| E diele, 09.05.2010, 06:56 PM |
KALOSH ÇELIKU
DHE KY JAM UNË
Mu tha goja. Fyti, Imzot
Mos keni një shtambë verë?
Vapë. Ende kam etje
Poezia më ka mbetur në fyt.
E volla dashurinë. Miken
Lirinë. Dhe, ky jam Unë…
Kriz? politike
( Voglusheve që i ka përzënë Partia )
Mikja ime besnike Di hyri në dhomë:
Çka je dalldisur mbi dorëshkrime
A e di se askush më nuk lexon libra?
Shkrimtarët gjithmonë qenë të marrë
Njerëz të çmendur që s’u ka ecur tregtia.
Dashuritë i kanë harruar në bibliotekë
E kanë ngat?rruar keq ditën me natën
Kur të tjerët flenë ata rrinë mbi vepra
E përcjellin Hënën e presin Diellin.
Qesha, me Miken time besnike Di
Që s’e di se aq më bën për trusakatët.
Oborrtarët. Dhe, Unionin e viçave.
Unë dua të më lexojnë pasmesnate:
Voglushet që i ka përzënë Partia...
E përcolla Natën
Fillkat vetëm në një lokal nate
e prita deri në mëngjes
të m’i japi dhjetë plagë
në mes të Prishtinës.
Shtratin ma shtroi Mikja
e ç’m’u dorëzua pa luftë.
Perdet i hoqa pas fitores
Dielli lindi matanë maleve.
Verën e paskam besnike...
Unë armikun e tyre
ngrej dolli
Kokëshkretët thanë: u plak nën Rrap
Pi raki. E la Mikja. Shokët poetë.
Qesh. Dhe, armikun e tyre ngrej dolli
Për shëndetin Tënd, Shën Mëri...
E more Veten
në qafë
Mikja ime Di, shpesh më thoshte:
Këtu nuk ka burra. Kaçakë mali.
Unë i shikoja burrat. Dhe, përçudi
Aq më tepër i doja gratë. Azganet.
Mikja ime Di. Faj ke Ti për gratë
Vetë më thoshe: këtu nuk ka burra.
Ja, pse i desha gratë. Azganet.
Edhe Mua. Veten e more në qafë...
Bredhje pas një vargu
Unë edhe sot bredh pas një vargu
Xixe. Nuk më do Shteti. Nëna Parti.
Edhe Unë nuk i dua. I shaj
Vera më do Mua. Dhe, gratë.
Tri Zana më prijnë për në Baba Tomor
Njëra para. E dy më mbajnë për krahu...
Ndjekje me telefona celularë
Ai u vonua. Ajo e priste në Tavernë
Kafe galeri „Koha“. Erdhi.
Vonë. Ajo kishte ikur
E kërkoi në telefon celular:
„Personi që kërkoni nuk ka qasje në rrjetë“.
Pas dy orëve: - „Alo, Ujku?“ Po, i përgjigjet
- Ku je? Tri orë po të kërkoj nëpër Qytet
Ec shpejt! Të pres në hotelin „Iliria „!
Niset. E gjen në tavolinën ku rri Ai gjithmonë.
„Bejbi“ i thotë: Sot u binda se jam e çmendur.
Gjithë këta burra të bukur nëpër Qytet. E unë
Të kërkoj Ty me orë. Babasheh je „bejbi“.
Hajmali të fortë më ke varur për qafe. Që,
Nuk mund ta zgjidhin as njëqind hoxhallarë...
Unë jam mbret
në dhomën time
Matanë perdes të dritareve terri është mbret
Unë jam në dhomën time. E pi verën.
E shkruaj poezinë. Dhe, fluturoj nga dritarja
Mbi çatia në dhomën Tënde me një qiri.
Dritë dua! Gji dua të pi nga Tri Zana! Fuqi
Shtatë sahat larg në male ta flug vargun...
Vjellja e zorrëve
Poetesha s’ka cigare
ia piu Rrospia Mashkull.
Ministri me Ambasadorin
ulen të hanë drekën
që ua paguan spiuni.
Përshëndeti, më thotë Piktori
sytë s’ti heqin nga malli.
Kush ua shalon Nënën Parti
palaçove në mizanskenë
vetëm në një shfaqje.
Unë jam gjithmonë në Teatër
publikisht u shpall dashuri.
Spiuni Kurvë lëpi buzët
Kukulla Femër ua mban gunat.
O Imzot, do t’i vjell zorrët...
Unë nuk jam
Zef Serembe
Gruaja ime më e mirë në botë
më lut t’i lexoj ndonjë varg për Miken!
Asgjë, më thotë: nuk kanë gjak
vetëm, nëse ik unë çmendet poezia
atëherë do t’ia kalosh Zef Serembes.
Qesh me gruan time. Dhe, Miken
u them: Unë nuk jam Zef Serembe.
Ehu, po Kalosh Çeliku – rebel
Që, kokë më kokë me zonjën Vdekje
Gjithë natën shkruajmë poezi, pimë verë.
Dhe, p?rçudi me gjithë dorëshkrime
Grua, ende nuk u mbyta në det...
U ngopa me Liri
Nuk u ngopa me Natë
nuk u ngopa me Ditë
nuk u ngopa me libra
nuk u ngopa me verë
nuk u ngopa me dashuri
që bëj ta këndell.
U ngopa me Liri
aqsa më vjen ta vjell...
I ngopur me heshtje
- Ti, më tha je hermetik. Qesha
Jo. Unë jam enigmë. Ujk.
Të gjithë më mohuan. Edhe unë
Të gjithë i mohova. Shava.
Cuca Boheme më ringjalli. Ngriti
Nga varri. Nuk guxon, më tha:
- Të vdesish pa u njohur me mua.
Lamtumirë pa më thënë. Tungjatjeta
Në librin: "Loja e syve". Rrapi…
Le të më hanë gratë
U besoj grave të marra
kur natën lahen në liqen,
e Unë me një shishe verë në breg
dëshiroj të bëhem grep.
E pres ta kafshojnë vargun
t’i hedh në shtrat,
më mirë le të më hanë gratë
se sa qentë e ngratë!...