Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Bajame Hoxha (Çeliku)

| E marte, 11.05.2010, 08:28 PM |


 BAJAME HOXHA (ÇELIKU)

 

 

DASHURIA ESHTE PAVDEKESI

 

Më shkruaj në e-mail: ”gjithçka je për mua!”,

Tek unë vjen rinia sapo ti e thua.

Me shkruaj dy rreshta se s'rri dot pa mua,

Si flutur arrij në ndjenjat e tua.

 

Më shkruaj në e-mail: “të dua, të dua!“

Dhe unë do besoj në fjalët e tua,

Hop, bëhem erë dhe male lë pas,

tek ti do të gjendem brenda nëpër natë…

 

Më shkruaj në e-mail: "të dua" shpesh herë,

Unë, hop, i ngjitem resë dhe vij menjëherë.

Kur tis i natës afron e të vjen,

Ti hiç mos kij frikë, jam unë nëpër terr.

 

Më shkruaj në e-mail:se jam i yti,

zinxhirët s'më mbajnë dhe vij fluturimthi.

Dhe mallin mblidhe, mos e lerë të shkojë,

Si lulja me bletën do puthemi njësoj.

 

Më shkruaj në e-mail: “ti je kokëkrisur!“,

Unë ngrihem menjëherë, s'lë gur pa lëvizur.

Në rast se në ëndërr ti më sheh për natë,

Unë, fët, kaloj malet e jam me ty në shtrat.

 

Më shkruaj në e-mail: ”për ty përgjërohem!”,

Vitet si njoh fare, në vashë të re shndërrohem.

Kur yjet të dremisin në më të bukurën stinë,

Ti mendo për mua e unë pavdekësinë.

 

 

DASHURIA ESHTE ÇENDURI?

 

Ëndërrat jo, s’kanë datë të caktuar,

Dashuria s’të pyet kur vjen e plotë,

Ajo loz me ndjenjat e tua,

E ëmbël apo e hidhur s’e dallon dot...

 

Psherëtimat le të zhurmojnë sa të duan,

Sinqeriteti le të jetë në kulmin e vet,

Dashuria me ndjenjat e tua veç luan,

Luan, tallet, e ti sheh ëndrra nëpër netë...

 

Ti lufton me ndjenja të forta, stuhi,

Dhe dashuria të  rrjedh porsi ujvarë.

Por, a e di, se dashuria është çmenduri?

A gur në zemërn që të hap varrë?...

 

Përpëlitesh në krahë të dashurisë,

Më e ëmbël se kjo, thua: s’ka,

I mbështjell me të gjitha ëndërrat e rinisë,

E mbështjell jetën e njomë rreth saj.

 

Por, ah, një ditë vjen zhgënjimi e fshetas te ti struket,

Dhe pikëllimi si rrufeja në shpirtin tënd do vijë,

Dënesat do të ndjehen e loti do të duket,

Si margaritar mbi buzë, tërë jetën do të ngrijë.

 

datë: 26 ora: 0:16

 

 MOS ME BEJ QEJFIN!

 

Nga një lëvdatë mbrëmë,

Ashtu kot më erdhi  drithërima.

Ishte shumë vonë.

Tek po rrija mendueshëm përpara ordinatorit,

po flisja me vete  dhe shkrova:

 

Një poezi dashurie,

si për të kujtuar kohërat furtunë,

Të një dhimbjeje të pafund,

Që prej saj mora një grimë helmi,

Për ditët e stuhishme,

Për mjerimin e rinisë sime,

Dhe s’u shërova kurrë.

Eh, psherëtimat nuk heshtin,

Ato, flasin me veten time,

Më shajnë, më bërtasin , më kritikojnë,

E qahen prej meje,

Thonë se paskam qenë e keqe...eh,

“Na helmove”, më thonë.

Po, e di, e keqe kam qenë,

Helmova ndjenjat, psherëtimat, mendimin,

Si të kisha dy psherëtima, dy ndjenja, dy mendime...

Mjerisht, kisha vetëm një ndjenje e s’u bënë kurrë dy,

Kisha një mendim të blertë,

Dhe mbetën...

Ah, mbetën shumë psherëtima përreth...

 

 

 

 

PO TE VINTE

 

Kur veshi im zërin ta dëgjon,

Zemra fillon e më këndon,

Më këndon e s’pushon as ditë, as natë,

Zëri yt, jetën time zgjat.

Po të vinte kështu dhe zëri im te zemra jote,

Do të ishte një nga mrekullitë e kësaj bote!

Shqipëria e Tirana me  burra e djem plot,

Po askush si ti s’më ka joshur dot.