| E shtune, 15.05.2010, 07:58 PM |
Suzana Kuqi
Qeni im i vogël dhe tabuja e madhe...
Për hyrje
Në kohë të rinisë sime të herëshme apo më mirë të adoleshencës, banoja në qytezën e minierës së Manzës. Eshtë ajo moshë kritike kur mundohen të na i fiksojnë
Tani te kthehem tek tema ime...
Rriten fëmijët e rriten problemet. Nisin grindjet me fëmijët por dhe me burrin. Cdonjëri ka pikëpamjet e tij, kufirin e tij të tolerancës, por në këtë të fundit, burri ka mungesë karshi meje. Më ka vënë në vijë të parë të luftës, vetë rri në rezervë. Më le mua të grindem me ta, për mësimet, për oraret e daljes, për veshjet, për shoket, për shoqet e të tjera çikërrimash që mbushin ditët e tyre. Ndërkohë ai bën sikur nuk e ka mëndjen, sikur nuk e di se për çfarë flitet edhe se nuk i shpëton as edhe një fjalë. Përderisa unë arrij t'i bind fëmijët, nëse mund të thuhet kështu kur i detyroj të ndjekin rregullat e mia, nuk më bie më qafë. Por kur unë nuk arrij... kur kthehen vonë, nuk mësojnë ose më kanë marrë premtimin t'u blej të njëqintën gjë koti...( e unë i mbaj premtimet që u bëj atyre thjesht për faktin se duhet t'u jap shembullin e mirë që premtimet duhet të mbahen)... Ai nuk merret me ta, merret me mua. Jam unë ajo që i prish fëmijët e tij, nuk di t'i edukoj, nuk e kam idenë se nga ç'anë duhen kapur që të binden. Për fëmijët jam unë e keqja e shtëpisë, babai është personi më i mirë në botë. Nuk u bërtet, nganjëherë më të rrallë, u flet u mban ndonjë leksion aq të gjatë sa atyre fillon u hapet goja për gjumë. Ziej nga brenda me të dy palët. Me tim shoq që zgjatet e zgjatet e nuk del kurrë aty ku duhet të dalë, një qortim apo një dënim që ta mbajnë mend, e me fëmijët që duken që njëmijë kilometra larg se sa kanë nxënë nga ky mësim. Më vjen ta ndërpres e ta nxjerr atë fjalë që më vjen në majë të gjuhës,” më therrshim mua për derr”, në kanë marrë vesh. Por hesht, hesht e para për edukatë, dhe e dyta se nuk ma lejon pozicioni im si e dytë të dal përpara të parit. E sikur nuk mjaftonin problemet me fëmijët, na ka hyrë sherri për qenin, që kur... që kur qeni zbuloi seksin...
Seksi, term tabu. Fëmijët dilnin nga lakrat, sqetullat ose i sillnin lejlekët. Në fakt lakrat nuk më kanë pëlqyer kurrë, as lejlekët. Ka shpendë edhe më të bukur, përse vallë kanë zgjedhur ata. Si fëmijë kurioz që isha pata pyetur një herë mamanë kur lindi im vëlla, se meqenëse nuk ma mbushte mendjen ajo punë e lejlekut, të më thoshte të vërtetën se si ishte krijuar ai në barkun e saj dhe si kish lindur. Përgjigja ishte e shkurtër, e prerë dhe kërcënuese. - “S'ke turp! Mbylle gojën e mos të të dëgjoj më kësi fjalësh se...” Nuk e dëgjova vazhdimin, shpejtova të largohesha se e dija nga eksperienca, atë timbër zëri e ndiqte një shuplakë pas. Shkurt, i hoqa shpresat se mamaja mund të më bënte dritë në këtë drejtim. Nganjëherë hasja diçka nëpër libra, nga ato të famshmit që gjoja ishin të ndaluar, por edhe aty se mos kishte të shkruar kushedi se ç'farë, ishin aq të turbullta sa... Shkurt, një tabu që nuk duhej prekur. Ishte turp dhe pikë. C'ti bësh, kështu jemi rritur ne të brezit tonë. E se mos ishte vetëm kjo ... Megjithatë, sado e shtërnguar që ishte me ne vajzat, më pak me djalin, ishte fare dorëlëshuar me qenin femër që kishim atë kohë. Se nga ishte shpifur një qenush që vinte nga këneta e kuiste poshtë ballkonit ndërsa qenushja jonë tërbohej sipër tij e donte të dilte. Po kush e linte? Ishim bërë sy e veshë të mos na shpëtonte, unë, motra e të mos flasim për vëllain, dihet sa për zemër e kanë djemtë nderin e femrave të shtëpisë. Derisa qenushi gjeti derën e filloi ta gërricte me putra me një këmbëngulje të tillë sa qenushja jonë u qep pas saj dhe e bllokoi. Duhej të dilja e mora ta largoja prej andej. M'i nguli dhëmbët në dorë.
- “Mama më kafshoi!” - brita unë
Mamaja u çua. Thashë se erdhi t'i kushtonte sadopak vëmëndje dorës sime të gjakosur, por isha gabuar. As ja vari fare asaj por hapi derën dhe e la t'ja mbathte qenushes me... qenushin.
- “C'bën?! Përse e le?”
- “Nuk e fus shpirtin në gjynah me qenin,”- ma ktheu qetë ajo.
- “ Me qenin?! Por ne nuk na le as të ...”
- “Ju nuk jeni kafshë!” – ma ktheu prerë ajo duke e mbyllur njëherë e mirë atë muhabet.
Me ne piu ujë kjo. Por ec e të pije me tim shoq. Qentë rriten shpejt, sepse dhe jeta e tyre është më e shkurtër. Kaloi shpejt ajo kohë kur ishte i vogël, dhe ashtu i bukur siç është nuk mbeti qen, e kur them qen... ata meshkujt e mëdhenj, pa i rënë më qafë. Sapo e shihnin, qëndronin një moment duke drejtuar trupin e mblidhnin gjithë frocat nga i kishin e nga nuk i kishin për t'ju shkëputur nga duart të zotërve dhe i suleshin t'i hidheshin sipër. I shkreti qenush, tmerrohej aq shumë sa na ngjitej gjunjëve e detyroheshim ta merrnim në krahë. - “Diçka nuk shkon me qenin tonë,” - i pata thënë tim shoq,- “i ngjiten vetëm qen meshkuj...” - “ Mbylle!” - ma pat prerë shkurt dhe ai, nuk i duron fare kësi lloj temash diskutimi. Dhe e mbylla. Pastaj ndodhi një ditë që njohu një qenushe të lezeçme, vetëm t'i shije sa të këndshëm ishin bashkë e unë e lashë të lirë disa ditë. Por një ditë u kthye me bisht ndër shalë e u fut poshtë karrikes. As hëngri e as piu. Ditën tjetër nuk desh të dilte, e unë në parkun e madh pashë qenushen që lodronte me një qen tjetër, dy herë më të madh se imi. Timit as ja shtiu sytë. Nga ajo ditë, qeni im nuk ja hedh më sytë qenusheve, edhe kur qëllon që i vinë pas e i luajnë bishtin. U leh me sa ka në kokë e u nxjerr dhëmbët. Pastaj vjen në shtëpi dhe kap pellushin... Këtë punën e pellushit që më çuditi në fillim, shpejt mësova se nuk ishte ndonjë çudi e madhe sepse e pashë edhe nëpër filma. Fillova t'i blija e t'i dhuroja pellusha qenit, por siç duket ai ka qëlluar monogam. Monogam... me kapacitetin që mund të mendojë ky truri im që ma kanë kanë forcuar e mbyllur brenda një kornize të ngushtë të një kohe të dalë jashtë mode që kur nuk mbahet mend, këtë fjalë e përkthen “i ndershëm”. Mono... mono grua, mono burrë, monokolor, monoparti... C'dreq më futi tek partitë, ato të çojnë tek politika. Politika... po të pyesësh kapacitetin e trurit tim nuk është e ndershme. Jo se e kam nga përvoja personale, as se kam ndonjë gjë personale me të, por nuk e thonë të gjithë: “Politika është kur...” Ja prapë një tabu tjetër që më pengon gjuhën, nuk thuhen fjalë të pista, si ke gojën je dhe vetë... Por kësaj ja kam gjetur anën, i them në gjuhë të huaj, nuk bën të njëjtin efekt. Pra: “ Politika është si biçim putane”. Aspak e hijëshme edhe kjo, por të paktën është në një gjuhë tjetër edhe se përdorimi mund të jetë universal. Politika... po politikanët... Këtu ngelem sërish. Si mund t'ja lejoj vehtes të akuzoj të tjerët për moral... se mos kushedi se ç'farë bëjnë. Ja vjedhin pak, e kur them pak jo se mua më duket pak, por po ta krahasosh me bark zgrobësinë e pafundme që mund të ketë qenia njerëzore, është gjithnjë fare fare pak. E kemi idenë kur i kritikojmë, e marrim parasysh se edhe ata janë njerëz e si të tillë janë të brishtë e të pafuqishëm karshi natyrës së tyre njerëzore? Se i tundon paraja , djersa, prona, gruaja e vajza e tjetrit? E kush nuk tundohet para tyre, ca më shumë e ca më pak sipas mundësive e ata për mundësi nuk mund të qahen. Jo këto nuk më turbullojnë e nuk më bëjnë habi aspak. Një industri e tërë filmash, librash, televizioni, seminaresh e kursesh më bindin përditë se gjëja më e mirë që mund të bëhet në këtë botë është t'ja fusësh tjetrit pa u merakosur se kjo do të ketë pasoja mbi shpirtin. E shpirti ka rëndësi të jetë i pastër si në këtë botë dhe tjetrën, e nuk duhet të ngatërrohet me moralin. E ç'është morali në fund të fundit, një tërësi normash që lidhet e i shërben materiales, fizikes ku bën pjesë edhe trupi... ndërsa shpirti... më falni është krejt gjë tjetër, është jo materialja në kontradiktë të përherëshme me materialen... Sa më i pandershme njëra, aq më e ndershme tjetra. Nuk e di a ja ka zënë veshi ndokujt tjetër atë shprehjen se “putanat e kanë shpirtin të virgjër...”. Madje sot, gratë sa më të ndershme janë, thonë se po aq putana janë në shpirt. Nuk bëj shaka, kështu thonë. Lëre pastaj për politikanët, llogjika e thjeshtë të çon se cili shet llokmën më të madhe të atdheut... arrin kulmin e virgjërisë e pastërtisë së shpirtit, a nuk betohen dhe vetë për këtë nëpër mitingje... Të pandershëm jemi ne që i përflasim. Se u zgjata, e ky zgjatim më bën të preokupohem për shpirtërat e familjes sime, e meqë ra fjala edhe për atë të qenit në do ta kishte një. Le të kthehem tek ai.
Nuk është se nuk ua var pellushave të rinj, por vetëm një ditë a dy sa për të hequr nepsin, pastaj i bën copë copë dhe kthehet tek i pari që është katandisur në një leckë të shëmtuar sa të vjen keq ta shohësh, po ec e thuaji atij. Ah, se m'u kujtua një e thënë e një koleges sime të tradhëtuar nga burri e të divorcuar, thënie të cilën pretendon se ja ka thënë gjyshja “Burrat e qentë kur janë prej rrace kthehen në shtepi”. Edhe kjo sikur nuk shkon, qeni im nuk është rracë, është kryqëzim, ama kthehet përherë tek pellushi i tij. Kjo punë e pellushit nuk i sjell ndonjë shqetësim tim shoqi, përderisa jemi vetëm ne të shtëpisë. Jemi mësuar. Por ama, kur vjen njeri për vizitë...
…....Kur vjen njeri për vizitë, qeni pasi gëzohet, i hidhet e nuk i shqitet pa marrë racionin e tij të ledhatimeve, më sulet e nuk më lë rehat, kërkon për të ngrënë. Biskotë pas biskote, derisa e mbush paq stomakun. Nuk të lë të bësh muhabet, nuk të lë të bësh asgjë, vjen e të godet me putër, tund bishitn e të shikon drejt e në sy, nuk të shqitet derisa i merr të gjitha biskotat që do e mbush stomakun. Nuk thonë kot plakat, dashuria fillon nga stomaku, vetëm nuk e di në i kishin parasysh edhe qentë. Pastaj merr pellushin, e sikur të mos ketë vend tjetër në shtepi, vjen drejt e tek këmbët e mikut e fillon e punon mbi të. Ndërkohë mund të kesh kapur një muhabet serioz, mor po çfarëdo muhabeti të jetë, ai nuk do t'ja dijë. Do vetëm ta shikojmë e të shesë mend sa i zoti është. Miku nis e vihet në siklet, bën sikur nuk e sheh, nuk na i shqit sytë neve apo tavanit. Im shoq gjen ndonjë moment që duket sikur miku nuk e ka mendjen e ja fut me shkelm qenit. Ai hungërin, ndalon një moment e rifillon më me zell. Dreq o punë. Unë çohem, me mundim ja shkëpus pellushin dhe ja mbyll në ndonjë dhomë. Ai nis e leh me forcë. Kap dhe atë dhe e përplas në dhomë e ja mbyll derën. Nuk është punë. Cjerr derën e leh aq sa nuk dëgjojmë fjalët tona e komshinjtë nisin e na mbijnë në derë. Dua s'dua ja hap derën e ai me pellushin ndër dhëmbë vjen e përplaset sërish mu poshtë këmbëve të mikut. Shkelmi që niset këtë herë nga këmba e tim shoqi është më i fortë e tingulli që e pason është nje kuisje dhimbëse e mua më vjen keq.
- “C'bën mor burrë? Kafshë është!”
-“ Aaaaaa, po na thua gjë të re! Sikur nuk e di unë që është kafshë. Po ti as një qen nuk di të edukosh...” Vërtet, seriozisht e ka?! Pse, dhe me edukimin seksual të qenit duhet të merrem unë që nuk jam e zonja ta bëj këtë punë as me fëmijët e mi?
Me fëmijët e mi?! Zot na ruaj! Mirë që kanë menduar shkollat, kusurin duhet ta kenë mësuar sa nga televizori, kompjuteri e... e kam pak zor ta pranoj... nga praktika. Diçka më thotë se ajo vajza që vjen të studjojë me djalin e mbyllen në dhomë... Po e le këtë muhabet. Jane brez tjetër. Brezi ynë, gjithnjë pa fat, pa fat në rini, na shtërngonin nga të katërqint nahitë. E nuk është se kemi ndonjë fat as në prag të pleqërisë. Atëhere na e mblidhnin prindërit tani... tani na e mbledhin fëmijët. Nëna dhe babai, më shumë nëna, nuk duhet të bëjë nga këto punë, ajo duhet të jetë madona madje madona pa seks...