Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Parlamenti i Rumanisë promovon dy libra të Fahri Balliut si rrëfyes të historisë së komunizmit shqiptar

| E shtune, 15.05.2010, 02:27 PM |


Nga Gazeta 55

 

Pas suksesit në panairin vjetor të librit në Bukuresht, përkthimet në rumanisht të monografisë “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” dhe romanit “Panteoni i Zi” janë paraqitur edhe në Parlamentin rumun, në një veprimtari të zhvilluar nën patronazhin e Institutit rumun të Memories dhe Hetimit të Krimeve të Komunizmit

 

Në datën 4 maj 2010, në një nga ambientet e Parlamentit te Rumanisë, u zhvillua promovimi i dy romaneve të shkrimtarit Fahri Balliu “Panteoni i zi” dhe Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”. Ky aktivitet u organizua nga Instituti i Hetimeve te Krimeve te Komunizmit dhe Memories se Ekzilit Rumun (IICCMER), si dhe Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Humanitas” si dhe Shtëpinë Botuese “Vremea”. Dy librat e promovuar “kanë zgjuar interesin e lexuesit rumun dhe atë te kritikes rumune, jo vetëm për njohjen e periudhës komuniste shqiptare, por edhe cilësitë e veçanta narrative dhe ato artistike” - do te shprehej drejtoresha e Shtëpisë Botuese “Vremea”, e cila botoi para pak muajsh romanin “Panteoni i zi”. Në këtë aktivitet folën, gjithashtu, drejtori ekzekutiv i Institutit i Hetimeve te Krimeve te Komunizmit dhe Memories se Ekzilit Rumun (IICCMER), z. Ioan Stanomir, si dhe drejtori shkencor i po këtij instituti, Bogdan Cristian Iacob.

Në këtë veprimtari morën pjesë dy sekretarë shteti, Marko Attila dhe Salih Negat për minoritetet nacionale, një numër deputetësh të Parlamentit Rumun, shkrimtarë, gazetarë, botues, përfaqësues të Ambasadave të akredituar në Bukuresht, dashamires te letërsisë shqiptare, anëtarë të organizatës “Lidhja e shqiptarëve të Rumanisë” etj. Nga Ambasada Shqiptare në Bukuresht mori pjesë Luan Topçiu, ministër këshilltar i Ambasadës.

Aktiviteti u hap me një përshëndetje te shkurtër drejtuar shkrimtarit Fahri Balliu, mbajtur nga deputetja e minoritetit shqiptar te Rumanisë, Z. Oana Manolescu, e cila, midis te tjerash, foli mbi përshtypjet e saj nga vizita e fundit ne Shqipëri, duke nënvizuar arritjet e mëdha të Shqipërisë ne vitet e fundit.

Për dy librat e ardhur nga letërsia shqipe folën shkrimtari dhe përkthyesi Marius Dobrescu, i cili theksoi se “romanet e shkrimtarit Fahri Balliu zgjuan menjëherë interesin e lexuesit rumun pasi aty zbuluan ngjashmëritë e mëdha e dy diktaturave komuniste, atij shqiptar me atë rumun”. Bogdan Cristian Iacob, drejtor shkencor i IICCMER, foli mbi ngjashmëritë tipologjike te sistemeve komuniste te dy vendeve, duke veçuar dhe anët specifike te secilit regjim. Ky studiues do te shprehej: “Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha” na ofron një mundësi për të krahasuar në mënyrë të drejtpërdrejtë të dy regjimet, patologjitë e përbashkëta dhe dallimet specifike. Fahri Balliu përshkruan botën stërhollësisht dhe intrigat e nomenklaturës së Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), e barabartë me PCR (Partinë Komuniste Rumune). Shkrimtari dhe gazetari shqiptar nuk hyn në detaje mbi strukturën e partisë-shtet, por arrin të japë ethosin totalitar dhe personalizimin radikal të regjimit totalitar të Hoxhës. Nexhmija është mishërim i "pedagogjisë diabolike të stalinizmit".

Ioan Stanomir, nënvizoi ndër të tjera se komunizmi shqiptar njihej pak nga rumunët.  Drejtori ekzekutiv i IICCMER-së theksoi, midis te tjerash, se “promovimi i sotëm çel rrugën e bashkëpunimit të IICCMER me të gjitha institucionet që studiojnë dhe hedhin dritë mbi shoqëritë diktatoriale komuniste në Shqipëri. Studimet krahasimtare do të na ndihmojnë më shumë për të kuptuar dukurinë komuniste, krimet e rënda që janë kryer nga ky regjim, mekanizmat e funksionimit dhe ajo që është më e rëndësishme këto studime na bëjnë që të jemi vigjilentë nga të gjitha manifestimet e komunizmit në shoqëritë tona demokratike.

Me pas e mori fjalën drejtoresha e Shtëpisë Botuese “Vremea”, z. Silvia Colfescu e cila tërhoqi vëmendjen mbi arritjet e shkëlqyera te letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ajo pohoi se kur lexoi romanin “Panteoni i zi” u bind për ta inkuadruar në kolonën e letërsisë evropiane bashkëkohore, pranë autorëve të mirënjohur bashkëkohorë. “Romani është shkruar me shumë talent, me shumë mjeshtëri narrative, me shumë fantazi” - u shpreh ajo. Tiberius Puiu, përkthyes i librit “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”, si një njohës i mirë i historisë moderne shqiptare, u shpreh se “e ndjej veten fatlum sot, pasi nga vizita në Tiranë, e kam zbuluar këtë libër dhe pata dëshirën për ta përkthyer, sepse lexuesi rumun do të gjente ngjashmëritë me komunizmin rumun, do të shihte fatin e përbashkët historik me shqiptarët, ku edhe komunizmi i tipit stalinist ishte tmerrësisht i ngjashëm. Fakti që tirazhi i këtij libri u shit pothuaj i gjithi në një kohë rekord, dhe duke parë qëndrimin e kritikës dhe të shtypit ndaj këtij libri, më bëjnë të mendoj se kam pasur plotësisht të drejtë në zgjedhjen time” - u shpreh ai.

Shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu falënderoi të pranishmit, parafolësit për vlerësimin e librave të tij, botuesit dhe organizatorët. Më pas, në ekspozenë e tij, ai bëri një inkursion në historinë e komunizmit shqiptar, duke dhënë shifra e fakte, si dhe të dhëna historike ilustruese duke zgjuar kureshtjen e të pranishmëve.

Dy publikimet e fundit të Fahri Balliut në rumanisht; monografia “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” dhe romani “Panteoni i Zi” kanë njohur një sukses të madh dhe tërhoqën vëmendjen edhe në panairin vjetor të librit, që u mbajt gjatë muajit shkurt në Bukuresht. Paraqitja e librave të shkrimtarit dhe publicistit Fahri Balliu në parlamentin rumun ka gjetur pasqyrtimin edhe në edicionin informativ të TVR1, televizionit publik kombëtar të Rumanisë.

 

Për ZSH: Gjergj Kabashi