Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: ''Patrioti'' i Vonuar

| E diele, 02.05.2010, 09:58 PM |


“PATRIOTI” I VONUAR

 

Nga KALOSH ÇELIKU

 

         E kam ditur, po nuk e ka ditur “ABAZI” i Malit, “Patriotin” e Vonuar. E mori nga shkolla politike e “Koperativës Bujqësore” dhe i dha post politik. E ai, gjithë ditën e natën  fotografoheshte para kamerave televizive me emrin e tij në gojë: Ali Ahmetin e kam mik. Nesër, po të thotë “ABAZI”, unë bëhem edhe shërbetor.

         Kohë tjera ishin pas lufte. “ABAZI”, ende nuk i njihte mirë njerëzit e fushës. E pas lufte, dalin shumë trima. Nuk e ka thënë kotë populli: Trima pas lufte. Edhe komandantë kishim, u mbushën malet e fushat. Edhe Qeveria më vonë, pas zgjedhjeve parlamentare. Ministritë. Kabinetet. Mjerisht, vetëm një “Asker”, që pas lufte nuk kërkoi dekorata e as poste partiake, u kthye te fëmijët dhe gruaja në Katund. Prandaj, edhe “komandantët” tanë pas lufte si ministra, deputetë e politikanë, i ndërronin partitë brenda një nate si kurva burrat. Edhe “Patrioti” i Vonuar si gjithmonë, që nga koha e komunizmit, shkonte nga fryente era. I ka ndërruar deri më sot disa burra e parti politike “demokratike”.

         E sot, era nuk fryen nga shkon “Patrioti” i Vonuar me shokë. Shkak ky, që edhe e ka humbur rrugën në mes të ditës në oborr, përpara shtëpisë. E ka ngatërruar “ABAZIN” me Ali Ahmetin. E ka dashur dikur shumë “ABAZIN”, edhe më tepër se babain, po ja kohën e fundit, shkaku i Ali Ahmetit, edhe “ABAZI” i del nga zemra. E pabesueshme!? E di, ju do të pyesni: PSE???!!! Deri dje, kudo i shihje qafë për qafe dhe krah për krahu me Doktorziun dhe Nusen kuqezi në rendin e parë nëpër manifestime të Akademive përkujtimore të dëshmorëve të kombit. Festave shtetërore. Zbulimin e përmendoreve. Shënimin e pervjetorit të Skënderbeut. Ditën e flamurit… E shi sot, i paska “tradhtuar” Ali Ahmeti. Nuk i dëgjon më sot këta “patriotë” të vonuar, siç i dëgjonte dje “ABAZI”. Dorën në zemër, kanë deri diku edhe të drejtë. Vërtetë, kohën e fundit nuk i dëgjon këshillat e tyre Ali Ahmeti, siç i dëgjonte “ABAZI”. E këta “burra fisi”, që nga koha e komunizmit, veten e kanë hequr si këshilltarë dhe baballarë për të ardhmen e kombit. Edhe trima e të mençur. E si është e mundur, sot të mos i dëgjoj Ali Ahmeti këta “profetë” në të gjitha sistemet?! E kërkojnë “ABAZIN”, që pas lufte me shokë zbriti nga malet. Vitet pas lufte, kur këta të parët me shokë si kuadër “deficitar” u turrën për poste në Parti e Qeveri. E përgëzuan për guximin si komnadant lufte. E përqafuan me të dyja duart si shpëtimtar i kombit shqiptarë. Ia rrahën krahët dhe ia uruan “fitoren” e luftës. U ngutën të parët ta këshillojnë që të formojë parti politike. Edhe e dalldisën, i thanë: ti duhet të jesh kryetari i partisë politike që zbriti nga mali. I afruan listat e anëtarëve që duhet t’i ketë si “përforcim” kjo parti politike. E pagëzuan edhe me emër evropian BDI. Fundrrinat e të gjitha partive politike shqiptare të mëhershme i mbëlodhi Partia e Ali Ahmetit. Dhe, dolën në zgjedhje krah për krahu me flamuj partiak e kombëtar.

        Populli shqiptarë si popull luftarak nëpër shekuj  dhe i etshëm për liri ua dha votën. Edhe fitoi krahu i luftës (UÇK) në zgjedhjet parlamentare. Rast i rrallë ky në histori, e dha provimin politik populli shqiptar dhe doli mbi nivelin e politikanëve. Dihet, hynë në Qeveri plot gëzim dhe i ndanë postet e fituara me gjak. Rast ky, që nuk ndodhi me popullin shqiptarë të Kosovës, që pas lufte në zgjedhjet e para parlamentare, fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës, e humbi Krahu i Luftës (UÇK). Që do të thotë: Përderisa, në Kosovë populli shqiptarë hyri në politikë pa bagazhin e luftës, në IRJ të Maqedonisë hyri edhe shumë më i fuqishëm se kurdoherë me gjithë bagazh lufte. Ja, shkaku pse politika e shqiptarëve në këtë anë të Atdheut ka pasur një përparësi më të madhe për të bërë politikë dhe korrë fitore historike. Vetëmse, me komunistë të djeshën e “demokratë” të sotshëm teknefesë, fundrrina të mbetura nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, nuk bëhet politikë.

        “ABAZI” me shokë, që zbriti pas lufte nga malet, këtë jo vetëm që nuk e dinte, po as edhe e parashikoi, kur themeloi parti politike dhe hyri në Qeveri. Në radhët e veta i mori edhe disa komandantë të UÇK-së duke i përvetsuar më shumë se çdo kush tjetër edhe meritat e luftës. Edhe filloi të merret me politikë. Ali Ahmeti gjatë këtyre viteve e mësoi politikën, po vonë. Ose, siç thotë populli: erdhën mendtë, po ikën dhentë. E pasi të thyhet rrota e qerres, gjenden edhe rrugë për në shtëpi.

         E tashti, ku është problemi që “Patrioti” i Vonuar me shokë e kërkon “ABAZIN”, e nuk e do Ali Ahmetin?! E qartë: Katundi që shihet nuk do kallauz. Ali Ahmeti këtë vit i mbush dhjetë vjet që merret me politikë. I pa se kush ishin njerëzit e fushës. Edhe u mësua të bëj politikë. Kohën e fundit ka filluar edhe të mos i dëgjoj “trimat pas lufte” dhe t’i pastroj radhët nga bërlloku i skaduar politik, fundrrinat komuniste. Edhe bënë mirë dhe punë me mend. Përndryshe, nëse vazhdon kështu me këtë politikë ditore sakate, duhet sa ma parë ta pastroj veten, laj duart nga politika. Rrugën, veç më ia kanë treguar kundërshatarët e tij politik: të kthehet në vendlindje, Zajas. Ose, të ikë nga ka ardhë, në kurbet (Zvicër).

        E “Patrioti” i Vonuar me shokë? Mos Zot më keq! Vërtetë, më vjen keq për “Patriotin” e Vonuar! Edhe po të dua nuk kam si e shpëtoj përpara stuhisë së pamëshirshme politike. I ndërroi që nga koha e “artë” komuniste duke dhënë shpirt e deri më tani në këtë kohë “demokratike” disa vende pune. Redaktor me dy-tri vende pune në redaksinë e një gazete komuniste. Fat i tij, këtu e mësoi edhe gjuhën shqipe. Në prag të “ndryshimeve” demokratike i shëtiti disa organizata “humanitare” e të donatorëve të huaj. Vitet e fundit, e provoi edhe “ABAZIN”. E merreni me mend ky “patriot”, po ta ngrente zërin për ndryshime demeokratike që në atë kohë! Heshti, në kohën komuniste. Heshti, në kohën e ndryshimeve “demokratike”. Heshti, edhe në kohën e “ABAZIT”. Tashti, i doli gjumi pasmesnate si analist politik. Nëpër gazeta e para kamerave televizive shkruan e fol jerm vetmevete.  Është “Patriot” i Vonuar. E vetmja rrugë e shptëtimit i ka mbetur dhe është: “ABAZI”. Tekefundit, ai edhe i donte shërbetorët dhe servilët në politikë. Ali Ahmeti, kohën e fundit i do ujqërit dhe luanët. “ABAZI”, ishte i malit… E ky Ali Ahmeti, që nuk e do sot “Patrioti” i Vonuar me shokë, është i fushës…