| E diele, 25.04.2010, 09:56 PM |
Enver Sulaj u lind më 4 maj 1970 në fshatin Malësi e Re të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren, ndërsa studimet universitare në Degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i kreu në Universitetin e Prishtinës. Është gazetar dhe profesor i gjuhës shqipe dhe i letërsisë. Deri më tani ka botuar librin me poezi “Nyjë në ujë”, Rilindja, Prishtinë, 1997. Përveç me poezi, ai merret edhe me gazetari. Krahas krijimtarisë letrare dhe gazetarisë, që nga viti 1994 ai është angazhuar në procesin edukativo- arsimor.
Nga libri “Nyjë në ujë”, Rilindja, Prishtinë, 1997
DIKUSH IA VODHI EMRIN LUMIT
në krahët e fluturës
s’shkon më larg se vetja
kënga s’mbaron për një ditë
ç’fat për ata gurë
të rrinë në kalanë e qumështit
këmbën hidhe pastaj ku të duash
me peshë sa fija e flokut
mos u kthe shko me fluturën
dikush ia vodhi emrin lumit
Korrik, 2006
QELESHJA E KULLËS
Nën hijen e malit të Nënshejtit hëngra ca kumbulla të verdha
në lugje druri rridhte uji i ftohtë si akulli i pranverës
Lava sytë dhe pashë lart në mal kurorën e lavdisë
Pastaj eca me miq shtigjeve të gjata të panjohura
Thirra emra të njohur jehona çante rrugën drejt kullës
Gurët ishin në vend, murana na shtroi sofrën
Miku në krye të vendit shpalosi historinë e gjakut të tij
Rrethi ishte i vogël legjendat prekin tokën dhe zemrën e secilit
Blici i fotoaparatit na zgjoi nga transi na kthjelloi së përgjumuri
Dikush tha po largohemi
S’kishte mbetur gjë në këmbë
Shiu na freskoi lëkurën e zhuritur për një këngë majëkrahu
Do të kthehemi sërish, tha një tjetër për t’i vënë qeleshen kullës
Dimër bëhet sërish por bora ikën shpejt nga çatia
Rruga kalonte përmes legjendash
Anash mbeti abacia
Orosh, Mirditë, gusht 2006
PA ASNJË SHËMBËLLIM
valë, valë në qetësi hyjnore
thyhet syprina e liqenit të vakët
në këtë buzëmbrëmje vjeshte
rrathët e ujit hapen e ikin tutje
pa lënë gjurmë në sipërfaqe
që s’ka shëmbëllim
në kreaturat tmerruese neveritëse anemike
pasi ka bërë rrugën e gjatë të heshtjes
ikën pa shikuar mbrapa s’i vë veshin lotit
që e tradhtoi
vala ikën qetë-qetë
e shkrihet në gjirin që i dha jetë
16 shtator 2007
(Poezi të papublikuara)
PORTRETI I JETËS
Yjet u vonuan sonte-
nata shumëzohet pa mbarim,
ëndrrat harruan rrugën
e nëpër pluhur bredhin lotët-
i bëjnë portretin jetës.
NYJË NË UJË
Nyja në ujë
s’është si ajo e Gordiut
As fati s’është grua...
Nuk e di kush ka të drejtë-
ndoshta Makiaveli,
ndoshta...
NISU DREJT GOLGOTËS
Nëse gjarpri ta ka vjedhur
barin magjik të pavdekësisë
e vajtimi i Gilgameshit
ta këput shpirtin,
ti fillo një këngë majekrahu
dhe vazhdimisht kërko shëlbim
nisu drejt Golgotës
atje nuk të shpie veç rruga e vdekjes
A KA DHEMBJA KUFI
Me diell e hënë në kokë
numëroj fijet e barit të pashkelur
aty ku dhembja ime
lufton me vdekjen...
Të falem, o Zot,
që dhembjes m'i dhe jetë!