Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


BDSH: Stop inkurajimit të politikës luftënxitëse të Gruevskit!

| E enjte, 06.05.2010, 09:02 PM |


STOP INKURAJIMIT TË POLITIKËS LUFTËNXITËSE TË GRUEVSKIT!

 

Heshtja nëntëvjeçare përballë politike antishqiptare të Maqedonisë e cila, jo vetëm nuk realizon marrëveshjen që i dha fund luftës së vitit 2001 por e ka rënduar edhe më tepër pozitën e shqiptarëve, ishte sinjal inkurajues për qarqet politike të Shkupit.

 

Injorimi në vazhdimësi i kërkesave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni dhe vazhdimi i diskriminimit racial në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike, nuk ka mobilizuar as për së afërmi qarqet ndërkombëtare aq sa atë e ka arritur Komunikata Nr.1 e UÇK-së.

 

Fatkeqësisht, edhe në këtë situatë të vështirë, nuk shohim një mobilizim për të parandaluar konfliktin eventual. Orientimi i akuzave kundër grupeve të armatosura dhe deklarimet publike për domosdoshmërinë e asgjësimit të tyre dëshmojnë paaftësinë e institucioneve demokratike në botë që të merren me gjeneratorin e vërtetë të krizave: politikën antishqiptare të shtetit maqedonas. Këto prononcime publike nuk mund të ulin tensionet por përkundrazi vetëm mund të inkurajojnë politikën luftënxitëse të Nikolla Gruevskit.

Politika preventive karakterizohet me një aktivitet të gjithanshëm për të hequr shkaqet e konflikteve.

 

Pa lirimin e shqiptarëve që padrejtësisht mbahen nëpër burgjet e Maqedonisë, pa ndërprerjen e proceseve të montuara gjyqësore, pa rregullimin e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, pa zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet shtetërore, pa heqjen e të gjitha formave të diskriminimit racial që Maqedonia aplikon kundër shqiptarëve, NUK mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës.

 

Shkurt, pa asgjësimin e politikës antishqiptare të Shkupit asgjësimi eventual i grupeve të armatosura nuk mund të qetësojë situatën. Përkundrazi. Pakënaqësisë së përgjithshme do t’i jepte dimensionin e urrejtjes.

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon të gjitha deklaratat që inkurajojnë politikën luftënxitëse të Gruevskit dhe bën apel që të ushtrohen presionet e nevojshme ndërkombëtare për t’u zbatuar me përpikëri dhe urgjentisht Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

 

Të gjitha ata që inkurajojnë Nikolla Gruevskin në politikën e tij luftënxitëse do të jenë bashkëpërgjegjës për masakrat e reja antishqiptare që gatuhen në kuzhinën e Shkupit.

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel publik të gjithë shqiptarëve të revoltuar, që janë të gatshëm t’i përgjigjen me armë provokimeve të vazhdueshme të Qeverisë së Maqedonisë, të analizojnë me urtësi situatën e krijuar pas publikimit të Komunikatës Nr.1 të UÇK-së dhe të evitojnë çfarëdo incidenti që do të kishte pasoja mbi popullsinë civile.

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar

Bardhyl Mahmuti

07 maj, 2010