| E hene, 17.05.2010, 09:59 PM |
KAROL VOJTILA – PAPA GJON PALI II…
PAPA QË SHPARTALLOI KOMUNIZMIN..!
Nga Fritz RADOVANI
Karol Vojtila u le me 18 Maj 1920 në Vadovice, pranë Krakovit në Poloni. Kur vazhdon studimet në universitetin e Krakovit në vitin 1938, filloi me vizitue mësheftas fakultetin e Teologjisë. Atëherë, kur, Lufta e Dytë Botnore kishte plasë, Karol Vojtila rregjistrohet në rrethin teatral “Studio
Kardinal Karol Vojtila, me datë 16 Tetor 1978 asht Papa Gjon Pali II, që zgjidhet në Vatikan. Ky asht Papa i 284 dhe i pari Papë sllav i ardhun nga një vend komunist që ka njohtë edhe diktaturën naziste dhe ate komuniste stalinjane.
Me datën 24 Qershor 1938 Don Kolec Prennushi, në librin “Për Krishtin o kundër Krishtit”, shkruen: “Jezu Krishti asht mbrekullia ma e madhe e shekujve. Qendra e historisë. Problemi i madh i përhershëm i njerzimit …Rreth vehtjes së Tij asht ndezë lufta ma e madhe e shpirtënve. Lufta që racionalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga në rreshta të popullit e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrranues. Sulmi i tij nuk qellon vetëm hyjninë e Krishtit por, edhe kullat mbrojtëse të tyne: Doktrinën e revelacionit o të zbulimit; të mëshefsive, të mbrekullive të dokumentave të krishtenimit.” (Parathanje fq. 1).
Shekulli XIX i solli njerzimit politikanët ma të pamëshirshëm, katilë dhe gjaksorë që do të cilësojë historia, sëpse mbi vuejtjet e popujve të robnuem nga idetë e materializmit dialektik ata vendosën pushtetin diktatorial, tue i mjerue me dhunë, shtypje, tortura, mbrapambetje, padije, gjakderdhje, urrejtje, uri, izolim, shkatrrim ekonomik e kulturor dhe varrosje kombëtare. Marksi, Engelsi, Lenini dhe Stalini, janë ideatorët dhe zbatuesit ma mizorë të ideve ma rregresive me pasojat ma katastrofike të historisë, që kanë vra dhe vazhdojnë me vra miljona e miljona njerëz në rruzullin toksor. Kundër ideve të tyne po me diktaturë luftoi Musolini dhe Hitleri pa mujtë me iu shmangë çmendisë së pushtimit të Botës.
Komunizmi, bolshevizmi, fashizmi, nazizmi janë diktaturat e provueme mbi kurrizin e popujve të pafajshëm dhe liridashës, që gjatë shekullit XX, kanë arrijtë me tjetërsue kombe e shtete që për mijra vjet i dhane dritën e kulturës dhe të qytetnimit mbarë njerzimit përparimtarë tue fillue nga Rusia, Italia, Gjermania dhe deri tek Shqipnia e mjerë që, diktatorët terroristë e të paturp Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, e shpallën me kushtetutë: “Shteti i parë në botë pa Fe!”.
Nuk duhet harrue se Evropa gjatë shekullit XX provoi lufta e barbarizma të panjoftuna nga njerzimi. Luftat Botnore sollën me vete skllavrimin e miljona njerzve dhe zhdukjen e miljona të tjerve gjoja në kushte lufte e “paqe, lirije dhe demokracie” e, madje, ndër shumë shtete edhe shfarosje për ide apo pikëpamje fetare e nacionale, një “genocid” i vërtetë, bazue në ideologjinë e materializmit dialektik. Bota mbas Luftës së Dytë u nda në dy kampe, ku, mjerimi i njenës palë të dukej se pasunon palën tjetër, mbasi dollari i qeveritarve komunistë rrezervohej ndër bankat përendimore…ndërsa, populli i vorfën i kampit socialist vazhdonte me u vorfnue edhe ma shumë…Rusia kishte shty kufinin e saj edhe 600 milje ma në Përendim deri n’ Elba.., tue krijue kështu, disa shtete “satelit”, të cilat, nën skllavrimin e saj shkallmoheshin përditë e ma shumë.
Një ndër këta shtete ku diktatura komuniste kishte robnue popullin e saj liridashës ishte edhe Polonia. Polonia provoi pushtimin nazist e mbas tij edhe ate komunist nga Bashkimi Sovjetik të udhëhequn prej diktatorit sadist Stalin.
Në Luftën e Dytë Botnore Polonia asht ndër shtetet e para që u sulmue nga Gjermania që me 1 Shtator 1939, ditë prej së cilës s’ dinte ma çka asht liria.
Mbas pushtimit nazist, Polonia provoi diktaturën terroriste stalinjane.
Nga kjo Poloni e robnueme për një gjysëm shekulli, erdhi Karol Vojtila, Gjon Pali II, Papa i Parë që puthi Tokën Shqiptare, Papa i Parë që bekoi dhe i uroi Popullit Shqiptar Paqë, Liri, Vllaznim dhe Demokraci, në sheshin e Tiranës me emnin Skenderbe! Papa i Parë që na tregoi sesa afër Vatikanit asht Shqipnia! Papa i Parë që tha: “Evropa duhet me ditë për Ju..!”
Ky Burrë i Madh që njohti edhe shtetin ma të vogel t’ Evropës Shqipninë, mërriti me njohtë edhe virtytet me të cilat asht i paisun Populli Shqiptar, tipare me të cilat na dallohemi në popujt e Evropës, tue fillue tek toleranca fetare, një cilësi e jona vërtetë për me u krenue në Ballkan. Papa Gjon Pali II ven në dukje: “Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjeve të solidaritetit…Le ti ndrisë hapat e tu dashnia për familjen, shpirti i vëllaznimit, mikpritja ndaj të huejt dhe vetitë që e dallojnë Popullin tuej, veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore shqiptare” (Marrë nga fjalimi në sheshin “Skenderbeu” Tiranë, me 25 Prill 1993.)
Papa Gjon Pali II në simbolin e Nanës së shumë të vorfënve ndër ma të vorfnit e Botës, Nanë Terezës së Kalkutës, Ai cilëson: “Me zjarrin e Fesë në krahnorë, Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjellë dhe ruen mbrenda vetës hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës shqiptare.” (
Por, Karol Vojtila ashtu si njohti historinë e lavdishme të Popullit të vet, ashtu njohti edhe vuejtjet, martirizimin, qendresën dhe natën shnjerzore të gjatë të komunizmit në të gjitha ata vende ku, Feja dhe Kisha Katolike në veçansi, kanë pësue luftën ma të ashpër “…simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, të mbështetun nga ideologjia komuniste”.
“Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën e Motra, nuk ishte pa kurr në historinë e njerzimit.” (
Pra, kjo njohje e Gjon Palit II, për një vend të vogël si asht vendi ynë, na ban me mendue shumë për Këte Figurë të Madhe të Vatikanit, i cili, vjen nga një Poloni komuniste, madje, të masakrueme nga nazizmi dhe stalinizmi, dhe sjellë me vete një Epokë të Re, një Rilindje të vendëve të skllavnueme, një shpartallim të “perdes së hekurt” gjysëm shekullore, një Ringjallje të njerzimit të përdhosun nga diktaturat ma antinjerzore që ka njohtë Bota e qytetnueme, që mbështetej në atë ideologji komuniste që kishte varrosë që në 1917 në Rusinë bolshevike “të drejtat ma elementare të njeriut”, tue e kthye njeriun në skllav dhe rob pa përsonalitet dhe dinjitet njerzor, për mos me thanë ma keq se turmat e kafshve…
Ardhja e Këtij Burri në Vatikan, tue u pasue me ardhjen e Presidentit të ShBA Ronald Regan, Gjorgj Bushit, apo Mihail Gorbaçovit në BRSS dhe, Helmut Kohl në Gjermani, ende nuk asht zbulue nga historia moderne që prej veprave të Tyne njerzimi me mërrijtë me kuptue, çka asht “AJO e Re” që i sollën Ata Burra njerzimit në fundin e shek. XX –të..!?
Atëherë, Bota besoi, se: “Perdia e hekurt” u rrëzue…
Komunizmi u shpartallue…Kufinjtë u shpërthyen…
Telat me ferra u këputën bashkë me prangat e të burgosunve politik…
Demokracia triumfoi mbi diktaturën komuniste…
Njerzimi i robnuem i Evropës Lindore, Fitoi Lirinë!
PAPA GJON PALI II vetëm me tri fjalë: “NON ABBIATE PAURA !” “MOS KENI FRIKË!”, shkatrroi përfundimisht mbretninë e ferrit komunist!
Papa Gjon Pali II u le tri vjet mbas fitores Revolucionit Socialist të Tetorit në Rusi…dhe, jetoi derisa pau njerzit tue ecë të lirë mbi rranojat e tij, pa pranga dhe vargoj, po, tue vrapue për ndertimin e godinës së re të quejtun Demokraci, thëmelin e së cilës, Ai, e vuni me duert e veta të Shugurueme tue predikue Paqën mu në zemër të kontinentit Evropjan, pikërisht në Berlinin e përgjakun, ku, u ndërthurën tri diktaturat ma të rrebta të shekullit të shkuem!
Papa Gjon Pali II asht Papa që na solli Lirinë, na predikoi Drejtësinë, na shpjegoi Vëllaznimin e Popujve të të gjithë Botës dhe, i tregoi Rinisë, rrugën e sigurt si duhet ndertue e Ardhmja e saj paqsore dhe e lumtun …mbi thëmelet e palëkundshme tue u bazue në Mësimet e Vërteta të Besimit në Fjalën e Zotit!
Ai erdhi në Shqipni për me i tregue Botës sesi këtu u shpartalluen “dyert e ferrit komunist”, sëpse Populli Shqiptar ka besue e beson në Zotin!
PAPA GJON PALI II asht Papa që Historia do të shkruej emnin e Tij me shkronja të arta: “Ai asht Papa ma i madh i njëzet shekujve mbas Krishtit!”.