| E enjte, 15.04.2010, 09:57 PM |
Reshat Kripa
SHOKUT TIM
Kushtuar shokut tim të fëminisë dhe burgut Jorgo Beshos,
vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jetën bashkë e filluam, ende kur ishim fëmi,
Luanim bashkë sylla mbylla, kur s’na trazonte njeri.
S’kishim halle, s’kishim brenga, qeshnim, qanim dhe këndonim,
Zërat se ç’buçisnin fortë, botën donim të pushtonim.
Vitet rrodhën porsi lumë, porsi lumë prej kristali,
Ëndrrat tona djaloshare, askërkush më nuk i ndali,
Ëndërruam dhe luftuam, për lirinë e dëshëruar,
Së bashku me Myrtezanë, shokun tonë të paharruar.
Por përpara ish pantera, panterë e zezë mizore,
Që na grabiti rrëmbyshëm dhe na ndau nga jeta prore,
Na lëndoi, na sakatosi, na vërviti mes të ferrit,
Ku sundonin pa mëshirë, tre gojët e Luçiferrit.
Zemra jote shumë e fortë, zemra jote shumë e zjarrtë,
U ngrite kundër Zeusit, plot me flatra krah të artë,
Hape krahët fluturove, lart në qiellin e nxirë,
Dhe e ndale vrullin tënd, atje në botën e lirë.
Por Atroposi mizore, nuk të la që të gëzoje,
Të shkëlqeje, të tregoje, aftësitë arbërore,
Kur arrite majën malit, kur shpërtheve ti në jetë,
T’u pre fija jote jetës, u mbylle në varr të shkretë.
Ike me zemër të plasur, për atdhe dhe për liri,
Për ato kishe luftuar, me plot zjarr në Shqipëri.
Ike pa i patur pranë, familjen dhe shoqërinë,
Larg në botën e lirë, që të rrëmbeu rininë.
Jorgo, shoku yn i dashur, Jorgo, shoku yn i parë,
Përgjithmonë të kujtojmë, të kujtojmë ty me mall,
Unë bashkë me Myrtezanë, që të dy pleq të moshuar,
Shokun e rinisë kujtojmë, shokun tonë të paharruar..