| E diele, 09.05.2010, 07:51 PM |
RESHAT KRIPA
SHKALLËT E FERRIT
Roman
X
Kaluan dhe dy javë të tjera. Lumturinë e thirrën në seksionin e arësimit. Atje i komunikuan se ishte transferuar në një shkollë shtatëvjeçare si mësuese e matematikës në klasën e pestë. I thanë se ky transferim bëhej për shkak se ajo shkollë na paskësh rezultate të dobëta dhe vajtja e saj atje do e përmirësonte gjëndjen. Lumturia, duke e ditur shkakun, nuk u ndie, por u tha se e kuptonte qëllimin që kishin dhe ishte e gatshme të shërbente kudo që të ishte nevoja.
- Nuk doja ta ulja veten në sy të tyre. Nuk doja të bëhesha qaramane. Nuk u përula. Edhe ata e kuptuan, ndaj nuk guxuan ta zgjasin më tepër. Të hënën do të filloj punën në shkollën e re. Të paktën mirë që jam ende në qytet, - i tha Agronit në mbrëmje.
Pas disa ditësh edhe Agronin e thirri drejtori i ndërmarrjes. Ishte një burrë i ndershëm me të cilin ai kishte kaluar shumë mirë për kaq vite. Ishte në një pozitë të vështirë. Njoftimi që do t’i bënte Agronit nuk ishte aspak i këndshëm. Mbasi e solli disa herë rrotull nëpër dhëmbë, më në fund tha:
- Dëgjoni Agron! Kemi kaluar kaq vite bashkë dhe nuk kemi patur asnjë kontradiktë. Kemi punuar me ndërgjegje, duke realizuar të gjitha detyrat. Por punët nuk shkokërkan vaj. Në botë paska edhe njerëz xhelozë që u vret sytë puna e mirë e të tjerëve. Kaq mund t’ju them sot për sot. Të tjerat duhet t’i kuptoni vetë. Partia kërkon që ju të kaloni në sektor si inxhinier remonti. Të më besoni, më vjen shumë keq që nuk do të punojmë më bashkë, por jam i detyruar të zbatoj këtë vendim. Ju kërkoj të falur për gjithçka mund t’ju kem thënë pa u menduar.
Nuk foli më. Heshtja sundoi për një farë kohe midis tyre. Më në fund Agroni e
theu akullin:
- Shoku drejtor, nuk duhet të mbani mbi vete ato që nuk ju takojnë për këtë çështje. Ju u treguat i sinqertë me mua dhe unë, po ashtu, dua të tregohem i sinqertë me ju. E kam të qartë shkakun e këtij largimi. Jam përgatitur për një gjë të tillë. Do të shkoj atje dhe do të punoj me të njëjtin ritëm si këtu, megjithse do të jem nën komandën e të tjerëve dhe nuk e di se sa do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me mua. Ju falemnderit sinqerisht!
U largua nga zyra. Pas disa ditësh i bëri dorëzimet një inxhinieri të ri që s’dihej se nga kishte ardhur befas në ndërmarrje. Ai ishte ngarkuar ta zëvendësonte. Filloi punë në sektor. Sektori ishte ngritur në rrethinat e qytetit. Si në të gjitha ndërmarrjet puna fillonte në orën shtatë. Por duhej ngritur që më pesë, të bëheshe gati dhe në orën gjashtë e gjysmë të niseshe. Në orën katër pasdite përfundonte puna dhe duke llogaritur edhe rrugën ose vonesat e mundshme, i binte të ktheheshe në shtëpi rreth orës gjashtë të mbrëmjes. Gjithsej, dymbëdhjetë orë larg familjes. Pjesë e këtij regjimi u bë edhe Agroni.
Në të njëjtën kohë transferuan edhe Stefanin me Gjergjin. Të parin e çuan në sektorin e tensionit të lartë, ndërsa të dytin në atë të tensionit të ulët. Kjo bëri që të mos kishin më kohë për t’u takuar me njëri-tjetrin. Megjithatë, duke e ditur shkakun, nuk kundërshtuan por ulën kokat dhe vazhduan punën në sektorët ku i caktuan.
Një ditë, gjoja si rastësisht, në sektor erdhi operativ Ilia. Erdhi disa herë rrotull sikur diç kërkonte dhe së fundi, pasi u takua ballë për ballë me Agronin, i tha:
- E mor shoku Agron, po ti çfarë kërkon këtu?
- Besoj se ju e dini më mirë se unë, - iu përgjigj Agroni pa u drojtur.
- E çfarë ditkam unë? Unë nuk punoj në ndërmarrjen tuaj.
- Megjithatë, jeni aq i aftë sa të zbuloni gjithçka ndodh këtu dhe të jepni urdhrat përkatëse. Kjo është detyra juaj.
E ndjeu veten të lehtësuar që mundi të shprehte mendimin e tij karshi këtij hipokriti që hiqej si i njohur i tij, ndërsa në prapaskenë përgatitej t’i hapte gropën. Ilia u largua pa hapur gojën.
Në mbrëmje i tha Lumturisë:
- Grua, do të lë një porosi. Amanet Ridën. Të rritet me moral dhe dinjitet. Të mos e nëpërkëmbin injorantët dhe hipokritët. Po të lë amanet edhe nënën plakë. Sillu me të si deri tani. Mos ia vurë veshin nëse të thotë ndonjë gjë më tepër.
- Gon, përse m’i thua këto gjëra tani? - Zëri i saj u drodh dhimbshëm
- Litari më është mbledhur rreth grykës. E ndjej se së shpejti do të më arrestojnë dhe dënojnë. Thuaju Stefanit dhe Gjergjit se çfardo që të më bëjnë nuk do t’i tradhtojë. Ky është premtimi im.
- Mos Gon, mos fol kështu1 Pse ma copëton zemrën?
- Ky është realiteti i ditëve tona. Ky është mjedisi në të cilin jetojmë. Jetojmë në një botë ku njeriu për njeriun është ujk. Por duhet të jesh e fortë. Duhet të dish t’u bësh ballë të gjitha vështirësive që do të çfaqen. Edhe unë do të jem i fortë. Sado e vështirë të jetë, do ta kaloj edhe këtë provë ferri. Pastaj do të jetojmë së bashku, të pandarë nga njëri- tjetri.
Ishte premtimi i njeriut krenar, i njeriut që nuk dinte të përulej para asnjë forme dhune dhe presioni psikologjik dhe fizik. Ishte premtimi i njeriut që nuk jetonte në këtë botë, por kishte fluturuar në atë të ëndrrave të bukura. Ishte premtimi i njeriut të së ardhmes.
XI
Atë ditë Irida u zgjua herët. Ishte një ditë e veçantë për të. Mbushte pesëmbëdhjetë vjeç. Agroni me Lumturia kishin vendosur ta kremtonin sa më mirë këtë përvjetor jubilar të vajzës së tyre. Për fat atë ditë ishte e dielë dhe e kishin pushim. Për këtë kishin vendosur të përgatisnin një koktejl, ku do të ftonin të gjithë nxënësit e klasës së bashku me mësuesit. Ishte në klasën e parë të gjimnazit të qytetit. Në mbrëmje do të shtronin, gjithashtu, një darkë në të cilën ishin ftuar, përveç Skënderit me familjen e tij, edhe dy shoqe të ngushta të Iridës, Mellania dhe Teuta, Stefani me Gjergjin, Violeta mësuesja kujdestare e vajzës, si dhe Anita me Blerinën, dy shoqe të ngushta të shkollës ku kishte qenë drejtoreshë Lumtua.
Irida u ngrit nga shtrati dhe u drejtua në dritare. U habit jashtë mase kur pa se po binte borë. Ishte një gjë shumë e rrallë për atë qytet. Dimri i atij viti kishte filluar të vinte që në dhjetëditëshin e fundit të tetorit. Një gjë e tillë e gëzoi së tepërmi vajzën.
- Babi, mami, gjyshe, ngrehuni dhe shikoni! Po bie borë, shikoni se si e ka zbardhur
Ata u ngritën dhe shkuan te dritaret. Pamja ishte me të vërtetë e bukur. (Ajo ishte një frymëzim për këtë ditë të bukur të jetës së vajzës ). Ata ishin të lumtur kur shikonin që vajza e tyre gëzonte.
- Shiko Rida, bardhësia e borës është si bardhësia e shpirtit tënd. A nuk të duket se kjo është një dhuratë e bukur që po të bënë natyra? Edhe ajo gëzon për ty.
Dolën në oborin para pallatit dhe filluan të luajnë me topa bore.
- Babi, a bëjmë një njeri prej bore?
- Posi, eja ta bëjmë së bashku.
Irida gati sa s’fluturonte nga gëzimi. Ishte një ngjarje që s’dihej nëse do të përsëritej më. Njeriu prej bore filloi të merrte formën e tij.
- Çfarë emri do t’i vemë? - pyeti Agroni.
- Borëbardha, - u përgjegj Irida
- Domethënë qenka vajzë?
- Po, është vajza e borës.
- Ashtu si ti?
- Po.
Me të vërtetë ajo dukej si një vajzë bore. Bora që vazhdonte të binte i kishte mbuluar flokët dhe supet. Ajo tundte kokën herë pas here dhe bora shpërndahej rreth e rrotull, por flokët shumë shpejt mbusheshin me një shtresë të re. Lumturia shkoi në shtëpi mori kapelen e saj që ia kishte sjellë një shoqe e saj nga Franca, por që s’e kishte vënë kurrë, pasi druhej se mos e quanin borgjeze për një veprim të tillë, si dhe një bluzë të bardhë dhe ia veshi vajzës prej bore. Pastaj me një penel shkroi përmbi bluzë:
BORËBARDHA.
- A nuk duket tamam si ti?
- Po, po mami, unë jam.
Gëzimi i vajzës nuk kishte kufi. Ajo ishte në ekstazë. Gëzimit të saj i shtohej edhe ai i prindërve të cilët, në atë çast, i kishin harruar telashet e muajve të fundit. Për ta tani ekzistonte vetëm vajza e tyre. Ajo ishte gëzimi i tyre.
Mbërriti dhe Skënderi me të shoqen dhe dy fëmijtë binjakë, Ladin dhe Sokolin.
- Xhaxhi shiko! - foli Irida sa i pa, - a nuk më ngjan mua?
--Po moj bija e xhaxhit, të ngjan ty si dy pika uji.
Në orën katër pasdite u shtrua koktejli. Kishin ardhur më e shumta e nxënësve të klasës me mësuesen kujdestare. Mungonin vetëm disa fëmijë të “njerëzve të mëdhenj”. Gjithashtu mungonin edhe mësuesit e tjerë të klasës. Midis tyre Anita me Blerimën. Një gjë e tillë nuk i pëlqeu Agronit.
- Mungesa e tyre më bën të dyshojë, - i tha Lumtos me ngadalë.
- E pse shqetësohe? Ne e bëmë detyrën tonë, i
ftuam. Është në ndërgjegjen e tyre se si duhet të veprojnë. Por le të gëzojmë së bashku me vajzën tonë. Hiqe mendjen nga ai shqetësim se do ta kuptojë vajza dhe do t’i prishim gëzimin.
Ndërkaq fëmijtë vazhdonin të qeshnin dhe kërcenin me gjallëri. Kur ajo kishte arritur kulmin, Mellania tha me zë të lartë:
- Dëgjoni, dëgjoni! Tani do të recitojë një vjershë që kam përgatitur për
shoqen time më të mirë. Ju lutem mbani qetësi!
Mellania kishte prirje për poezi. Ajo shkruante shpesh herë vjersha. Madje kishte arritur të botonte edhe një vëllim me to. Kur u vendos qetësia ajo filloi:
Je si dritë, je si borë,
Je si yll dhe je si diell,
O Iridë vetull kurorë,
Pse po shndrit kaq shumë në qiell?
Zemëra jote, zemërzjarrtë,
Mendja jote xixëllima,
Ndriçon si pishtar i artë,
Llamburit si vetëtima.
Këtë vjeshtë mbuluar borë,
Kur feston një jubile,
Mbaje globin ti në dorë,
Qofsh e lumtur ti dhe ne
Qofsh e lumtur ti gjithmonë
Plot me gaz dhe ëndërrime,
Zemra ime të dhuron
Me dashni poezinë time!
Duartrokitjet nuk kishin të sosur. Mellania ia dhuroi poezinë Iridës dhe dy shoqet u përqafuan fort me njëra- tjetrën. Ndërkaq ora kishte shkuar shtatë.
- Nxënës, uroni Iridën dhe ejani të ikim tani, - foli mësuesja kujdestare.
Nxënësit u përqafuan dhe u larguan. Mellania me Teutën qëndruan. Ato ishin të ftuara për darkë.
- Do të përcjell nxënësit dhe do të kthehem, - tha Violeta.
Por nuk erdhi. Një gjë e tillë shqetësoi edhe Lumton. Atmosfera e darkës nuk ishte fort e mirë. Shqetësimi ndihej kudo. Vetëm humori dhe batutat e Stefanit dhe Gjergjit bënë që të mos prishesh kjo mbrëmje gëzimi.
U ndanë rreth orës dymbëdhjetë. Stefani me Gjergjin u larguan duke marrë me vete edhe dy vajzat, Mellaninë dhe Teutën, për t’i përcjellë në shtëpi.
- Përse nuk erdhën? - pyeti Lumtua.
- Ti e di, me siguri nuk i ka lejuar organizata bazë.
- Po Violeta? Ajo në pasdite ishte.
- Dikush duhet t’i ketë bërë presion edhe asaj. Ti e di që këto gjëra janë të zakonshme sot. Por mos u shqetëso. Eja të flemë se vajti vonë dhe nesër do të ngrihemi herët për në punë.
U shtrinë dhe nuk vonoi që qepallat ua mbuloi gjumi.