| E diele, 09.05.2010, 07:54 PM |
Vladimir Toroveci, lindur në Korçë në vitin 1948, është arsimuar, ka punuar e jetuar vazhdimisht në këtë qytet.
Ka lëvruar publiçistkën, duke botuar me dhjetra artikuj në shtypin qëndror dhe lokal.
Njohja relativisht e mirë e gjuhës Italiane, që prej viteve 70-të, i ka mundësuar kontaktin me kulturën dhe mendimin përparimtar evropian e më gjërë.
Ka shkruar poezi qysh në moshë të re, ku shpesh është laureuar me çmime.
Kam botuar disa libra me poezi:
1- ``Kush ma vrau mëngjesin``
2- ``Ulërima e shkretëtirës´´
3- ``Rikrijimi i Evës´´
4- `` Kohë Parvenysh´´
Ka botuar këto ese:
5- Dhuna dhe metafizika
6- Hakmarja e opinionit të shpërfillur
7- Mëshira dhe altruizmi
8- Elitat efemere të provincave
9- Demokracia nuk është diplomokraci
10- Mpiksësi i kohës
11- Bota që lind prej baltës, etj
Aktualisht, është Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Korçë
Mendime mbi poezinë e V. Torovecit
Poezia e Torovecit vjen si një klithmë fisnike ekzistenciale e një shpirti të cilit i është mohuar plotësisht e kaluara, nuk i mjafton dhe e deziluzionon e sotmja dhe e shqetëson deri në tronditje fati i së nesërmes. Larg vargjeve steriotipe me këtë temë, larg manierave shtampa dhe të huazuara me lehtësi, Toroveci arrin të krijojë një univers të vetin poetik dhe arrin të komunikojë me lexuesin jo më shumë me atë që kërkon të thotë se sa me mënyrën si e thotë atë për të cilën ulet të shkruajë. Kjo është jo vetëm njëra prej anëve më të dukshme të poezisë së tij, por edhe shenjë e sigurtë e poezisë dhe artit me vlerë....
Bardhyl Londo ``Tema´´ 12 Mars 2001
Përgjithësisht poezia e Torovecit i largohet përshkrimit të siperfaqshëm, rëfimit të ngjarjeve e konstatimeve rastësore. Poeti synon të depërtojë në thelbin e dukurive, të dramave shoqërore e të shfaqjeve të shëmtuara të realitetit, ku përleshen për jetë a vdekje njeriu me antinjeriun, vlerat me antivlerat, e madhërishja dhe heroikja me të shëmtuarën dhe banalen, me liliputët dhe sahanlëpirësit shekullorë, që i qepen shoqërisë si vemje e këpusha të neveritshme…
Perikli Jorgoni
Poezia është një ringjallje e gjithçkaje shpirtërore e joshpirtërore. Pra është koha që hedh dritë mbi hijen e djeshme, duke e ndriçuar atë, duke i ringjallur të asfiksuarën dhe duke i dhënë ngjyrën e duhur të shngjyrosurës. Pra është një shpresë e ringjallur prej së vdekurës dikur me rënkime tronditëse. Koha është ndikuese, gjurmëlënëse në jetën e poetit…
Muharrem Xhaxho, kritik
Poeti vuan kur njeriu kthehet në gjallesë e pilivesë, kur e fiziologjizon tërë jetën dhe mundin e tij duke u zhbërë e tjetërsuar. Ky njeri i zhbërë dhe i tjetërsuar është një dhimbje e një plagë e majisur për heroin poetik. Do të hasim kështu në vëllim dhjetëra poezi dhe pasazhe të ashpër poetikë për tjetërsimet dhe metamorfozat njerëzore. Dhe Poeti vuan për këtë bastardim sepse njeriu, njerëzimi është sublim dhe në fund të fundit gjeni i tij që lypset të jetë madhor e sublim.
Prof. Dr. Adriatik Kallulli
NENES
Nënë,
Dora e bardhë dhe e butë,
Kur t’u rreshk e t’u vogëlua vallë?
Si një pergamen i lashtë,
Që koha sa vjen
E bën më të çmuar,
Më të rrallë…
Dora jote si një pergamen i lashtë?!
Unë di të lexoj në rrudhat e tua
Një lumë të kthjellët me dashuri.
Dhe shtati yt i kërrusur,
S’di pse më ngjan
Me një flamur në gjysmështize,
Që për të dashurit e ikur
Mban zi...
I DASHURUAR NË SHI
Fytyrës dhe flokëve
Bie shi.
E unë e lëpij me gjuhë,
Si të mos kem shijuar ujë kurrë!
Po zjarri më tepër djeg...
Vetëtimat brofin
E më kallen në gji.
Jam flakadan shëtitës,
Bredh nëpër shi..!
IN TENEBRIS…
Nuk ishte faji yt..!
Të stisa
Me shkumë dhe dritë,
Afërdita ime.
Dhe ishte mëngjes…
Mbi ujërat e bruzta,
Dielli soditej
Dhe qorronte vetveten.
Kështu do të vështrohesha
Në pasqyrat e syve të tu;
Dhe i verbuar
Do të zgjasja duart,
Të të rigjeja.
Tani është muzg...
Gjethet e vjeshtës,
Fëshfërijnë tek bien;
Si hapat e tua,
Që rendin drejt meje
Pa më mbërritur kurrë..!
RIKRIJIMI I EVËS
Mizorisht i vetmuar,
Si në ditët e zanafillës
Nën një qiell me gjëmime,
E shkula brinjën
Dhe rikrijova Evën
Me frymën time.
U ndjeva burrë dhe zot,
Paçka se një hije dyshimi
Më shkau ndër sy
Me trajta inçesti.
Në u flligështoftë gjaku
I pasardhësve të mi,
Do vijë prej shpirtit
Dhe jo prej epshit…
DIMËR NË KORÇË
Dëborë e bardhë bie
Mbi të murrmin qytet,
Po baltën e mpiksur në udhë
As e zbardh, as e tret...
Qiellit të zymtë e plot re
Zogj të zinj nuk di se ku venë,
Si shpirtra dalë prej ferrit,
Që udhën e kthimit s’e gjejnë.
E i mbështjellë me levenxe
Në odën e errët pa dritë,
Vështroj tej kortinkave natën
Dhe hijet që endin qirinjtë.
Hije që heshtas, pa zë,
Vallzojnë si djaj nëpër mure.
Dhe here më ngjajnë me kthetra,
Here me qivure…
Ç’të bëj…ku të shkoj këtë mbrëmje..?
Mbi kodra shkreti rreth e qark
Fantazma e pyllit të vrarë,
Sërishmi më shfaqet nga larg.
Ku të shkoj pra..? Nën avuj alkooli,
Kafeneve vetshpallen shtetarë.
Naivë e makutë për pushtet,
Të urtë e të marrë..!
Tani, s’kam nevojë për përralla,
Miqtë një nga një po më lenë.
Parisin, po të ishte këtu,
S’ngulmonin tej detesh ta gjejnë.
Po rrinin e këndonin serenata,
Kur e vetmuar zë e dergjet nata.
Rrugicave me kangjella e kalldrëm
Ku shpirti, prej dashurisë më dhëmb..!
EMISARËT
Ju s’keni fytyrën tuaj,
Jeni pa sy, pa veshë.
Me xhamadanë folklorikë
Mbështillni gjoksin,
Me pelerina mesjete,supet me lesh.
Ju jeni Mefistofelë,
Emisarë senjorësh.
Me satananë keni lidhur pakt.
Si mund t’ju besoj,
Kur s’mbaj pupla indigjenësh
Dhe tatuazhe mistike
Mbi bark.
Me fermanë të rreme
Si me gjethe fiku,
Mbuloni seksin tuaj
Gërbulur nga sifilizi.
Dhe doni të më mbushni mëndjen,
Se s’jam unë, por ju
Që mbani mbi shpinë
Barrën e rëndë prej Sizifi..!
KUR FLATROJNË PATAT
Ku shkojnë këto pata të egra,
Mes vjeshtës së zbehtë
E qiellit gri?
Si drejt një vendi
Plot mall e mistere,
Pa emër përbri..!
Flatrojnë, gravitetin e tokës
Me një pikëllim paanë në sy
Dhe ndjellin simotrat e tyre
T’i marrin me vete,
Të thërresin dhe ty…
PËRZIERJE…
Më vjen të vjell përmbi ju,
Avoketër të djallit,
Lëtyrat që më keni dhënë
Gjithë jetën të pi,
Përbindëshat e vegjël,
Kimerat me dhëmbë prej stralli,
Këllirën gatuar në mug
Me gjuhë nepërkash e hi,
Dua t’ua hedh në turi!
Një purgë kërkoj,
Të çlirohem prej vrerit
E sytë me dritë t’i mbush,
O avoketër të Ferrit..!
VDEKJA E POETIT
- I. Belliut -
Si të shpëtoje prej ferrit,
U hodhe mes zambakëve të kaltër
E zogu mbylli sytë përmbi bar.
Shpirti yt, vesë e majit,
U ngjit lart në qiell,
Baltën, mbyllën në varr..!
Po ç’qe ajo gjuhë e harruar
Me të cilën na fole,
Ç’ishin ato shenja me zjarr,
Që na dhe..?
Kur e pe,
Që s’të kuptonim dot,
Ike... na le..!
Ike tmerrësisht i vetmuar,
Pa na pare në sy,
Pa na i bërë me dorë..!
Duke lënë pas,
Vetëm ca gjurmë të bardha pëllumbash,
Si hieroglife mistike,
Shkruar mbi bore..!
MONOLOGU I PROMETEUT
Ishin njerëzit jo zotat,
Që më çanë krahërorë.
Kimerat e territ
E jo shkabat fisnike,
Ma sqepuan zemrën
Me klithma prej shtrige..
Mosmirënjohja e tyre
Dhe frika prej dritës,
Mblodhën demonët e shpellave
Mbi gjoks m’i vërvitën.
Tani kam mbetur i vetmuar
Mbi shkëmbin e fatit tim.
Hedh sytë drejt qiellit
E rënkoj i harruar.
Kërkoj perëndinë..!
GLADIATORI
Mbeta që mbeta gladiator..!
Jam vrarë e jam rivrarë
Mijëra vjet mbi arenë,
Për të kënaqur patricët e kamur
Dhe plebejtë,
Që ëndërrojnë patricë të jenë..!
Gjaku im ka shkumëzuar
Rërës vezulluese.
Vdekja ime,
Turmat ka ekzaltuar,
Po shpirtrat e plebejve
Të pandjeshëm mbetën
Në pafajësinë e tyre të mallkuar...
Asnjëherë nuk vesha
Pelerinë purpuri,
As togë të bardhë senatori.
Dinjiteti, paguhet
Vetëm me plagë,
Dhe jetë gladiatori…
DASHURISË
Buzë qiellit tënd të pamatë,
Jam zog krahëthyer.
Mbi gjinjtë e tu përpëlitës,
Si Prometeu
Mbi shkëmbin e fatit mbërthyer.
Një det të tërë kam pirë
E prapë digjem nga etja.
Kush do ma shuajë zjarrin,
Jeta, apo vdekja..?!
KOHË PARVENYSH
Ata nuk dalin nga betejat
Nga skutat e skuthave vijnë
Sybabëzitur,
E veshtrimpërhumbur
Vihen në rresht si manekinë.
Janë fytyra te reja
Historia është e vjetër
Siç janë të vjetër
Flamuret , atutë
Nën fishekzjarre të rreme
Prej varaku e letre
Marrin poza fitimtarësh
Megjithëse nuk kanë bërë asnjë luftë..!
Kohë absurdi,
Skenagroteske,
Njerëz që lehin si qen
Trutredhurit, në vend të ideve
Pjellin vetëm sejmene.
Jashtë,
Ngelën udhët me baltë,
Netët e errta, qirinjtë,
Hëna që shkryhet
Mbi kalldrëmin e lashtë
E përzihet me plehërat e minjtë!
BUZË DASHURISË
Putha vdekjen.
Himne i thura
Shtatit të saj skelektik,
Syve të saj që vështronin hiçin,
Faqeve të gjelbëruara nga myku
Si të spërkatura me acid.
I rënë në ekstazë,
Me një fanatizëm të verbër,
I përkëdhela gjymtyrët pa jetë.
Po më kot,
Më kot u derdh dashuria ime
Mbi barkun e saj shterp…
Tani vuaj, ndiej keqardhje
Për rininë fatkob,
Për zhgënjimet e mia.
O Zot,
Mos më lër të vdes buzëplasur,
TRAPI I MEDUZËS
Po mbyten miqtë, një nga një,
Me mishin tim nëpër dhëmbë,
Me flokët e mia në dorë.
Jam i drobitur, si shpëtoj dot,
Humbasin thellësive, si meteorë.
Dhe unë fillikat
Po mbërrij cakun,
Ku koha është pa kohë.
I lodhur tmerësisht
Prej ravgimesh pa sens,
Ëndërroj të gjej Kalipsonë…
VDEKJA
Hyri tinëzisht tek unë,
Sa mora frymën e parë.
Tani, kinse më ka harruar
Dhe unë kinse s’e di,
Ecim përbri..!