Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Publikohen për herë të parë 23 kodikë origjinalë

| E enjte, 06.05.2010, 07:27 PM |


Nga Alma Mile

 

Viteve të fundit është folur shumë për ta. Përshkruhen si një pasuri e jashtëzakonshme, çka e përforcon edhe fakti që dy syresh janë marrë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Por se ç’janë në të vërtetë, në këtë pikë duhet vënë në fund fantazia. Për të shlyer këtë kuriozitet, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Fondacionin Grek të Kulturës, hapi dje ekspozitën “Dorëshkrime bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri”, ku për herë të parë   ekspozohen 23 kodikë origjinalë. Në ceremoninë e përurimit mori pjesë dhe Kryeministri Sali Berisha, nën kujdesin e të cilit, zhvillohet ky aktivitet. Dhe nuk do të jetë vetëm privilegji i studiuesve të mund t’i shohin nga afër. Kushdo mund të shkojë e të vizitojë ekspozitën e hapur në Muzeun e AQSH. Ndoshta nuk do t’i përshkojë e njëjta drithërimë që kanë ndjerë studiuesit e huaj, kur kanë mundur të vendosin paksa dorën mbi to, por e sigurt është që do të ndjejnë kënaqësi për faktin që kjo pasuri ndodhet pikërisht në Shqipëri. Sipas Drejtoreshës së Arkivit, Nevila Nika, edhe herë të tjera janë organizuar ekspozita kodikësh, por me variantet e riprodhuara, dhe është hera e parë që një numër i tillë kodikësh origjinalë ekspozohen. Sipas saj, këtë herë kushdo do të mund të shohë nga afër dhe të kuptojë se ç’janë ata në të vërtetë dhe ç’rëndësi kanë për Shqipërinë, por edhe për rajonin përreth. “Në gjykimin tim, kodikët janë një copëz e vyer e historisë dhe e jetës shpirtërore të shqiptarëve dhe rajonit të Ballkanit”, tha Nika, duke shtuar se Arkivi ruan thesare të vërteta dhe “nuk është magazinë librash të mykur, nuk është një bodrum mbushur me libra të ngrënë nga mola, por është kasafortë e historisë dhe vendruajtje e thesareve të paçmueshme të qytetërimit”. Ekspozita do të jetë e hapur për një muaj dhe sipas Drejtorit të Fondacionit Grek të Kulturës, në Tiranë, Jorgos Jakumis, është organizuar në mënyrë të tillë që ajo të vizitohet nga rreth 600 nxënës e studentë.

 

Ekspozita

 

Për ndërtimin e kësaj ekspozite kanë punuar një grup specialistësh, drejtuar nga Drejtori i Arkivit Historik dhe Paleografik i Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë, Agamemnonas Tselikas. Studiuesi ka parë nga afër kodikët dhe ka kuruar anën shkencore të ekspozitës. Duke i parë me syrin e ekspertit, ai thotë se kodikët e AQSh kanë një vlerë të shumëfishtë. “Përmes shënimeve e kronikave të lëna mbi faqet e tyre në kohë të ndryshme, ofrohen informacione historike, për jetën shpirtërore dhe mentalitetin e shqiptarëve, por edhe të zonave përreth, ku greqishtja ishte një gjuhë e njohur”, tha Tselikas. Gjithashtu kodikët, të cilët datojnë nga shek. VI, që është më i hershmi, deri në shek. XIX, që është më i voni, përmbajnë krijimtari pamore me estetikë të lartë dhe vlera artistike (miniatura, programe dekorimi me ar, kapakë të argjendtë, etj.), përmbajnë tekste shkencore dhe pjesë të kulturës që shërbejnë si gjurmë të lëna nga intelektualët e kohës që kanë jetuar dhe punuar në Shqipëri. Bartin informacion të pasur që tregon rëndësinë e qyteteve Mesjetare të Shqipërisë, siç janë Korça, Berati, Durrësi, Gjirokastra, Vlora, etj., por vërtetojnë edhe rolin aktiv të Shqipërisë në historinë e rajonit, jo vetëm për popullsinë shqiptare, por edhe për popullsitë e tjera Ballkanike. Ekspozita është ngritur mbi disa kritere, që sipas Tselikas janë ato kronologjike, estetike, gjuhësor dhe paleografik. Mjedisi i ekspozitës është organizuar në dy salla, pasi dorëshkrimet e Sallës 1 duhet të ruhen nga drita e fortë. Prandaj në sallën 1 paraqiten dorëshkrimet origjinale, kurse në sallën 2 paraqiten panele fotografike të dorëshkrimeve të ekspozuar në sallën 1, por dhe të dorëshkrimeve të tjera. Në sallën e parë ndodhen tetë vitrina, në të cilat ekspozohen 48 dorëshkrime origjinale me vlerë të madhe historike. Janë vendosur nëpër vitrina, sipas rendit kronologjik dhe sipas periudhave historike.

 

Kodikët

 

Në këtë ekspozitë paraqiten 23 dorëshkrime origjinale të ekspozuara në vitrina. Janë kodikë të shekujve të ndryshëm, më i vjetri i të cilëve daton në shek. VI, kurse më i riu në shek. XIX. Përmbajtja e tyre është fetare. Janë kryesisht librat e shenjtë, Ungjijtë, por edhe pjesë nga Dhjata e Vjetër, Psalmet, Fjalët e Urta, etj., si edhe pjesë të muzikuara. Të gjithë kodikët janë të shkruar me dorë, pra kanë vlera të paçmueshme. Shumë prej tyre janë të shkruar në letër, veçanërisht ato dorëshkrime që datojnë pas shek. XVI. Të tjerët janë shkruar në pergamenë. Çdo fletë pergamene duhej të ishte e bardhë, e lëmuar dhe e rregullt, në mënyrë që të  pasurohej me miniatura dhe shkrimi të dilte i drejtë dhe i bukur, pa u përhapur boja në sipërfaqen e pergamenës. Deri në shek. XV, mënyra e vetme për të shkruar apo shumëfishuar një libër ishte shkrimi me dorë, gërmë pas gërme. Gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine, por edhe pas rënies së kësaj perandorie, ekzistonin shumë punishte kopistësh të ndërtuara pranë manastireve, që jo vetëm shkruanin dorëshkrimet, por dhe i dekoronin. Pasi, në atë kohë, çdo kodik duhej të ishte vepër arti për nga bukuria e shkrimit, dekoret, lidhja (kapakët), mbulesa e kapakëve dhe mbërtheckat e tyre. Për këtë arsye, në atë kohë kodikët kishin kosto të lartë prodhimi dhe përdoreshin nga shumë pak njerëz, kryesisht nga funksionarë të shkolluar, prijës, klerikë të lartë, mësues universitetesh, etj. Por edhe pas zbulimit të shtypshkronjës janë prodhuar shumë kodikë, meqenëse makineritë e mëdha dhe të rënda të shtypshkronjës së dikurshme ishte e vështirë të bliheshin dhe të silleshin në Ballkanin e pushtuar prej Perandorisë Osmane. Prandaj dhe shtypshkronja e parë në mjedisin osman u ble nga Patriarkana Ekumenike dhe funksionoi në Konstandinopojë, kryeqendrën e Perandorisë, vetëm në vitin 1612 (pasi ishte shpërndarë në thuajse të gjitha qendrat e mëdha të Evropës Perëndimore). Në mjedisin e Shqipërisë mesjetare, konkretisht në Voskopojë, gjatë gjysmës së parë të shek. XVIII filloi punën një nga shtypshkronjat e para dhe më aktive. Por ato pak shtypshkronja të kohës nuk arrinin të mbulonin nevojat për libra që kishin manastiret, kishat, gjykatat, mbledhësit e taksave, tregtarët dhe shkollat, etj. Prandaj një pjesë e librave shkruhej me dorë edhe gjatë shek. XIX.

Panorama, 04/05/2010 - Për ZSH: Gjergj Kabashi