Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Suzana Kuqi: "Unë banoj në buzëqeshje"

| E hene, 10.05.2010, 09:57 PM |


Suzana Kuqi

 

"Unë banoj në buzëqeshje"

 

Një ditë më ra në dorë një libër që titullohet “Hetim për ekzistencën e engjëjve mbrojtës”, me dy fjalë fliste për engjëjt. Tani, problemi im nuk është se i besoj apo jo, një herë që më hyn në tru diçka, ekziston. Që do të thotë se engjëjt ekzistojnë, janë po aq realë sa jemi dhe ne, ani se nuk i shohim pasi gjenden në një dimension tjetër, e secili prej nesh ka një ose disa. E përse jo? Fundja nuk e thonë të gjitha fetë këtë? Madje edhe ata që kanë eksperimentuar jetën pas vdekjes, atë hark kohor kur njeriu vdes ose më mirë shpallet zyrtarisht i vdekur dhe... rikthehet. Nuk dua të përmend të gjitha teoritë e atij libri, as për mënyrën se si i quajnë besimtarët apo shkencëtarët. E as të merrem me atë problem të vockël nëse kanë apo s'kanë krahë. Ajo që m'u fiksua ishte se edhe unë kam të drejtën e papërjashtueshme e të pamohueshme të kem të paktën një, timin dhe vetëm timin e mbi të gjitha mbrojtës. Por nuk më mjaftoi kjo, lexova se ka njerëz që hyjnë në kontakt e flasin me ta. Ah, tamam kjo nuk shkon, përse unë jo, kjo është e padurueshme. Përse duhet të pres të jem në rrezik të madh, ose në fund të jetës që ta shoh si më merr përdore për të më shoqëruar në tunelin që të çon drejt dritës ku do më thonë nëse ka ardhur ora ime apo jo? Këtë punë nuk e kanë problem ata që kanë dhuntinë të bëjnë udhëtime jashtëtrupore apo si i thonë astrale, por kjo dhunti është aq e veçantë sa e kanë pak njerëz, e unë sigurisht që jo, ndryshe do ta kisha pikasur me kohë. E kush? Unë?! Më vjen për të qeshur, jam e mbërthyer aq keq pas trupit tim e tokës, sa kam frikë të hipi edhe në biçikletë. Kur udhëtoj me avion blej një barrë fjalëkryqesh që të humbas mendjen se jam mbi re, e jo më të kaloj në dimensione të tjera, do të më binte pika sapo ta kapja vehten mat një centimetër sipër trupit. Punë që nuk bëhet. Ai engjëlli im në më don aq fort sa thuhet se duhet të më dojë engjëlli im... le të zbresë pak, i lutem. Por nuk më dëgjon... Thonë se engjëjt kanë një sens të zhvilluar humori. U kapa në këtë pikë, me frikë të them të drejtën, pasi nuk e di masën e humorit të tyre. Pastaj, humori është i çuditshëm për vetë njerëzit. A nuk ndodh shpesh që qeshim me gjëra ose veprime që të tjerët i bëjnë të qajnë? Marrim një shembull të thjeshtë, dikë që pengohet e bjen në rrugë. Edhe se shtrembërohemi ca duke imagjinuar dhimbjen që i është shkaktuar, nuk e mbajmë dot gazin. Kam pasur një shoqe, nëna e së cilës gajasej sa herë që shihte dikë të rrëzohej. Në rininë time, në një xhiro që bënim me shoqe, njëra u pengua e ra. Isha e vetmja që e mbajta gazin dhe u përkula mbi të për ta ndihmuar të ngrihej. Po kujtoni se ma diti për nder dhe më falenderoi? Aspak. Më pa me inat nga aty poshtë e më këputi një batutë të mprehtë e të thartë: “Po ti pse nuk qesh?” Le të mos flas për një kolegen time që i ndodhi e njëja gjë e dy vajzat e saj që i ka goxha të rritura, aq të rritura sa janë martuar, nuk i linte gazi t'i afroheshin mamasë së tyre. Ja pra, kur për njerëzit që e njohin dhimbjen fizike humori i bën të pandjeshëm, ç'mund të mendoj për engjëllin tim... Por siç e thashë më lart, mjaft që një gjë apo ide të të hyrë në kokë... Nuk kisha derman... Thashë të provoj ta zemëroj...

 

        Një ditë, në një udhëkryq

        hapi m'u step diku

        fëshfërima krahësh, tri hëna e dy diej

        në shkëlqimin e bukur të dy syve të huaj...

 

        ...gjithë ç'më kish munguar, gjithë ç'kisha dëshëruar këtu

        në një tjetër botë, në një tjetër jetë,

        sa hap e mbyll sytë m'u fanit e... sa hap e mbyll sytë u zhduk...

 

       ... tunda kokën e vazhdova tej e tej iku dhe tjetri kokën duke tundur

        në një udhëkryq të njohur, dy të panjohur perfektë

        tri hëna, dy diej,  fëshfërima flatrash që shkriheshin në atmosferë...

 

        ç'kish ndodhur vallë...

        engjëlli im me atë të tjetrit ish dashuruar me shikim të parë

        e  iku e më la...

 

        ç'rreshta të sikletshem, po aq sa kur i bëj pyetje vehtes

        fundja në këtë botë ç'gjë të rëndësishme bëj...

        ...asgjë,  por të paktën ndihmoj të dashurohen engjëjt...

 

 

E shkrova me një frymë nga frika se hija e engjëllit tim do të ma mbante dorën në këtë akuzë që i bëja. Ja këpus kot se ata nuk bëjnë hije, janë bërë prej drite. Thërrita tim bir t'i hidhte një sy e të më kontrollonte gabimet ortografike. - “A thua do të më zemërohet engjëlli”?- e pyes si padashje duke pritur të më thosh se flisja budallallëqe. Aspak, m'u përgjigj thjesht:

       -”Pyete”!

Nuk e zgjata, e nisa per publikim në një sit. Pas dy minutash një mesazh. Poezia refuzohet për dy gabime ortografike. E bukur kjo. E korrigjova por nuk po ma mbante ta rinisja. Nuk e di pse m'u fiksua që engjëllit tim nuk i kishin pëlqyer këto rreshta të sikletëshme e më paralajmeronte të mos kruhesha me të. Shkova në kuzhinë kredhur në mendime. Paralajmërim, shaka apo koincidencë? Jo, gjërat duhen sqaruar. U ula tek kompjuteri dhe e nisa për së dyti. Dy minuta e ja tek vjen një mesazh tjetër: poezia refuzohet sepse nuk hyn tek aforizmat. Aforizmat... ç'punë kishin aforizmat, isha e sigurtë që kisha klikuar tek poezia. E lashë, shkova përfundimisht në kuzhinë dhe nuk e preka më kompjuterin derisa ika në punë. As kur u ktheva, po ku më rrihet...thashë ta zgjas pak ditën tjetër...

 

          isha gabuar, engjëlli im u kthye

          me sens të zhvilluar humori

          lozi me tastjerën, lozi me gishtat e mi

          për të më thënë

          nuk bëhet shaka me engjëjt...

 

Ta shohim tani, thashë me vehte dhe e rinisa edhe se isha e bindur se poezia ishte e sikletëshme, pa asnjë vlerë e mëkat të quhej poezi. Se nga e gjetën një kleçkë tjetër e prapë nuk e botuan. Hoqa dorë nga ajo përfundimisht. Aq më bënte se nuk i pëlqeu botuesit apo engjëllit. Lashë kompjuterin e mora të vazhdoja të lexoja librin.

 

Nga teoritë që hasa, njëra më bëri me të vërtetë përshtypje. Sipas saj, ne, dmth sejcili prej nesh, i zgjedh para se të vijë në jetë bashkeshortin, fëmijët, prindërit dhe... jo për miqtë nuk bëhej fjalë, as për dashuritë e vogla domethënë ato që mbesin në mes të udhës. Kjo sikur më ngatërroi ca. Prindërit, mirë le të themi se kjo hahet. Bashkëshorti... mund të hahet gjithsesi. Fëmijët... e përse jo? Në pamje të parë gjë që bëhet. Por ama... nuk jemi vetëm ne që i zgjedhim, të njëjtën të drejtë kanë edhe ata. Pastaj mbi ç'kriter bëhet kjo zgjedhje, për të pasur një jetë pa telashe e probleme apo të mbushur me to. Gjithsesi në të dy rastet, ec e gjeji, zgjidhi dhe vendosi kërkesat e të gjithëve mbi një emërues të përbashkët. Jo, jo ankohemi kot, kot fare kur flasim për problemet tona, kur na pëlcet koka për të zgjidhur ndonjë prej tyre që na ka zënë derën. Ma do mendja se më shumë jemi lodhur për të zgjidhur këtë ekuacion të vështirë pa ardhur në jetë, kjo që kemi kaluar, po kalojme e do të kalojmë nuk janë gjë fare. Një shëtitje në rastin më të mirë, një vrap me pengesa në rastin më të keq. Nga dita që vijmë deri ditën që ikim nga...

 

E lashë edhe këtë kapitull nuk i dhashë dum. Nisa kapitullin tjetër që për çudi i anashkalonte engjëjt e merrej me shenjtët. Kam mbetur këtu. Jo për mungesë kohe, atë nganjëherë sikur e sajoj, por... nuk e di se ç'më hipi në kokë... një si lloj krahasimi me vehten. Janë katër kritere, vetëm katër pika që përcaktojnë se kush ka shanse të bëhet shenjt. Por mjaftojnë edhe tri. Pika e parë është të shohësh e të komunikosh me engjëjt, nga e cila jam e përjashtuar. Epo mirë, thashë me vehte tek po fshija pluhurat, kam ende shpresë, tri të tjerat dalin e mjaftojnë. Mora një laps e një letër dhe u ula. Nuk mbaja mend kush vinte e dyta, sepse edhe renditja ka rëndësinë e saj apo jo. U çova të marr librin, katër hapa deri tek tryeza ku e kisha vënë. Katër të tjerë për t'u kthyer në karrike dhe... karrikja u përmbys me mua sipër. Nuk thonë kot se engjëjt kanë një sens të zhvilluar humori, por ky i imi nuk e ka fare idenë se kur rrëzohesh vritesh e mua tani po më dhëmb gjuri. E kam parasysh se po rri e më shikon dhe se është i inatosur për budallallëqet që shkruaj, por le të gjejë një mënyrë tjetër për të komunikuar me mua. Cfarë u bëra unë, e ka idenë ai se peshoj më shumë se gjashtëdhjetë kile e nuk jam bërë vetëm prej drite... Jam e zemëruar...

 

Pra ku e lashë fjalën. Nga pika e parë jam e përjashtuar. Pika e dytë ishin stigmatet, shenjat që ju dilnin në trup, njësoj si të plagëve të Jezusit në kryq shoqëruar me dhembjet e tyre. Ato të shkreta vuanin pasionin e Krishtit çdo të enjte e të premte e mbeteshin sëmurë pothuaj gjithë jetën. Sipas këtij libri që kam në dorë, Jezusi i zgjedh si gratë e tij me të cilat martohet në mbretërinë e qiellit pasi të kenë vuajtur fizikisht në tokë. Këtu mbushem mirë me frymë, pasi nuk e di pse, po ndjehem ca si e lehtësuar që nuk jam e denjë për të qenë e zgjedhura e tij. Edhe kështu kam mjaft dhimbje kurrizi e kockash, ca nga puna e ca nga mosha. Pra dy pikë nuk i plotësoj. Nuk kam asnjë shpresë të bëhem shenjtore, por kurioziteti nuk më lë. E treta ishin mrekullitë. Me keqardhje pranova se edhe këtë pikë nuk e plotësoj, nuk kam bërë asnjë mrekulli, madje ato cilësi të mira të mia që nganjëherë shfaqen vetvetiu, si shuarje sherresh, gadishmërinë time për të ndihmuar njerëzit në nevojë, buzëqeshjen që nuk e kursej... nuk quhen cilësi, sot quhen mangësi karakteri. Nuk mund të ngrihem e të rri në ajër, nuk mund të dyzohem e të shfaqem në dy a më shumë vende njëherësh, nuk di të zhvesh shpirtrat e njerëzve e t'u bërtas atyre për mëkatet që kanë bërë... nuk e bëj dot as me timin... Edhe se dëshirën e kam të madhe, mbetem përfundimisht në atë kategori njerëzish që :

 

“Gjërat e mundëshme i bëj shpejt, të vështirat përpiqem t'i bëj, për mrekullitë po mundohem të pajisem”!

 

Pra me pak fjalë nuk bie aspak erë shenjti. Por mbeti pika e katërt dhe shpresa sikur nisi të bulëzonte. Nëse vërtetohet kjo, ato pikat e para më marrin të keqen, ose zbulohen se i kam pasur por asnjë nuk i ka vënë re përfshirë edhe mua, ose sajohen në atë mënyrë sa bëhen të besueshme. Sepse ishte më e prekshmja për ne vdekatarët e thjeshtë, pesedhjetë vjet pas vdekjes trupi mbetet i paprishur nëntokë. Në këtë rast të gjithë do ta merrnin vesh, e dyshoj se do ta merrja vesh unë. Sa para bën kjo pikë sa më ngjalli shpresat kot, nuk e vërtetoj dot. E lashë...

 

Ende nuk e kam mbaruar librin. Do ta lexoj deri në fund edhe se ecën ngadalë. Dua të shoh se ku do të dalë autori. Deri tani kam kuptuar se jo vetëm që vuajmë në këtë botë, por vijmë pikërisht për të vuajtur, e kush vuan më shumë është më i shpërblyer në botën tjetër. Mos vallë ka një farë të drejte... vallë jeta atje lart është aq e bukur dhe e qetë sa bëhet monotone e njerëzit i merr malli për një dorë vuajtje... e kthehen duke u vënë në garë se kush do të zgjedhë kombinimin që sjell më shumë... E kush e di. Një herë duhet të mbaroj atë libër që nuk po më hiqet nga dora. Më në fund i erdhi rradha të bëj paqe me engjëllin tim e t'i kërkoj falje. Duhet të më kuptojë se fajin e ka ose libri ose niveli im që nuk më lejoi ta kuptoja. Ama një gjë të bukur e kuptova dhe e shkëputa:

 

“ Mos harroni kurrë, të dialogojë me të mbrojturin e tij, është gjëja që do të donte mbi të gjitha një engjëll dhe është i pajisur me një sens fenomenal humorizmi sepse banon në buzëqeshje.”

 

“Buzëqeshja është simbol: Zotërimi mbi materjen

Ashtu si kur lexon një libër, e afron drejt vehtes

më mirë për të parë

Nëse do të më lexosh, afromu pranë

Unë banoj në buzëqeshje

Unë nuk mund të qaj”