| E premte, 23.04.2010, 09:12 PM |
Ilir Sefaj u lind më 30.12.1982 në Novosellë të Pejës.
Shkollën fillore, të mesmen dhe Fakultetin e letërsisë dhe të gjuhës shqipe i mbaroi në Prishtinë. Aktualisht ndjek studimet posdiplomike në Universitetin e Prishtinës po ashtu në degën e letërsisë shqipe. Një kohë ka punuar si lektor në të përjavshmen “Focus” si dhe në të përditshmen “Iliriapost”. Disa nga shkrimet e tij janë publikuar edhe në gjuhën serbe.
I FLAS QIELLIT
Të lutem Ty...
Qiell i errët
Sonte me shpirt të përgjërohem
Merr me vete vuajtjet e mija
M’i kthe prapë në tjetër ditë
Se në vuajtje rritem unë
Pastaj një natë me yje shumë
Më merr të tërin mua
Mos më kthe me të gdhirë
Se në varr do prehem mirë
ASAJ
Ta fala krenarinë ty lavire-hyjneshë
Më dhé gjithçka, kurrë qetësinë
Për mua ishe perëndeshë
Ti që vrave dashurinë
Ta drodha flokun ta fshiva lotin
Në ty e shihja të tërë globin
Tash për ditë po dergjem vetë
Një ditë do të shohë të vetëm rrugëve
Se jetën rrugë dhe mua ma bëre
Të dy do jetojmë të njëjtën jetë
Ti në ferr unë në skëterrë
ÇAST
Nëse nesër të takoj
Nuk je më Ajo
Nuk jam më Ai
Jemi ata si të gjithë të tjerët
Pastaj...
Cilit do i vije ndërmend
Se koha kishte thurur ecejaket
Ato nuk i kurdisem ne
Me kohën ikën edhe ëndrrat
Dhe nuk jemi si dikur
Jo jo...
Nuk je më Ajo
Nuk jam më Ai
Jemi ata si të gjithë të tjerët...
KUJTOJ
Më thatë hesht
Heshta
Ju pengoi heshtja
Më thatë fol
Fola
Ju pengoi fjala
Edhe kur hesht
Edhe kur flas
Ju pengoj...
Ngase edhe heshtja edhe fjala
Kanë një emër
Liri