Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Kosova dhe vlera të reja shqiptare në gjuhën rumune

| E marte, 04.05.2010, 09:59 PM |


Kosova dhe vlera të reja shqiptare në gjuhën rumune

 

Nga Baki Ymeri

 

Çka mund të jetë më e bukur dhe më e vërtetë në Bukuresht, se sa fakti se emri i Kosovës shkon duke u shndërruar në një simbol. Kudo ku e kemi dhuruar flamurin e Kosovës, pa marrë parasysh mosnjohjen e pavarësisë si pasojë e mosnjohjes së historisë dhe papjekurisë politike të klasës politike rumune dhe asaj shqiptare, bukureshtarët e mbajnë flamurin e Kosovës nëpër sallone, shitore, madje dhe në shtëpi. Jo për dymilionë banorët e metropolës e kemi fjalën, por për dhjetra vetë, ndër ta shkrimtarë, diplomatë, përkthyes dhe njerëz të thjeshtë, që flasin me admirim për Kosovën dhe kombin shqiptar. “Unë e njoh dhe e kam njohur pavarësinë e Kosovës, por mos harro se presidenti Basescu nuk i ka fajet pse s’e njeh, ngase fajet mund t’i ketë ndonjë këshilltar i tij që mund t’i kishte pëshpëritur në vesh mos ta njohë”, na thot një funksionar i Qeverisë, i cili nuk don t’i dalë emri në gazetë.

 

Aspekt nga mitingu i solidaritetit me Kosovën (31 mars 1999)
Aspekt nga mitingu i solidaritetit me Kosovën (31 mars 1999)
“Traian Basescu mënajnë nuk e njeh Kosovën ndërsa në anën tjetër e shpëtoi Kosovën nga një gjakderdhje e re, duke dhënë kontribut që në vend të Nikoliqit ultranacionalist, të bëhet Tadiqi president i Serbisë.” Kështu na thot një njohës tjetër i rrethanave politike në këtë vend, duke shtuar se “xhandarmeria rumune e stërvit policinë shqiptare të Kosovës për mbrojtjen e vendit.” Ç’bën Kosova për lobimin e saj në botë, sidomos në këtë vend gjurmash të moçme shqiptare, ngase “rumunët dhe shqiptarët janë vëllezër gjaku” theksonte C. Predescu, prof. Univ. Dhe drejtor i revistës Glasul Albaniei (Zëri i Shqipërisë), më 1910, duke shtuar se fjala është për lidhje farefisnore, për “degë të të njëjtit trung”, për “një simpati permanente dhe kontinuitive”, si dhe për “afrimin e tyre në gjuhë dhe zakone, siç ka deklaruar shpeshherë filologu erudit Bogdan Petriceicu Hasdeu, se “Shqiptarët janë Prindërit e Rumunëve” (Albanezii sunt P?rin?ii Românilor).

 

Tekefundit, në Rumani askush nuk e urren popullin shqiptar, por përkundrazi e admiron. E admiron Skënderbeun që luftonte me 10 mijë shqiptarë kundër 40 mijë halldupëve të Turqisë, dhe e admiron Shqipërinë ngase në kohën e diktaturës komuniste rumunët e preferonin tejmase konjakun shqiptar (“Skënderbeu”) dhe cigaret shqiptare “Arbëria” dhe Durrës special, madje edhe ansamblet folklorike që i dërgonte Tirana në këtë vend, ndërsa sot, çka bën Qeveria shqiptare sot? Merre me mend, funksionarët e Ministrisë së Jashtme nuk janë në gjendje një pasaportë shqiptare t’ia japin Fatime Aliut nga Sllatina e Oltenisë, e cila i pat thënë ishpresidentit Mojsiu se “ne jemi deklaruar gjithmonë si shqiptarë në regjistrim, që nga koha e Ismail Qemalit, ne kemi patur pasaporta shqiptare në kohën e Enverit, ne kemi luftuar si Skënderbeu për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe në familje, kurse Tirana “demokratike” sot na ka qitur në harresë!” Kurë do ta dërgojë Tirana në këtë vend një ambasador të ri shqiptar me titull akademik (Luan Topçiu, Elida Petoshati apo Marko Bello), që punët të marrin nga e mbara! E përmendim mbarësinë në këtë kontekst, ngase janë njohës të të dy gjuhëve dhe mund të japin kontribut të pashoq për rikthimin e dinjitetit të diplomacisë shqiptare në këtë vend, madje, pse jo, edhe për të lobuar për Kosovën pa i anashkaluar të drejtat ndërkombëtare të diplomacisë, siç lobon Rumania për Basarabinë.

 

Kurtesh Devaja në bibliotekën e B. Ymerit në Bukuresht
Kurtesh Devaja në bibliotekën e B. Ymerit në Bukuresht
Si qëndron puna në fushë të kulturës?

 

Lidhjet farefisnore reflektohen edhe në këtë fushë magjike të afirmimit të ndërsjellë. Revistat rumune botojnë vazhdimisht shkrime për shqiptarët, për vlerat letrare të Kosovës, të Shqipërisë dhe diasporës shqiptare. Kështu, në faqet e revistës Cronica (nr.3/2010) që del në Jash të Moldovës, Marius Chelaru (shq. Qelaru), boton reçensionin “Dhe për ëndrrën e vrarë të të braktisurve” kushtuar poezisë së Kostaq Dukës dhe vëllimit të tij “Trëndafili që çelte në janar”, botim i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. I njëjti kritik letrar, boton në faqet e së përjavshmes bukureshtare Natiunea (Kombi, nr. 556/2010), një vështrim eseistik (“Shtegtar me turmën e brengave”), duke deshifruar vlerat lirike të Remzi Limanit nga Kosova, të rikënduara në gjuhën rumune nga autori i këtij shkrimi, e të përfshira në librin “Sunete pierdute/Tinguj të humbur”. Në faqet e kësaj reviste ka dalë kohëve të fundit edhe një shkrim i Dr. Xhelku Maksutit mbi romanin “Sinistra Doamna/Zonja e zezë” të Fahri Balliut. Revista Impact (që del në Tërgovishte), në numrin e saj të fundit (369/2010), nën autorësinë e kritikut Victor Sterom, prezanton librin e Victoria Milescut “Bucuriile triste/Gëzimet e trishtme”, që e pa dritën e botimit në gjuhën shqipe dhe atë rumune (Kluzh-Napoka, 2009), si dhe vëllimin poetik të Sabile Keçmezi bashës nga Kosova “Anatomia iubirii/Anatomia e dashurisë” (Plojesht, 2009), duke i konsideruar vargjet e saj si “një botë magjike me një besim të madh në forcën e intelektit, vargje që kultivojnë konkretizimin e vizueles mënjanë, dhe poezinë e ideve dhe njohjes në anën tjetër. Poemat e Sabile Bashës kanë një ngjyrë sinqeriteti të madh, një shpirt kritik të gjallë, një qëndrim të denjë ndaj gjithë asaj që don të thotë inercion dhe këngëtim i karakterizuar nga etja për fshehtësitë e shpirtit dhe natyrës.”

 

Miku i madh i shqiptarëve, Gjeorgje Bukura me Kurtesh Devajën në Bukuresht
Miku i madh i shqiptarëve, Gjeorgje Bukura me Kurtesh Devajën në Bukuresht

Në fushë të kulturës vlen të përmendet fakti se në Bukuresht kanë filluar të dalin, si në kohën e Rilindjes, edhe disa libra në gjuhën shqipe, siç janë ato të Remzi Bashës, Ylli Dilos apo Sokol Demakut, duke pasuar të dalin gjatë këtij viti edhe ca vëllime autorësh shqiptarë me poezi në gjuhën rumune (Sadik Krasniqi, Pal Sokoli, Fehmi Kelmendi), një vëllim i Eduard Dilos në gjuhën shqipe, një roman i Vilhelme Vranari Haxhirajt (Zonja me karafila të bardhë), një libër i Sanije Gashit mbi viktimat e dhunës serbe kundër motrave tona në Kosovë (Histori të tmerrit, 1998-1999), disa antologji të përbashkëta dhe disa vepra autorësh rumunë në gjuhën shqipe (Viorela Codreanu, Theodor Damian, Monica Mureshan, etj.). Në këtë kontekst shquhet edhe vëllimi i dytë i antologjisë Boema 33, me autorë rumunë dhe një shqiptar, disa revista me vlerësimet e Mihai Antonescut për poetët shqiptarë, revista Climate literare me vargjet e Remzi Limanit në gjuhën rumune, Revista noua me vargjet e Vilhelme Haxhirajt, Miradije Ramiqit, Merita Bajraktarit, apo  Oglinda literara me poezitë e Ibrahim Berishës dhe reçensionin e Elena Otavës kushtuar antologjisë Magjia e fjalëve/ Magia cuvintelor, me vlerësime të larta për rëndësinë e përkthimit dhe komunikimit letrar, të klubeve letrare apo antologjive që bashkojnë (sipas Visar Zhitit), tufën e luleve dhe të emrave, aromën e fjalëve, tryezën me metafora dhe ndjenja, si në një të kremte të përbashkët  e cila thërret  miq dhe lexues edhe përtej kufijve.

 

Revista rumune me vlera shqiptare
Revista rumune me vlera shqiptare