Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


“You’re Beautiful”, James Blunt nën qiellin e Kosovës

| E merkure, 14.11.2007, 11:05 PM |


Poeti i ardhur nga hiçi, pasi preku majat muzikore të gjysmës së botës, rikthehet pas dy vitesh mungesë. Në 2005-ën albumi i tij “Back to Bedlam” u bë një nga më të shiturit e dhjetëvjeçarit. Kantautori anglez, mishërimi i romantizmit të kohës sonë, shfaqet me albumin “All the lost souls”. Sepse edhe ai është një shpirt i humbur

Është kthyer në idhull me të drejtë Blunt. Imagjinoni një shpirt indian të pangopur kurrë me lëndina, të kondensuar në dy sy të kristaltë dhe të uritur për botën. Imagjinoni një plak të urtë brenda trupit të një tridhjetëvjeçari, të kujdesshëm për të kapur çdo shkëndijë të botës e të emocioneve të veta. Imagjinoni një djalë paksa të hutuar që bëhet papritur simpatik dhe i gatshëm për të prekur tema të rëndësishme dhe intime.

Krehje e shkujdesur si të kishte dalë nga ndonjë pasdite e lumtur fëmijësh, inteligjencë e formuar nga ngjarjet e papritura, vështrim që shkon nga lumturia e plotë te një përqendrim prej murgu: një njeri i vërtetë në botën e shtirur të showbiz-it muzikor. Kjo kuptohet. Mjafton të dëgjosh pjesë nga sukseset planetare të titulluara “High” dhe “You’re beautiful”, singëllin “1973”, notat e ngrohta në maksimum në “I’ll take everything”, himnin protektiv e romantik “Carry you home”, arritja vokale e “I really want you”. Është një album impresionues me plot gojë.

Çdo këngë, është një fundosje e vërtetë, një thirrje e pëshpëritur apo një emocion drithërues ashtu si janë thirrjet dhe emocionet që provojnë fansat e tij ose kushdo dëgjon “All the lost souls”(Të gjithë shpirtrat e humbur)

Mendime e fjalë

“Kam marrë me mijëra letra e email-e”, thotë James, i cili është i mbyllur ndaj botës në të vërtetë. “Thuajse në të gjitha rastet njerëzit më falënderonin, sepse u kisha dhënë fjalë e imazhe ndjenjave të tyre”.

Por ai dallon edhe për tekstet, të cilat janë poezi autentike. Ai punon si poet i vërtetë me asonanca e rima të brendshme. Në mënyrë të ndërgjegjshme e bën këtë?

“Tekstet i krijoj me natyrshmërinë më të madhe. Për mua është thelbësore të dëgjoj atë që ndiej. Dëgjoj atë që ndiej me të vërtetë dhe e shpreh duke shkruar fjalë e muzikë. Është autenticiteti i asaj që perceptoj në veten time, që më shtyn ta publikoj albumin”.

Më përpara bëhej fjalë për një dialog ndërmjet tij dhe vetes së tij, kujtime të errëta që ndriçoheshin e ngarkoheshin emocionalisht, histori të jetuara, thirrje të dashurive të kaluara. Ndërsa te “All the lost souls” ka një hapje. “Më parë ishte si të luaje në kitarë në një dhomë ku ishim unë dhe një person tjetër: një mik, një grua, një fytyrë e njohur. Tani është sikur të ishte gjithmonë dhe një person i tretë në atë dhomë, që është vendi i brendshëm ku lindin këngët e mia. Është një hapje që synon të ndajë emocione me të tjerët. Mendoj se mbi të gjitha emocionet janë universale, ashtu si ndjesitë e ekzistencës, etapat e pashlyeshme të jetës, si çastet përballë të cilave jemi njerëzor ën të gjitha kuptimet” .

James Blunt i thotë këto fjalë me lehtësinë me të cilën të tjerët reagojnë ndaj golave të shënuar me play station. Të flasësh me të është si të dëgjosh albumet e tij: të përqafon një qetësi e plotë, ngjallet një nxitje emocionale që është një karakteristikë e tij natyrale. Thjeshtësia e tij është e thellë, nuk e zbeh aftësinë për vetëkontroll që është po në thellësi, brenda tij.

Netët e para, nën bombardime

Përveç gjithë kësaj, një fakt e bën shumë të veçantë James Blunt-in sidomos për shqiptarët. Ai ka qenë ushtarak në kontigjentin e paqes në Prishtinë në 1999-ën e ka qenë në ushtri deri në 2002-shin. Djaloshi i ka kompozuar këngët e tij të para nën plumba në Kosovë, gjë që nuk dëshmon dhe aq shumë legjendën e ekzagjeruar të një kurajoje të jashtëzakonshme apo karakteri të çuditshëm, që u bë pre qesharake e asaj që gazetarët nisën të tjerrin rreh James-it. Por dëshmon në fakt pikërisht aftësinë e tij për t’u mbyllur në vete e për t‘u përqendruar, kjo gjë është me të vërtetë e rrallë.

“E në fakt qetësia për mua është shumë e rëndësishme. Për të përfundur “All the lost souls” jam mbyllur një dimër në Ibiza. Nuk kishte ngrohës, kompozoja i veshur me një xhaketë të trashë e dorashka pa gishtërinj. Gjithmonë vetëm. Një fqinj thoshte se ngjasoja me murgjit”.

Pikërisht: një murg. Përveç faktit se një e treta e albumit është kompozuar gjatë turit të kaluar të koncerteve, në rrëmujën më të papërshkrushme që mund të imagjinohet. Ai ka një lidhje të ngushtë me heshtjen e brendshme, që e arrin atë kudo që të ndodhet. Nga ajo heshtje nisen vështrimet që përqëndrojnë në një pikë atë dhe të tjerët.

“Kush nga ne nuk është një shpirt i humbur?” flet për “last souls” të titullit. “Jetojmë në një shoqëri në të cilën të dëgjuarit dhe të shprehurit të emocioneve janë praktikisht a priori të ndaluara. Kuptimi sfumohet përballë zhurmës që i imponohet gjithkujt. Në këtë det në stuhi, jemi shpirtra që i bindemi vrullin. Shoqëria të shtyn për të arritur suksesin, statusin, pasurinë. Eh, është një fokus i gabuar, plotësisht. Secili nga ne ka nevojë të shprehë atë që është në thellësi të tij, që i dallon qeniet njerëzore, të cilat nuk janë kafshë të zakonshme: ne kemi vetëdijen e asaj që ndiejmë, të asaj që perceptojmë.

Pushtimi i Amerikës

Është pikërisht ai poeti i ardhur nga hiçi, i cili ka shitur 11 milionë disqe, që ka qenë i pari në klasifikimet amerikane për javë. Që në 97-ën kur Elton John riinterpretoi “Candle in the Wind” në vdekjen e Lady Dianës, asnjë anglez nuk e kishte arritur. James-i flet për suksesin me interesin e një entomologu për një insekt të rrallë që e ka rastësisht nën lenten e mikroskopit.

“Do ngjajë retorike, por është e vërtetë: për mua suksesi i vërtetë vjen para suksesit që bën zhurmë, qëndron në mundësinë për të shkruar dhe publikuar këngët e mia. Përveç kësaj, nga një pikëvështrim kritik, mund të them se në të shkuarën nuk kam marrë vetëm elozhe, ka pasur sulme, disa shumë të ashpra: pa e stakuar mendjen nga ato, nuk do isha këtu, të nxirrja një album të ri. Unë nuk mund ta kontrolloj botën, por ndjek atë që ndiej. E vërteta është ajo që është brenda nesh dhe asaj i përkushtohem. Nuk ndjek rrugëtime shpirtërore. Rrugëtimi im shpirtëror është pikërisht veprimtaria prej kantautori”.

 E thotë me një lirshmëri që do trondiste dhe më skeptikun teorik të dukurisë Blunt. Po ekzistojnë, si e thotë ai, nga ata që nuk besojnë në autenticitetin e thellë të shprehisë romantike të Blunt-it, që e quajnë të llogaritur atë variacion androgjen të zërit të tij që mahnit e është në të vërtetë i destinuar të shenjojë historinë e muzikës së këtyre viteve. Mbetet pra Blunt. Është tronditës kur këndon “Annie”, këngën e parafundit të albumit të ri, por diku tjetër u hap rrugë jehonave nga Bee Gees, nga Fleetwood Mac, nga Beatles, madje dhe nga Zeppelin. Një miks i habitshëm, kur e dëgjon nga ato korda engjëllore, që nxjerrin thuajse ultratinguj, prej ëndrrash. Meqë ra fjala te ëndrrat. “Një ëndërr që dua të realizoj? Sigurisht të ndaj jetën me një njeri”.

Ja poeti i thjeshtë, që ripropozon të vërteta të përjetshme. Ky anglez, bir ushtarakësh emeton te të gjithë frekuencën që dëshirojmë: atë që mungon në botën e pushtuar nga trillime që shiten si domosdoshmëri, poezinë në muzikë, forcën që e çliron çdo shpirt të humbur.

Jeta