| E merkure, 05.05.2010, 09:59 PM |
Naser Aliu
Faleminderit Turqi*
„Fiat lux!“
»Perandoria osmane pengoi shkrirjen në sllav e grek«
tha ai, madje me mburrje...
Arsyetim:
Menjëherë pasi na përqafuan, na i morën kockat tona dhe i morën nga varri...
Të nesërmen, të nesërmen
Aty rreth orës tetë, në shekullin XV, pas vapës së madhe
Perandoria hapi shkolla fillore
Në fillim vetëm fillore
Pasi u mendua ajo pak dhe foli vet me vete
Një shekull më vonë, të premten e acartë: Shkolla të mesme
Kur pa se ishte mirë, u kënaq
Shekullin tjetër, në orën nëntë, pas kafjallit perandorak në Krujë: Shkolla të larta
Kur mori vesh se vetëm kështu mirëmbahet shqiptarizmi
Shekull më vonë, në orën dhjetë, në Janinën skofiare: Universitet
Shekullin pak para se të ikte: Akademinë e Arteve dhe të Shkencave, në Nish
Shekulli XX, pak para orës dymbëdhjetë, një ditë me shi e furtunë, iku ajo nëpër Shkupin shqiptar
Iku ajo e na la me pallate, ura dhe rrugë të mira, qindra biblioteka të mbushura deri në tavan
Ne, ne e përcollëm me lot në sy dhe të trullosur i ngarendëm pas, pas i ngarendëm asaj
Me Perandorinë ikën edhe shumë shqiptarë nga Kruja, Janina, Prizreni, Manastiri e Presheva
Jo vetëm si kocka, por edhe si mish, të shkrirë në osmanli
Kështu Perandoria mëmë sprapsi ndryshimin në grek, në sllav!
Ah, sikur të mos kishim përjetuar dashurinë tënde moj
Nuk do t´ishim zgjuar pas pesë shekujve vetëm me një meshar në raft!
Stacionet
Romë
Stamboll
Stalingrad
Beograd
Enverburg
Strasburg
Fati
Arbëreshi i parë iku nga pushtuesi turk
Shqiptari i dytë nga diktatura staliniste
I treti nga “barazia” titiste
I katërti nga demokracia shqiptare
II pesti nga diktatura serbe
I gjashti nga demokracia kosovare
I shtati stërvitet për t´i braktisur pampersdemokracitë tona
T´i bashkëngjitet arbëreshit të parë, shqiptarit të dytë, të tretë, të katërtë, të pestë dhe të gjashtë!
Për gjashtë ditë Zoti krijoi universin
Të shtatën pushoi
Për gjashtë ditë vendi gate zbrazet
Edhe të shtatën shqiptari me strajcë në dorë!