Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Miri P. Dhrami: Jakopsi

| E enjte, 15.04.2010, 08:40 PM |


Miri P. Dhrami

 

JAKOPSI

 

        Ai nuk i përzgjidhte ditët, i shijonte të gjitha njëlloj, por të themi të drejtën e perëndisë, ato me diell i ngryste më mirë. Shtrihej pa siklet diku para post-telegrafit dhe hapte këmbët e holla si furkaçe, që ngrohtësia e diellit t’i depërtonte deri në zorrë. Në fund të fundit, le t’i dukeshin dhe herdhet e vogla tek pjesa pa qime e barkut. 

 

       Xhamat e postë-telegrafit e ngrohnin të lumin si serë, duke i kthyer mbi të edhe rrezet e mekura. Akoma asaj qosheje nuk i mungonin dhe disa bajga kali, qoftë a mushke, që e vaknin qenin nga poshtë, si stromë termale. Pak më tej, ngrihej këndi i emulacionit, për të cilin qeni nuk kish ndonjë interes të veçantë, por stenda, bashkë me qenin dhe bajgat, përbënin dekorin sfidant të qendrës së fshatit. Kështu, ngjyrat e përdala dhe erërat bajate, ftonin atypari një skotë mizash të paepura, që zukatnin me orë përsipër qenit të shtrirë. Dukej sikur i nanurisnin.          

 

      Nganjëherë, meqenëse qeni dremiste ato përfitonin nga rasti dhe i uleshin plot ethje tek pjesa pa qime e barkut, me shpresë të thithnin diçka. Por ai diç u thoshte, se shpesh hapte gojën nëpër gjumë, ndonëse ato nuk kishin qëllim të sprapseshin. Mos ndoshta u lutej ta gudulisnin tek herdhet, se pak nga to e pak nga dielli, për së shpejti ai do të ngridhej tërësisht.  

 

        Kështu mizat endeshin mbi të njëjtin rreth valleje, meqenëse dhe qeni nuk dëgjonte ta braktiste atë cep. Pranonte më  mirë bezdinë e tyre sesa të humbiste rrezet “azate,” që derdheshin të thukëta mbi tokë. Kështu, mes  gjithë asaj përllaposjeje që bënin rrezet nga lart, qe e pamundur të mos lëpinin pak dhe koqet e vogla të Jakopsit moskokëçarës, i cili ngrihej i beftë dhe i mblidhte ato, vetëm kur kalonte rrëmbimthi mu para tij, makina e punëtorëve të xhenios.

 

      Ajo kalonte një orë të caktuar aty rreth mbrëmjes, kundra udhës së diellit. Qëndronte pak në mes të fshatit sa të zbrisnin punëtorët dhe në çast bëhej  veri. Për një copë herë, punëtorët mbeteshin të zalisur sikur binin nga UFO, por  pluhuri i rrugës që rrufulloste kamioni tek humbte pas kthesës, i  detyronte të zinin ndonjë anë. Ky ishte një rast që Jakopsit i duhej të lehte, dhe e bënte. Hum, hum-ja e tij ishte një gërshetim  habie,  frike, inati por edhe rebelimi, që vetëm ai e shprehte hapur në ato vite. Kurse ne, për dumanin e pluhurit që na binte përsipër si shtrat bore, ose flisnim me vete, ose rrinim si pula. Jakopsi, mbas kësaj që ndodhte në pjacë, nuk shtrihej më. Sillej si i përçartur vërdallë qendrës, pa mundur të kuptonte nëse tronditja që pësonte çdo ditë në të njëjtën orë, kishte lidhje me ikjen e diellit. Thua vuante problemat e  galaktikës! Sidoqoftë, diç pësonte. Ai nuk mund të shtirej.

 

       Përveç këtij rasti, ishin dhe dy shkaqe të tjera që ai bëhej i papërmbajtshëm. I hipte gjaku në kokë kur ndeshte çobanët e gjorë, të veshur me petka, si dhe një ortakun e vet, “Lordin” e marinës. Në përgjithësi “Jakopsi,”nuk kish qejf të kacafytej me asnjë, por Lordin nuk e honepste hiç. E urrente sikur ta dinte që ai ushqehej me normë, ndërkohë që ky e mbushte barkun me çfarë të gjente. Ndaj Lordi kish dyfishin e peshës së Jakopsit, por “loja”nuk bëhej në fushën e tij dhe, sa herë i lehte barkshtypuri ynë, ai ia mbathte me bisht në shalë. Atëherë arrakati ynë, që  zakonisht nuk u bindej urdhrave për t’u hedhur në duel, frynte barkun me ajër, krekosej si mafioz, dhe i sulej si në ring. Dinte të shfrytëzonte epërsinë. Kurrë nuk do i sulej ndonjë qeni më të fortë. Na kish lënë me përshtypjen se ish lindur fitimtar. Po edhe ne e nderuam si “kryetrim.” Mbase këto veti i pëlqeu dhe i zoti, që e bëri kanakar, ndryshe ç’ta donte një qen mistrec!?     

 

      Veç nëse natën kur nuk e shikonte askush, qeni  shndërrohej në bishë, këtë unë nuk e di! Gjithsesi formën e kishte si qen. Sillej po me veshët dhe bishtin përpjetë, si qen. Lëpihej si qen. Madje, kish ndodhur në orët që e shikoje shtrirë dhe të humbur në botën e vet, papritur të kërcente duke lëshuar disa lehje të shpifura, që i shkonin për shtat vetëm llahtarës së ndonjë ëndrre. Pastaj, si ta ndjente se na provokonte humor, shtrihej përsëri pa lënë t’i ftohej krejt qoshja. 

 

    Po ç’ëndrra mund të bënte një qen rrugaç? që shtrihej sa më larg të lehurave të dhimbshme të një qeni tjetër, i lidhur përherë me zinxhir mes oborrit të vet. Mos shikonte tek ai, veten të lidhur me vargoj dhe brofte i lemerisur? Sa e padrejtë! Njëri i lidhur për jetë dhe, tjetri arrakat që e donim të gjithë. Se qenit të lidhur askush nuk ia hidhte sytë. Për të gjorin e kishim humbur respektin, ngaqë perëndia e kish shënuar të rronte nën hallka. Një qen i lidhur s’ka interes! Madje nuk përmendej fare, sikur nuk ekzistonte.

 

    Ndryshe ndodhte me Jakopsin, që dëgjohej rrallë, por të lehurat e tij të binin në vesh menjëherë. Kish brenda tyre diçka të  gëzuar, si të shprehte diçka që thuhet lirshëm. Mes asaj ngrysjeje të përgjithshme, lehjet e tij ishin tejet të pranueshme. Ai rronte dhe thërriste njëlloj si qentë në Amerikë, apo dhe diku gjetkë. Megjithëse kur je i lirë, është e njëjta kudo që të jetosh. Kjo profani del nga Jakopsi, i cili endej nga të donte, kthehej kur të donte, hante ç’i gjendej përpara dhe nuk harronte të lahej në det sa herë të donte. Veçse peshkatar nuk deshi dhe nuk u bë asnjë herë. Preferonte kockat e gjellëtores ose copa zorrësh nga magazinat. Në përgjithësi kërkonte shije të reja,  që i kërkonte vetë gjithandej, dhe jo si qeni i lidhur, që bluante mbeturinat e drekëve të varfra të të zotit.

 

        Kur ngopej, Jakopsi hidhej mbi të katra si të imitonte  një numër cirku, që e kish parë netëve të dimrit tek  televizori i shtëpisë kulturës, meqë e fusnim brenda  fshehurazi. Ish çudi me të, kur s’doje ai hidhej dhe kur i thoshe, hidhu! përpiqej të flinte. A thua të ish lindur qen demokrat-liberal!?  

 

      Emrin “Jakops,” e mori një mëngjes, krejt pa pritur. Dikush e përngjasoi me një futbollist, i cili bënte në fushë të njëjtat naze. Ishte emri i pestë a i gjashtë i tij, të cilin si dhe gjithë emrat e mëparshëm e  pranoi pa kusht. Veçse emri i ri,  nuk e përtëriu qenin, siç ndodhi tre-katër vite më parë, kur e pagëzuan me emrin “Xhek.”

 

      Kësaj here emri “Jakops” më tepër ngjante ironik, që e bëri qenin të ndjehej i prekur. Mërzitej shpejt dhe nuk lehte fare. Dikush tha; Vuan ngaqë emri i ri i ngjan një etikete të re, që ngjitet produktit të skaduar! Qeni e shikoi me përçmim. Vërtet, vitet kishin bërë punën e vet. Jakopsi  i ngopur me liri, të shumtat e orëve i kalonte i shtrirë tek rrëza gardhit, të cilën dikur nuk e preferonte. Veshët i kishin rënë krejt, por akoma i ndjente lehjet e forta të qenit nën  zinxhir, që vazhdonte të tregohej goxha i sertë, si të mos pranonte të dorëzohej, në pritje të lirisë së munguar...

 

          Ndërsa Jakopsi po zbërthehej. As të qëndronte në këmbë nuk mundte. Jeta në liri i ofroi gjithçka, ndaj tani flinte një gjumë pa turbullime. Trupi i tij dikur i pastër, fëlliqej përditë e më shumë. Bile, kam idenë se e kuptoi që po shkonte në atë jetë, ngaqë nuk i ndahej të zotit. Pranë tij tani nuk e shqetësonin më as makinat dhe as karrocat me kuaj, përkundrazi shkonte e u shtrihej nga poshtë, si të kërkonte ta bënin petë.  

 

     Kur doli ajo vjeshtë, iku dhe Jakopsi. Ndërsa ai i lidhuri rrojti dhe disa vite të tjera. Askujt nuk i pëlqente ajo jetë e gjatë, e robëruar e tij, por  nuk ishte në dorën askujt t’i falte lirinë, përveç të zotit.

 

    Tjetra, i rrojtur gjithë jetën në hallka, ish frikë ta lëshoje papritur. I lidhuri mund të bënte të gjame, gjithçka që Jakopsi i lirisë, veç e fantazoi...

 

Tiranë, 2003.