Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


BDSH: Reagim me rastin e dënimeve të reja me burg të përjetshëm!

| E diele, 02.05.2010, 09:57 PM |


Reagim me rastin e dënimeve të reja me burg të përjetshëm!

 

Maqedonisë, si Burg kolektiv i shqiptarëve, Gruevski dëshiron t’i jep përmasa të përjetshme!

 

Dy ditë pas deklaratës së përbashkët të Misioneve të BE-së, të NATO-s, të OSBE-së dhe SHBA-ve në Shkup dhe kërkesës së qartë që “të gjitha palët të dyfishojnë përkushtimin e tyre ndaj harmonisë ndër-etnike dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të shkaktojë tensione” Nikolla Gruevski i hedh benzinë zjarrit.

 

Në vend të mbështetjes së kësaj deklarate dhe angazhimeve konkrete për uljen e tensioneve Xhelati i Ri i Ballkanit, Nikolla Gruevski, rriti shkallën e provokimeve antishqiptare.

Pas trumbetimit disa javësh për domosdoshmërinë e reformimit të Gjyqësisë në Maqedoni dhe pranimit publik se kjo gjyqësi ka qenë dhe është nën ndikimin e partive politike, ai ndërpreu procedurën për ndryshimin e Kushtetutës në këtë fushë.

 

Në vend të amnistisë dhe uljes së tensioneve dhe revoltës së shkaktuar nga kjo logjike e diktatit politik mbi gjyqësinë dhe lirimit të menjëhershëm të të gjithë të dënuarve në këto procese, ai urdhëroi Gjykatën e Shkupit që të dënojë edhe tre shqiptarë me burg të përjetshëm.

Dënimi i Rexhail Qerimit, Agim Islamit dhe Almir Dërlanit me burgim të përjetshëm dëshmon për vendosmërinë e institucioneve shtetërore të Maqedonisë që t’i japin flakë marrëdhënieve ndëretnike në këtë shtet.

 

Me veprimet e pareshtura antishqiptare autoritetet e Shkupit dërgojnë mesazhe luftënxitëse.

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar ngre zërin kundër hipokrizisë që nën arsyetimin e mospërzierjes në punët e gjyqësisë i len duart e lira njërës palë që të aplikojë padrejtësitë më të mëdha që ndonjëherë shqiptarët kanë përjetuar në trojet e veta.

 

Ka kohë që Maqedonia është shndërruar në burg kolektiv për shqiptarët. Nikolla Gruevski përpiqet që këtij burgu t’i jep përmasa të përjetshme.

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon nga Misionet e BE-së, të NATO-s, të OSBE-së dhe SHBA-ve në Shkup që tua përcjellin institucioneve që i përfaqësojë brengosjen tonë të thellë për angazhimet e pandërprera të qeverisë aktuale në nxitjen e një lufte të re në Maqedoni.

Kërkojmë që politika preventive e institucioneve demokratike ndërkombëtare  të dëshmojë efikasitetin e vet dhe të ndal tragjedinë e re që po gatuhet kundër popullsisë së pafajshme civile.

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar

30 prill 2010