Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tomë Paloka: Varfëria shpirtërore e kardinalit të Vatikanit, Walter Gasper

| E marte, 11.05.2010, 09:56 PM |


Varfëria shpirtërore e kardinalit të Vatikanit, Walter Gasper

 

Nga Tomë Paloka, publicist

 

Nuk është hera e parë që Kardinali i Vatikanit, Walter Gasper deklaron me papërgjegjësi totale në mjete të informimit tash sa herë, se Vatikani nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës,sepse gjoja Kosova na qenka qendra dhe djepi i ortodoksizmit serb ,me ç’rast ai bën gafa skandaloze politike ,fetare e shkencore,me të cilat tregon mosnjohje të realitetit ekzistues në atë hapësirë. Dhe, nuk ka varfëri më të madhe shpirtërore për Kardinalin e përmendur, Gaspar të trillojë të pavërteta mbi autoktoninë e serbëve dhe të Kishës ortodokse serbe në Kosovë,aqë më pare kur dihet mire nga burimet historiko-shkencore se populli shqiptar i Kosovës është njëri ndër popujt më të vjetër , jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Andaj, Kardinali i përmendur , harron faktin e pamohueshëm shkencor se në mesjetë,siç shkruan në librin e tij”Shqiptarët dhe sërbët” shkencëtari i famshëm kroat dhe me famë botërore dhe njëri ndër albanologët më të famshëm në botë, Milan Shuflay se,: ”Të gjitha kishat në atë kohë kanë qenë katoliko-shqiptare dhe se nuk ka pasur fare kisha ortodokse serbe..Por,në kohën e pushtimit të asaj hapësire shqiptare nga ana e Car Dushanit shumë kisha katolike shqiptare janë renovuar dhe bërë kisha ortodokse serbe,kurse një numër sosh janë rrënuar,për çka këtë shkencëtar me famë botërore e privojnë nga jeta tinëzisht, duke hyrë në banesën e tij në Zagreb të Kroacisë, kriminelët e Organizatës terroriste serbe”Jugosllavia e Re”. Duhet përkujtuar Kardinalit Walter Gaspar të Vatikanit se po të ishte gjallë Papa Gjon Pali i Dytë ,ky kardinal , i cili sipas emrit duket se është gjerman, ndërsa sipas fjalëve sikur të ishte lindur dhe rritur në Beograd, nuk do të thoshte kështu, sepse ai do ta pranonte i pari pavarësinë e Kosovës ngase u angazhua maksimalisht për lirinë e popullit shqiptar të Kosovës .

Të ai shihej qartë madhështia shpirtërore e tij dhe edukata e drejtë në filozofinë e vërtetë të jetës katolike të Ungjillit të Shenjtë, i cili predikon tri parimet themelore–LIRINË,TË VËRTETËN dhe DASHURINË.

Dhe, që të tri këto parime themelore ishin në anën e popullit shqiptar të Kosovës. Prandaj, Papa Gjon Pali i Dytë e dinte se Liria e munguar i takon patjetër popullit shqiptar të Kosovës, kështu që u angazhua me tërë qenien për lirinë e tij, pastaj e dinte se e vërteta poashtu është në anën e tij , sepse është populli më i vjetër në atë hapësirë dhe me përqindjen më të madhe etnike edhe në Europë me mbi 95 përqind të popullsisë shqiptar.

Zoti Kardinal, Papa Gjon Pali I Dytë e dinte se populli shqiptar i Kosovës ishte kolektivisht i gozhduar si Jezu Krishti në Kryq, andaj pat thënë me rastin e vizitës në Shqipëri se “Popullin polak dhe shqiptar i dua më së shumti në botë , sepse kanë vuajtur më së tepërmi nga diktaturat komuniste. Kështu që, populli shqiptar i Kosovës vuante nga dy diktatura,në njërën anë nga ajo komuniste dhe në anën tjetër nga diskriminimi dhe gjenocidi I paparë serb. Andaj, z.Kardinal, Gaspar,Papa Gjon Pali i Dytë angazhohej për dashuri të vërtetë midis njerëzimit,pa marrë parasysh përkatësinë fetare,ngase e kuptonte dhe e predikonte drejtë-Ungjilli e Shënjtë të katolicizmit, e jo si ju që harroni vuajtjet e popullit shqiptar të Kosovës në trojet e tij etnike me dekada iokupuar nga nga Sërbia dhe Kisha Ortodokse serbe, për të cilën Ju , derdhni ”lot krokodili” pa kurrfarë baze .

Përveç kësaj Zoti Kardinal , Gaspar duhet tua përkujtoj edhe një të vërtetë tjetër të pamohueshme se pikërisht është ajo kishë ortodokse serbe për të cilën shqetësoheni ju pa masë,e cila bashkë me shtetin serb kanë bërë krimet më monstruoze kundër njerëzimit , jo vëtëm në Kosovë,por edhe në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, duke rrënuar me qindra mijëra kisha katolike dhe xhami muslimane dhe duke vrarë në barkun e nënave me dhjetëra mijëra fëmijë –engjuj, me zemra të pastra si loti . A mos keni harruar vallë Z.Kardinal se poashtu është ajo kishë që më së shumti ju urren Juve dhe Vatikanin,e cila është e vetmja kishë bashkë me kishën ruse që nuk mori pjesë në varrimin historik të Papa Gjon Palit të Dytë në Vatikan dhe që kriminelet serbë që gjykoheshin para sa kohësh në Gjykatën e Hagës e akuzonin pikërisht, Vatikanin dhe Shënjtërinë e tij Papa Gjon Palin e Dytë që iu soll liria dhe pavarësia e shumpritur e popullit të shumvuajtur shqiptar të Kosovës në trojet e tij etnike. Dhe, t’i harrosh këto të vërteta dhe vuajtje , Zoti Kardinal është varfëri e madhe shpirtërore dhe absurditet I skajshëm politik,fetar,shkencor dhe njerëzor.

 

Bota Sot - Për ZSH: Gjergj Kabashi