Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Mes hakmarrjes dhe dashurisë

| E hene, 10.05.2010, 08:55 PM |


Në kinemanë “ABC” në Prishtinë u dha premierë filmi “Besa”

 

Mes hakmarrjes dhe dashurisë

 

Nga Ilir Muharremi

 

Çdo moment i filmit që ekspozohet, duhet të duket sikur është duke ndodhur për herë të parë, qoftë në shfaqjen e spontanitetit, natyralitetit mes personazheve dhe çdo gjë të jetë e kontrolluar, koordinuar, ta dijë aktori, të aktivizojë lëvizjet e dukshme të kuadrit. Këtë gjë e vërejmë nëse fokusohemi thellësisht në rolet e aktorëve, në filmin e metrazhit të gjatë “Besa” me skenar dhe regji të Genc Hetës. Gjatë interpretimit, aktorët dëgjojnë njëri-tjetrin, krijojnë raporte të pastra me njëri-tjetrin dhe bëjnë përshtatjen natyrale të tekstit. Aksentët logjikë të tekstit ata i përdorin mjaft mjeshtërisht dhe dinë ta kapin atë çelësin kryesor të personazhit. Kjo meritë i takon regjisorit Heta, i cili me një vullnet të lartë, arriti të konkretizonte një ide të së shkuarës. Bëhet fjalë për vitet pesëdhjetë, për ligjin e ashpër të kanunit dhe mrekullitë e tij. Udhëzimet në tekst, edhe pse janë të padukshme gjatë interpretimit të aktorëve, vëreheshin dukshëm dhe ata notonin në psikologjinë e personazheve, me një gërshetim të lëvizjeve të pastra dhe të kontrolluara nga mendja e aktorëve.

 

Tema e filmit

 

Subjekti i temës së filmit dukshëm vërtitet tek magjia e dashurisë dhe tek ligjet e ashpra të kanunit. Personazhi kryesor plagos njërin prej grabitësve dhe në mënyrë të qëllimshme ai shfaq mllefin ndaj rrëmbyesit, ngase rrëmbyesi rrëmben dashurinë e tij dhe kjo gjë i kushton me një plagë të madhe dhe kjo plagë kthehet në një hakmarrje dhe në izolim të kësaj familjeje. Fundi i filmit nuk vjen rastësisht, por i qëllimshëm dhe arrihet bashkimi hyjnor i dashurisë së ndaluar mes dy të rinjve dhe kjo ndikon pozitivisht tek spektatori, ngase e dërgon tek përgjigjja e pyetjes së madhe.

 

Kuadrot dhe fotografia

 

Kuadrot ishin të thithura mirë, kalimi prej një plani në planin tjetër ishte i arsyeshëm dhe funksional. Fotografia, edhe pse pak ishte e errët dhe këtë gjë e arsyetoi aktori Enver Petrovci, duke akuzuar kinemanë “ABC”, se nuk ishte e vrazhdët, reflektonte bukur dhe në errësirën më të plotë vëreheshin aktorët.

 

Koncepti regjisorial

 

Me regjinë e nënkuptojmë projektimin e planit të veprimit dramatik. Detyra e regjisorit, që së pari të zbulojë e mandej ta inaugurojë sekretin, por edhe lidhjen e dukshme, harmoninë e fshehur të raporteve pa të cilat drama, bile edhe në qoftë se e interpretojnë aktorët e mëdhenj e humb pjesën më të mirë të vlerës dhe të shprehjes së vet. E këtu kemi një ndeshje mes skenaristit dhe regjisorit. Regjisori krijon vetë skenarin dhe përurimin e këtij skenari e bën po vetë. Ideja në kokë dhe realizimi pothuajse i plotë i saj pranohet më mirë edhe nga publiku dhe arrin të konkretizohet mirë përmes veglave profesionale, siç janë në këtë rast aktorët (ringjallësit e personazheve).

 

Çdo skenar i shkruar në thelb ka kuptimin, mesazhin, konceptin dhe inskenimin dhe në filmin “Besa”, mesazhi është i pastër dhe pesimizmi i hakmarrjes zëvendësohet me një instrument gëzimi-dashuri. Në film interpretojnë aktorët Enver Petrovci, Ramadan Kurti, Genc Heta, njëkohësisht edhe regjisori e skenaristi i filmit, Altina Kusari, Arben Bajgora, Bashkim Ramadani, Bekim Morina, Valmira Hoti, Arafat Muji, Besart Shala etj.