Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Heba, aktori që adhuronte artin dhe detin

| E hene, 19.11.2007, 12:26 AM |


Nga Flori Slatina
    
U nda nga jeta aktori Vangjel Heba, ne moshen 74-vjecare

Vangjel Heba
Vangjel Heba
U përcoll dje për në banesën e fundit aktori i shquar Vangjel Heba “Artist i Merituar”, krijues i dhjetëra roleve në teatër dhe në kinematografi. Ai ndërroi jetë të mërkurën në mëngjes në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Qindra qytetarë, artistë dhe autoritete të pushtetit vendor dhe qendror zhvilluan homazhe pranë trupit të tij të vendosur në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”, në skenën e të cilit interpretoi për 35 vjet me radhë dhe ku ai u ndal për herë të fundit.
Homazhe mbi trupin e pajetë të aktorit Heba kreu dhe zv/kryeministri Gazmend Oketa, i cili pasi ngushëlloi familjarët për humbjen e pazëvëndësueshme të njeriut të tyre të dashur, tha për median se “Vangjel Heba do t’i mungojë skenës së Durrësit dhe se ai do të kujtohet jo vetëm si një aktor shumë i mirë, por edhe si një qytetar i nderuar i Durrësit”.
Homazhe në nderim të Artistit të Merituar zhvilluan dhe kryetari i bashkisë Vangjush Dako, prefekti Klodjan Pajuni dhe kryetari i këshillit të rrethit, Seid Kërtusha. Rreth orës 15:30 të ditës së sotme trupi i pajetë i Artistit të Merituar u përcoll për në banesën e fundit.

***
Vangjel Heba u lind në Durrës në 11 mars 1933. Shkollën e mesme e mbaron në Durrës në 1951. Që kur ishte nxënës në shkollën e mesme aktivizohet me amatorët, pasi “më pëlqente shumë letërsia dhe madje recitoja bukur.” Kur ishte në vitin e tretë në 1950 luan rolin e tij të parë në një dramë ruse “Nën gështenjat e Pragës” në trupën amatore të qytetit krahas aktorëve të tjerë. Duke qënë se roli i tij i parë qe i suksesshëm kjo i dha forca dhe shtytje për të vazhduar rrugën e tij drejt artit të skenës dhe të ndryshonte njëkohësisht mendimin e tij të mëparshëm për të mos u marrë me art. Luajti më vonë edhe disa role të tjerë po me këtë trupë si në dramën “Invadimi” dhe dy drama të tjera në të cilat paraqitet në Olimpiadën Kombëtare dhe fiton çmim për rolin e tij. Në dhjetor të 1952 shkon ushtar në Asamblin e Ushtrisë, krahas aktorëve të tjerë si Piro Mani, Avni Resuli, Esat Oktrova, etj, të cilët themelojnë Teatrin e Ushtrisë. Pas ushtrisë kthehet në Trupën e Teatrit Profesionist të Durrësit të krijuar në 1953 dhe roli i tij i parë ishte roli i Petritit në dramën “Familja e Peshkatarit”, një nga rolet e tij më të mirë dhe më të realizuar në ketë teatër dhe i vlerësuar lart nga shtypi i kohës për interpretimin dinjitoz të Hebës. Më pas vijnë role të tjerë në komeditë e dramat, ku spikasin Anjuckin te “Martesa” e Gogolit, Adem Reka te “Flamur në stuhi”, Berti te “Rrënjë të thella”, te “Revizori”, “Netë shqiptare”, “Hijet e natës”, “Çajka”, etj. Gjatë gjithë jetës së tij artistike në skenë interpretoi mbi 75 role, duke mbajtur barrën kryesore në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Në vitin 1975 kryen një kurs për regjisurë dhe vuri në skenën e këtij teatri mbi 15 pjesë, mes të cilave dramat dhe komeditë “Njerëz mbi shkëmb”, “Revizori” mbajnë firmën e regjisorit Vangjel Heba. Eshtë nderuar me shumë çmime dhe medalje në konkurrimet teatrale kombëtare si aktor dhe si regjisor. Kontributi i Vangjel Hebës në teatër është i madh. Ai e ka çuar këtë teatër drejt suksesit, por ashtu siç shprehet vetë Vangjeli: “më vjen keq, por teatri i Durrësit ka pasur shkëlqimin e vet deri në vitin 1974 e më pas ai “vdiq” artistikisht.”
Në teatrin “Aleksandër Moisiu” doli në pension në vitin 1988. Vangjel Heba ka interpretuar mes aktorëve mjaft të njohur të skenës dhe ekranit si ‘’Artisti i Popullit’’, Nikolin Xhoja,’’ Mjeshtri i madh’’ i skenës Mirush Kabashi, ‘’Artistët e Merituar’’ Vera dhe Spiro Urumi, Guljelm Radoja, Ali Bega, Marta Burda, etj.
Por angazhimi i tij në filmin artistik shqiptar i dha famë dhe e bëri të njohur në të gjithë vendin. Suksesi i tij qe i menjëhershëm. Që në filmin e parë “Furtuna” dhe më vonë në rolin e Murrashit në filmin “Toka jonë”, si dhe roli i tij në “Malet me blerim mbuluar”- një ndër rolet më të bukura dhe më të arrira të filmit shqiptar, emri dha fama e Vengjel Hebës u njoh në të gjithë Shqipërinë. Në film Vangjel Heba luajti mbi 20 role. E veçanta e tij ishte serioziteti dhe vërtetësia në interpretim. Ai kishte një nur skenik, një paraqitje potente, ku zinte vend fjala e rëndë dhe me peshë, një aktor me një karakter të fuqishëm e i guxitshëm. Edhe në rolet negativë, si në heronjtë dhe antiheronjtë, Vangjel Heba u dha atyre forcë dhe imponoi respekt me lojën e tij. Zëri i fuqishëm, i qartë, shmangu melodramën, duke interpretuar tipa dhe karaktere nga të gjitha viset shqiptare, si nga jugu, ashtu edhe nga Kosova. Nuk ishte dialekti ai që e bënte të besueshëm Vangjel Hebën, por tonaliteti i zërit të tij. Në filmin shqiptar ai ka bashkëpunuar me shumë regjisorë që nga Hysen Hakani, Dhimitër Anagnosti, Xhanfise Keko, Gëzim Erebara, Viktor Gjika, Saimir Kumbaro, Kujtim Çashku etj. Për kontributin e tij që në vitin 1968 nderohet me titullin e lartë “Artist i Merituar”. Eshtë nderuar edhe me titullin “Qytetar nderi” i Durrësit.
U nda nga jeta në moshën 74- vjeçare, më 17 tetor 2007, duke lënë pas një emër të nderuar, një artist që do të kujtohet brez pas brezi.

***
Regjisori Haxhi Rama kujton se një nga rolet më të spikatura të Artistit të Merituar, Vangjel Heba, është Petriti te drama “Familja e peshkatarit”.
“Ishte vërtet i tillë, ‘petrit’, për ne artistët më të rinj dhe për vetë teatrin”, u shpreh ‘Mjeshtri i madh i skenës’, Haxhi Rama. I hidhëruar për humbjen e kolegut të tij, Vangjel Heba, Rama shtoi se “Vangjeli ishte një regjisor strikt dhe shumë serioz dhe unë pata fatin të punoj me të në dramat ‘Njerëz mbi shkëmb’, ‘Një shok i klasës sime’, etj.
Në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”, aty ku Vangjel Heba u ndal sot për herë të fundit, hynin vazhdimisht njerëz, bashkëqytetarë dhe artistë që nderonin aktorin e shquar. Përballë familjes ishin rreshtuar kolegët artistë të teatrit, familja tjetër e madhe Vangjel Hebës.
Regjisori Gjergj Vlashi kujton se Vangjeli ka krijuar figura mjaft interesante edhe në kinematografi si Peshkopi te “Nëntori i dytë”, apo Beu në “Malet me blerim mbuluar”, e Murrashi te “Toka jonë”, etj.
“26 filma nuk janë pak”, shton “Artisti i Popullit” Gjergj Vlashi. Vlerësimet për Hebën vazhdojnë dhe në një plan tjetër. “Djalosh i pashëm dhe mjaft komunikues Vangjeli ka drejtuar si konferencier Festivalin e Tretë të Këngës në Radio-Tirana (Radiotelevizioni i sotëm)”, thotë Vlashi, i cili ka qenë regjisor i këtij festivali.
Ndërsa aktori Mirush Kabashi kujton bashkëpunimin e parë me Hebën në komedinë ‘Revizori’. “Sapo kisha mbërritur nga auditoret e Institutit të lartë të Arteve dhe regjisori Vangjel Heba më besoi që në hapat e parë. Më pas bashkëpunimet vazhduan mjaft të frytshme dhe në dramën ‘Një shok i klasës sime’. Vangjeli ishte jo vetëm regjisor, por edhe një nga interpretët kryesorë të pjesës”, thotë Kabashi.
Për aktorin Kabashi “roli komik i Anjuckinit te Martesa e Gogolit ishte një nga arritjet e Hebës, që e plotësonte atë jo vetëm si aktor të figurave dramatike, por edhe si njohës shumë të mirë të planit komik të figurave. Kam qenë i lumtur që e kam dubluar atë rol mjaft të këndshëm”, thotë Mjeshtri i Madh i Skenës, Kabashi.
Aktorët Xhelal Tafaj, Hysen Bashhysa, Sanie Hoti, Roland Koca, Muharem Hoxha, regjisorja Driada Dervishi, të cilët aktualisht militojnë në teatrin e themeluar 55 vjet më parë nga Vangjel Heba dhe artistët e tjerë të mëdhenj të Durrësit kujtojnë dhe aktorë të tjerë të shquar, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më.

Teatër:
“Votra e huaj”, “Natë e stuhishme”, “Ndalesa e fundit”, “Invadimi”, “Një dashuri e tillë”, “Rrënjët e thella”, “Përtej dashurisë”, “Histori e një nate”, “ Shërbëtori i djallit”,”Hijet e natës”, “Martesa”, “Çajka”, “Frikë dhe mjerim në rajhun e tretë”, “Familja e peshkatarit”, “Mbi gërmadha”, “Gërsheti i luftrave”, “Revizori”, “Beslidhja..”, etj.

Filma:
1960: Fortuna,
1965: Toka jonë,
1969: Njësiti gueril,
1970: Malet me blerim mbuluar,
1975: Zani partizani,
1976: Ilegalët,
1976: Tinguj lufte,
1976: Thirrja,
1977: Një udhëtim i vështirë,
1978: Vajzat me kordele të kuqe,
1979: Dorina,
1979: Ne vinim nga lufta,
1982: Nëntori i dytë,
1982: Gracka,
1983: Flaka e maleve,
1984: Udhëtim i vështirë,
1986: Me çdo kusht,
1987: Bote e padukshme,
1987: Telefoni i një mëngjesi,
1987: Eja
1988: Misioni përtej detit,
1989: Balada e Kurbinit.
1990: Vetmi
1994: Tre dite nga nje jete

Publikuar me pare ne gazeten ''55''