| E diele, 02.05.2010, 03:27 PM |
Gazi Buxheli
GURI I SIZIFIT
(Cikël poezish)
ANKIM I PROMETEUT
Zjarrin se mora për t’u bërë hyjni,
zjarri ju duhej, prandaj ja u dhash,
edhe i kryqëzuar në Olimpin me perëndi
asgjë më shumë se kaq nuk thash…
…gabim o njerëz ky fat i zgjedhur,
e ngritja lart në këtë lartësi:
Unë u dënova për një dru zjarri të vjedhur
e ju më kthyet përjetësisht në Hyjni!
E PASTAJ?!
Për heshtjen e menduar
më pëlqen Roma,
e më shumë se ankth
më jep nostalgji,
jo aq për gjethet e blerta,
për gjethet e njoma,
se monumentet egzotikë
mbuluar me gri.
Monumente të ftohtë,
mbetur menduar,
me vështrim të zbehtë,
hedhur skaj më skaj,
na thonë se kemi qënë
të fuqishëm,
kemi qënë të nderuar,
e së fundmi pyetjen:
e pastaj..?!
LARTË NË QIELL E POSHT TIJ
Në qiellin gri, re shtullungore,
ecin e ecin s’di se për ku,
poshtë tij, rrugëve të jetës,
të menduar njerëzit ecin gjithashtu.
Retë e zeza, me shi ngarkuar,
tutje horizonteve diku degdisin,
njerëzit mberthyer pas tokës së tyre
s’duan që si retë nga ajo të ikin…
…por retë ikin e dymëndësia
zhytet thellë në enigmat njerëzore:
qënësia vallë është vërtetësi,
apo rrugëtim reshë hapësirave qiellore?..
MOSMIRNJOHJE
Udhëtova me diellin
nga lindja tek perëndimi,
e kurrë s’u pamë sy më sy,
unë i trëmbur nga verbërimi,
ai në merakun e syve të mi.
Ik, më tha dielli, udhëto me hënën
e mbi bukuritë e saj hidhi sytë,
atje do gjesh ç’ka i kam dhënë,
dhe aq sa të duhet do të jap dritë!
Ma dha hëna dritën e natës
e më të bëra udhën e gjatë,
por kurrë s’më tha se nga drita e diellit
dritën e falur e kish dhuratë…
KUJDES O NJERI!
Në gjyqin e madh,
gjyqin e vërtetë,
të Parajsës, a Ferrit,
ku do të kalosh përjetësinë,
akuza nuk vjen
për mëkatet në jetë,
por përse nuk e bërë
kur mund ta bëje mirësinë…?!
NXITIM
Nga ai shkëmb buzë detit
së koti u ndamë paksa zëmëruar,
dhe jo për thellësitë, a gjërësitë e tij,
por për dallgët posht shkëmbit tërbuar.
Ti thoshe se dallga është dashuri,
përplasur, si shpirt’i trazuar,
Unë thoshja se dallga është urrejtje
në inate çmendurie ngarkuar…
…por s’kishin faj dallgët e detit,
as shkëmbi ku rrinim faj s’kish.
përse ne duhej të bëheshim dallgë
kur deti i qetë do të behej sërish?!
POST MORTUM
Për te kohë e përjetësisë
pelegrinë të rrugëtimit,
me ngjasinë e Jezuit,
pa të drejtën e rikthimit…
…me paslënien e çuditëshme,
të gurvarrit përmbi krye,
vëtëmashtrim i qënies mbetur
e shpirt ikur nëpë yje…
…thellë tokës trupi tretur,
shpirti ikur lart si era,
ndarë në dy qënia e jonë:
poshtë mëkati, lart vlera.
RRETH RROTULLIM
Nisur për në rrugën e njohur,
për nga kish, a nuk kish shpresë,
në kërkim të jetës tjetër,
por dhe andej nga mund të vdes.
Përmbi ankthe e përmbi ngulme,
shkelur këmba e lënduar,
nën hënën e zbehtë të ditës
e të natës diell munguar…
…rrugë, rrugë e vetëm rrugë,
për pas tyre asgjë tjetër,
në fundnisje mbetur shpresa
për një kthim në nisjen e vjetër…
GURI I SIZIFIT
I rëndë Guri i Sizifit,
në filozofinë e qënësisë:
përmbi kryet e ç’do varri
si shënjë e vazhdimësisë…
NENA E EMIGRANTIT
Ka trazirën e Poseidonit,
ndrydhur në gjoksin thatimë,
pa një valë e pa një dallgë
dalë jasht me psherëtim.