Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Plot 65 vjet që qeveria komuniste shqiptare.., thotë: Mirë u pafshim… Evropë…!

| E shtune, 01.05.2010, 10:00 PM |


PLOT 65 VJET

QË QEVERIA KOMUNISTE SHQIPTARE.., THOTË: “MIRË U PAFSHIM… EVROPË..!”

 

Nga Fritz RADOVANI

 

            Ishin ditët e para të Janarit të ftohtë të vitit 1945, kur krimineli i Luftës së Spanjës, Mehmet Shehu, i ardhun në Shkoder me spaleta gjenerali komunist, i asht drejtue Kuvendit Françeskan të Gjuhadolit, pak ditë mbas vizitës po aty të terroristit njohtun Sheuqet Peçi. Vizitojnë gjimnazin “Illyricum”, u flasin me shumë “dashamirsi” studentave dhe kalojnë edhe ndër ambjentet tjera aty si, në muze, bibliotekë, etj. Pak minuta vizitojnë edhe zyren e Provinçialit Fretenve At Mati Prennushit, ku, shprehin mendimet e tyne “për një shkëputje të mundshme të Klerit Katolik Shqiptar nga Papa i Romës Piu XII dhe Vatikani..!”. Sigurisht aty marrin edhe përgjigjen e Provinçialit Prennushi me vete, për me ia dergue korrierit qeverisë jugosllave dhe “mikut” Titos, Enver Hoxhës, që: “I ban të ditun se me ateista e komunista Kleri nuk gjenë asgja të përbashkët dhe, në lidhje me rrugën  e veprimëve me Vatikanin, gjithshka asht e përcaktueme në mënyrë të pandryshueshme. Sesi me veprue me Papën nuk ndryshohet prej nesh, ate e ka në dorë Papa si me veprue me ne. Ndryshimet i ban vetëm Ai.” (At K. Gjolaj OFM. Në librin “Çinarët” fq. 74. Shkoder 1996.)

            Ndër ato ditë u shpall “shtetrrethimi” i Shkodres dhe urdhni i dorëzimit të armëve, ku, me këte rasë u zblue edhe fëtyra e gjaksorit kriminel M. Shehu dhe, kryesisht në Malësi të Veriut, kur Atdhetari Prekë Cali, priti me armë në dorë trathtarët e Atdheut të shitun tek Jugosllavia komuniste. Arrestimi i  dy klerikve At Gegë Lumës dhe At Dioniz Makës, në gjysmën e Janarit nxori në shesh hipokrizinë e vizitorve të paskrupull në Kuvendin e Fretenve të Shkodres.

            Sigurimi i shtetit komunist kryesohej në Shkoder nga Ndrekë Nallbani, i cili vendqendrimin e kishte kryesisht në shtëpinë e Vuksanve tek Dugajt’ e Reja. Aty, kryesisht përshkohej rrjeti informativ i krijuem gjatë luftës, i cili e kishte tregue vetën që ditët e para, kur Qamil Gavoçi kishte shprazë “armët trofe” mbi kokat e “trathtarve” përballë Bashkisë së qytetit. Pra, terrori kishte fillue…

            Shumë shpejtë, mbas pushkatimeve të para mbas vorrezave të Rëmajit, nga Tirana komuniste njoftohet nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë Mihajl Prifti, i cili, me shkresen nr. 5 dt. 12 Prill 1945, “mbi vendimin e shtetizimit të të gjitha shkollave private në Shqipëri”, ven në dijeni kryetarin e komitetit ekzekutiv të Shkodres Riza Danin, “se shkollat fetare do të mbyllën”…dhe, kjo “reformë” fillonte me shkollë të Motrave Stigmatine, Servite dhe vazhdonte me të tjerat…deri tek seminaret e Fretenve dhe Jezuitve.

            Rreth vitëve ’70, zonja e Nderueme e mikut tem Pavli Gushi, nga Jugu, që, kishte përfundue shkollën në Shkoder, para vitit 1944, më shpjegonte: “Kur mora vesh mbylljen e shkollës së Motrave Stigmatine në Shkoder, ku, unë gocë e re nga Jugu kisha studjuar, i pata thënë një kushriri komunist se, fëtyrën e ateistëve ju e kishit zbuluar me kohë, po, me veprimin e kryer ndaj shkollës murgeshave në Shkoder, ju i kini treguar gjithë Shqipërisë se jeni kundër edukimit Atdhetar dhe atij moral që i bënte gocave të gjithë Shqipërisë, ajo shkollë e nderuar…”.

            At Çiprian Nika, Rektor i Fretenve të Shkodres, shkoi me u interesue në Tiranë, për këte vendim të qeverisë, por nuk pat asnjë rezultat pozitiv. Posa erdhi në Shkoder, njoftoi edhe Drejtorin e shkollës At Donat Kurtin, i cili, menjëherë mori masen e zhdukjes së vulës metalike të shkollës Françeskane, tue e thye copë copë me çekiç publikisht në oborrin e shkollës në prani të nxanësve, për “mos me lejue lëshimin e dokumentave false mbas mbylljes së shkollës”.

            Bahen përpjekje për shkëputje nga Vatikani edhe në kryeqytetin Tirana, me Imz. Vinçenc Prennushin, Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës, Don Shtjefën Kurtin e At Pjetër Mëshkallën S.J., por, pa sukses…edhe pse “premtimet” ishin të mëdha, por asnjeni nuk i besoj fjalës komunistave nëpërmjet gojës Tuk Jakovës.

            Me datën 5 Maji 1945, mbas pak ditësh që Imz. Leone G. B. De Nigris, Delegat Apostolik i Vatikanit në Shqipni, që nga viti 1938, posa arriti në Tiranë, u njoftue se, “Qeveria shqiptare, nuk e lejon me qendrue në Shqipni si ‘persona non grata”, (vendimi ka dt. 24 Prill 1945) pra, do të këthehej nga ka ardhë pa shkue as në Shkoder. Ai menjëherë njoftoi Argjipeshkvin e Shkodres Imz. Gaspër Thaçin, i cili, në pamundësi shëndetsore për me udhtue, posa mori njoftimin e Delegatit dergoi në Tiranë sekretarin e vet, kancelarin Don Mark Hasi.

            Imz. De Nigris i la porosi Don Markut, që detyrën e Tij do ta vazhdonte në Shqipni Imzot Frano Gjini, Abat i Mirditës, tue u quejtë Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, pra, kjo detyrë e lartë Ju caktue në rrethanat e krijueme të parit Ipeshkëv shqiptar në historinë e Kishës Katolike Shqiptare dhe, me datën 20  Nandor 1945, i vjen emnimi zyrtar nga Vatikani, nëpërmjet të ambasadës italiane në Tiranë, e cila, dokumentin ia dorëzon At Giovani Faustit SJ, që e përcjellë për Shkoder. Qeveria shqiptare nuk njeh as detyrën as zyrën e Regjentit në Shqipni.

            Imzot Gjini asht ndër të parët që kuptoi kjartë qëndrimin e Amerikës, Anglisë dhe Italisë. Ai posa u emnue zyrtarisht në detyren ë re si Delegat i Vatikanit, kërkoi të paraqitej tek Enver Hoxha, aso kohe kryetar i qeverisë së Tiranës, por kërkesa e tij nuk u pranue. Kishe me thanë se Imzot Gjinin nuk e kishte marrë malli me pa surratin e Enver Hoxhës, por sidukët donte me matë pulsin e tij për të ardhmën. Ai kishte qëllim me këtë kërkesë që të bisedonte për mbylljen e shkollave, për lirinë e fjalës dhe të shtypit, si dhe për disa masa ekonomike që qeveria kishte ndërmarrë kundrejt Kishës Katolike. Gjithmonë masat ekonomike në sistemin komunist paralajmërojnë masat politike. Kryesisht takimi u kërkue nga Imzot Gjini, se Ai nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vëprimeve zyrtare që po kryente qeveria komuniste kundër Klerit, inteligjencës dhe katolikëve në veçansi. Në këtë takim Imzot Gjini kërkonte edhe praninë e Imzot Vinçenc Prennushit, si Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës, Imzot Gjergj Volaj, At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Ishte mueji  dhetor 1945 kur u ba kërkesa zyrtare për takim, por nuk u realizue se gjoja sa kishin përfundue zgjedhjet e dhetorit. Në muejn mars të 1946-ës, në qelën e Tiranës që administronte Don Shtjefën Kurti, u mblodhën edhe njëherë të gjithë personat e sipërpërmendun ku, përveç, tyne ishte Don Shtjefni dhe At Meshkalla. Aty u vendos që t’i shkruhet një letër qeverisë dhe t’i dorëzohej nga Don Shtjefni. Letra u përpilue nga At Meshkalla me sugjerimet dhe pëlqimin e të gjithëve që ndodheshin aty, mbasi ata përfaqësonin vullnetin e klerit në përgjithësi. Një kopje u vëndos t’i jepet Misionit Anglez ose Amerikan, për dijeni nga ana e tyne si dhe me vue në dijeni Vatikanin, mbasi përfundimisht ishin ndërpre korrespondencat nga Shqipnia. Dërgimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qëllim që të vehej në dijeni Selia Shenjte se Kleri Katolik Shqiptar nuk i ndërpret lidhjet me Té, dhe, se, kjo çështje asht vetëm kërkesë kambëngulëse e qeverisë komuniste të Tiranës, e kryesueme nga E. Hoxha. Letra nuk u dërgue me dorë. Një jezuit italian mori përsipër me i shpjegue Vatikanit gojarisht përmbajtjën e letrës, si dhe kërkesën e Imzot Gjinit për zëvendsimin e tij, mbasi Ai nuk njihët nga qeveria e Tiranës. Flitët, se letrat deri vonë i ka pasë të ruejtuna Don Lec Sahatçija që kryente edhe punën e sekretarit të Imzot Gjinit, por e vërteta nuk dihet se ku kanë përfundue ato letra. Asht edhe një mendim tjetër se mund të jenë zhdukë me vdekjen e Don Mark Xhanit, në hetuesi, tue mos pasë ma mundësi me u dijtë ku mund të jenë mëshehë prej tij. Letra asht shkrue mbasi e pranon edhe At Meshkalla, por fatin e saj nuk e di as ai. Takimin me Misionet e hueja e mori përsipër Imzot Vinçenc Prennushi, i cili u takue me z. Hudgson në Misionin Anglez dhe i paraqiti me gojë përmbajtjën e letrës me prezencën e Don Shtjefën Kurtit, i cili fliste shumë mirë frengjishtën. Z. Hudgson u tregue shumë pesimist mbasi sidukët ishte koha kur marrëdhanjët e qeverisë sonë me anglezët ishin ftohë, të paktën në dukje. Kam përshtypjen, se, klerikët komunikonin me të huejt vetëm gojarisht mbasi nuk duhet ti kenë besue as atyne, me dhanë e me marrë letra, gjithmonë një dishka me rrezik.

            Në vitin 1946 Imzot Gjini, bante edhe ndonjë rrugë nga Mirdita, mbasi nuk kishte mundësi zëvendsimi me ipeshkëv tjetër në atë zonë. Sigurisht, Ai atje kishte kalue kohë të gjatë ndër ata male. Koha ishte shumë e vështirë në të gjitha anët. Malët ishin mbushë me të arratisun që nuk e pushonin përpjekjen për liri nga komunistët nën drejtimin e Mark Gjomarkut. I vëllai i Markut, Lleshi (edhe ky, oficer akademist në mal), që thirrej Lleshi i zi, i ban një kërkesë Imzot Gjinit tue i krijue mundësinë me u largue nga Shqipnia, me anën e një avioni anglez që sillte ndihma për çetat e malëve, mbasi ishte hapë fjala se mund të arrestohej shpejt. Imzot Frano Gjini, iu përgjigjë: “Unë edhe po iku, po kujt t’ia la besimtarët e Sh’ Lleshdrit? - Kjo punë nuk bahet kurrë prej meje!”. Sigurisht, kjo temë nuk u hap ma ndërmjet tyne.

            Përgjigja e shkurtë, e shpejt dhe e saktë tregon shpirtin e klerikut të vërtetë që asht gati me u flijue, por, jo, me lanë popullin pa drejtues të fesë në atë kohë aq të mnerëshme. Kështu vepruen edhe shumë priftën të tjerë që edhe ata nuk u arratisën, por pranuen Kalvarin e pafund edhe pse e dinin mirë fundin...

Dosja nr. 1302/II - A, viti 1948, Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, asht dokumenti ma i saktë që tregon se kush ishte Ky, Imzot Frano Pjetër Gjini? Pse u zgjodh Regjent’i Delegacionit Apostolik në Shqipni? Çfarë qëndrimit mbajti në torturar e mnershme që provoi për 16 muej mbi trupin e Tij? Cili ishte faji i Tij? Kush e akuzoi dhe pse? Cila ishte arsyeja që e pushkatoi terroristi kriminel E. Hoxha? Dhe, do të bindeni se arsyeja e vetme asht kjo:

Imz. Frano Gjini ishte Atdhetar i vendosun Shqiptar, ishte klerik Katolik me pikëpamje demokratike evropjane Përendimore. Ishte i pafajshem politikisht dhe moralisht në të gjitha drejtimet. Ai ishte Regjent i Delegacionit Apostolik, dhe asht Ai që nuk pranoi me u ba agjent i komunistave, tue shpallë botnisht se: “Kisha Katolike Shqiptare nuk shkëputët asnjëherë nga Papa as nga Vatikani. Ajo nuk lidhet me Kishën e Lindjes komuniste ortodokse dhe as me shtetet që kanë pikëpamje shoveniste, sllave e aziatike në dam të Atdheut dhe Popullit Shqiptar.” Ai për Idealin e lartë “Atdhe, Fe, Përparim” asht gati me u flijue!

Vatikani në të gjitha kohët asht kenë dhe vazhdon me kenë lidhja e jonë e pazgjidhshme me pikëpamjet Përparimtare të Evropës Përendimore.

Të gjithë këta klerikë që punuen për Shqipninë Evropjane, deri në vitin 1951, u arrestuen, torturuen dhe u pushkatuen ose vdiqen ndër burgje...shumë pak arritën me mbijetue mbas 20 ose 25 vjetve burgje e vuejtje ndër kampe. Po këte fat pësuen edhe klerikët, Bektashinjë, Ortodoks dhe Sunit, të cilët, guxuen me shfaqë pikëpamjet e tyne Evropjano Përendimore ose pro Katolike Shqiptare.

Qeveria komuniste shqiptare e drejtueme nga fanatiku anadollak E. Hoxha jo vetëm kishte piksynimet e saja për shkëputje nga Evropa Përendimore, që asht kenë dhe vazhdon me mbasardhësit e saj me kenë edhe sot, po, me mentalitet anadollak, por për fatin e keq të Popullit Shqiptar, politika e qeveritarve tonë, në të gjitha kohët, pra, politika e kolltukut tyne asht përputhë plotsisht me interesat e flliqta të shteteve fqinjë, të cilat, gjithnjë kanë pasë qellime shoveniste grabitçare me shvatë Tokat e Trojeve tona, edhe pse pjesa ma e madhe e ma e mira e Shqipnisë asht edhe sot jashta kufinjve tonë shtetnor nën sundimin e tyne.

Ishte data 2 Dhetor 1992. Nuk e kishe fare idenë e “Konferencës Islamike” dhe, për këte shkova e pyeta At Giakomo Gardin, jezuit italian në Shkoder. Unë i tregova se radio “Tirana” ka njoftue që Shqipnia ka hy në Konferencën Islamike, madje, edhe dokumentin e ka nënshkrue ministri i ynë i jashtëm “heqim” Alfred Serreqi. Ai nuk u habit aspak, vetëm, më tha këto fjalë: “Ma në fund mbas 68 vjetësh, ia mërrijtën qëllimit”.... Kishte ardhë radha me u çuditë unë dhe jo ai. Unë i habitun nga shifra 68 vjet, e pyeta: “Shka ka lidhje kjo shifër 68 vjet e, jo, as 70 e as 66... me lajmin e mbramshëm?”... Atëherë, Ai më shpjegoi: “Mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu, ka pas thirrë Delegatin Apostolik, që atëherë ishte në Shkodër dhe i ka pas kërkue se shka mendon Vatikani për lidhjet me ne, në kjoftë se na mund të hyjmë në Konferencën Islamike, mbas një kërkese që i ishte ba nga ana e tyne ato ditë? Delegati tue u ndodhë para një kërkese të papritun prej Mbretit i kishte kërkue dy javë kohë, sa me shkue deri në Vatikan dhe me sjellë mendimin e tyne për këtë punë. Mbreti asht kenë dakord. Delegati ka shkue tek Papa Piu XI, dhe i ka tregue kërkesën e Mbretit. Papa i asht përgjigjë Mbretit nëpërmjet të Delegatit, me këto fjalë: “Në kjoftë se doni me ruejtë edhe atë pak Shqipni që ka mbetë, ju nuk duhet të angazhoheni me vendët e Lindjës. Na gjithmonë kemi thanë se Shqipnia asht vend Evropian. Ju, mund të veproni si të doni. Ky asht mendimi i jonë!”. Delegati asht këthye në Shqipni dhe i ka tregue Mbretit përgjigjën e Papës. Zogu asht kenë i squtë dhe s’  ka hy në asnjë lidhje me shtetët e Lindjës”.

Mesa shoh e lexoj, shpesh mendoj me vete: “Pse qeveritarët Shqiptarë me kenë kaq armiq të Popullit të vet dhe t’ Atij Atdheu që, nuk besoj të ketë një pëllambë tokë të pa lame me Gjakun e Atdhetarve të vet..!?

Shqipnia asht Tokë Evropjane dhe i përket Asaj e, vetëm, Asaj!

Populli Shqiptar do të rrnojë vetëm në gjiun e Evropës Përparimtare!”

Melbourne, Maji 2010.