| E enjte, 06.05.2010, 07:30 PM |
Nga Prof.ass. Roland Çene
“Artist i merituar“
Aktiviteteve të shumta muzikore që zhvillohen në vendin tonë, vitet e fundit i është shtuar dhe “Tirana Music Festival“ që këtë vit, promovoi edicionin e pestë.
Festivali u zhvillua në harkun kohor 22-29 Prill dhe përmbante pesë aktivitete ndër të cilat veçohen: “Big Band“ i Akademisë së Arteve Tiranë me pjesëmarrjen e klarinetistëve Piero Vincenti e Fatos Qerimi, “Koncerti i pjesëmarrësve më të mirë të Masterklasave“ të T.M.F., “Grand Gala“ e docentëve, e në mbyllje “Koncert recital“ i violinistes së njohur Anila Kraja.
Festivali është një bashkpunim Italo-Shqiptar, ndërmjet Akademisë së Arteve Tiranë dhe Accademia Italiana del Clarineto. Ai, drejtohet artistikisht nga pianistja Marsida Koni dhe klarinetisti Italian Piero Vincenti. Ky aktivitet është në mbështetje të projektit “FAO-Telefood“ e nën kujdesin e veçantë të znj.Liri Berisha, presidente e “Albanian Children Fundation“.
Ndër pesë ditët e këtij festivali veçojmë koncertin përfundimtar që kish për progatoniste violinisten e shquar Anila Kraja.
Znj. Kraja është një ndër instrumentistet prezente në skenën tonë muzikore. Edhe pse punon e jeton prej vitesh në Italinë fqinje, ajo krahas axhendës muzikore në Itali e Europë, për çdo vit gjen kohën për të debutuar dhe për spektatorin artëdashës të vendit të saj.
Koncerti recital i znj. A. Kraja përcolli pesë vepra violinistike të cilat u shoqëruan në piano nga znj. Fatma Spahiu (pedagoge në A.A.).
Në program bënin pjesë vepra nga: F.Mirenzi, A.Dvorak, R.Schuman, C,Schuman e J.Brahms.
Nga Mirenzi u interpretua “No Hunger,No War“ e cila e prashtruar me tinguj të gjatë e levizje të ngadalta, krijoi qetësi e ngjalli emocion te dëgjuesi falë interpretimit të ngrohtë e të vëmendshëm të violinistes. Ajo, me këtë interpretim, arriti të na transmetojë të plotë dimensionin e përmbajtjes së veprës duke demostruar sensibilitet të thellë muzikor e profesionalizëm të spikatur violinistik. Po kështu në vazhdim, Kraja me të njejtin kujdes e kualitet, përcjell dhe “Romantische stück“ op.75 të kompozitorit Çek A.Dvorak. Në këtë vepër krahas të tjerash spikati dhe ekspresiviteti i thellë transmetuar me një vibrato të ekujlibruar.
“Sonata“ nr.1, op. 105 e R.Schumann-it për violinë e piano e cila u interpretuar në mbyllje të pjesës së parë të koncertit, është një nga veprat më të njohura të muzikës së dhomës. Sipërmarrja për tu interpretuar, është inisiativë kryesisht e violinistëve koncertistë me karierë të gjatë e formim të plotë. Anila Kraja në interpretimin e kësaj vepre, na dëshmoi jo vetëm pjekurinë e thellë muzikore, por ndërkohë me shkallën e sigurisë maksimale, demostroi dhe një eksperiencë të gjatë e të suksesëshme. Në interpretimin e sonatës, violinistja, arriti të organizojë mjaftë mirë strukturën e veprës, e të evidentojë mesazhet që ajo përciell. Tingëllimi i sonatës në violinën e Krajës paraqitet konstant në të gjithë shtrirjen e instrumentit. Violinistja edhe kur ndron pozicionet, tingulli që ajo përciell është unik e i plotë. Krahas realizimit tërësor të veprës, në interpretimin
violinistik të A.Krajës spikasin dhe dukuritë romantike që vepra përmban. Violinistja ndërton raporte të ndërsjellta me shoqërimin pianistik të pianistes F.Spahiu, e cila krahas sigurisë, është dhe një partnere tepër e vëmëndshme ndaj lojës së solistes.
“Romanza“ op.22 e C.Shumann edhe pse një vepër e vogël si dimension, arriti të ndiqet vëmëndshëm nga dëgjuesit në sallë. Përkujdesja e violinistes në interpretimin e kësaj vepre edhe pse e vogël, flet për seriozitetin profesional të artistes.
Në mbyllje të koncertit recital të violinistes Anila Kraja, ishte vendosur interpretimi i “Sonatës“ nr.3 op.108 e kompozitorit të shquar gjerman J.Brahms. Kjo vepër e strukturuar në katër kohë: “allegro“, “adagio“,“un poco presto e con sentimento“ dhe “presto agitato“ , është një nga veprat më të shquara të muzikës së dhomës që interpretimin e saj e kanë për privilegj, violinistë solistë me karierë të gjatë e formim të gjerë.
Mesaduket, violinistja A.Kraja e vendosi interpretimin e kësaj vepre në mbyllje të koncertiti të saj recital, për të realizuar kulminacionin përfundimtar të veprimtarisë së saj, në “Tirana Music Festival 2010“ . Sonata e Brahmsit, për nga dimensioni e kontrasti i thellë midis katër kohëve, kërkon jovetëm një pregatitje të thellë teknike, por dhe rrezistencë interpretative e ndjeshmëri të lartë. Të gjitha këto nevoja që paraqet interpretimi i saj i ndiemë të realizuara më se mirë nga violinistja Kraja. Ajo në interpretimin e veprës arrin të ndërtojë një strategji me objektiva të qartë. Kështu Kraja është e sigurt dhe plot kualitet si në “allegro“ e “adagio“ ashtu dhe në “un poco presto e con sentimento“ e “Presto agitato“.
Dimensioni emocional në interpretimin e Krajës është i gjerë dhe i larmishëm. Ajo me violinën, të krijon situata të gëzuara e plot dritë, e shpesh të bën të përjetosh sensualitetin e ndjejshmërisë së saj. Veçojmë se krahas dukurive të mësipërme, Anila Kraja prezanton njohje të thellë të stilit e siguri absolute.
Koncerti recital i violinistes Anila Kraja e ndihmuar nga shoqërimi pianistik i Fatma Spahiut, në tërësinë e “Tirana Music Festival 2010“ ishte, një realizim i veçantë e mbresëlënës që e mbylli këtë aktivitet në një Cresendo domethënëse.
Kontributi i violinistes Anila Kraja në shqipëri, por edhe në shumë skena të hapësirës mbarë europiane, është pjesë e rëndësishme e zhvillimeve që ka marë arti muzikor Shqiptar që për nga kualitet,i është i krahasueshëm me kulturat e përparuara muzikore.
Veprimtaria muzikore e artistëve tanë nëpër botë, e ka bërë dhe më të njohur vendin tonë e ndërkohë i ka rritur autoritetin e vlerësimin për shkallën e zhvillimeve integruese krahas të tjerash edhe në arte.
Anila Kraja është një ndër të shumtët ambasadorë shqiptarë, që me violinën e saj e nderon vendin e origjinës, dhe lartëson kulturën tonë muzikore.
Këtë përkushtim, artistja nuk e ka vetëm ndaj muzikës, por për nga aktiviteti i gjerë e kualitativ në vazhdimësi, ajo paraqitet e ndërgjegjësuar për detyrimet ndaj popullit e atëdheut të saj.
Pasardhëse e familjeve Kraja & Aliaj, Anila ecën suksesshëm në rrugën e traditës artistike të familjeve të saj.