| E diele, 18.04.2010, 05:59 PM |
Miqtë e mi! Sot më ranë në dorë tre libra të dërguar posaçërisht për mua nga Kosova.
Librat udhëtuan, fluturuan dhe u ulën në aerodromin e miqësisë në greqi sot para dite.
Ato janë tre shporta artistike të shkrimtare dhe poetes Albina Idrizi.
Në këtë shportë, mora, një roman, një libër me poezi dhe një me poezi për fëmijë.
Pra miqësia nuk ka më kufij, Albinën e kam njohur para një muaji në faqet e fb - së.
Të them të drejtën u mrekullova edhe nga dhurata edhe nga vlerat që ato kanë brënda.
Duke mos e mbajtur dot kënaqësinë dhe ndjenjën e mirësisë së saj po e falënderoj përpara jush.
Njëkohësisht zgjodha dhe tre poezi nga njëri libër për ta ndarë kënaqësinë dhe miqësinë edhe me Ju.
Faleminderit
PILO ZYBA
THELLË NË POEZI
E shoh, si hyj thellë e më thellë
në çdo poezi timen që vjen me radhë.
Fjalët vënë shtresa
vargu rëndohet me pak fjalë.
Dikur shihesha që në titull,
Njihesha nga larg me tu parë.
Më shumë shkruaja se thosha
urreja pikën në timin varg.
Sot, thuaj secila fjalë pikën kërkon
ende pa përfunduar unë, të gjitha i thonë.
METAMORFOZË
(idhulit të kohës)
Ti, nuk do ishe Zot pa besimin tim,
Të lindi, të dha jetë, i parreshturi psehi im.
Të ushqeu, lutja ime dëshirave të ndaluara,
Të rriti, vogëlsia ime lartësirave të munguara.
Prandaj, dëno veten për timen dobësi,
Mua, falma parajsën që ta dhashë ty.
DIKU TJETËR FLAS
Dhe nëse hesht
para teje ndonjë çast,
mos më mërr për të harruar,
diku tjetër unë flas
dhe nëse nga ti nuk jam dëgjuar,
me sy fëmije jetën thërras
me dashuri gruaje e mbaj zgjuar.
KONKURS POEZIE
Poezia ime
që ende i këndon emrit tim,
poezia ime
që ende i këndon tokës sime,
nuk u pëlqye
në një konkurs botëror poezie.
Fituan të tjera
poezi bulevardesh,
dashuriçkash e hashashesh.
Arti ka ecur,
është modernizuar,
ti ku je - u tallën,
je vonuar.