Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Shfaqje e filmit “Requiem for Kosova” në Manhattan

| E marte, 20.04.2010, 09:54 PM |


Shfaqje e filmit “Requiem for Kosova” në Manhattan

 

Nga Këze Kozeta Zylo

 

Artistë, shkrimtarë dhe artdashës u mblodhën së bashku në Manhattan në “Producers Club Theatre”, të ftuar nga regjisori Dhimitër Ismailaj dhe “Dyrrachium Production” për të parë si shfaqje private filmin “Requiem for Kosova”.

Regjisori i filmit  “Requiem for Kosova” është Dhimitër Ismailaj i cili kishte kohë që kishte dërguar ftesat për të parë shfaqjen e parë private të këtij filmi. 

Në mjediset e teatrit ku u shfaq filmi, artdashësit e shumtë prisnin me emocion filmin, që vetë titulli i tij ta krijonte pakuptuar këtë drithërimë, nga se ishte fjala në memorje të Kosovës.

Muzika e trishtueshme dhe pamjet e ndryshme në ekran krijonin efekte emocionale tek artdashësit.  Filmi “Requiem për Kosovën” ka një subjekt sa të trishtë aq dhe real, është një histori e bazuar në ngjarjet e ndryshme të Kosovës së pasluftës.

Alarmi i dhënë herë pas here nga mediat e ndryshme të vendit dhe botërore për trafikim organesh, nuk kish se si të mos ngacmonte muzën e regjisorit Dhimiter Ismailaj. 

Personazhi kryesor i këtij filmi është Fatmira, vajza bukuroshe me sy blu si dy copëza qielli, dhe që në memorjen e saj dhe në veprimet endet përralla nga folklori shqiptar se një ditë ajo si një Zanë shpreson se do të bashkohet me nënën e saj, e cila ka vdekur nga tmerret dhe genocidi serb. 

            Përsëritja e herëpashershme në gojën e vogëlushes se nëna e saj është një Zanë mali, dhe se ajo deshiron të jetë nje Zanë si nëna e saj, të jepnin dhimbje në shpirt për dramën e Kosovës, për fëmijët jetimë që “presin” t’i marrin në gjirin e tyre Zanat Shqiptare, hyjneshat shpirtërore.

Por edhe pse Kosova e fitoi Pavarësinë, problemet e shumta, dhuna e heshtur, trafikimi i organeve jane probleme që janë ulur këmbëkryq, por që artistikisht dhe me vërtetësi jepeshin në këtë film me subjekt tragjik.

Subjekti të mbante nën tension, vecanërisht kur para ekranit shihnim artiste qe luanin rolin e zyrtarëve të lartë botërorë apo vendas te cilet ishin  përfshirë në mafien e trafikimit të organeve njerëzore dhe në ditën me diell vjedhin dhe pasurohen me këto punë kriminale antinjerëzore.

Ndërsa të gjithë ishim të fokusuar tek subjekti I filmit me personazh vogëlushen viktimë prej Kosove, Fatmirën, që e quante nënën e saj Zanë si në përrallë, më silleshin ndërmend fjalët e Zanave në rapsoditë kreshnike se: kur plagosej apo vritej ndonjë, Zana menjëherë fillonte vajin si nëna për të birin.  Lotët e tyre dilin nga fuqia e tyre e shpirtit dhe kërkonin për këtë gjëmë që: “ Malet e Decicit i qofsha true, të dahet katrash e kjoje me mue”!

Filmi i shfaqur privatisht u mirëprit me duartrokitje nga artdashësit. 

Pas shfaqjes së filmit artistë dhe personalitete të njohura shqiptaro-amerikane si Elza Zagreda, Entela Barci, Uk Lushi, Nick Markola, Blerta Alikaj, Merita Shkupi, Sali Bollati, Ilir Kasneci etj…, dhanë mendime të ndryshme rreth filmit dhe më pas falënderuan regjisorin Dhimiter Ismailaj dhe bashkëpunëtorët e filmit te cilet jane: Wolf Den drejtor i fotografisë, Laura Weinberg, Montazhiere, John Califra për muzikën, dhe Eric Strausser për dezanjin dhe miksimin e zërit.

Regjsori Ismailaj iu përgjigj me modesti dhe kulturë pyetjeve të ndryshme të artdashësve që morën pjesë në këtë shfaqje private të filmit “Requiem for Kosova”.

 

Pak fjalë për regjisorin Dhimitër Ismailaj

 

Dhimitër Ismailaj është artist shqiptaro-amerikan që ka emigruar në vitin 1999 dhe ka shfaqur deri tani gjashtë filma me metrazh të shkurtër si:

“Mira”, “Une do të kthehem”, “Kjo mund të ndodhë”, “Patate e komunizmit”, “89 cent” dhe “Requiem for Kosova”.

Z.Ismailaj është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Ai ka mbaruar studimet në degën e regjisurës në “New School University” dhe për skenarist në NYU.  Me filmat e tij të shkurtër ai operon bukur dhe artistikisht dhe po sjellë si pranë nesh ne Diaspore ashtu dhe pranë të huajve, botën shqiptare.

Ai ka krijuar një përvojë të pasur profesionale si në regjisurë, skenarë filmash, fotografi, kamera etj,…

 

Prill, 2010

Manhattan, New York

 

Botoi gazeta “Illyria” NO.1941