Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Sami Islami

| E hene, 10.05.2010, 09:27 PM |


Sami Islami

 

 

ASKUSH VAJZË NUK TE JEP!

 

Sa herë që njerëzit e mi vizitoj,

Kam dëshirë të baj mahi,

Kushdo që ka çupa të vogla

U them: ‚Bani mirë t’ ma jepni një!‘

 

Ju premtoj, do t’u blej lodra

Do t’i çoj në çerdhe vetë,

Do t’i shëtis ku të donë,

Do t’i çoj edhe në det!

 

Një ditë shkova te Fahria

Pashë dy vajza, si dy kumria

Dhe i thashë, si  me hajgare:

‘Pa një gocë s’kthehem fare!’

 

‘Vajza ime’ - thashë – ‘asht rritë.

Asht e zanë me punë për ditë,

Me ma falë një, bani mirë,

Do të kujdesem me dëshirë.’

 

Miku fjalën ma “miratoi”,

As zoja e tij  „s’kundërshtoi”,

Tani mbeti,  pa dyshim,

Që ato të marrin vendim!

 

Belja tha:  ‘S’vij , kam mësime,

Duhet t’i ndihmoj nanës sime,

Merre Lonën se s’mërzitet, 

Pastaj ka qejf edhe të shetitet!‘

 

Lona motrës ia ktheu shpejt:

‚Për mu me folë  s’ke të drejtë!

Edhe un du me ndejtë te shpia,

Du me lujt me shoqe të mia!’

 

Dhe m’u kthy e më tha troç:

‘Kjo punë, xhaxhi,  të len në lloq

Askush vajzë nuk të jep,

Nëse e don një,  bane vetë!’

 

Londër, 30.04.2010

 

 

LEPUROSHJA E KIANËS

 

Kianës, mbesës sykaltroshe,

I kish’ ble daja një lepuroshe,

Kur i tregoi këtë sihariq

Nga gëzimi s’ përmbahej hiç

 

Askërkujt, tha,  s’do t’ia lë

Do t’kujdesem, unë për të

Do ta ushqej me karota,

Pse jo edhe me biskota!

 

Te lepuri shkonte për ditë,

Mos m’e lanë me u mërzit;

E përkëdhelte, e shikonte…

Shpesh me të bisedonte!

 

Shumë u mërzit  një mëngjez

Kur atë ditë s’e pa n’kafez

Pyeti gjyshin se ku kish’ shku

“Mos nga frika,  asht largu”?

 

Po nana qetë-qetë i tregoi

„Ka shku te nana e vet!“, e pajtoi

„Mirë që shkoi, tha,  te nana e vet,

Po,  pse me mu s’u përshëndet?“

 

Londër,  9.05. 2010