| E premte, 07.05.2010, 08:43 PM |
Pse po rren o Shkëlzen Maliqi?
Nga Shkëlzen Gashi dhe Gazmend Bërlajolli
Tue mos qenë asnjani lexues të gazetës Express, se nuk ia lexojmë afishet
Thaçit, s’kishim me ditë, Shkëlzen Maliqi, për shkrimin tand “Një
jetëshkrim i Adem Demaçit” të datës 4 maj 2010, po të mos na njoftonte nji
mik.
Shkrimi yt, edhe tash sa muej mbas hartimit, e vuen hala mungesën e
konkretizimeve. Thue se për periudhën nga vitit 1996 e deri më sot autori
e paska shmangë qasjen kritike dhe neutrale për me kalue në diskursin
arsyetues dhe mbrojtës të Demaçit. Pse s’ke shembuj që e ilustrojnë këte?
Thue edhe se kontekstet historike shpesh jepen në mënyrë të thuktë e të
përgjithësueme, saqë edhe po të ishin krejtsisht të sakta në prezentim e
vlerësim, nuk e krijojnë sfondin e mjaftueshëm për me kuptue në mënyrë ma
objektive vendin dhe rolin e Demaçit në ato zhvillime. Cilat kontekste
historike nuk qenkan të sakta në prezentim? Sa për vlerësimin, biografia
qëllimisht s’e jep asnji. Ku i gjete ato ‘vlerësime’? Thue edhe se disa
herë nuk je shum i bindun se prezentimi i kontekstit historik është i
saktë. Sa herë nuk je i bindun dhe ku? Thue se historiografia kritike do
të duhej me ia shtrue autorit nji sërë pyetjesh për kriteret e
seleksionimit të burimeve, sepse simbas teje vetë përzgjedhja e burimeve
len anash dhe neglizhon shumçka nga fryma e kohës. Përzgjedhja e cilave
burime? Çka len anash dhe çka neglizhon kjo përzgjedhje?
I vetmi tentim për konkretizim në të cilin ndalesh pak asht Rambujeja, tue
thanë se prej Rambujesë e deri më sot, pikëpamjet e autorit janë të
ngjashme, nëse jo identike me ato të Demaçit. E vërteta asht se mbas
luftës, Demaçi e riproklamon idenë e Ballkanisë; ku pikëtakon autori me
këtë ide? Së fundmi Demaçi afrohet me Hashim Thaçin, me çka përafrohet me
ty Shkëlzen Maliqi, jo me bindjet e autorit.
Thue se nuk asht mëkat me nda pikëpamje që pikëtakojnë me të Demaçit.
Madje krijon edhe hipotezën se autori
proklamimin e linjës që ndjek Demaçi, e që vërehet si implicite gjatë
leximit, dhe se “konsekuenca e kësaj do të ishte se ky jetëshkrim do të
bëhej përmendore”, e Demaçi “profet”. Mirë që e jep në kushtore këtë
hipotezë, por s’e kemi të qartë pse vazhdon me “ky lloj i madhërimit
aryetues… bie ndesh me qasjen që tenton të jetë objektiviste”, sepse
“madhnimi arsyetues” që Demaçin e kthen në profet bahet eksplicit veç në
hipotezën tande. Asht poshtërsi e madhe që ti n’argumentimin tand e bjen
fillimisht kushtin që linja mund t'ishte ‘propague’ në mënyrë eksplicite,
e mbasandej vetë këtë kusht e shndërron në realitet kundër të cilit
pozicionohesh prapë ti vetë.
Dhe, natyrisht, maja e ligsisë dhe servilitetit tand asht Post Scriptumi
që e ke shtue mbasi gjithçka shkoi ashtu qysh nuk e kish parashikue mendja
dhe nuhatja jote servile. Në të ti shpif se “botuesi i librit dhe vetë
Gashi, me rastin e promovimit, kanë nisur një fushatë denigruese ndaj
Demaçit, që ka kërkuar respektimin e autorësisë së biografisë së tij, duke
u ngjasuar atyre shpendëve grabitqarë që ushqehen me kufoma, në këtë rast
duke proklamuar vdekjen e autorit dhe heroit, për hir të mbijetesës së
heroit fiktiv”. Kjo tregon se ti, Shkëlzen Maliqi, s’e njeh dallim mes
‘autorsisë’ dhe ‘autorizimit’. Autorsia e biografisë i përket autorit. Ajo
që Demaçi s’e dha ish autorizimi, pra pëlqimi për me u botue biografia
n’atë përmbajtje, sepse lypi me ia censurue do momente të nxehta. Edhe
fushatën denigruese e ka nisë e po e ban Demaçi; njerëzit e tij, përveçse
e bllokuen promovimin në Bibliotekën Kombtare, provuen me ngritë padi
kundër autorit dhe po shpifin se autori paska nxjerrë momente që Demaçi ia
ka thanë në konfidencë.
Interesant që leximi yt i biografisë po e sheh nji superhero: Demaçin si
‘profet’ e si ‘patriot të pagabueshëm’ qysh e shpreh ti, ndërsa Demaçi
gjatë leximit të vet u mundue me i censurue momentet që simbas tij e
nxirrnin si vdekëtar të gabueshëm, çka nënkupton se leximi i tij asht
diagonalisht i ndryshëm prej tandit. Biografia nuk e glorifikon heroin,
thjesht potretizon nji njeri në ndjekje të nji linje, prej të cilës
tërhiqet vetë rishtazi. Krejt çka të pengon ty asht vetë linja e Demaçit
që përvijohet në biografi, prandaj mos derdh kot lot krokodili për të.
Shkrimi yt, përveç që nuk asht konkretizues, përmban edhe do rrena të
mëdhaja. S’ka pasë lutje të përsërituna për me e lexue dorëshkrimin, qysh
thue ti, po veç një kërkesë të vetme, të cilës i je përgjegjë pozitivisht.
Për komentet je falënderue te mirënjohja në libër dhe nuk është e vërtetë
se ato nuk janë pëlqye, por kemi kërkue, pa insistue, që t’i konkretizosh
vërejtjet me shembuj, qysh kanë ba shumica e komentuesve të tjerë. Ti the
se nuk kishe kohë. Kur e more dorëshkrimin u njoftove menjiherë edhe se
Demaçi nuk do ta autorizonte librin; këtë nuk e ke kuptue mbas leximit,
qysh rren në P.S..
Pse këto që po i thue tash në P.S. nuk i ke thanë në recensionin tand? Pse
nuk ke guxue me i thanë direkt në sy? Çka të ka shtye tash me shtue këtë
P.S.? Pse nuk ke guxue me ardhë në promovim? Kujt iu tute? Çfarë borxhi
pate me la?
Thue se Demaçi ka kërkue me u heqë “vlerësime të kontestuara nga ai për
personalitetet e kohës së komunizmit (Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, etj) si
dhe për komandantët e UÇK-së”. Këtu i ke dy rrena: “vlerësimet e
kontestuara” është e para sepse Demaçi nuk ka kontestue, po ka kërkue
arbitrarisht me u heqë gjashtë fakte, gjashtë të vërteta. Veç njanës ia ka
kontestue vertetësinë, qëllimit me e vra Fadil Hoxhën, dhe ky kontestim
asht i futun në libër. Pra, ka pasë korrigjime e sqarime kur për këtë ka
pasë fakte. Kështu që, shkrimi yt dëshmon që ti s’e ke lexue versionin e
publikuem të librit, e po merr me shkruejtë për të. Qëllimi mbrapa
biografisë ishte me i hulumtue të mirat e të këqijat, jo veç të Demaçit po
dhe të udhëheqësve të kohës në Kosovë. Ta zamë, Fadil Hoxha nuk përmendet
veç në rastin kur, simbas procesverbalit të gjykimit të parë, del se
Demaçi kish planifikue me e likuidue; në libër figuron edhe momenti se i
njejti Fadil Hoxha asht ndër të rrallët që e viziton Zyrën e UÇK-së në
Prishtinë. Rrena e dytë asht se në mesin e personaliteteve të kohës së
komunizmit Demaçi paska kërkue me u heqë vlerësimet për Mahmut Bakallin.
Pse e shtin Bakallin këtu? Ty s’t’intereson Bakalli, as Fadil Hoxha, por
veç Mehmet Maliqi; mbase ke frikë se mos njollosja e mundshme e njerëzve
rreth tij po ia shton njollat atij. Por njerëzit e kohës dhe ndikimin e
tyre duhet t’i njohim veç ashtu siç kanë qenë. Personalitetet e vetme
t’implikueme ishin ato që i nxorëm në parathanie: Dušan Mugoša, Fadil
Hoxha, Pandeli Majko, Ismail Kadare, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Agim
Çeku, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Veton Surroi dhe Fatmir Sejdiu. Mos
rrej pra Shkëlzen Maliqi se asht marre, e edhe je plakë tash. Rrena e
plakut asht faqezezni e sokakut!
(Shkëlzen Gashi asht autor i biografisë ‘Adem Demaçi’ ndërsa Gazmend Bërlajolli redaktor dhe botues i saj)