| E diele, 18.04.2010, 07:44 PM |
Erotika në poezinë shqipe
DJALI BILBIL E VASHA TRANDOFILE
Dashuria gjithmonë ka qenë subjekt lirik i poeteve të të gjitha gjeneratave dhe kohërave. I kanë kënduar asaj në forma e mënyra të ndryshme, duke filluar nga përshkrimi i bukurisë se vashës,përjetimet e të dashuruarve e gjer ke brengat që sjellë ajo në shpirtin e trazuar të të rinjve. Duke shkruar për këtë temë poetët kanë dhenë edhe mendimet e tyre për këtë dukuri. Në këtë vazhdë duhet shikuar edhe poezitë për dashurinë të poetit tonë të madh, Naim Frashëri.
Ai shkroi disa poezi me këtë motiv, por ne u përcaktuam për disa vargje të poezisë se tij “Bukuria”, në të cilën Naimi i këndon dashurisë se zjarrtë që e bën atë të vuaj nga kjo sëmundje. “Motivi erotik është trajtuar në një cikël të tërë vjershash me titullin e përbashkët "Bukuria". Lirikën e dashurisë e kishin lëvruar edhe bejtexhinjtë, por Naimi e ngriti në një nivel artistik të ri. Shpesh përcolli edhe koncepte etike e filozofike. Poeti i këndoi bukurisë së vashës, para së cilës mrekullohet edhe në të zbulon një pjesë të bukurisë universale. Ai e koncepton atë si shfaqje të përsosmërisë njerëzore, të harmonisë dhe bukurisë hyjnore. Ndihet në to edhe ndikim i poezisë orientale. Heroi lirik të kujton bilbilin, kurse vajza e dashur trëndafilin, figura konvencionale të asaj poezie. Ndjenja e poetit është platonike, abstrakte, dhe nuk ka atë shfaqje konkrete si në lirikën popullore ose më vonë si në poezinë e Çajupit. Si romantik, Naimi këndoi më shumë vuajtjet që sjell dashuria, sesa gëzimet e saj. Në këto ndjenja, zbulohet një zemër shumë e ndjeshme dhe mbi të gjitha, shumë njerëzore. Dashuria për poetin është gjithmonë një ndjenjë e lartë, fisnike dhe e pastër”. Këto e bëjnë Naimin poet që nuk i këndoi vetëm bukurisë se vendit, nuk i këndoi vetëm heroit kombëtar Skënderbeut apo edhe atij bektashian, por edhe bukurisë së femrës si qenie njerëzore në të njëjtën kohë edhe si krijesë që shton kombin. Andaj poezia e tij lexohet edhe sot e kësaj dite si krijimtari që u bëri ballë rrebesheve të historisë.
Naim Frashëri
BUKURIJA
(Fragment)
Do të shtrihem
Të venitem
Si kandili kur s’ka vaj
Balt’ e pluhur
Do të bëhem
Të më shkelnjë këmb’ e saj:
E të prehem
Duke puthur
Atë këmbë pasandaj.
As më thua
Ç’ke me mua?
Pse të dua paskam faj?
Pse heq unë
Hidhërime,
A në vdeksha, ti mos qaj!
Vdekja ime,
S’të prish punë.
Haj, e zeza jetë,haj!
O veri pa hiq i thua
Sorkadhësë qafë-gjatë:
Më ka thënë pyllë mua
S’ mblidhem dot as dit’ as natë!
Pyete vallë përse,
Pastaj jak’ e më rrëfe.
Bukuroshe! Sy-mëshqerrë!
Shikom një herë mua,
Tramdafil’ i kuq me erë!
E di vallë sa të dua?
E mora vdekjen në sy
Do të vdes,të vdes për ty.
E përgatiti Ali. D.Jasiqi