| E shtune, 15.05.2010, 07:58 PM |
PALAÇOT E SOTSHËM TË OBORRIT
Nga KALOSH ÇELIKU
Dikur, i ka pasur Pallati Mbretëror rreth e rrotull tij përpara këmbëve në Oborr. Edhe Mbreti me kurorë. Në përgjithësi, kanë qenë artistë Oborri, që me “artin” e tyre e kanë bërë Mbretërinë të qeshë dhe të lumtur në ato momente të vështira, krizë lufte.
Nuk kanë qenë këshilltarë të Mbretit. Truri i Mbretërisë. Megjithatë, kanë qenë buka, ushqimi kryesor i Perandorisë. Fatkeqësia, edhe në kohën e sotshme i kemi me pakicë e shumicë Palaçot e Oborrit në Qeveri. Nëpër Partitë tona politike “demokratike”. Vetëmse, jo aq të mençur dhe artistë të nivelit botëror si në kohën e Baba Dovletit. Aristokroacisë. Përmëtepër, në atë kohë, ata kanë bërë art dhe kanë marrë rrogë mbretërore. Sot, këto Palaço nuk bëjnë art, marrin rrogë hyzmeqari. Edhe në punë nuk shkojnë përditë si Palaçot e Oborrit të Mbretit. Gjithë ditën e gjatë rrinë nëpër çajtore, ose në shtëpi: ministra, deputetë të popullit, analistë politikë, profesorë universiteti, shkrimtarë, gazetarë të Oborrit të Partisë, këshilltarë në Qeveri, zëvendësministra, zëvendësdrejtorë, administartorë nëpër ministri pa vende pune e me rroga, sipas Marrëveshjes Kornizë të Ohërit.
Edhe, vazhdojnë ta “argëtojnë” Oborrin me budallakitë e tyre politike. Anda ta ka t’i dëgjosh nga foltorja diskutimet e tyre të zjarrta në Parlament. Mjetet e informacionit me deklarata “patriotike”: Protektorati si shpëtim, Gjykimi i familjes së madhe, Berisha mesazh Ademit: Mbahumi për Marrëveshjes së Ohërit, Cërvenkovski mund të lëvizë bustet “Shkupi
Problemi: me nuset shqiptare ma kujtoni fshatin malor Baçisht, afër Kërçovës. Përpjekjet, që ky fshat i ka bërë në kohën e komunizmit për të hapur shkollë shqipe. Edhe Nijazi Limanin (me plotë prapashtesa: ov, oski), që kërkonte me këmbëngulje këtë fshat ta bindi dhe shpalli si fshat “makedonski muslimani”. I përdori të gjitha metodat dhe veprimet e mundshme dhe të pamundshme komuniste. Në fund, pasi nuk i bindi që të pranojnë shkollë në gjuhën maqedone, u premtoi shkollë në gjuhën turke. Edhe pse, asnjëri nga fëmijët nuk dinin as edhe një fjalë në gjuhën turke.
Dhe, e dini si përfundoi ky “misioner” i arsimit në atë kohë komuniste?! Jo, nuk e dini. Nijazi Limanovski (ov, ni) shkoi në Baçisht për herë të fundit me të vetmin qëllim, gjoja për shënimin e diltëlindjes të shokut Tito. Fshatarët, i madh e i vogël e pritën sipas zakoneve të asaj ane. I thanë: mirë se na ke ardhë! Ne vërtetë jami të varfër, nuk kemi pasuri, ama për shokun Tito e therim edhe kaun e qerres. Shkurt, duam të të themi: për festa të këtilla të na vish gjithmonë, por për hapjen e shkollës në gjuhë maqedone, mos na vish më kurrë! A, e pe kur hyri ajo nusja që e solli kafen se ishte e veshur me veshje kombëtare shqiptare dhe të foli në gjuhën shqipe? Po, mezi u përgjigjë “mysafiri”. Atëherë, ville kafen! Iu kërcnua i zoti i shtëpisë.
“Mysafiri” i shpeshtë i këtij fshati në kohën e komunizmit, iku me bishtin nën shalë dhe kurrë më nuk erdhi në këtë fshat malor. E harroi hapjen e shkollës në gjuhën maqedone. Erdhën ndryshimet demokratike, dhe fshatarët e kësaj ane për herë të parë hapën edhe shkollën e tyre në gjuhën shqipe. Unë i di shkaktarët e këtij realiteti. Po, nuk i dini ju?! Prandaj, mos bëni ish, kur nuk u hyn pula me gjithë zogjë në Lëmë.
Ose: Në atë kohë të gjithë turreshin të botojnë poezi për shokun Tito. Edhe, po të kish libri ndonjë poezi në fillim, përkushtuar shokut Tito, nuk kish redaktor nëne ose reçenzent që e kthente prapë si jovlerë. Ende e kam të freskët, kur shkoja në vendlindje një shtëpi të posandërtuar në mes të fushës te Gara, që ishte ndërtuar pa leje. Katundari i mençur, që të mos ia rrëzojnë shtëpinë, fotografinë e Shokut Tito nuk e kishte vëndosur në dhomë, po në dritare edhe atë: me fytyrë nga rruga.
Askushi nuk guxoi jo vetëm ta rrëzojë atë shtëpi, po edhe t’i afrohet te pragu, në Lëmë. Edhe sot e kësaj dite asaj shtëpie në mes të fushës, te Gara i tymon oxhaku.
Vërtetë, janë të mrekullueshëm, “artistë” të të gjitha kohërave! Talentë të rrallë që do t’ua kishin lakmi edhe Palaçot e Oborrit Mbretëror të asaj kohe. Po, jo Palaçot tonë të Oborrit që janë modernë. I kanë tejkaluar ata artistë të shekullit, atë kohë. Gjithë ditën e gjatë rrinë në çajtore dhe shtëpi. E nga andej me “artin”e tyre gjenial e argëtojnë Qeverinë e “vëllazërim-bashkimit”. Popullin.
Punemadhe, kush qesh sot më së shumti me “artin” e tyre fantastik, Qeveria, apo Partitë politike?! Populli, nuk qeshë. Me siguri: Kryeminsitri, qeshë. Vojvoda, që u ka hipur në shpinë luanëve antikë dhe i ka shaluar në sheshin “Makedonija”. Edhe Goce Dellçevin krah për krahu me Nikolla Karevin i ka hipur në kalë dhe i tërheq për freri te Ura e Gurit. Nuk ka rëndësi që këta “heronj maqedonë” kurrë në jetën e tyre për së gjalli nuk kanë hipur në kalë. E rëndësishmja është: kryeministri i ka hipur të vdekur. Ose, i ka ngjallur lugetër. E ata, nëse në këtë kohë nuk dinë të rrinë mbi shalë, nuk dinë ta shalojnë edhe kalin. Edhe kjo, shumë pak ka rëndësi. Mund të mësohen te këmbët e Urës së Gurit. E, nëse nuk mësohen, Vardari është afër, mund të kërcejnë bythekrye në lumë? Edhe kjo ka shumë pak rëndësi. E nesërmja është në prag. Skënderbeu në Bit – Pazar, mes “patriotëve të vonuar turqë” e ka shaluar kalin me shalë. E ka ngritur edhe dorën: ndaluni burra shqipëtarë! Nesër do të dalim matanë Urës së Gurit edhe në atë anë, t’i mësojmë “vëllezërit maqedonë” se si rrihet mbi shalë në kalë me shpatë në dorë. Shkaku: Skënderbeu e ka shpatën në brez. E këta “trima maqedonë” janë pa armë. “Maqedoninë e madhe” krah për krahu me “vëllezërit shqiptarë” e bëjnë pa luftë, me dialog politik. E unë si “nacionalist” pyes: ku mbeti “Shqipëria e Madhe”?! Hi-hii-hiii… Nëpër kabinete të “vëllezërve”. Gazetat e tyre të “vëllazërim-bashkimit”. Muzetë e Lirisë…
Në rregull. Përsëri unë pyes si “nacionalist”: a qeshë edhe Ali Ahmeti?! Ose, siç e thirrë ai Patrioti i Vonuar: “Abazi”?! Jo, nuk qeshë. Atëherë, paskemi probleme në Shtëpinë e përbashkët të “vëllazërim-bashkimit”. Patjetër, duhet të qeshë edhe Ali Ahmeti! Ose, siç e thirrë ai Patrioti i Vonuar: “Abazi”. Përndryshe, na mori lumi.
E ai, si për inatë nuk qeshë. Burra shqipëtarë, edhe atë duhet ta shtini të qeshë! Patrioti i Vonuar siç duket nuk e ka kryer detyrën në Oborrin Mbretëror. Çfarë palaçoje Oborri është ai që nuk e ka shti të qeshë edhe Ali Ahmetin, “Abazin”?! Bërllok. Shenja të Kiametit.
Populli, mbi të gjitha qeshë i fundit me gojën vesh më vesh. Edhe, u bie duarve shuplakë gjatë “fitoreve” të tyre si argatë të përjetshëm në Qeveri.
Edhe unë, kam vendosur miku im lexues besnik, që kësaj radhe të qesh i fundit. Zoti e bëftë për hajr!...