| E merkure, 12.05.2010, 06:53 PM |
 Vullnet Mato
Vullnet Mato
CILI ËSHTË QËLLIMI YT ?
Qëllimi im,
është një diagramë qiellore 
që vargëzon ndjenjat e holla,
është një horizont i bardhë 
që gëlojnë fluturat e korrikut,
është një borzilok saksie 
që marrin erë vashat e njoma, 
është një lot i kristaltë 
që pikon gazin e qerpikut;
është një balonë fëmijësh 
që ngjitet në erën e lartësive,
është një puthje e përvëluar 
që ëmbëlson gjakun e zemrave,
është një urim për ditëlindje
që çojnë valët elektronike,
është një lajm i hareshëm 
që u dërgojnë bijtë nënave; 
është një vijë melodike 
që gjallëron dasmat e vitit,
është një parmendë e artë 
që lëvron thellësitë e mendimit,
është një flakë e zjarrtë 
që djeg ligësitë e shpirtit,
është një arkivol i ndershëm 
që prin homazhin e hidhërimit.
Po qëllimi yt, 
që shkallmon qetësinë 
me angullitjet e ujkut,
cili është dhe ku e ka mirësinë, 
o i urituri për tufat e majme 
të kolltukut ?...