| E diele, 09.05.2010, 03:51 PM |
Hetim i një dekade
Nëse EULEX dëshiron të mbahet në mend si një mision heroik, ai duhet ta hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin e një dekade në Kosovë. Ky vend ka nevojë të pastrohet nga bërlloku që kemi krijuar për dhjetë vjet
Nga Ilir Mirena
“Ka pasur një zhgënjim në popullatë se çfarë kemi bërë deri më tash, dhe jam i lumtur që t’u them se ky është fillimi i diçkaje, që ne presim se do te pranohet mirë nga popullata... Pres që njerëzit ta vlerësojnë punën tonë ne luftimin e korrupsionit”.
Një ditë pas bastisjeve spektakulare të EULEX’it, këtë e tha, për Klan Kosova, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të EULEX’it, Johannes Van Vreeswijk.
Është e saktë ajo që thotë Prokurori Vreeswijk mbi zhgënjimin për punën që ka bërë EULEX deri më tash. Vlerësimi i deritashëm i punës së EULEX’it në Kosovë më shumë ka prodhuar pakënaqësi sesa ndonjë opinion pozitiv. Një zgjatim i UNMIK’ut letargjik, është refleksi i parë krahasues që gjithkujt i shkon për mendje.
Faktet për këtë nisin e renditen nga burleska politike e rastit Albin Kurti e deri tek bandat serbe të Veriut të Mitrovicës.
Dy vjet pas instalimit në Kosovë të misionit më të madh të BE’së, është e pazakontë kjo gjuhë e Prokurorit, duke pritur vlerësimin e punës së tij!
E dimë që EULEX është mision i integruar i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit, që funksionon në fushën e drejtësisë, të policisë dhe të doganës dhe se vepron në kuadër të Rezolutës 1244 të KS të OKB’së.
Nisur nga aksioni i së enjtes, le të supozojmë se qytetarët do të fillojnë ta vlerësojnë punën e tyre. Pozitivisht, mendoj.
Përpos fazës së mbledhjes së të dhënave fillestare, pak gjë dihet për hetimet që ka nisur EULEX’i për dyshimet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Opinioni publik ende pret të mësojë se çfarë me të vërtetë ka ndodhur, që pastaj ta japë vlerësimin e tij për punën e EULEX’it.
Cilido qoftë përfundimi për rastin e Fatmir Limajt, ky mision kurrë nuk do të vlerësohet nga qytetarët pa i hyrë fshesë njëherë e mirë gjithçkaje që ka ndodhur në këtë vend.
Meqë ky mision aktivitetin e tij e ka brenda kornizës ligjore të Rezolutës 1244, ai duhet të nisë t’i zbardhë të gjitha krimet ekonomike dhe financiare që kanë ndodhur në Kosovë prej instalimit të administratës ndërkombëtare, e deri sot.
Sa për start, mirë do të ishte ta hetonin edhe “Fondin e 3-përqindëshit” dhe atë “Vendlindja Thërret”, por tashmë ato i ka hëngër ujku dhe nuk i rrok 1244’shi. Por, ne do të mjaftoheshim me hetimet pas Qershorit të 99’ës.
Pra, rendi e do që përfundimisht të sqarohet se çfarë kishte ndodhur këtu, prej kur vendi qeverisej nga i ashtuquajturi Këshilli i Përkohshëm Administrativ. Nëse vërtet EULEX do që të pritet mirë nga popullata, atëherë duhet ta vazhdojë punën duke e hetuar secilin dyshim për Qeverinë dhe Ministrat e Bajram Rexhepit, Ramush Haradinajt, Bajram Kosumit, Agim Çekut e deri tek kjo aktualja, Qeveria e Hashim Thaçit.
Guardia Di Finanza duhet të fusë duart në punët e pista që dyshohet t’i ketë bërë secila Qeveri. S’duhet të përjashtohet as Presidenca, as ajo e Ibrahim Rugovës, as kjo e Fatmir Sejdiut, e as Kuvendi me 120 deputetë.
Me rend, pas institucioneve qendrore duhet të këqyren punët në nivelin lokal, duke nisur me Kryeqytetin e shkatërruar nga Qeveritë kleptokratike që nga paslufta e deri sot, më 5 maj 2010, për të vazhduar me secilën Komunë tjetër.
Duhet të hetohet gjithë procesi i privatizimit, duhet të hetohen partitë politike, LDK, PDK, AAK. (Çfarë reagimi i squllët i opozitës për zhvillimet e fundit! Athua pse?).
Duhet të hetohen edhe pronarë dhe ish-pronarë mediash se me çfarë çudash biznesore arritën të kenë pasuri dhjetëra milionëshe brenda më pak se një pesëvjeçari, e për të vazhduar kështu deri tek drejtorë çerdhesh të fëmijëve.
Edhe pse ndoshta s’ka nevojë të thuhet, po e ripërsëris se asnjëherë nga askush nuk është bërë përpjekja minimale që ndonjëherë të hetohet diçka dyshuese nga të gjitha këto që i rendita kaotikisht! Kërkoj ndjesë nga ata që i kam harruar.
Ofensiva hetimore duhet të jetë pa dallim.
Qofshin edhe emra të famshëm të luftës së fundit. Nëse të joshur nga grykësia, ata shkelmojnë gjithë ato CV të lavdishme që mund të kenë – kur dikur kishin vënë në dispozicion edhe jetën e tyre për këtë vend – le të përfundojnë në Dubravë.
Qofshin edhe emra të famshëm të spektrit paqësor, i cili është identifikuar me Ibrahim Rugovën, le të përfundojnë në të ftohtit e qelive të burgut. Qofshin edhe djem Presidentësh.
Qoftë ai edhe vetë Skënderbeu, secili vjedhës duhet ta ketë tretmanin, as më pak e as më shumë, se të secilit vjedhës. Hajnat nuk duhet të diskriminohen. Për punë të pista, e kaluara nuk duhet të jetë shfajësim i askujt, dhe asnjeri nuk duhet lejuar të kalërojë sipër saj.
Por, nëse EULEX mbetet i përqendruar vetëm në rastin Limaj, me synim për ta gjetur tek ai kurbanin e gjithë dështimeve të veta dhe hajnive tona prej ‘99 e këndej, dhe lë pa hetuar gjithë listën e mësipërme, atëherë EULEX nuk do të jetë misioni më i madh i BE’së, por dështimi më i madh i saj.
EULEX i ka hyrë misionit që duket më i pamunduri në këtë vend. Ata duhet të çojnë deri në fund hetimet e nisura, por pa u ndalur vetëm në këtë rast. Nëse asnjë fakt nuk u del në dritë, ata duhet të kërkojnë falje për fyerjen poshtëruese të institucioneve të vendit dhe të vetë Fatmir Limajt, për dëmin politik. Në këtë formë, e tëra duket drejtësi selektive.
Nëse vërtet ia dalin ta pastrojnë të këqijat që kemi krijuar për një dekadë, atëherë EULEX do të jetë mision heroik i këtij vendi. Në të kundërtën, krejt çka i mbetet është përgatitja e valixheve.