| E premte, 14.05.2010, 09:59 PM |
Shoqata për mbrojtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtar
illyricumlibertas@live.com
REAGIM
Sh.m.a.i.k Illyricum Libertas - Tetovë, e mori me dhimbje të thellë lajmin e tmershëm për vrasjen e katër shqiptarëve në Radushë, afër kufirit me Republikën e Kosovës më 12 maj. Duke pritur sqarimin e plotë të rastit, u kuptua se kemi të bëjmë me eliminim klasik, një atentat i përgatitur nga shteti maqedonas ndaj kryetarit të Alternativës Kombëtare dhe ish anëtarit të UÇK Harun Aliut, ish komandatit të UÇK Shaban Zenuni dhe dy bashkëveprimtarëve të tyre të afërt, Xhafer Shalës dhe Qemal Fejzullahut.
Duke dënuar fuqishëm këtë akt terrorist, kërkojmë që në zbardhjen e plotë të këtij atentati të shëmtuar dhe barbar të kyçen ekspertë ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore në mënyrë që të zbardhen plotësisht rrethanat e kësaj vrasjeje.
Dënojmë gjithashtu aktin e shëmtuar të bastisjeve të djeshme në fshatin Novo Sellë të Tetovës, në të cilin policia maqedonase ka traumatizuar familje të shumta shqiptare dhe ka arrestuar qytetarë të pafajshëm.
Rastet e këtilla që ndodhin në vazhdimësi, paraqesin provokime të pastra të kreut aktual maqedonas kundër gjithë shqiptarëve të këtij vendi si dhe e tensionojnë situatën e përgjithshme si në IRJM ashtu edhe në rajon.
Shihet qartë se kjo është një fushatë për kriminalizimin e komunitetit shqiptar, si fajtor kujdestar për gjendjen si dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga kokëfortësia maqedonase në lidhje me kontestin absurd të emrit me Greqinë, i cili ka bllokuar integrimin euroatlantik të vendit.
Kërkojmë që të hiqet prezenca masive e policisë nëpër vende publike dhe të marin fund manifestimet e forcës që ajo i bën vazhdimisht këtë javë duke parakaluar me helikopterë dhe autoblinda nëpër qytetet dhe rrugët e banuara me shqiptarë në vend.
Apelojmë tek faktori politik shqiptar në qeveri që përfundimisht të mbajë qëndrim ndaj kësaj furtune terroriste antishqiptare që ka marë hov javëve të fundit kundër qytetarëve tanë.
I lusim shqiptarët e punësuar në MPB, që ose të ndërmarin hapa konkretë në drejtim të mbrojtjes së jetës, integritetit, dinjitetit dhe pasurisë së qytetarëve shqiptarë, ose nëse nuk mund ta bëjnë atë të heqin publikisht uniformat që janë të përlyera me gjakun e qytetarëve të pafajshëm shqiptarë.
Në fund, i bëjmë thirje popullatës shqiptare në vend që të ruajë gjakftohtësinë në momente të këtilla të dhunës shtetërore si dhe të forcojë rradhët për të qëndruar sa më unikë në këtë situatë të rëndë për gjithë ne.
Valon Kurtishi
Kryetar
______________
Tetovë/Oaeneum
14.05.2010