| E shtune, 15.05.2010, 02:48 PM |
Reshat Kripa
GONI DHE BENI
Goni edhe Beni, shokë fëminie,
Shokë të pandarë, në shtëpi dhe shkollë,
Bashkë ëndërronin, me pasion rinie,
Ëndrra dashurie, me dëshira plot.
Goni bir tregtari, një tregtar me nam,
Vrarë nga fashistët, si nacionalist,
Babai i Benit, dalë partizan,
Bie atë ditë, si një komunist.
Ranë që të dy, njëri-tjetrit pranë,
Se të dy së bashku, kërkonin lirinë,
Ranë që të dy, kurrë nuk u ndanë,
Se të dy së bashku, donin Shqipërinë.
Por kohët ndryshuan, nuk kishte më mik,
Ndihej mosbesimi, besa ish harruar,
Në çdo individ, gjeje një armik,
Luftë borgjezisë, në parulla shkruar
Goni hiqej zvarrë, në fusha, kanale,
Në një fshat të largët, atje internuar,
Beni si gjykatës, me mendje të madhe,
Çdo fatkeq dërgonte, burg a pushkatuar.
Në një ditë të bukur, të dy u takuan,
M’u në sallë të gjyqit, të dy ballë për ballë,.
Goni i pandehur, hekurat ndër duar,
Beni ky gjykatës, porsi trim me pallë.
Gjyqi po vazhdonte, me shpatën e zhveshur,
Egërsi e tonit, trimin nuk e tundi,
Atëherë Minosi , me vështrim të ndezur,
Ngrehu i pandehur, thuaj fjalën e fundit!
Unë e dua jetën, dua edhe mikun,
Dua dashurinë dhe fisnikërinë,
Kur në vend të tyre, unë gjej armikun,
Jeta nuk më dhimbset, mermani lirinë!
Po kush i dëgjon, kush i dëshëron,
Këto fjalë të arta, thënë me guxim,
Me një zë të akullt, zëri po dënon,
Pafajsinë vetë, vdekje pushkatim.
Kështu iku Goni, me ballin përpjetë,
Duke ëndërruar, vendin në liri,
Krismat mëkatare, në një vend të shkretë,
Ra duke thërritur: Rrofsh moj Shqipëri!
Për Benin mizorin, s’mbeti gjë në jetë,
Të zhytej më thellë, në krimin e tij,
Gjersa Perëndia, me gjyqin e vetë,
E dërgoj në ferr, në ferrin e zi.