerikan. Përparim Demi është me prejardhje nga Filati i Çamërisë. Është një biznismen i suksësshëm dhe  me punën e tij të palodhshme ka krijuar në Bukuresht një emër që respektohet, qoftë nga pala rumune, qoftë nga ajo shqiptare.

 

         

Dr. Perparim Demi
Dr. Perparim Demi
Lidhur me pyetjen tuaj, Cilat janë marrëdhënjet ndëmjet rumunëve e shqiptarëve, dua të filloj që nga antikiteti i lashtë që dëshmon se në gjirin e popujve të Ballkanit janë dy popuj shumë të vjetër. Shqiptarët dhe rumunët janë shumë të vjetër. Mund të them se ekzistenca ndërlidhet me kontinuitetin e trako/ilirëve të lashtë. Siç e dimë, sot janë tre rrënjë pas pellazgëve: trako-ilirët, ku hyjnë toskët, vllehët dhe gegët. Janë tre rrënjët e trako/ilirëve të vjetër, prandaj gjuhët e tyre, respektivisht tre dialektet, janë shumë të përafërta dhe të ndërtuara njëra me tjetrën. Kjo është përsa i përket origjinës, pavarësisht se ç`thonë grekët ose dikush tjetër. Këto janë gjëra historike të dokumentuara conform kriteriumeve shkencore dhe filologjike. Nga ana tjetër, është një histori e tërë e njerëzve të cilët në rast lufte, fatkeqësishë natyrore, kanë qarkulluar nëpër Ballkan, nga veriu në jug, nga jugu në veri, e kështu me rradhë, dhe sidomos në shekullin XIX dhe fillimin e shekullit XX ka pasë mjaft shqiptarë që kanë ardhur në Rumani. Pse në Rumani?

 

Sepse një pjesë e drejtuesëve të Rumanisë kanë qenë me origjinë shqiptare, siç kanë qenë familjet princore Lupu, Gjikajt e të tjerë. Arsyeja e dytë ka qenë arsyeja e tregëtisë, sepse Bukureshti ka qenë një qendër tregtare e madhe, me mundësi të mëdha, kështuqë shumë tregtarë, sidomos nga Maqedonia, nga Korça, nga jugu, vinin edhe bënin tregëti këtu. Nuk dua të hy tani të përmendi emra ngase është një listë shumë e gjatë, por Bukuresheti ka qenë edhe qendra ku është caktuar pavarësia e Shqipërisë. Intelektualët e asaj kohe kanë botuar librat e parë të alfabetit shqip. Kanë patur një lëvizje të fuqishme politike liberale. Rumania asokohe ka qenë jashtëzanisht e zhvilluar. Shqiptarët kanë qenë njerëz tepër të shquar në fushë të atdhetarizmit. Flas këtu për Naum Veqilharxhin, Nikolla Naçon, Asdrenin, Lasgush Poradecin, Viktor Eftimiun e shumë të tjerë. Nuk mund ti mbajë mend të gjithë, por kam lexuar ca libra dhe lista është shumë e gjatë. Kemi kontribuar në këtë vend, duke dhënë ndihmesën tone në të gjitha drejtimet. Qoftë nga ana politike, qoftë nga ana intelektuale, qoftë nga ana ekonomike, shqiptarët kanë marrë pjesë aktive në këtë vend.

 

 Gjuha shqipe, Konispoli dhe Çamëria

 

Fakti që neve këtu nuk jemi trajtuar sit ë huaj dhe nuk e kemi ndjerë veten si minoritet, edhe kjo ka qenë një nga arsyet se shumë shqiptarë të vjetër, gradualisht me kalimin e brezave, janë asimiluar. Kam takuar shumë shqiptarë, me origjinë shqiptare, të cilët nuk dinë më shqip. Më bëri vaki një here kur vajta në një lagje që quhet Pipera, e banuar me shqitarë dhe arumunë me prejardhje korçare. Ata merren me blegëtori, me dhenë. Unë doja ta merrja një qingj për Pashkët. Vajta atje dhe pyeta a ka ndonjë shqiptar, apo ndonjë familje shqiptare. Më çuan në një oborr. Kur shkova atje, më doli një plak 80 e sa vjeç. Sa dëgjoi që  flas shqip, ai filloi të qajë, na futi brenda na gostiti e ku ta di unë çka na gostiti, më luti të rija sa më shumë, siç e kanë zakon shqiptarët. Nga fëmijët e tij, asnjëri nuk dinte të flasë shqip. Kam takuar shumë raste të ngjashme të kësaj natyre. Edhe unë vet tani i bëra 20 vjet këtu. Këtu kam marr nënshtetësinë. Djali im më mirë flet rumanisht se sa shqip. Kam vështirësi, megjithëse çdo behar e çoj në Shqipëri, por prap kam vështirësi për ruajtjen e identitetit, ngase kjo është e natyrshme, ngase nuk jemi një komunitet këtu që kemi një territor të caktuar, ca fshatra të caktuara, ndonjë instucion kulturor të caktuar, ku mund ta ruajmë gjuhën, traditat dhe identitetin.

 

Ne jemi të integruar nëpër qytete të mëdhaja, madje dhe në province, kështuqë  detyrimisht asimilohemi. Me këtë dua të them se jam i sigurtë që sa të jem unë, do flas shqip, por im bir më pak. Djali të tij nuk i dihet. Po nuk pati kontakte e po nuk lëvizi, kështu është kjo punë. Raste të tilla kemi edhe në vende të tjera ku shqiptarët nuk dinë më shqip. Kështuqë habitem sidomos me këta të Amerikës si I bëjnë ballë asimilimit, ngase kanë një aktivitet të madh dhe një komunitet të jashtëzakonshëm. Më pëlqen një site për art/letërsi që mbahet në Holandë a Belgjikë. Është jashtëzakonisht i mrekullueshëm. As në Shqipëri nuk dijnë të bëjnë revista të kësaj natyre. Gazetat shqiptare nuk po i lexoj se jam deri në fyt me politikën. Ajo revistë është e jashtëzakonshme. Edhe unë e ndjek nganjëherë televiziopnin e Kosovës për shumë arsye. Jam shumë i lidhur me Kosovën. Im atë ka qenë i lidhur me Kosovën. Me Ramadan Çitakun, me hallë Bijën, kemi pasur lidhje familjare. Bijë Vokshi, kur erdhi për herë të parë në Tiranë (me gjithë pengesat e UDB-së), ka fjetur në dhomën time dhe më kallxoi gjithë historitë e vitit 1946, si dhe ndodhi të tjera. Ishte një grua e jashtëzakonshme.

 

Përndryshe, i kam njohur personalisht të gjithë. Ramadan Çitaku është njëri ndër ta. Çka të them? Ishte zotni burrë, një njeri i lartë. Kam pas miq të babait, si Emin Durakun. I madh ka qenë kryetari i komitit në malet tona, në Shkodër, i cili ka qenë një një organizatë, në një çelulë me Emin Duraku e me heronj të tjerë që  fatkeqësisht u vranë. Grupi i Shkodrës u eleminua praktikisht. Ca në kohën e luftës e ca mbas lufte, u zhduk grupi i Shkodës. Kam miq në Kosovë, në Prishtinë, në Gjakovë, në Prizren. Kam edhe këtu miq kosovarë që janë prej andej. Kështuqë, historia na lidh si mishi me thonin. Kam origjinën çame dhe e njoh shumë mirë historinë. Ne Çamërinë fatkeqësisht e kemi humbur. Kur vajta, parvjet në Filat, vajta në Qafën e Pazarit, siç i thonë ata atje. Ktheva në një kafene dhe kërkova një kafe. Kur vjen njëri, më thot greqisht ma jep një birrë! I thash po ma kërkove shqip, do ti jap dy! Nuk pranoi. Ai greqisht dhe unë shqip, merreshim vesh për bukuri. I thash greqisht se po qe se nuk flet shqip, nuk të jap as birrë dhe asgjë, ndaj ik dhe më le në qetësinë time! Vajta në Igumenicë. Në të gjitha dyqanet ku shkoja te farefisi im,  merresha vesh shqip.

 

Pavarësia e Kosovës ka qenë momenti më i madh i jetës sonë

 

Përparim Demi dhe bashkëshortja e tij
Përparim Demi dhe bashkëshortja e tij
Askush nuk mund ta harrojë këtë moment historik. Pavarësia e Kosovës ka qenë momenti më i madh i jetës sonë Kam qarë, edhe tash e ndjej këtë moment të paharruar. Pavarësinë e kam përjetuar me emocine të thella e të papërshkruara, ngase ishte një shans i madh për shqiptarët (Gjatë xhirmit Përparimi fillon të qajë me lotë dhe mezi flet kur flet për Kosovën.) Po e përsëris: Pavarësia për mua ka qenë diç që nuk mund ta përshkruaj atë moment. Ishte një dhuratë hyjnore që më ka shtyrë të qaj me lot si fëmijë. Ishte një moment i papërshkruar, pavarësisht nga motivet e disa vendeve që s’e njohin. Politika nuk më intereson fare. Më intereson vetëm një fakt, që nuk mund ta përshkruaj, e duhet ta them se shpëtuam nga serbët, shpëtuam nga ata që kaq shekuj na prenë na vranë, dhe problemi është që ato kanë ndodhur dhe nuk kemi ç`të bëjmë, por së paku ta njohim historinë dhe ta dijmë ashtu siç është.

 

Nëse flasim për Lidhjen e Prizrenit, nuk flasim vetëm pë luftën e Kaçanikut, por të flasim për luftën e Konispolit, sepse atje është bërë beteja e parë, por Enver Hoxha e ndaloi. Ai fliste vetëm për luftën e Kaçanikut, por ata që shpëtuan në betejën e Konispolit, ushtarët e armatës së Konispolit erdhën dhe luftuan në Kaçanik, sepse pashai i turkut i bëri front Luftës në Konispol, dhe askush nuk flet për këte. Ajo lufta e Kaçanikut është përfundimi i luftës që nisi në Konispol. Luftuan edhe kosovarët, edhe çamët, e të tjerë shqiptarë, dhe asnjeri në kohën e Enverit nuk fliste çka ndodhi në Çamëri. Kjo është, që së paku ta themi të vërtetën ashtu siç është, mos t’i mohojmë të drejtat, për njerin të flasim e për tjetrin mos të flasim, t’i themi ashtu siç janë, siç thot një llaf andej nga Labëria: Mos e hidh poshtë e përpjetë, po thuiaje ashtu siç është në të vërtetë!” Kur flitet për perspektivën e shqiptarëve në Rumani, zt. Demi pyet: Cila është perspektiva e shqiptarëve? Unë nuk e di perspektivën e shqiptarëve tjerë. Unë e di perspektivën time. Unë jam i integruar këtu në jetë, dhe bëj jetën profesionale. Është një gjë që unë e quaj të natyrshme, dhe mund të them që është e logjikshme që të zhvillojmë marrëdhnje kulturore të ngushta me Rumaninë, ngase janë dy kultura të pandashme. Fjala është për një lidhje të përzemërt e të pandashme.

 

Më pëlqeu jashtëzakonisht pëgjigja që i dha gazetares rumune presidenti i Kosovës (Fatmir Sejdiu). Ishte një përgjigje ekstraordinare (e jashtëzakonshme). Këtu në Rumani bëri përshtypje të jashtëzakonshme ajo përgjigje. Presidenti Sejdiu e tregoi veten si një intelektual i kalibrit të lartë, dhe atë në një kohë që presidenti i Rumanisë kur thoshte se nuk e njohim Pavarësinë e Kosovës, zt. Sejdiu ia ktheu përgjigjen e mençur duke i thënë me fjalë të tjera: Ne me Rumaninë, pavarësisht nga rrethanat politike, historikisht kemi patur dhe do të kemi marrëdhënje të mira ngase jemi vende fqinje. Tani politikat janë konjuktura. Po të marrish në nivel të popullit, kupton se shqiptarët këtu janë të respektuar. Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër ku do të jenë të respektuar shqiptarët më tepër se në Rumani. Duke e marrë flamurin e Kosovës, zt. Përparim Demi u entuziazmua dhe tha: Unë kisha dëshirë të ketë një flamur të përbashkët, edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën. Tani u bënë dy. Me kismet ndoshta bashkohemi një ditë, me kismet! Duhet të jemi realistë e të themi se na digjet shpirti për Çamërinë, se dëshirat për bashkim janë të mëdhaja, por për momentin është e pamundur. Puna e Kosovës u kry. Kosova ka shansin të bëjë hapa të jashtëzakonshëm, dhe shpresoj se do ta udhëheqin siç duhet intelektual1ët e atjeshëm për të cilët kam respektin më të madh.